Lajmet

​AAK kundër rritjes së çmimit të energjisë elektrike, përmend edhe protestat

Ai tha se rritja e çmimit të energjisë është e dëmshme për qytetarët.

Publikuar

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka shprehur shqetësim për paralajmërimet për rritje të çmimit të energjisë elektrike.

Pal Lekaj nga AAK-ja në një konferencë për medie të premten tha se rritja e çmimit të energjisë është e dëmshme për qytetarët. Për të kundërshtuar këtë, ai përmendi edhe organizimin e protestave.

“Arsyeja e thirrjes së konferencës ka të bëjë me paralajmërimin dhe tentimin e qeverisë për rritjen e çmimit të rrymës elektrike. Ky është një shok lajm për të gjithë qytetarët e Kosovës, bizneset dhe ndërmarrjet e vendit, dhe për të gjithë ne si spektër politik”, tha ai.

“Janë disa arsye pse ne mendojmë që kjo nuk duhet të ndodhë. E para, duke marrë parasysh subvencionet e ndara nga qeveria vitin e kaluar për zbutjen e ndikimit të rritjes së çmimit të energjisë, nuk shihet e arsyeshme të ketë ritje të dytë të çmimit dhe aq më pak të ndodhë të ketë rritje në vlerë prej 14%. Madje ne kemi pritur ulje apo kthim të çmimit të tarifave të vjetra, e jo rritje të dytë. E dyta, Qeveria Kurti vitin e kaluar subvencionoi bizneset, ndërsa konsumatorëve familjarë pavarësisht subvencionit ju rriten tarifat për më shumë se 100%. Pra, pësuan shumica e qytetarëve, sepse zgjidhjet nuk ishin adekuate. E treta, KEK-u është në gjendje stabile, ku ka eksportuar miliona euro energji, dhe nëse kjo energji e eksportuar nga KEK nuk zbërthehet në të mirë të qytetarëve, cila është arsyeja e rritjes së çmimit të energjisë”, tha ai.

Lajmet

Kosova po përgatit draft-statut për Asociacionin

Publikuar

nga

Ministrja për Punë të Jashtme dhe Diasporë e Kosovës, Donika Gërvalla, tha se përmes një letre ka njoftuar Këshillin e Evropës se Kosova po përgatit një draft-statut për themelimin “një mekanizmi për vetmenaxhim, koordinim dhe bashkëpunim të komunave me shumicë serbe në Kosovë”.

Gërvalla përmes një shkrimi në Facebook tha se ky draft-statut plotëson nevojat e qytetarëve të komunitetit serb dhe njëkohësisht respekton Kushtetutën e Kosovës dhe parimet e Këshillit të Evropës.

“Drafti siguron jo vetëm respektimin e plotë të Kushtetutës dhe ligjeve të Republikës së Kosovës, por në të njëjtën kohë pamundëson ndërhyrjet e palejueshme nga jashtë, si në komunat e Kosovës, ashtu edhe në të gjithë vendin.
Pas konkretizimit të sotëm të zotimit tonë për të bërë një hap të rëndësishëm dhe të prekshëm në përmbushjen e zotimeve tona, kërkojmë dhe presim nga Këshilli i Evropës që të përmbushë pjesën e vet të detyrimit dhe të ftojë Kosovën për t’iu bashkuar pa vonesë Këshillit të Evropës, si vendi të cilit jo vetëm që i janë vendosur më së shumti kushte për anëtarësim në këtë organizatë, por i cili i ka përmbushur të gjitha këto kushte. Kosova e pavarur dhe sovrane, si shtet ligjor dhe demokratik, mbetet në kursin e saj të palëkundur drejt anëtarësimit në NATO dhe BE”, shkroi Gërvalla në Facebook./UBTNews/

Vazhdo të lexosh

Lajmet

​25 vjet nga zhdukja e Ukshin Hotit

Publikuar

nga

Më 16 maj 1999 në rrethana ende të pandriçuara është zhdukur Ukshin Hoti.

Veprimtari i mirënjohur i Lëvizjes Kombëtare, profesori Ukshin Hoti u lind më 17 qershor 1943 në Krushë të Madhe të Rahovecit. Ishte profesor, shkrimtar, filozof, intelektual, atdhetar dhe veprimtar i shquar i çështjes kombëtare gjatë viteve 1981-1999.

Ukshin Hoti ka qenë edhe ligjërues në disa universitete të Amerikës ku dhe kishte studiuar dhe diplomuar.

Për aktivitetin e tij atdhetar ishte arrestuar disa herë nga regjimi serb i Titos dhe i Millosheviqit. Për herë të fundit ishte arrestuar më 1994 nga policia serbe me akuzën e ushtrimit të veprimtarisë armiqësore kundër Jugosllavisë dhe pjesëmarrjen e tij në lëvizjen për Republikën e Kosovës, me ç’rast ishte dënuar me 5 vjet burg.

Më 16 maj 1999 pas lirimit dhe pas daljes nga qelia e burgut të Dubravës, zhduket nga polica serbe pa lënë gjurmë.

