Lajmet

​30 vjet nga traktati që i hapi rrugë krijimit të Bashkimit Evropian

Traktati i Mastrihtit njihet më shumë si Traktati i Bashkimit Evropian.

Published

on

Më 7 shkurt të vitit 1992 u nënshkrua Traktati Maastricht, i cili hapi rrugën për krijimin e Bashkimit Evropian. Traktati i Mastrihtit njihet më shumë si Traktati i Bashkimit Evropian, pasi me të nisi rruga që do të çonte në vitin 2002 në hyrjen në qarkullim të monedhës së përbashkët evropiane – euro.

Negociatat për traktatin e Mastrihtit lindën me vullnetin për të realizuar mes shteteve anëtare të Komunitetit, një integrim në sektorin e politikës ekonomike, përmes një përputhjeje të fortë ekonomike të vendeve anëtare, përmes hedhjes në qarkullim të një monedhe të vetme evropiane.

Traktati i Mastrihtit nuk është i rëndësishëm vetëm sepse shënon hapin e parë konkret drejt Bashkimit Ekonomik dhe monetar, por sepse nëpërmjet tij u kalua në Komunitetin Evropian dhe në Bashkimin Evropian, u përforcua bashkëpunimi mes shteteve anëtare në fushën e politikës së jashtme dhe arrihet në konceptin e qytetarit evropian.

Në qershor 1992, përmes referendumit, Danimarka i tha “JO” ratifikimit të Traktatit të Mastrihtit. Ndërkohë që në Francë, Traktati i Mastrihtit, i shtruar për referendum merr vetëm 50.4 për qind të votave: një gjysmë fitore dhe një goditje ndaluese për Evropën. Por me gjithë këto vështirësi, Traktati i Mastrihtit eci përpara, u kërkuan zgjidhje politike duke u bazuar në rezultatet e referendumit danez dhe pak nga pak u kapërcye edhe “jo”-ja e francezëve.

Traktati i Mastrihtit u firmos zyrtarisht nga ministrat e Punëve të Jashtme të vendeve anëtare më 7 shkurt 1992, në një qytet të vogël të Holandës, prej nga mori dhe emrin, pranë kufirit me Gjermaninë dhe Belgjikën. Por, Traktati i Mastrihtit, menjëherë pas nënshkrimit të tij, nuk pati jetë të lehtë. Pikërisht sepse shënonte një hap të rëndësishëm përpara në procesin e integrimit evropian, disa vende nuk e pritën mirë.

Për nga rëndësia që pati dhe bazat që hodhi, mund të thuhet se ai shkoi shumë më larg se objektivi ekonomik, të cilin kishte përcaktuar në fillim Komuniteti. Ai shënoi një etapë të re të procesit “të një bashkimi të vazhdueshëm më të ngushtë midis popujve të Evropës”, duke e veshur në këtë mënyrë objektivin ekonomik me një frymë politik.

Me hyrjen e tij në fuqi më 1 nëntor 1993, u krijua Bashkimi Evropian me 12 vende anëtare të Komunitetit, të cilat ishin: Belgjika, Danimarka, Franca, Greqia, Gjermania, Holanda, Irlanda, Italia, Luksemburgu, Mbretëria e Bashkuar, Portugalia dhe Spanja. Numri i anëtarëve do të shkonte në 15 në vitin 1995.

Në tërësinë e tij, Traktati i Mastrihtit mund të përmblidhet në tri elementë kryesore ose tri shtylla:

– Së pari, veshja e Komunitetit evropian (e i cili zëvendësoi Komunitetin Ekonomik Evropian), me kompetenca të gjera mbikombëtare;

– Së dyti, bashkëpunimi në fushën e një politike të përbashkët të jashtme dhe të sigurisë;

– Së treti, bashkëpunimi në fushën e marrëdhënieve të brendshme dhe të drejtësisë.

