Lajmet

​Ambasadori amerikan: Kosova ka nevojë për një sektor dinamik privat

Hovenier tha se viti 2021 ishte vit i mirë për ekonominë e Kosovës.

Published

on

Fuqizimi dhe thellimi i lidhjeve ekonomike dhe marrëdhënieve tregtare, i cili do të rezultojë në prosperitet më të madh për amerikanë dhe kosovarë është në mesin e prioriteteve më të larta për ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeff Hovenier.

Duke folur në mbledhjen vjetore të Kuvendit të Përgjithshëm të Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, ambasadori Hovenier tha se viti 2021 ishte vit i mirë për ekonominë e Kosovës dhe që sektori privat është nxitësi kryesor i rritjes ekonomike. Ai theksoi rëndësinë e një sektori dinamik privat, si dhe nevojën e fuqizimit të dialogut me komunitetin e biznesit, dhe shfrytëzimit të fuqisë së investimeve nga diaspora.

“Njëri ndër prioritetet kryesore të Ambasadës tonë është përkrahja e trajektores evropiane dhe euro-atlantike të Kosovës. Kosova është treg i vogël, por ka potencialin të shndërrohet në një qendër të tregtisë dhe investimeve në Evropën juglindore”, tha ambasadori Hovenier, duke shtuar se Ambasada e Shteteve të Bashkuara përkrah iniciativat që krijojnë tregti më efikase ndërkufitare dhe që çojnë në një ekonomi më konkurruese dhe më përfshirëse kosovare.

Nëpërmjet një komunikate për medie nga Oda Ekonomike Amerikane e Kosovës (OEAK) thuhet se veç kësaj, ambasadori amerikan tha se derisa sektori publik ka fuqi të arrijë shumë synime, është me rëndësi të largohet nga sektorë të caktuar të ekonomisë, për të lënë sektorin privat të bëjë më të mirën.

Në fund, ambasadori Hovenier u bëri thirrje kompanive në Kosovë të promovojnë dhe zbatojnë masat parandaluese si maskat e fytyrës, distancën sociale dhe vaksinimin brenda stafit dhe klientëve të tyre, derisa varianti Omicron vijon të jetë i pranishëm dhe po shpërndahet me shpejtësi në Kosovë.

Presidenti në largim i Bordit të Guvernatorëve të Odës Amerikane, Ilir Ibrahimi, shprehu mirënjohjen për të gjithë anëtarët, Ambasadën e SHBA si dhe drejtorin ekzekutiv dhe ekipin e tij për përkrahjen e vazhdueshme dhe bashkëpunimin përgjatë viteve. Ibrahimi tha se pavarësisht ndryshimeve të shpeshta në Qeveri, Oda Amerikane ka qëndruar fuqishëm në qëndrimet e saj, duke ofruar të jetë partner i secilës qeveri, pa bërë kompromise në avokimin dhe mbrojtjen e anëtarëve të saj. Ai tha se me 210 anëtarët e saj, Oda Amerikane me krenari gëzon reputacionin e një asociacioni profesional dhe të fuqishëm të biznesit.

Drejtori ekzekutiv Arian Zeka tha se përgjatë dekadës së fundit, organizata është rritur gati tri herë për kah anëtarësia, financat dhe stafi, duke shtuar se sa më e fuqishme që organizata është bërë përgjatë viteve, aq më shumë e ka kuptuar që duhet t’u qëndrojë besnike vlerave dhe parimeve të Odës Ekonomike të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Uashington, si dhe vlerave individuale që çdokush në Odën Amerikane përfaqëson. Ai falënderoi anëtarët në largim të stafit për udhërrëfimin dhe mbikëqyrjen e tyre, Ambasadën e SHBA-së për përkrahjen e tyre dhe institucionet e Kosovës për partneritetin e tyre.

lajme

Kurti takon në Paris emisarin Sorensen: Diskutohet për normalizimin dhe dialogun me Serbinë

Published

on

By

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili po qëndron në Paris, është takuar me të dërguarin e posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë–Serbi, Peter Sorensen, në margjinat e Forumit të Paqes.

Gjatë takimit u diskutua për perspektivat e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve me fokus njohjen reciproke, stabilitetin institucional të paszgjedhjeve në Kosovë, si dhe rrugën e vendit drejt anëtarësimit në BE.

“Diskutuam për stabilitetin e plotë institucional që gëzon tashmë Kosova pas zgjedhjes së presidentit, rrugën e Kosovës drejt anëtarësimit në BE, si dhe perspektivat për normalizimin e plotë të marrëdhënieve me Serbinë, me fokus njohjen reciproke”, u shpreh kryeministri Kurti.

Edhe emisari evropian Sorensen konfirmoi takimin përmes një njoftimi, duke vlerësuar bisedën si të frytshme për përcaktimin e hapave të mëtejshëm në dialog dhe procesin e normalizimit në dobi të qytetarëve dhe rajonit. Gjatë qëndrimit në kryeqytetin francez, Kurti gjithashtu zhvilloi një bashkëbisedim me studentë, ku theksoi pritjet e tij që udhëheqja e re e Serbisë të njohë Republikën e Kosovës. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

Kosova U19 mposhtet nga Belgjika në raundin e dytë kualifikues

Published

on

By

Përfaqësuesja U19 e Kosovës në futboll e ka nisur me humbje raundin e dytë kualifikues për Kampionatin Evropian Euro 2027, pasi u mposht nga Belgjika me rezultat 2:0.

