Sport

​Ademi në përvjetorin e Vokrrit: Ai mbetet pjesë e motivimit të gjeneratave të reja

Katër vjet pa Fadil Vokrrin.

Published

on

Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, e ka vlerësuar lartë kontributin e legjendës së futbollit të Kosovës Fadil Vokrri i cili sot katër vite më parë u nda nga jeta.

Ademi në një shkrim të publikuar në Facebook, ndër të tjera ka thënë se Vokrri mbetet pjesë e motivimit të gjeneratave të reja dhe se personalisht ndihet i nderuar që ishte në mesin e miqve të tij.

“Sot bëhen katër vjet që kur na la presidenti, miku dhe Legjenda jonë, Fadil Vokrri. Një figurë emblematike e futbollit të Kosovës, që në rininë e tij të hershme u shqua si njëri nga futbollistët më të spikatur në trojet shqiptare dhe jo vetëm, derisa për shumë vite u dallua edhe si drejtues i denjë i FFK-së. Sot, Legjenda na mungon të gjithëve fizikisht, por përherë mbetet në kujtimet tona si një personalitet i cili me karrierën e tij të bujshme i dha vlera të mëdha futbollit të Kosovës, teksa udhëhoqi me sukses procesin e anëtarësimit në UEFA e FIFA. Fanella me numrin 9 e simbolizonte karrierën e tij madhështore. Tani 9 qershori e simbolizon përkujtimin e tij të përjetshëm, teksa në çdo ndeshje të Kombëtares së Kosovës minuta e 9-të simbolizohet me brohoritjet e tifozëve me emrin e tij. Fadil Vokrri mbetet pjesë e motivimit të gjeneratave të reja, derisa për shumë breza që kishin fatin të luanin, të punonin e të ishin afër tij mbetet kujtim krenarie. Jam i nderuar që isha në mesin e miqve të tij të shumtë, por edhe krahu i tij i djathtë në rrugëtimin drejt ndërkombëtarizimit. Së bashku kaluam nëpër shumë peripeci, por punuam në vazhdimësi me këmbëngulësi që futbolli i Kosovës të jetë në nivelin ku është sot. Tani arritjet tona janë pjesë e përkushtimit në punë dhe u dedikohen të gjithë atyre që punuan e kontribuuan në futbollin kosovar që nga ditët e para të mëvetësimit. Sot, në këtë datë, rastisi që Kombëtarja jonë të luajë kundër Irlandës së Veriut, ndeshje e cila do të jetë në përkujtim të tij dhe rezultati i saj, i cili shpresojmë se do të jetë pozitiv, do të jetë i dedikuar për Fadil Vokrrin”, deklaroi Ademi.

Vokrri ishte njëri nga futbollistët më të mirë shqiptarë dhe është më i merituari për formimin e Kombëtares së Kosovës në futboll dhe për pranimin e FFK-së në UEFA dhe FIFA.

Sport

Spanja–Belgjika, beteja që ndal frymën në Botëror

Published

on

By

Kupa e Botës 2026 vazhdon të dhurojë emocione, ndërsa sonte vëmendja e gjithë botës së futbollit do të jetë e përqendruar te superpërballja mes Spanjës dhe Belgjikës, një duel që shumë e cilësojnë si “finale para finales”.

Dy nga kombëtaret më cilësore të turneut do të zbresin në fushë në orën 21:00, me vetëm një objektiv: sigurimin e një vendi në gjysmëfinale.

Spanja vjen në këtë sfidë me moral të lartë, pasi eliminoi Portugalinë me një fitore minimale 1-0, duke dëshmuar edhe një herë forcën dhe organizimin e saj. Në anën tjetër, Belgjika dha një sinjal të qartë për rivalët, duke shkatërruar Shtetet e Bashkuara me rezultatin bindës 4-1.

Përballja pritet të jetë një betejë taktike mes dy skuadrave të mbushura me yje, ku çdo gabim mund të kushtojë shtrenjtë. Ritëm i lartë, duele të forta dhe futboll spektakolar janë elementet që premtojnë një nga ndeshjet më të bukura të këtij Botërori.

Fituesi i këtij dueli do të përballet në gjysmëfinale me Francën, e cila tashmë ka siguruar kualifikimin, duke e bërë edhe më të madhe peshën e kësaj sfide.

Gjithçka është gati për 90 minuta që premtojnë spektakël. Mbetet të shihet nëse do të festojë “Furia e Kuqe” apo “Djajtë e Kuq” belgë.

D.L

Continue Reading

Sport

Klopp zbulon prapaskenat: Liverpooli ishte shumë pranë transferimit të Kylian Mbappes

Published

on

By

Jurgen Klopp ka zbuluar se Liverpooli ishte shumë pranë transferimit të Kylian Mbappes në fillimet e karrierës së sulmuesit francez, duke rrëfyer prapaskenat e një operacioni që, sipas tij, ishte më i madhi në historinë e klubit në atë periudhë.

Ish-trajneri i “The Reds”, gjatë një paraqitjeje si analist në kanalin gjerman Magenta TV për ndeshjen Francë–Marok në Kupën e Botës 2026, tregoi se drejtuesit e Liverpoolit kishin bërë një përpjekje të jashtëzakonshme për ta bindur Mbappen të zgjidhte “Anfieldin”, kur ai ishte ende pjesë e Monacos.

“Ky ishte transferimi më i shtrenjtë në të cilin investoi Liverpooli. Fluturuam nga Blackpool në Nice, ku e gjithë familja Mbappe u bashkua me ne në një avion privat. Kaluam kohë së bashku, biseduam, darkuam dhe zhvilluam takime larg syrit të publikut. Ishte një eksperiencë fantastike… por në fund ai zgjodhi Parisin”, rrëfeu Klopp.

