Kulturë

​23 vjet pa poetin Latif Berisha

Latif Berisha ishte aktivist në lëvizjen gjithëshqiptare të Kosovës dhe ish-kryetar i LDK-së në Mitrovicë.

Published

on

Sot bëhen 23 vjet nga vrasja e poetit mitrovicas Latif Berisha. Kur lufta për çlirimin e Kosovës mori hov të madh, më 24 mars 1999, në natën e parë të bombardimeve të forcave të NATO-s mbi caqet serbe në Mitrovicë, kriminelët serbë e vranë profesor Latif Berishën, në pragun e shtëpisë së tij.

Latif Berisha ishte aktivist në lëvizjen gjithëshqiptare të Kosovës dhe ish-kryetar i LDK-së në Mitrovicë. Ai u lind më 18 qershor 1931 në Smrekonicë të Vushtrrisë. Mësimet fillore i kreu në vendlindje, ndërsa ato të mesme në Vushtrri e Prishtinë. Fillimisht më 1949, punoi mësues në shkollën fillore në Pantinë.

Këtu filloi të shkruajë poezi e disa prej tyre edhe t’i botojë në revistën letrare “Jeta e Re”. Në vitin 1951 punoi si inspektor në Sekretariatin për Arsim Kulturë dhe Shëndetësi dhe në ato vite kishte qenë edhe anëtar i Kryesisë së Shoqatës së Arsimtarëve.

Më 1954, Latif Berisha punoi mësimdhënës i Gjuhës dhe letërsisë shqipe në Gjimnazin e ulët të Vushtrrisë, ndërsa më 1955 regjistrohet student i rregullt i Albanologjisë në Fakultetin Filozofik në Beograd. Gjatë kohës së studimeve, më 1957 boti përmbledhjen e poezive “Tufa”. Aktiviteti i tij u dallua edhe në formimin e Shoqërisë letrare “Përpjekja” të studentëve shqiptarë që studionin në Universitetin e Beogradit. Në qershor 1959, diplomoi në degën e Albanologjisë dhe pastaj punoi mësimdhënës në Gjimnazin e Mitrovicës “Silvira Tomazini”.

Më 1963, Latif Berisha i vazhdoi studimet pasuniversitare, Drejtimi i Letërsisë, në Fakultetin Filologjik të Beogradit dhe punoi temën e magjistraturës “Skënderbeu në letërsinë e shkruar shqipe”.

Më 1965 u zgjodh asistent në Degën e Albanologjisë në Fakultetin Filozofik të Prishtinës, ndërsa më 1968 u zgjodh ligjërues i Historisë së letërsisë shqipe (Romantizmi).

Që nga viti 1984, punoi në projektin “Skënderbeu në letërsinë shqipe”, të cilin nuk e mbaroi.

Në vitin 1991, si dhe shumë mësimdhënës të tjerë, edhe Latif Berishën, regjimi serb e largoi nga puna.

Gjatë viteve ’90, Latif Berisha u angazhua në lëvizjen e intelektualëve dhe të popullit shqiptar për mbrojtjen e çështjes kombëtare. Ka qenë anëtar i Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe kryetar i Degës së LDK-së në Mitrovicë. U angazhua posaçërisht si udhëheqës në sektorin e kulturës, si dhe ishte i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës.

Latif Berisha ka botuar vëllimin me poezi “Tufa”(1957), studimet e vështrimet: Ali Asllani dhe krijimtaria e tij poetike”(1963), Skënderbeu në poemën “Kënga e sprasme e Balës” (1968), Skënderbeu në disa krijime të letërsisë shqipe në Jugosllavi (1968), vepra “Lulet e Verës” dhe disa nga dimensionet e saj kuptimore (1972), poema “Bagëti e Bujqësi” (vlera ideoartistike) (1972), Hil Mosi dhe krijimtaria e tij poetike (1972), Andria Kaçiq Mioshiq dhe shqiptarët (1974), Një tufëz vjershash autografe të Zef Serembes (1974) etj.

Në vitin 2004, ish-presidenti Ibrahim Rugova e dekoroi Latif Berishën me Medaljen e Artë të Pavarësisë, për kontributin e dhënë për liri dhe pavarësi.

Lajmet

Publikohet libri i profesorit Safet Zejnullahu, “Media dhe shtetndërtimi – Qendra për Informim e Kosovës”

Published

on

By

Profesori i Fakultetit për Media dhe Komunikim në UBT, dr. Safet Zejnullahu ka publikuar librin e tij ta radhës, “Media dhe shtetndërtimi – Qendra për Informim e Kosovës”.

Libri trajton kontributin e gazetarëve shqiptarë në mundjen e territ informativ të imponuar nga Serbia në vitet nëntëdhjetë, pas mbylljes me dhunë të mediave në gjuhën shqipe.

Një kohë kur ata ia dolën të njoftojnë botën për çfarë po ndodhte në Kosovë, njëkohësisht afirmuan aktivitetet politike dhe ushtarake – në rrugën drejt arritjes së synimit për pavarësinë e vendit.

“Ky libër është shkruar për të dëshmuar një betejë të madhe të fituar nga gazetarët shqiptarë të Kosovës, kundër territ informativ të imponuar. Për të vulosur një dëshmi – se gazetarët shqiptarë e kryen me sukses pjesën e tyre të detyrës në fazën e luftës për liri dhe në shtetndërtimin e Kosovës.

Ata ia dolën – pavarësisht çmimit të lartë të paguar në këtë betejë!”, shkruan autori në parathënie të librit.

