Kulturë

​Zbulohet arsyeja pse Charlize Theron nuk u martua kurrë

Published

on

Diva e Hollywoodit, Charlize Theron është duke pushuar në ishullin grek të Mykonos këtë verë me vajzat e saj të adoptuara Jackson dhe August, ku ajo gjithashtu festoi datëlindjen e 46-të.

Postimi i saj i fundit në Instagram ishte nga një festë datëlindjeje, e cila u organizua në një jaht luksoz. Në përshkrimin e fotografisë, ajo shkroi se nuk ishte në festën e saj të maturës në ditët e shkollës së mesme, kështu që këtë vit miqtë e saj vendosën ta ndryshojnë atë dhe ta bëjnë atë festën që do të mbajë mend.

“Vetëm ata mund ta dinin që festa në det në stilin e viteve ’80 ishte datëlindja e ëndrrës sime. Çfarë familje, çfarë nate!”, shkroi Theron.

Charlize u lind në Afrikën Jugore më 1975, si fëmija i vetëm i Gerda dhe Karl Jacob Theron. Si vajzë, ajo zotëronte 26 dialekte lokale afrikane për shkak të komunikimit me fermerët dhe vendasit e fiseve lokale. Dashuria për kafshët e egra më vonë në jetë e orientoi atë të bëhej një mbrojtëse aktive e të drejtave të kafshëve.

Duke parë Charlize të bukur, trime dhe sfiduese, pakkush do të thoshte se rritja e saj ishte e vështirë dhe se jeta e saj u shënua nga një tragjedi e madhe. Ajo u rrit me një baba alkoolik, i cili vuante nga çrregullimi bipolar. Ai abuzoi me të dhe nënën e saj për vite me radhë. Në moshën 15-vjeç, ajo pa diçka që i ndryshoi jetën përgjithmonë. Ajo ishte fshehur me nënën e saj në dhomë atë ditë, babai i saj kërcënoi se do t’i vriste të dyja ato. Ai qëlloi në derën e mbyllur disa herë, derisa nëna e saj mblodhi guximin për ta kundërshtuar.

“Nëna ime e vrau atë në vetëmbrojtje, ajo ndaloi kërcënimet e tij për të na vrarë”, tha Charlize në rrëfimin e saj.

Një vit pas tragjedisë, Theron u transferua në Milano për të filluar një karrierë modelimi, dhe disa muaj më vonë ajo shkoi në Hollywood me një “valixhe plot ëndrra” dhe 400 dollarë në portofolin e saj.

Nëna e saj, Gerda nuk u dënua, por gjyqtari arriti në përfundimin se ishte vetëmbrojtje. Ajo foli me Oprah dhe Pierce Morgan për incidentin. Kur u pyet se çfarë do të ndryshonte nëse do të kthehej pas në kohë, Charlize nuk hezitoi.

Ëndrra e fëmijërisë e kësaj aktoreje të popullarizuar planetare ishte të bëhej një balerinë profesioniste. Ajo nënshkroi një kontratë me një agjenci që përfaqëson modele në moshën 16-vjeç. Për të realizuar ëndrrat e saj, ajo u regjistrua në shkollën e baletit, të cilën e ndoqi derisa një dëmtim i rëndë në gju i pengoi karrierës dhe i dha fund.

Ajo udhëtoi në Los Anxhelos në vitin 1994, jetoi në një motel dhe synoi të kthehej në Nju Jork, derisa pati një takim fatal me agjentin John Crosby. Banka refuzoi të arkëtonte çekun që i kishte dërguar nëna e saj dhe paratë iu dhanë nga John, i cili ishte në të njëjtën rresht pas saj. Përveç parave, ai i la asaj kontaktin e tij.

Menjëherë pas atij takimi, ajo u regjistrua në shkollën e aktrimit dhe mori rolin e saj të parë në një film, duke u bërë një bukuri klasike e filmit që ngjall magjepsjen e vjetër të Hollywoodit. Me pak fjalë, Charlize i shtyu kufijtë dhe çoi në një ndryshim qëndrimi në lidhje me rolet që mund t’u jepen grave.

Për rolin në filmin “Përbindëshi”, ajo fitoi Oskarin për rolin më të mirë femëror, dhe në vitin 2005, “Golden Globe”, kur ajo gjithashtu mori një yll në Shëtitoren e Hollywoodit. Ajo duhej të shtonte 10 kilogramë për këtë rol, dhe ajo më pas e bëri fytyrën e saj të panjohshme. Por kjo e lejoi atë të hyjë në dhjetë yjet më të paguar të filmit.

Edhe pse ajo është në listën e grave më tërheqëse në botë, nuk është martuar kurrë. Për të, martesa, siç thoshte ajo, ishte thjesht një copë letër e panevojshme që nuk thoshte asgjë për cilësinë e marrëdhënies. Ajo deklaroi se kurrë nuk ishte tunduar të ndryshonte mendje për martesën.

