Lajmet

​13 veçoritë e liderëve vizionarë

Ata përqendrohen që këtë vizion ta sjellin në jetë, pastaj t’i udhëheqin anëtarët e ekipit në atë drejtim.

Published

on

Një lider vizionar i ka të qarta idetë e tij dhe atë se si e ardhmja duhet të duket. Ata përqendrohen që këtë vizion ta sjellin në jetë, pastaj t’i udhëheqin anëtarët e ekipit në atë drejtim. Akademi Pune në këtë artikull do t’ju tregojë se cilat janë karakteristikat e liderëve vizionarë dhe me cilat sfida përballen ata.

Këmbëngulës

Ata nuk kënaqen me fjalinë “është mjaftueshëm mirë”. Liderët vizionarë duan të provojnë gjëra të reja, të gjejnë mundësi të reja dhe të dinë se si të qëndrojnë në udhë. Me një fjalë, ata nuk dorëzohen edhe kur gjërat bëhen të vështira.

Nuk tremben

Ata janë individë të përcaktuar të cilët nuk provokohen lehtë. Janë mjeshtër për t’i rezistuar presionit të brendshëm dhe të jashtëm, e as nuk frikësohen asnjëherë nga dështimi. Madje nuk mjaftohen me kaq, sepse e bëjnë të pamundurën për ta kultivuar në ekipin e tyre këtë.

Strategjikë

Planifikimi strategjik është një aftësi që shumë liderë e kanë. Nuk mjafton vetëm ta paramendojnë se si do të duket e ardhmja, por edhe do të krijojnë strategji se si ta arrijnë atë.

E marrin rrezikun në sy

Liderët vizionarë e kuptojnë rrezikun dhe janë në gjendje ta marrin atë.

Komunikativë

Ata janë të aftë t’i komunikojnë idetë e tyre dhe t’i bëjnë të tjertë të besojnë në to.

Të organizuar

Ata janë shumë të organizuar dhe tregojnë kujdes të veçantë për ekipin. Zakonisht, liderët vizionarë janë shumë të përfshirë në sisteme të analizave, për t’i përcaktuar kush do të bëjë diçka, kur do ta bëjë dhe si.

Të përqendruar

Sapo të jetë identifikuar një qëllim, liderët fillojnë të marrin hapa për ta arritur atë, edhe nëse kjo do të thotë që duhet t’ua ndryshojnë mendjen të tjerëve rreth kësaj rruge.

Optimistë

Vizionarët janë njerëz pozitivë. Ata e shohin të ardhmen të ndritshme dhe problemet si të përkohshme. Kjo rreth tyre tregon fuqi dhe anën e tyre pozitive.

Magnetikë

Vizionarët i tërheqin njerëzit drejt tyre me një personalitet mikëpritës dhe të hapur, që nxjerr në pah cilësitë më të mira tek ata që i rrethojnë.

Bashkëpunues

Liderët vizionarë e dinë se proceset kreative e arrijnë kulmin nëse të gjithë janë të ftuar të bashkëpunojnë. Ata i përdorin pikat e forta të anëtarëve të ekipit për t’i balancuar dobësitë e tyre.

Inovativë

Vizionarët kanë imagjinatë të shkëlqyeshme. Ata nuk frikësohen të mendojnë për gjëra të mëdha, por as nuk turpërohen që këto mendime t’i ndajnë me të tjerët.

Mendjehapur

Edhe nëse janë të përkushtuar ndaj “tablos së madhe” në mendjet e tyre, ata mund të jenë fleksibil se si ta arrijnë atë vizion. Ata mund të asimilojnë informacion nga shumë burime për të zhvilluar zgjidhje krijuese.

Inteligjencë emocionale

Vizionarët nuk janë inteligjentë vetëm në kuptimin tradicional të fjalës, por janë inteligjentë edhe emocionalisht. Ata e kuptojnë fuqinë e ndjenjave dhe janë në gjendje të shfaqin empati për ata që janë rreth tyre.

Inspirues

E mbi të gjitha vizionarët janë frymëzues për të gjithë ata që i kanë përreth. Krijimtaria dhe puna nuk kanë fund në prani të tyre./Akademi Pune

Continue Reading

lajme

Kurti takon në Paris emisarin Sorensen: Diskutohet për normalizimin dhe dialogun me Serbinë

Published

on

By

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili po qëndron në Paris, është takuar me të dërguarin e posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë–Serbi, Peter Sorensen, në margjinat e Forumit të Paqes.

Gjatë takimit u diskutua për perspektivat e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve me fokus njohjen reciproke, stabilitetin institucional të paszgjedhjeve në Kosovë, si dhe rrugën e vendit drejt anëtarësimit në BE.

“Diskutuam për stabilitetin e plotë institucional që gëzon tashmë Kosova pas zgjedhjes së presidentit, rrugën e Kosovës drejt anëtarësimit në BE, si dhe perspektivat për normalizimin e plotë të marrëdhënieve me Serbinë, me fokus njohjen reciproke”, u shpreh kryeministri Kurti.

Edhe emisari evropian Sorensen konfirmoi takimin përmes një njoftimi, duke vlerësuar bisedën si të frytshme për përcaktimin e hapave të mëtejshëm në dialog dhe procesin e normalizimit në dobi të qytetarëve dhe rajonit. Gjatë qëndrimit në kryeqytetin francez, Kurti gjithashtu zhvilloi një bashkëbisedim me studentë, ku theksoi pritjet e tij që udhëheqja e re e Serbisë të njohë Republikën e Kosovës. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

Kosova U19 mposhtet nga Belgjika në raundin e dytë kualifikues

Published

on

By

Përfaqësuesja U19 e Kosovës në futboll e ka nisur me humbje raundin e dytë kualifikues për Kampionatin Evropian Euro 2027, pasi u mposht nga Belgjika me rezultat 2:0.