Një qytetari evropiane

Traktati i Mastrihtit i njeh qytetarinë evropiane çdo personi që ka shtetësinë e një vendi anëtar të Bashkimit Evropian. Në këtë mënyrë, qytetaria evropiane është e kushtëzuar nga qytetaria kombëtare, por veç kësaj, ajo pajis edhe me disa të drejta të reja shtesë:

– e drejta e qarkullimit dhe e qëndrimit të lirë në vendet e Komunitetit;

– e drejta për t’u mbrojtur, jashtë vendit, nga ambasada apo dhe konsullata e secilit vend anëtar;

– e drejta e votës dhe për t’u zgjedhur në vendin rezident, për zgjedhjet evropiane dhe bashkiake, me disa kushte;

– e drejta e peticionit përpara Parlamentit Evropian;- e drejta e ankimimit pranë Mediatorit Evropian lidhur me probleme në funksionimin e administratës komunitare. Një bashkim ekonomik dhe monetar

Vendimi për të krijuar një monedhë të përbashkët më 1 janar 1999, nën drejtimin e Bankës Qendrore Evropiane, ishte hapi final i integrimit ekonomik dhe monetar në gjirin e tregut të përbashkët. Bashkimi ekonomik dhe monetar u realizua në tri etapa:

– Së pari, liberalizimi i lëvizjeve të kapitaleve, etapë e cila përfundoi më 31 dhjetor 1993.

– Së dyti, bashkërendimi i politikave ekonomike të vendeve anëtare, me qëllim uljen e inflacionit, të normave të interesit dhe të luhatjeve të kurseve të këmbimit, si dhe kufizimin e deficiteve dhe të borxhit të vendeve anëtare.

Vendosja e këtyre kritereve, që njihen si “kriteret e Mastrihtit”, ishte parakushti për sigurimin e konvergjencës së ekonomive të vendeve anëtare, e cila nga ana e saj është kusht i domosdoshëm për kalimin në një monedhë të përbashkët. Kjo është arsyeja që kriteret e Mastrihtit rëndom quhen edhe “kriteret e konvergjencës”.

Kalimi në monedhën e përbashkët u përgatit nga Instituti Monetar Evropian, pararendësi i bankës qendrore evropiane.

– Së treti dhe së fundi, krijimi i një monedhë të përbashkët më 1 janar 1999, dhe i Bankës qendrore evropiane.

Zgjerimi i kompetencave të Komunitetit

Me Traktatin e Mastrihtit, kompetencat komunitare u shtrinë edhe në fusha të tjera siç ishin: arsimi, formimi profesional, kultura, shëndeti publik, mbrojtja e konsumatorëve, rrjetet trans-evropiane, politikat industriale. Zgjerimi i këtyre kompetencave u mbështet në parimin e subsidiaritetit, që do të thotë se këto kompetenca u zgjeruan në atë masë që objektivat e parashikuara nuk mund të realizoheshin plotësisht nga vendet anëtare në nivel kombëtar ose lokal. Pra, iniciativat komunitare nuk kishin për qëllim të zëvendësonin iniciativat e secilit vend anëtar në rrafshin kombëtar, por konsideroheshin si një plotës i këtyre të fundit.

Me Traktatin e Mastrihtit, edhe politika sociale bëhet pjesë e fushës komunitare. Protokolli social, ndonëse nuk u nënshkruar nga Mbretëria e Bashkuar, u përfshi në Anekset e Traktatit. Kështu, nga gjithë vendet anëtare (me përjashtim të Mbretërisë së Bashkuar), u adoptuan dispozita të përbashkëta lidhur me kushtet e punës, me barazinë midis burrit dhe gruas, me integrimin e personave të përjashtuar nga tregu i punës, me sigurimet shoqërore etj. Politika e jashtme dhe e sigurimit e përbashkët

Shtylla e dytë e Traktatit të Mastrihtit, e cila mbështetet në mekanizmin e bashkëpunimit politik të institucionalizuar me Aktin Unik, ka të bëjë me hartimin e një politike të jashtme dhe të sigurisë të përbashkët. Kjo politikë do të mundësonte ndërmarrjen e veprimeve të përbashkëta në fushën e politikës së jashtme.