Shokët e burgut, ata që kanë shpëtuar nga masakra e Dubravës, disa ditë më vonë, kanë treguar se Ukshini ishte liruar nga burgu më 16 maj, ditën e diel, ditë që nuk praktikohej lirimi i të burgosurve.

Prej asaj kohe e deri tani, veprimtari i madh i çështjes kombëtare shqiptare, magjistri, filozofi, shkrimtari, publicisti, atdhetari i përkushtuar, Ukshin Hoti edhe sot e kësaj dite konsiderohet ende i zhdukur.

Komuna e Rahovecit sot mban takim në 25-vjetorin e zhdukjes së Ukshin Hotit, në Shtëpinë-muze të Ukshin Hotit, Krushë e Madhe, ora 19:00.

Vazhdo të lexosh

Lajmet

Sot fillon rigjykimi ndaj Dardan Krivaqës dhe Arbër Sejdiut

Publikuar

nga

Sot pritet të filloj rigjykimi ndaj Dardan Krivaqës dhe Arbër Sejdiut, të cilët akuzohen për dhunimin dhe vrasjen e Marigona Osmanit më 22 gusht të vitit 2021 në Ferizaj.

Kjo ishte bërë e ditur përmes një komunikate për medie të lëshuar nga Gjykata Themelore në Ferizaj.

Gjykata Themelore e Ferizajt më 4 gusht të vitit të kaluar e ka dënuar me burgim të përjetshëm Dardan Krivaqën për vrasjen e Marigona Osmanit. Ndërsa ishte liruar nga akuza për dhunim.

Arbër Sejdiu ishte dënuar me 15 vjet burgim për ndihmë në vrasjen e rëndë në bashkëkryerje. Sejdiu ishte liruar nga vepra penale e ndihmës në dhunim.

Por, Gjykata e Apelit, me aprovimin e ankesës së Prokurorisë Themelore në Ferizaj dhe të mbrojtjes së dy të akuzuarve, e ka kthyer çështjen në rigjykim.

18-vjeçarja Marigona Osmani u vra më 22 gusht të vitit 2021 në banesën e të akuzuarit kryesor, Dardan Krivaqës, në qytetin e Ferizajt.

Sipas aktakuzës, Dardan Krivaqa thuhet se më 21 gusht 2021, rreth orës 10:14, në banesën e tij, pa pëlqimin e tani së ndjerës Marigona Osmani, e kishte detyruar atë të kryente marrëdhënie seksuale dhe e kishte abuzuar e maltretuar në forma të ndryshme.

Një ditë më pas, më 22 gusht 2021, Krivaqa dhe Sejdiu akuzohen se kanë privuar nga jeta Marigona Osmanin, në përpjekje për të fshehur veprën penale të dhunimit.

Vazhdo të lexosh

Lajmet

A po shkojnë LVV e PDK drejt bashkëpunimit për zgjedhjet e ardhshme

Publikuar

nga

Ftesës për takim që kryeministri Albin Kurti ua bëri partive opozitare parlamentare, iu përgjigj vetëm Partia Demokratike e Kosovës. Dy subjektet e tjera politike, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e refuzuan takimin. 

Në diskutimin që kishin Kurti dhe kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, tema kryesore e bisedës ishte mundësia e zgjedhjeve të parakohshme.

Njohësi i çështjeve politike, Bekim Kabashi për UBTNews tregon si e pa takimin mes Kurtit dhe Krasniqit.

“Siç është parë tema kryesore ishte gjetja e një kompromisi për datën e zgjedhjeve, unë e shoh edhe në aspektin tjetër tash pavarësisht partitë opozitare konkurrencën kryesore ose sifduesin kryesor e kanë qeverinë, ka edhe një konkurrencë brenda aspektit opozitar politik sepse partitë opozitare nuk është që kanë qëndrime të njëjta ose agjenda të njëjta madje edhe ideologjikisht nuk janë të njëjta plus edhe ambicia secila prej tyre është të marrin mbështetje elektoriale sa më të madhe”, deklaroi Kabashi.

Ai foli edhe për një bashkëpunim të mundshëm në të ardhmen mes këtyre dy partive.

“Unë nuk e shoh si të tillë për arsye sepse rezultatet për mundësinë e një koalicioni parazgjedhor sepse PDK dhe Vetëvendosja sigurisht nuk do të shkojnë me një listë të përbashkët zgjedhore për koalicion parazgjedhor, por në qoftë se ekziston mundësia e bashkëpunimit atëherë do të jetë pas mbajtjes së zgjedhjeve dhe nuk mund të definojmë prej këtij momenti për arsye sepse këtë e përcakton rezultati zgjedhor”, shtoi ai.

Zgjedhjet e fundit parlamentare në Kosovë u mbajtën më 14 shkurt të vitit 2021. Lëvizja Vetëvendosje atë botë fitoi me mbi 50 përqind të votave të përgjithshme./UBTNews/

Realizoi: Dea Berisha

Vazhdo të lexosh

Të kërkuara