Pavarësisht përpjekjeve të klubit anglez, gara për nënshkrimin e talentit francez u fitua nga Paris Saint-Germain. Në verën e vitit 2017, klubi parisien e transferoi Mbappen nga Monaco në një marrëveshje fillestare huazimi, ndërsa një vit më vonë aktivizoi blerjen përfundimtare për 180 milionë euro, duke e bërë atë një nga transferimet më të shtrenjta në historinë e futbollit.

Pas shtatë sezonesh të suksesshme te PSG, Mbappe realizoi ëndrrën e tij në verën e vitit 2024, kur iu bashkua Real Madridit si lojtar i lirë.

Sulmuesi francez nuk e ka fshehur asnjëherë respektin dhe admirimin për Liverpoolin dhe Jurgen Kloppin. Në një intervistë për BBC Sport në vitin 2020, ai e cilësoi skuadrën angleze si një nga më të mirat në botë.

“Ajo që po bën Liverpooli është e mahnitshme. Ata funksionojnë si një makinë, kanë gjetur ritmin e tyre dhe gjithçka duket e lehtë kur i shikon, edhe pse nuk është aspak kështu. Luajnë çdo tre ditë dhe vazhdojnë të fitojnë. Janë një ekip fantastik me një trajner të shkëlqyer”, kishte deklaruar Mbappe.

Dy vite më vonë, në vitin 2022, francezi konfirmoi se kishte pasur kontakte me Liverpoolin, por theksoi se bisedimet nuk kishin avancuar shumë.

“Folëm pak me Liverpoolin, por jo shumë. Në fund gjithçka ishte mes Real Madridit dhe PSG-së. Kam folur me Liverpoolin sepse e kuqja është ngjyra e preferuar e nënës sime dhe ajo e do Liverpoolin. Nuk e di pse, por është e vërtetë. U takuam edhe kur isha te Monaco. Është një klub i madh”, kishte thënë ai.

Rrëfimi i Kloppit hedh dritë mbi një nga transferimet që mund ta kishte ndryshuar historinë e Liverpoolit. Edhe pse marrëveshja nuk u realizua, interesimi i klubit anglez për Mbappen ishte real dhe shumë më i avancuar sesa ishte bërë i ditur publikisht.

D.L

Continue Reading

Sport

Franca eliminon Marokun dhe siguron biletën për në gjysmëfinale të Kupës së Botës

Published

on

By

Kombëtarja e Francës ka siguruar një vend në gjysmëfinalen e Kupës së Botës, pasi mposhti Marokun me rezultatin pastër 2:0 në ndeshjen e parë çerekfinale të zhvilluar në Boston. Ndeshja u vendos në pjesën e dytë, ku sulmi francez u tregua sërish mjaft efikas në momentet kryesore, duke thyer dy herë rresht mbrojtjen e herizonit afrikan dhe duke bërë që Franca tani të presë fituesin e duelit mes Spanjës dhe Belgjikës.

Sfida nisi me një presion të lartë të francezëve, por portieri i Marokut, Yassine Bounou, bëri një paraqitje të jashtëzakonshme në pjesën e parë. Ai u bë protagonist kryesor duke pritur edhe një penallti të Kylian Mbappe-s në minutën e 28-të. Megjithatë, rezistenca marokene zgjati deri në minutën e 60-të, kur po i njëjti Mbappe gjeti rrugën e rrjetës me një gjuajtje të fuqishme, duke realizuar golin e tij të tetë në këtë turne, shifër kjo që e barazon atë me Lionel Messin.

Goli i parë i hapi rrugë dominimit të Francës, që vetëm gjashtë minuta më vonë dyfishoi shifrat. Ishte sërish Mbappe ai që ndërtoi aksionin, duke asistuar saktë për fituesin e “Topit të Artë”, Ousmane Dembele, i cili shënoi një gol mjaft të bukur për 2:0. Edhe pse Mbappe u detyrua të linte fushën i lënduar në minutën e 77-të, Maroku e pati të pamundur të reagonte apo të rrezikonte triumfin e francezëve. Me këtë rezultat, Maroku i jep lamtumirën Botërorit, duke përsëritur të njëjtin fat si në Katar në vitin 2022, ku u eliminuan po nga Franca me të njëjtat shifra. /E. A/

Continue Reading

Sport

Franca dhe Maroku përballen sonte për një vend në gjysmëfinale

Published

on

By

Franca dhe Maroku do të përballen sonte në çerekfinalen e Kupës së Botës, në një duel që pritet të jetë ndër më interesantët e kësaj faze të turneut.

Ndeshja zhvillohet nga ora 22:00, ndërsa të dyja kombëtaret synojnë kualifikimin në mesin e katër skuadrave më të mira të Botërorit.

Franca vjen në këtë takim pas fitores minimale ndaj Paraguait në fazën e 1/8-tës, ndërsa Maroku siguroi kualifikimin duke mposhtur bindshëm Kanadanë.

Francezët konsiderohen favoritë falë përvojës dhe cilësisë së skuadrës, por Maroku ka dëshmuar gjatë këtij Botërori se është një kundërshtar i fortë dhe i gatshëm të befasojë çdo rival.

Të dy kombëtaret synojnë një vend mes katër skuadrave më të mira të Botërorit, në një ndeshje që pritet të dhurojë rivalitet të madh dhe emocione deri në fund.

D.L

Continue Reading

Të kërkuara