Marrëdhënia serioze që kishte me aktorin irlandez Stuart Townsend dhe që zgjati për 8 vjet, u ndërpre 10 vjet më parë. Aktori ishte i dëshpëruar dhe i tronditur nga vendimi i saj për të kthyer unazën e gdhendur me “Mos më harro”. Edhe pse ata nuk ishin të martuar, Stuart e konsideroi atë gruan e tij.

Pas ndarjes, ajo zbuloi se ideja për të jetuar me një burrë nuk ishte aspak tërheqëse për të.

“Nuk më mungojnë burrat, nuk jam ndjerë kurrë e vetmuar dhe nuk jam nervoze për të dalë jashtë. Thjesht nuk ka vend në jetën time për diçka të tillë, do të ishte e vështirë nëse nuk do të isha një nënë beqare”, tha ajo.

Lidhja e saj e fundit serioze ishte me aktorin Sean Penn. Edhe pse ata ishin të fejuar, ajo vendosi t’i jepte fund lidhjes në mesin e vitit 2015.

Shumë thanë se rezistenca e saj ndaj martesës buronte nga fakti se ajo u rrit në një familje jo harmonike dhe ishte dëshmitare e një martese të keqe të prindërve të saj, në të cilën ajo vetë ishte viktimë e dhunës.

Edhe pse nuk dëshiron të martohet, kjo nuk e ka penguar të përmbushë rolin e saj si nënë. Ajo birësoi dy fëmijë, djalin Jackson në vitin 2012 dhe vajzën August më 2015.

Ajo është një aktiviste e gjatë për të drejtat e fëmijëve, bëri fushatë kundër varfërisë, dhunës kundër grave të reja dhe në vitin 2007 themeloi Projektin Charlize Theron Afrikë, i cili mbron dhe edukon të rinjtë në Afrikën e Jugut për HIV dhe AIDS.

Lajmet

Etno Fest nis edicionin e ri në Kukaj, tradita dhe arti bashkohen në një hapësirë unike

Published

on

Në fshatin Kukaj ka nisur një tjetër edicion i Etno Fest, festivalit që prej vitesh bashkon traditën, artin dhe krijimtarinë bashkëkohore në një ambient të veçantë mes natyrës.

Ministrja e Kulturës dhe Turizmit, Saranda Bogujevci, vlerësoi rëndësinë e festivalit, duke theksuar se Etno Fest vazhdon të krijojë një përvojë unike, ku trashëgimia kulturore prezantohet përmes performancave artistike, muzikës, shfaqjeve teatrore dhe ekspozitave.

Sipas saj, festivali është shndërruar në një nga ngjarjet më të rëndësishme kulturore në Kosovë, duke promovuar vlerat tradicionale përmes formave bashkëkohore të shprehjes artistike dhe duke afruar publikun me kulturën dhe identitetin e vendit.

Bogujevci përgëzoi organizatorët, artistët dhe gjithë ekipin e festivalit për përkushtimin e tyre në ndërtimin e një ngjarjeje që ruan dhe promovon trashëgiminë kulturore të Kosovës.

Ajo theksoi se institucionet do të vazhdojnë të mbështesin artin dhe iniciativat kulturore që kontribuojnë në ruajtjen, zhvillimin dhe promovimin e vlerave kulturore të vendit./A.K/

Continue Reading

Lajmet

DokuFest feston 25-vjetorin, mbi 220 filma në edicionin jubilar në Prizren

Published

on

Festivali Ndërkombëtar i Filmit Dokumentar dhe të Shkurtër, DokuFest, rikthehet në Prizren për edicionin e tij të 25-të, i cili do të mbahet nga 7 deri më 15 gusht. Në kuadër të festivalit do të shfaqen gjithsej 223 filma, duke e kthyer edhe një herë qytetin historik në qendër të kinemasë dokumentare dhe asaj të filmit të shkurtër.

Sipas organizatorëve, këtë vit janë pranuar 3 mijë e 687 aplikime nga e gjithë bota, ndërsa 104 filma janë përzgjedhur për të garuar në tetë kategori zyrtare. Përzgjedhja përfshin dokumentarë dhe filma të shkurtër që trajtojnë tema bashkëkohore, si dhe një numër premierash botërore.

Tema e këtij edicioni është “Persistent Defiance” (Mosbindje e Vazhdueshme), ndërsa slogani “Show up or it doesn’t count!” (Doku sepse duhet!) vë theksin te konfliktet globale, kriza klimatike dhe ndryshimet shoqërore. Organizatorët theksojnë se festivali vazhdon të mbetet një hapësirë për shprehje të lirë, reflektim dhe debat edhe në kohë sfiduese.

Programi do të përfshijë filma nga Kosova, rajoni dhe vende të ndryshme të botës, në kategori si Balkan Dox, Balkan Shorts, International Feature Dox, International Short Dox, International Shorts, Human Rights Dox dhe Green Dox, krahas programeve të veçanta të kuruara.