Në këtë këndvështrim, vendimmarrja duhej të ishte unanime, ndërsa masat shoqëruese të miratuara me shumicën e votave.

Politikat e ndërmarra nga BE në fushën e sigurisë, kanë si objektiv mbrojtjen e përbashkët, duke u mbështetur në bashkimin e Evropës Perëndimore. Gjithnjë në këtë pikëpamje, vendet anëtare mund të veprojnë për llogari të tyre, por me kusht që veprimet e tyre të mos bien ndesh me vendimet e miratuara së bashku. Çështjet e brendshme dhe drejtësia.

Shtylla e tretë e Traktatit u konceptua për të lehtësuar dhe siguruar lëvizjet e lira të individëve midis vendeve të BE-së.

Edhe këtu, vendimet merren në unanimitet; ato mbulojnë fushat e mëposhtme:

– rregullat e kalimit të kufijve të jashtëm të hapësirës së Komunitetit dhe forcimin e kontrolleve (duke filluar nga 1996, masat e marra në lidhje me vizat duhet të miratohen me shumicë votash; megjithatë një vend mund të miratojë dispozita të nevojshme me qëllim sigurimin e brendshëm dhe rendnin publik);

– lufta kundër terrorizmit, kriminalitetit, trafikut të drogës dhe mashtrimeve ndërkombëtare;- bashkëpunimi në fushën e drejtësisë penale dhe civile;

– krijimi i Zyrës evropiane të policisë (Europol), e pajisur me një sistem këmbimi informacioni midis policive të vendeve anëtare;

– lufta kundër migracionit të paligjshëm;

– politika të përbashkët azilimi.

Rishikimi i Traktatit

Në Traktat parashikohet edhe rishikimi i tij, kryesisht lidhur me institucionet komunitare, në kushtet e zgjerimit. Konferenca ndërqeveritare e mbledhur në vitet 1996-97, u finalizua me nënshkrimin nga ana qeverive të vendeve anëtare të një Traktati tjetër, atij të Amsterdamit, i cili ishte vazhdim i fushave dhe kompetencave të parashikuar në Traktatin e Mastrihtit.

Vendi

LDK-ja mbështet zyrtarisht Bekim Sejdiun për President, u bën thirrje deputetëve për votim

Published

on

By

Kryesia e Lidhjes Demokratike të Kosovës ka vendosur zyrtarisht të mbështesë kandidaturën e profesorit Bekim Sejdiu për President të Republikës së Kosovës. Vendimi është marrë gjatë mbledhjes së Kryesisë, në përputhje me procedurat statutare dhe autorizimet e dhëna nga Kuvendi i partisë.

Përmes një deklarate për media, LDK-ja bëri të ditur se marrëveshja e miratuar politike synon përmbylljen e procesit të zgjedhjes së kreut të shtetit dhe parandalimin e një krize të re institucionale në vend.

Subjekti opozitar vlerësoi se përvoja e gjatë e Sejdiut në fushën e së drejtës kushtetuese dhe në diplomaci e bën atë një kandidat të dinjitetshëm që garanton ushtrim të pavarur e të paanshëm të detyrës. Kryesia e LDK-së i ka bërë thirrje të gjithë deputetëve të Kuvendit të Kosovës që ta mbështesin këtë propozim gjatë votimit. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

Edhe pak vende të lira në disa programe studimi Bachelor në UBT

Published

on

By

Për të gjithë maturantët që kanë marrë pjesë në afatin e dytë të Testit të Maturës dhe synojnë një arsim cilësor me standarde ndërkombëtare, zgjedhja e tyre e drejtë është UBT. Ata kanë mundësi të zgjedhin mes disa programeve studimore ku kanë mbetur edhe pak vende të lira për vitin e ri akademik.