Në ndeshjen e zhvilluar në Skoci, pjesa e parë përfundoi pa gola, mirëpo belgët zgjidhën sfidën me dy goditje të shpejta me të filluar pjesa e dytë. Naim Amengai realizoi për 1:0 në minutën e 47-të, ndërsa Jessie Da Silva dyfishoi epërsinë dy minuta më vonë.

Sfida e radhës për futbollistët e rinj të Kosovës në kuadër të Grupit A2 do të jetë të shtunën kundër nikoqires së turneut, Skocisë.

Në anën tjetër, edhe Përfaqësuesja U17 e Kosovës ka pësuar humbje në sfidën ndaj Bjellorusisë, ndërsa ndeshjen e ardhshme do ta zhvillojë më 17 nëntor përballë Kazakistanit. Tri ekipet e para të secilit grup do të sigurojnë kalimin në raundin e tretë, me shortin që pritet të tërhiqet më 10 dhjetor. /E.A/

Continue Reading

lajme

Murati prezanton buxhetin për 2027-ën, opozita kritikon investimet kapitale

Published

on

By

Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka prezantuar në shqyrtimin e parë para Komisionit për Buxhet Projektligjin mbi ndarjet buxhetore për vitin 2027, i cili parasheh shpenzime në vlerë prej 4 miliardë e 268.7 milionë eurosh, të mbështetura nga të hyra prej 4 miliardë e 2 milionë eurosh dhe një deficit fiskal prej 2 për qind.

Gjatë raportimit, ministri Murati theksoi se buxheti reflekton rritjen ekonomike dhe ruajtjen e qëndrueshmërisë së financave publike, ndërsa arsyetoi rritjen e kostos së jetesës me faktorë dhe tronditje të jashtme gjeopolitike.

“Sa i përket inflacionit, patjetër që është problem rritja e kostos së jetesës edhe në Kosovë, sikurse në të gjitha vendet tjera të botës. Kjo ka dy shkaktarë, fillimisht ishte lufta në Ukrainë, e cila ndikoi në tronditjen globale të çmimeve të energjisë, por edhe të ushqimeve, dhe tash së fundi kemi edhe valën e re që vjen si rezultat i konfliktit në Gjirin Persik”, deklaroi Murati.

Prezantimi u pasua me kritika të ashpra nga anëtarët e opozitës. Deputeti nga radhët e PDK-së, Mërgim Lushtaku, ngriti shqetësimin për ngecjen e investimeve kapitale dhe ndikimin e inflacionit në mirëqenien e qytetarëve, duke iu referuar edhe raporteve që tregojnë se mbi një miliard euro investime të planifikuara kanë mbetur të pashpenzuara gjatë viteve të kaluara.

Seanca u karakterizua edhe nga debati i tensionuar mes ministrit Murati dhe deputetit të LDK-së, Avdullah Hoti, i cili kritikoi mungesën e një orientimi të qartë strategjik në infrastrukturë, shëndetësi dhe energji, duke vënë në dyshim pasqyrimin e premtimeve qeverisëse në kornizën trevjeçare buxhetore.

“S’je i interesuar sepse je mashtruesi më i madh që ka pasur ky vend… Buxheti nuk është një plan kontabël, është një dokument strategjik”, u shpreh Hoti gjatë përplasjes direkte me ministrin e Financave.

Sipas planifikimit të ndarjeve buxhetore sipas kategorive ekonomike, për paga janë paraparë 1 miliard e 84.9 milionë euro, për subvencione dhe transfere 1 miliard e 446 milionë euro, ndërsa për investime kapitale është alokuar shuma prej 1 miliard e 70 milionë eurosh. Projektligji pritet të vazhdojë procedimin në komisionet e linjës për shqyrtim të mëtejshëm. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

Foda rindërton mbrojtjen pas largimit të Dellovës

Published

on

By

Kombëtarja e Kosovës në futboll është përballur me ndryshime të papritura në repartin defensiv në prag të ndeshjeve ndaj Izraelit dhe Irlandës.

Mbrojtësi Lumbardh Dellova është larguar nga grumbullimi i “Dardanëve”, ndërsa përzgjedhësi Franco Foda ka ftuar në vend të tij Betim Fazlijin. Kjo mungesë e ndërlikon edhe më shumë situatën në prapavijë, meqë jashtë fushave vazhdon të jetë edhe Albian Hajdari për shkak të një lëndimi afatgjatë.

Në skemën e tij të zakonshme 3-4-3, tekniku gjerman do të duhet të rindërtojë treshen e mbrojtjes. Lajm pozitiv për skuadrën është rikthimi i Kreshnik Hajrizit pas lëndimit, i cili pritet të jetë nga minutat e para pranë Ilir Krasniqit dhe Ron Raçit. Si opsione të reja në dispozicion janë edhe dy debutuesit nga Zvicra dhe Suedia, Lindrit Kamberi e Bleon Kurtulus, si dhe Betim Fazliji i cili mbulon disa pozicione në mbrojtje e mesfushë.

“Është e rëndësishme të kemi disa mundësi, jo vetëm për ndeshjet e radhës, por edhe për të ardhmen. Është e rëndësishme ta kemi parasysh të ardhmen e Kombëtares dhe ta ruajmë cilësinë, në mënyrë që të përgatitemi edhe për kualifikimet e Kampionatit Evropian”, u shpreh përzgjedhësi Foda lidhur me zgjedhjet e reja në mbrojtje. /E.A/

Continue Reading

Të kërkuara