Lajmet

​Zelensky para Kongresit amerikan: Jeta ime ndaloi kur u vranë 100 fëmijë

“Unë dua që ju të kuptoni se çfarë kemi nevojë tani”, tha ai.

Published

on

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky iu drejtua Kongresit Amerikan sot përmes një video-lidhjeje.

“Rusia ka pushtuar atdheun dhe qytetet tona. Ajo sulmoi vlerat tona në një mënyrë brutale. Ajo na sulmoi me tanke, aeroplanë, ajo sulmoi lirinë tonë, të drejtën për të jetuar të lirë në vendin tonë dhe për të planifikuar të ardhmen tonë”, tha Zelensky.

“Më kujtohet monumenti juaj në malin Rushmore dhe fytyra e themeluesit të Shteteve të Bashkuara të bazuar në demokraci dhe liri për të gjithë ata që punojnë me ndershmëri dhe respektojnë ligjin. Ne duam të njëjtën gjë për popullin ukrainas”, tha Zelensky.

“Miq amerikanë, në historinë tuaj të mrekullueshme keni përjetuar atë që ju lejon të kuptoni ukrainasit. Unë dua që ju të kuptoni se çfarë kemi nevojë tani. Mbani mend Pearl Harbor, kur qielli u errësua nga të gjithë avionët që ju sulmonin. Kujtoni 11 shtatorin 2001, një ditë e tmerrshme kur e keqja u përpoq të pushtonte dhe t’i kthente qytetet tuaja në fushëbetejë, kur njerëz të pafajshëm u sulmuan nga ajri. Askush nuk mund ta priste këtë, nuk mund ta ndalonit, dhe vendi ynë po përjeton çdo ditë të njëjtën gjë. Çdo natë për tri javë, Odessa, Zhytomyr, Mariupol, Dnipro dhe shumë qytete të tjera janë nën sulm dhe Rusia e ka kthyer Ukrainën në një fushë vdekjeje për mijëra njerëz”, tha Zelensky.

“Ju e dini se çfarë lloj sistemesh mbrojtëse na duhen, ju e dini se sa shumë varemi nga aftësia për të përdorur avionë të fuqishëm, për të mbrojtur njerëzit tanë, lirinë tonë. Na duhen avionë për të ndihmuar Ukrainën dhe Evropën. Ju i keni këta avionë, por janë të tokëzuar, nuk janë në qiellin e Ukrainës, nuk mbrojnë njerëzit tanë. Unë kam një ëndërr, ato fjalë janë të njohura për ju, por kam nevojë, duhet të mbroj qiellin tim dhe kam nevojë për ndihmën tuaj”, shtoi Zelensky.

Ai përsëriti mirënjohjen e tij për Shtetet e Bashkuara për atë që është bërë deri më tani në aspektin e armëve dhe stërvitjes.

“Tani, në momentin më të errët për vendin tonë, ju bëj thirrje të bëni më shumë. Sanksionet duhet të vendosen çdo javë derisa makineria ushtarake ruse të ndalet. Duhen kufizime për të gjithë ata që e mbështesin këtë regjim. Ne rekomandojmë që të vendosen sanksione ndaj të gjithë politikanëve në Rusi që nuk e kanë dënuar pushtimin e Ukrainës. Të gjitha kompanitë amerikane duhet të largohen menjëherë nga tregu rus, sepse ai treg është zhytur në gjakun tonë. Ju lutemi merrni drejtimin, nëse keni kompani që janë ende në Rusi që financojnë makineritë ruse, ju lutemi bëni presion ndaj Rusisë që të mos marrë para për të shkatërruar vendin tonë. Paqja është më e rëndësishme se të ardhurat dhe ne duhet ta mbrojmë këtë parim në të gjithë botën”, tha Zelensky.

Ai u tregoi kongresistëve një video të qyteteve të Ukrainës para luftës.

“Sot nuk mjafton të jesh vetëm lider i botës, por edhe lider i paqes. Paqja nuk varet vetëm nga ju, ajo varet nga ata që ju rrethojnë, nga ata që janë të fortë. Të jesh i fortë nuk do të thotë se je i madh, por se je i guximshëm dhe i gatshëm të luftosh për jetën e qytetarëve të tu dhe të qytetarëve të botës, për liri, jetë dhe vdekje dinjitoze kur të vijë koha, dhe jo për dikë tjetër që të vendos fqinji”, tha Zelensky.