Si institucioni arsimor lider në rajon për inovacion dhe teknologji, UBT ofron infrastrukturën më moderne dhe laboratorët më të avancuar për përgatitjen e profesionistëve të së ardhmes. Përmes kurrikulave moderne të ndërtuara në bashkëpunim me universitetet më të njohura botërore, studentët përfitojnë dije praktike që u garantojnë punësim të shpejtë në tregun e punës.

Ky është shansi i fundit për të siguruar një vend në komunitetin më të madh të dijes dhe për të marrë një diplomë të njohur ndërkombëtarisht. Regjistrimet po vazhdojnë në të gjitha kampuset e UBT-së, prandaj nxitoni të bëheni pjesë e suksesit dhe të ndërtoni karrierën tuaj të ëndrrave!

Continue Reading

Vendi

Skandali në BKS zgjerohet në 69 të pandehur: Ngrihen 35 prona dhe llogari bankare për dëmin mbi 1.2 milionë euro

Published

on

By

Prokuroria Themelore në Prizren dhe Policia e Kosovës kanë njoftuar zgjerimin e hetimeve lidhur me keqpërdorimet financiare në Byronë Kosovare të Sigurimeve (BKS). Me veprimet e fundit të ndërmarra më 1 shtator 2026, numri i të pandehurve ka arritur në 69 persona, ndërsa dëmi i përgjithshëm i shkaktuar ndaj BKS-së tashmë llogaritet mbi 1.2 milionë euro.

Hetimet janë zgjeruar ndaj 21 zyrtarëve të rinj të BKS-së, të cilët dyshohen për veprën penale “Keqpërdorimi i besimit në ndihmë”. Këta punonjës dyshohet se kanë mundësuar ose marrë pjesë në transferimin e mjeteve financiare pa mbulesë, në vlera nga 2,000 deri në 53,000 euro për person. Ky aktivitet i kundërligjshëm i ka shkaktuar BKS-së një dëm shtesë prej rreth 200,000 eurosh, duke iu shtuar shumës fillestare prej 1,043,000 eurosh të identifikuar në janar.

Të pandehurit janë intervistuar në Stacionin Policor në Prishtinë nga Njësia për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, në prani të drejtuesve të Prokurorisë Themelore të Prizrenit.

Paralelisht me procesin penal, me mbështetjen e Njësitit të Hetimeve të Integruara Financiare dhe Njësisë së Inteligjencës Financiare, janë ndërmarrë masa për ngrirjen e pasurisë së fituar nga kjo veprimtari:

35 prona të sekuestruara: Janë ngrirë parcela kadastrale, banesa dhe garazhe që lidhen me tre të pandehurit kryesorë.

21 llogari bankare të bllokuara: Është urdhëruar ngrirja e menjëhershme e llogarive bankare të personave të dyshuar.

Prokuroria dhe Policia e Kosovës konfirmuan se hetimet po vazhdojnë me intensitet për zbardhjen e plotë të kësaj skeme të keqpërdorimit dhe vënien e të gjithë përgjegjësve para drejtësisë. /E.A/

 

Continue Reading

Lajmet

Islam Selmani i artë, medalja e 7-të për Kosovën

Published

on

By

Islam Selmani ka shkëlqyer në Lojërat Mesdhetare “Taranto 2026”, duke fituar medaljen e artë dhe duke i sjellë Kosovës medaljen e shtatë në këto Lojëra.

Karateisti kosovar triumfoi në finale dhe u shpall kampion, duke shkruar një faqe të rëndësishme për karatenë e Kosovës.

Kjo është medalja e parë e artë për Kosovën në karate në “Taranto 2026” dhe medalja e shtatë e delegacionit kosovar.

Një paraqitje fantastike e Islam Selmanit, i cili tashmë është kampion i Lojërave Mesdhetare.

D.L

Continue Reading

Të kërkuara