Libri thekson punën e korrespondentëve të mediave të huaja, gazetarëve të huaj dhe mediave perëndimore përgjithësisht, të cilët, me punën e tyre, duke rrezikuar shpesh edhe jetën, u vunë në anën e së drejtës, në anën e shqiptarëve të Kosovës.  Raportuan për dhunën sistematike kundër shqiptarëve, për tmerret e luftës dhe vështirësitë e pasluftës.

Hapësirën më të madhe të librit e zë prezantimi i punës së Qendrës për Informim të Kosovës (QIK), agjenci e lajmeve e krijuar në vitin 1989, e cila publikoi lajme në katër gjuhë: shqip, anglisht, gjermanisht e frëngjisht.

Kjo agjenci, përveç publikimeve ditore të lajmeve, publikoi edhe librat e parë që trajtojnë drejt çështje historike e demografike për Kosovën, nga autorët më të spikatur shqiptarë.

Publikoi revistën “Ora”, në faqet e së cilës mendimet e tyre i shprehnin figurat më të rëndësishme politike të kohës.

Gjithashtu, QIK-u botoi gazetën e parë të mbrëmjes në gjuhën shqipe, për disa muaj, në kohën më të rëndë të viteve 98/99.

“Shpresoj se ia kam dalë që me këtë libër të dokumentoj një kohë, sa të rëndë aq edhe të lavdishme të medias në Kosovë. Gazetarët janë kontributdhënës të mëdhenj të shtetndërtimit të Kosovës. Ata dhanë edhe dëshmorët dhe heronjtë e tyre. Dhe dolën faqebardhë me punën e tyre në një kohë shumë të rëndë. Ky libër e dëshmon këtë”, thotë autori Safet Zejnullahu.

Continue Reading

Lajmet

Bogujevci: Shtëpia muze e Ymer Elshanit ruan kujtesën historike dhe letrare

Published

on

Ministrja e Kulturës, Saranda Bogujevci, ka vizituar shtëpinë muze të shkrimtarit Ymer Elshani në Korroticë të Poshtme, duke e cilësuar atë si një vend që ruan kujtesën, historinë dhe fjalën e shkruar.

Në vizitë ajo ishte e shoqëruar nga zëvendësministrja Nora Arapi-Krasniqi, drejtoresha e departamentit të trashëgimisë kulturore në MKT, Merita Augustini Ndrecaj, si dhe ekspertë të fushës së trashëgimisë kulturore.

Në shtëpinë muze, delegacioni u prit nga Teuta Elshani, vajza e shkrimtarit, e cila ndau rrëfime mbi jetën dhe veprën e tij, si dhe mbi historinë e familjes.

Sipas Ministrisë së Kulturës, shtëpia muze e Ymer Elshanit përfaqëson jo vetëm trashëgiminë letrare të një prej emrave më të rëndësishëm të letërsisë shqipe për fëmijë, por edhe kujtesën e 46 civilëve të vrarë në Masakrën e Poklekut, një ngjarje e rëndësishme historike.

Ky objekt kulturor vlerësohet si dëshmi e rëndësishme e kujtesës kolektive, ku historia, kultura dhe trashëgimia ndërthuren për brezat e tashëm dhe ata që do të vijnë./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Ambasada e Kosovës në Austri promovon vendin në “Garden Party” në Vjenë

Published

on

Ambasada e Republikës së Kosovës në Austri mori pjesë në edicionin e 25-të të “Garden Party”, një ngjarje e organizuar nga Forumi Ekonomik i Vjenës, e mbajtur në rezidencën e ambasadores së Bullgarisë në Vjenë.

Në këtë aktivitet morën pjesë përfaqësues diplomatikë, institucionalë, ekonomikë dhe kulturorë nga vendet anëtare të forumit, ku Kosova u prezantua me produkte ushqimore dhe verëra vendore, duke promovuar kulturën dhe potencialin ekonomik të vendit.

Sipas Ambasadës së Kosovës në Austri, prezantimi i Kosovës ngjalli interes të madh tek pjesëmarrësit, të cilët patën mundësinë të njihen më afër me traditat dhe ofertën ekonomike të vendit.

Në aktivitet morën pjesë edhe përfaqësues të Rrjetit të Bizneseve Shqiptare në Austri, të cilët promovuan mundësitë për bashkëpunim ekonomik dhe lidhje biznesi me partnerë ndërkombëtarë.

Mbrëmja u zhvillua në një atmosferë festive me program kulturor dhe muzikor, duke shërbyer si platformë për rrjetëzim dhe forcim të bashkëpunimit ndërmjet vendeve pjesëmarrëse.Albinfo.at/A.K/

Continue Reading

Lajmet

Kori i Filharmonisë së Kosovës mbyll sezonin me koncertin “KOHË • FJALË • ANDRRA”

Published

on

Kori i Filharmonisë së Kosovës do ta përmbyllë sezonin artistik 2025/2026 me koncertin “KOHË • FJALË • ANDRRA”, një mbrëmje e veçantë që sjell në qendër fuqinë e tingullit, fjalës dhe imagjinatës.

Nën dirigjimin e Hajrullah Sylës dhe me solist violinistin Festim Fanaj, publiku do të ketë mundësinë të shijojë një program të pasur me vepra të kompozitorëve bashkëkohorë nga vende dhe kultura të ndryshme.

Koncerti do të mbahet më 25 qershor, duke filluar nga ora 19:30, në hollin e Bibliotekës Kombëtare “Pjetër Bogdani” në Prishtinë.

Me këtë koncert, Kori i Filharmonisë së Kosovës mbyll një tjetër sezon të suksesshëm artistik, duke ftuar dashamirët e muzikës në një udhëtim të veçantë përmes tingujve dhe emocioneve./A.K/

Continue Reading

Të kërkuara