Në ndeshjen e zhvilluar në Skoci, pjesa e parë përfundoi pa gola, mirëpo belgët zgjidhën sfidën me dy goditje të shpejta me të filluar pjesa e dytë. Naim Amengai realizoi për 1:0 në minutën e 47-të, ndërsa Jessie Da Silva dyfishoi epërsinë dy minuta më vonë.

Sfida e radhës për futbollistët e rinj të Kosovës në kuadër të Grupit A2 do të jetë të shtunën kundër nikoqires së turneut, Skocisë.

Në anën tjetër, edhe Përfaqësuesja U17 e Kosovës ka pësuar humbje në sfidën ndaj Bjellorusisë, ndërsa ndeshjen e ardhshme do ta zhvillojë më 17 nëntor përballë Kazakistanit. Tri ekipet e para të secilit grup do të sigurojnë kalimin në raundin e tretë, me shortin që pritet të tërhiqet më 10 dhjetor. /E.A/

Continue Reading

lajme

Murati prezanton buxhetin për 2027-ën, opozita kritikon investimet kapitale

Published

on

By

Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka prezantuar në shqyrtimin e parë para Komisionit për Buxhet Projektligjin mbi ndarjet buxhetore për vitin 2027, i cili parasheh shpenzime në vlerë prej 4 miliardë e 268.7 milionë eurosh, të mbështetura nga të hyra prej 4 miliardë e 2 milionë eurosh dhe një deficit fiskal prej 2 për qind.

Gjatë raportimit, ministri Murati theksoi se buxheti reflekton rritjen ekonomike dhe ruajtjen e qëndrueshmërisë së financave publike, ndërsa arsyetoi rritjen e kostos së jetesës me faktorë dhe tronditje të jashtme gjeopolitike.

“Sa i përket inflacionit, patjetër që është problem rritja e kostos së jetesës edhe në Kosovë, sikurse në të gjitha vendet tjera të botës. Kjo ka dy shkaktarë, fillimisht ishte lufta në Ukrainë, e cila ndikoi në tronditjen globale të çmimeve të energjisë, por edhe të ushqimeve, dhe tash së fundi kemi edhe valën e re që vjen si rezultat i konfliktit në Gjirin Persik”, deklaroi Murati.

Prezantimi u pasua me kritika të ashpra nga anëtarët e opozitës. Deputeti nga radhët e PDK-së, Mërgim Lushtaku, ngriti shqetësimin për ngecjen e investimeve kapitale dhe ndikimin e inflacionit në mirëqenien e qytetarëve, duke iu referuar edhe raporteve që tregojnë se mbi një miliard euro investime të planifikuara kanë mbetur të pashpenzuara gjatë viteve të kaluara.

Seanca u karakterizua edhe nga debati i tensionuar mes ministrit Murati dhe deputetit të LDK-së, Avdullah Hoti, i cili kritikoi mungesën e një orientimi të qartë strategjik në infrastrukturë, shëndetësi dhe energji, duke vënë në dyshim pasqyrimin e premtimeve qeverisëse në kornizën trevjeçare buxhetore.

“S’je i interesuar sepse je mashtruesi më i madh që ka pasur ky vend… Buxheti nuk është një plan kontabël, është një dokument strategjik”, u shpreh Hoti gjatë përplasjes direkte me ministrin e Financave.

Sipas planifikimit të ndarjeve buxhetore sipas kategorive ekonomike, për paga janë paraparë 1 miliard e 84.9 milionë euro, për subvencione dhe transfere 1 miliard e 446 milionë euro, ndërsa për investime kapitale është alokuar shuma prej 1 miliard e 70 milionë eurosh. Projektligji pritet të vazhdojë procedimin në komisionet e linjës për shqyrtim të mëtejshëm. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

Foda rindërton mbrojtjen pas largimit të Dellovës

Published

on

By

Kombëtarja e Kosovës në futboll është përballur me ndryshime të papritura në repartin defensiv në prag të ndeshjeve ndaj Izraelit dhe Irlandës.

Mbrojtësi Lumbardh Dellova është larguar nga grumbullimi i “Dardanëve”, ndërsa përzgjedhësi Franco Foda ka ftuar në vend të tij Betim Fazlijin. Kjo mungesë e ndërlikon edhe më shumë situatën në prapavijë, meqë jashtë fushave vazhdon të jetë edhe Albian Hajdari për shkak të një lëndimi afatgjatë.

Në skemën e tij të zakonshme 3-4-3, tekniku gjerman do të duhet të rindërtojë treshen e mbrojtjes. Lajm pozitiv për skuadrën është rikthimi i Kreshnik Hajrizit pas lëndimit, i cili pritet të jetë nga minutat e para pranë Ilir Krasniqit dhe Ron Raçit. Si opsione të reja në dispozicion janë edhe dy debutuesit nga Zvicra dhe Suedia, Lindrit Kamberi e Bleon Kurtulus, si dhe Betim Fazliji i cili mbulon disa pozicione në mbrojtje e mesfushë.

“Është e rëndësishme të kemi disa mundësi, jo vetëm për ndeshjet e radhës, por edhe për të ardhmen. Është e rëndësishme ta kemi parasysh të ardhmen e Kombëtares dhe ta ruajmë cilësinë, në mënyrë që të përgatitemi edhe për kualifikimet e Kampionatit Evropian”, u shpreh përzgjedhësi Foda lidhur me zgjedhjet e reja në mbrojtje. /E.A/

Continue Reading

Të kërkuara