Një nga yjet më të mëdhenj të Hollywood-it është shfaqur thuajse i paidentifikueshëm në xhirimet e filmit të tij të ri biografik me temë sportive – por a mund ta dalloni kush është?
Aktori 51-vjeçar është parë i veshur me një xhaketë të zezë prej lëkure, me flokë të lëmuar pas dhe duke mbajtur tre unaza të Super Bowl-it në xhirimet e filmit të tij më të ri, shkruan The Sun.
Ky fitues i çmimit Oscar kishte një pamje ndryshe nga ajo me të cilën jemi mësuar ta shohim si zemërthyes klasik, teksa po xhironte të mërkurën në Atlanta.
Ylli i njohur është fotografuar duke shëtitur në setin e filmit me një shprehje goje të hapur në fytyrë.

Por, a e zbuluat se për cilin aktor bëhet fjalë? As më pak e as më shumë, është ylli i filmit Batman, Christian Bale.
Aktori i famshëm është duke xhiruar skena për filmin e tij të ri të titulluar Madden, ku luan përkrah yllit tjetër amerikan, Nicolas Cage, në një projekt shumë të përfolur të regjisorit David O. Russell. Në rolin e tij, Christian Bale i ngjan shumë personazhit real që portretizon – të ndjerit Al Davis, pronari dhe menaxheri legjendar i ekipit Oakland Raiders. Bale shihej me një pamje të zbehtë dhe me fytyrë të skuqur, karakteristike për Davis.
Ndërkohë, Nicolas Cage është parë në set i veshur me një kostum special që e bënte të dukej më i shëndoshë, me flokë të gjatë, duke interpretuar trajnerin e famshëm të Raiders dhe më pas transmetuesin legjendar të NFL-it, John Madden.
Në film marrin pjesë edhe komediani John Mulaney në rolin e Trip Hawkins, themeluesit të Electronic Arts, si dhe aktorja britanike Sienna Miller, e cila luan Carol Davis, bashkëshorten e Al Davis.
Sipas një deklarate nga Amazon, “Filmi ndjek rrugëtimin e jashtëzakonshëm të Madden – nga partneriteti i suksesshëm në Super Bowl me Al Davis dhe ekipin Raiders, te krijimi i lojës së famshme Madden NFL, e deri tek shndërrimi në një nga zërat më ikonë në historinë e futbollit amerikan”.

Fansat e NFL-it kanë reaguar me habi ndaj transformimit të Christian Bale dhe Nicolas Cage për rolet e tyre.
“Prisni pak, a është kjo e vërtetë?”, shkroi një përdorues. “Ata s’duken aspak si vetja e tyre e vërtetë”, komentoi një tjetër. “Jo, nuk ka mundësi që ky të jetë John Madden!”, shtoi dikush tjetër i habitur.
Filmi Madden është i drejtuar nga David O. Russell, i cili ka qenë i nominuar për çmimin Oscar me filmat si The Fighter dhe Silver Linings Playbook.
Ai gjithashtu ka shkruar skenarin e këtij filmi, i cili është i bazuar në jetën e vërtetë të John Madden – nga koha si trajner i NFL-it, tek karriera si komentator dhe më pas fytyra ikonë e lojërave video Madden NFL të EA Sports.
Madden ndërroi jetë në dhjetor të vitit 2021, në moshën 85-vjeçare. Në film përfshihet edhe jeta e Al Davis – pronarit karizmatik të Raiders, i njohur për moton e tij të famshme: “Fitoni, thjesht fitoni, baby.” Davis ndërroi jetë në tetor të vitit 2011, në moshën 82-vjeçare për shkak të dështimit të zemrës.
Në prill të kaluar, u bë e ditur se roli i Madden do t’i besohej Nicolas Cage, ndërsa më vonë u konfirmua se Christian Bale do të portretizonte Al Davis. /