Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, tha se Kushtetuta e Kosovës mundëson që secila parti që dëshmon para presidentes, Vjosa Osmani, se mund ta bëjë shumicën në Kuvend, të mund të formojë Qeverinë e re të Kosovës.
Pas regjistrimit si deputet në legjislaturën e nëntë, Abdixhiku u pyet nga gazetarët nëse LDK-ja – që ka dalë e treta në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit dhe ka fituar 20 ulëse në Kuvend – ka përafruar qëndrimet me partitë e tjera për formimin e institucioneve të reja.
Ai tha se “nuk jemi në atë fazë”, duke shtuar se LDK-ja nuk ka ndryshuar qëndrimet e saj sa i përket formimit të Qeverisë së Kosovës.
“Proceduralisht, e dini që më 15 prill bëhet betimi, më pas bëhet propozimi i kryetarit të Kuvendit, konsititohet Kuvendi pas zgjedhjes së kryetarit dhe kryesisë. E njohim të drejtën e plotë të partisë së parë në këto zgjedhje që të provojë të bëjë shumicën. Në qoftë se nuk e bënë, pas 15 ditësh Kushtetuta e Kosovës është shumë e qartë, i jep të drejtë secilës parti që dëshmon para presidentes se mund të bëjë shumicën, që ta bëjë një gjë të tillë. Nuk kemi arritur në atë pikë”, tha ai.
Abdixhiku ditë më parë refuzoi një ftesë për konsultime për institucionet e reja nga kreu i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti. LDK-ja edhe më herët ka refuzuar një bashkëpunim të mundshëm me LVV-në dhe ka vendosur si kusht marrjen e postit të kryeministrit në rast të arritjes të një koalicioni me partitë e tjera shqiptare, që legjislacionin e kaluar ishin në opozitë.
Kreu i LDK-së u pyet nëse partia e tij do të votojë për kryetarin e Kuvendit – i cili duhet të propozohet nga LVV-ja e Kurtit – por, ai tha se cilido person që nuk i ka 61 vota për t’u zgjedhur kryetar, nuk duhet të bëhet kryetar i Kuvendit të Kosovës.
Vetëm pas konstituimit të Kuvendit, presidentja e Kosovës, duhet të mandatojë LVV-në, si fituese të zgjedhjeve, për të formuar Qeverinë, për të cilën nevojiten 61 vota.
LVV-ja, që ka fituar 48 ulëse në Kuvendin e Kosovës, e ka pranuar se nuk mund ta formojë Qeverinë e re të Kosovës pa bashkëpunim me një nga partitë shqiptare të përfaqësuara në Kuvend.
Partia e Kurtit nuk i ka të sigurta as 10 votat nga komunitetet joserbe, që tradicionalisht e kanë mbështetur koalicionin qeverisës, ndonëse shumica nga këto parti kanë thënë se do ta votonin një ekzekutiv të udhëhequr nga ai.
Ndërkaq, nga 10 vendet e tjera të rezervuara për komunitetin serb, nëntë janë fituar nga Lista Serbe dhe një nga partia e ministrit në detyrë për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq.
Kreu i PDK-së, Memli Krasniqi, tha më herët gjatë 11 prillit se partia e tij pret që ta marrë të drejtën për ta nominuar kandidatin e saj për formimin e Qeverisë, nëse Kurti dështon ta formojë atë.