“Ne po luftojmë për vlerat evropiane dhe botërore. Kjo është arsyeja pse populli amerikan po ndihmon jo vetëm Ukrainën, por edhe Evropën dhe botën. Sot jam 45-vjeç, por jeta ime u ndal kur vdiqën 100 fëmijë. Nuk shoh asnjë arsye për të jetuar nëse nuk mund ta parandaloj vdekjen. Si udhëheqës i kombit tim, duhet t’i drejtohem presidentit Biden. Ju jeni udhëheqësi i popullit tuaj, unë dua që ju të jeni udhëheqësi i botës. Të jesh lider i botës do të thotë të jesh udhëheqës i paqes. Faleminderit për mbështetjen tuaj”, tha Zelensky.

Kongresistët e përshëndetën Zelensky me duartrokitje të forta e të gjata.

Lajmet

Napoli dhe Tottenham në garë për Joao Felixin, Al Nassr kërkon 45 milionë euro

Published

on

By

Sulmuesi portugez Joao Felix ka tërhequr vëmendjen e Napolit dhe Tottenham Hotspurit në prag të afatit të ardhshëm të transferimeve. Futbollisti 27-vjeçar synon rikthimin në futbollin evropian, por klubi i tij aktual, Al Nassr, kërkon rreth 45 milionë euro për ta lënë të lirë.

Sipas raportimeve të Corriere dello Sport, Napoli e sheh reprezentuesin portugez si një përforcim ideal për repartin ofensiv, falë aftësisë së tij për të luajtur si në krahun e majtë ashtu edhe pas sulmuesit. Megjithatë, çmimi i lartë i vendosur nga klubi saudit përbën pengesën kryesore për drejtuesit italianë. Felix e njeh mirë kampionatin italian, pasi ka veshur fanellën e Milanit në gjysmën e dytë të sezonit 2024/2025 gjatë një huazimi nga Chelsea.

Në anën tjetër, TEAMtalk raporton se edhe Tottenham Hotspur po shqyrton mundësinë e transferimit të tij, duke vlerësuar përvojën e tij të mëparshme në Premier League me Chelsean. Ndonëse vetë lojtari ka shprehur publikisht dëshirën për t’u rikthyer te Barcelona — ku në sezonin 2023/2024 regjistroi 10 gola dhe 6 asistime në 44 ndeshje — klubi katalunas ende nuk ka ndërmarrë ndonjë hap konkret.

Forma e mirë e Joao Felixit në Arabinë Saudite ka rikthyer interesimin e klubeve evropiane. Këtë sezon ai ka realizuar tre gola dhe shtatë asistime në 11 ndeshje kampionale, ndërsa së fundmi vendosi fitoren 2-1 të Al Nassr kundër Al Sadd në Ligën e Kampionëve të Azisë me një gol akrobatik. /E.A/

 

Continue Reading

Lajmet

KOK-u ftohet në Athinë për të diskutuar vonesat e Lojërave Mesdhetare 2030

Published

on

By

Komiteti Ndërkombëtar i Lojërave Mesdhetare (ICMG) ka ftuar Komitetin Olimpik të Kosovës (KOK) në një takim zyrtar në Athinë, më 3 dhe 4 dhjetor, ku do të shqyrtohen vonesat dhe ngecjet e deritanishme në procesin e organizimit të Lojërave Mesdhetare “Prishtina 2030”.

Sipas njoftimit të zyrës për informim të KOK-ut, pas përfundimit të takimeve në Greqi, drejtuesit e komitetit do të raportojnë para Komitetit Organizativ të Lojërave Mesdhetare “Prishtina 2030” lidhur me diskutimet e zhvilluara dhe hapat e mëtejmë që duhet të ndërmerren.

Pavarësisht sfidave dhe vonesave aktuale, KOK-u ka rikonfirmuar vendosmërinë që kjo ngjarje madhore sportive të mbahet në Kosovë, duke bërë thirrje për mobilizim të përbashkët institucional.

“Komiteti Olimpik i Kosovës mbetet plotësisht i përkushtuar që Lojërat Mesdhetare Prishtina 2030 të mbahen në Kosovë. Suksesi i LM Prishtina 2030 do të varet nga përkushtimi i të gjitha institucioneve të përfshira”, thuhet në reagimin e KOK-ut.

Takimi i fillimit të dhjetorit në Athinë vlerësohet vendimtar për të analizuar gjendjen reale të përgatitjeve dhe për të përcaktuar dinamikën e ardhshme të punëve për projektin më të madh sportiv të planifikuar ndonjëherë në vend. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

Protestohet në Prishtinë kundër vrasjes së grave, kërkohet njohja e femicidit si vepër e veçantë penale

Published

on

By

Me kërkesën për njohjen e femicidit si vepër të veçantë penale dhe për llogaridhënie institucionale, sot në Prishtinë është mbajtur një protestë kundër vrasjes së grave, në kuadër të Ditës Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës ndaj Grave.

Protesta, e organizuar nga Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK), nisi nga sheshi “Zahir Pajaziti” me marshim drejt ndërtesës së Qeverisë së Kosovës. Nën moton “Femicidi është urgjencë kombëtare”, pjesëmarrësit kërkuan drejtësi për viktimat, reagim më efikas të Policisë dhe masa konkrete parandaluese.

Aktivistja Zana Hoxha kërkoi që vrasja e një gruaje për shkak të gjinisë së saj të trajtohet dhe emërtohet me ligj si vepër e veçantë penale në Kodin Penal të Kosovës, si dhe hetimet të shtrihen në të gjitha rrethanat paraprake.

“Kur një grua vritet për shkak të gjinisë së saj, ligji duhet ta emërtojë atë vrasje si femicid, ndërsa hetimi duhet të kthehet te gjithçka që i ka paraprirë asaj vrasjeje”, deklaroi Hoxha.

Ndërkaq, Besarta Breznica nga Rrjeti i Grave të Kosovës theksoi se rasti i vrasjes së Arlinda Zekajt obligon institucionet të japin llogari për mundësitë e humbura në parandalimin e tragjedisë, duke kërkuar reagim të menjëhershëm që në denoncimin e parë të dhunës.

“Nuk duhet të presim deri në vrasjen e një gruaje për të analizuar se ku ka dështuar sistemi. Institucionet duhet të veprojnë që në raportimin e parë të dhunës, t’i marrin seriozisht kërcënimet, ta vlerësojnë rrezikun dhe të ndërmarrin të gjitha masat e nevojshme për mbrojtjen e saj”, u shpreh Breznica. /E.A/

 

 

Continue Reading

Lajmet

IKSHPK mban trajnim profesional për forcimin e diagnostikës mikrobiologjike

Published

on

By

Në kuadër të Javës Botërore të Ndërgjegjësimit për Rezistencën Antimikrobike, Departamenti i Mikrobiologjisë në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) organizoi një trajnim profesional mbi metodën e mikrodilucionit në bujon, e cila përdoret për testimin e ndjeshmërisë ndaj antimikrobikëve (AST) dhe përcaktimin e përqendrimit minimal frenues (MIC).

Aktiviteti u realizua me mbështetjen e Institutit Robert Koch (RKI) dhe IKSHPK-së, ndërsa ligjëratat u mbajtën nga Dr. Afërdita Kuqi-Hyseni dhe Dr. Afërdita Kurti-Meta.

Në këtë trajnim morën pjesë 40 mikrobiologë dhe laborantë të Departamentit të Mikrobiologjisë, si dhe profesionistë nga gjashtë Qendrat Rajonale të Shëndetit Publik, duke mundësuar shkëmbimin e përvojave dhe harmonizimin e praktikave laboratorike.

Sipas IKSHPK-së, forcimi i njohurive dhe kapaciteteve laboratorike kontribuon drejtpërdrejt në sigurimin e rezultateve të besueshme, përzgjedhjen e trajtimit të përshtatshëm mjekësor dhe përdorimin e përgjegjshëm të antimikrobikëve. /E.A/

Continue Reading

Të kërkuara