Shfaqjet do të mbahen në disa prej hapësirave më të njohura të Prizrenit, përfshirë DokuKino, DokuKino Plato, Art’s Theatre, Teatrin “Bekim Fehmiu” dhe Abi Qarshinë. Ndërkohë, aktivitetet DokuTalks do të zhvillohen në Shkollën e Muzikës, ndërsa programi DokuKids në shkollën “Lidhja e Prizrenit”.

Në kuadër të festivalit do të organizohen edhe programe të veçanta si Spotlight, kushtuar regjisores britanike Sophie Fiennes, Doku Immersive me përvoja të realitetit virtual, DokuKids për fëmijë dhe Short Film Forum, platformë që bashkon kineastë dhe profesionistë të industrisë së filmit nga vende të ndryshme.

Një nga mysafirët më të rëndësishëm të këtij edicioni do të jetë dokumentaristi i njohur britanik Mark Cousins, i cili në Prizren do të prezantojë dy kapituj nga projekti i tij 16-orësh “The Story of Documentary Film”, kushtuar dekadave të viteve 1960 dhe 1980.

Atmosfera e festivalit do të pasurohet edhe me programin muzikor DokuNights, që nis më 12 gusht dhe do të zgjasë katër net me koncerte në skenën Andrra Stage.

Me një program të pasur artistik dhe kulturor, DokuFest shënon 25 vjet aktivitet, duke vazhduar të jetë një nga festivalet më të rëndësishme të filmit në rajon dhe një pikëtakim i kineastëve, profesionistëve dhe adhuruesve të filmit nga e gjithë bota./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Etno Fest hapi edicionin e 16-të, “Kujtesa” në qendër të festivalit

Published

on

Edicioni i 16-të i Etno Fest ka nisur mbrëmjen e së dielës me një program të pasur artistik, duke e vendosur në qendër temën “Kujtesa”, si një ftesë për të ruajtur trashëgiminë kulturore dhe identitetin kolektiv.

Ceremonia e hapjes mblodhi artistë, dashamirës të artit dhe vizitorë të shumtë, ndërsa festivali u çel me fjalën përshëndetëse të drejtorit, Fadil Hysaj, i cili falënderoi artistët, partnerët dhe publikun për mbështetjen ndër vite. Të pranishëm në hapje ishin edhe ushtruesja e detyrës së Presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, si dhe kryetari i Prishtinës, Përparim Rama.

Programi nisi me një ekspozitë shumëdimensionale që bashkoi skulpturën, pikturën, fotografinë, mozaikun, muralin dhe instalacionet artistike. Punimet e artistëve trajtuan kujtesën, identitetin dhe përvojat historike, duke sjellë para publikut një rrëfim të pasur përmes artit pamor.

Mbrëmja vazhdoi me interpretimin pianistik të Lule Elezit, ndërsa një nga momentet kulmore ishte performanca antropologjike “MYSAFIRI”, me tekst dhe regji të Fadil Hysajt, muzikë nga Memli Kelmendi dhe interpretim nga aktorët Shpëtim Selmani, Sheqerie Buçaj dhe Shpejtim Kastrati. Shfaqja u pasurua me elemente të traditës shqiptare, përfshirë tingujt e lahutës, tepsisë dhe simbolikën e nuses ilire.

Atmosfera artistike vijoi me interpretimin e kavallistit Vendim Kapaj, i cili solli kolonën zanore të filmit The Odyssey, si dhe me performancën e mysafirëve nga Italia, Soloists of GOB (Ocarina Duo & Piano), të cilët interpretuan vepra të kompozitorëve të njohur ndërkombëtarë dhe melodi tradicionale italiane.

Nata e parë e festivalit u mbyll me koncertin e Edona Reshitajt dhe bendit të saj në “Etno Nejë”, duke përmbyllur një mbrëmje të mbushur me muzikë, art dhe reflektim mbi rëndësinë e kujtesës si pjesë e identitetit kulturor./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Adrenalinë dhe traditë në Gjakovë, spektakël në kërcimet nga Ura e Fshajtë

Published

on

Me kërcime nga 20 metra lartësi, adrenalinë dhe emocione të forta, Gjakova ka mirëpritur edicionin e 76-të të garës tradicionale të kërcimeve nga Ura e Fshajtë, një nga ngjarjet më të veçanta sportive dhe kulturore në vend.

Gara, e organizuar në kuadër të festivalit “Ditët e Shqiptarit”, mblodhi pjesëmarrës nga Kosova dhe rajoni, përfshirë për herë të parë edhe garues nga Bosnjë e Hercegovina, vend i njohur për traditën e kërcimeve nga Ura e Mostarit.

Para nisjes së garës, zhytësit e Mitrovicës kontrolluan sigurinë e lumit, duke konfirmuar se thellësia e ujit ishte rreth 6.5 metra.

Koordinatorja e festivalit, Jeta Gërqari, tha se kërcimet nga Ura e Fshajtë tashmë janë shndërruar në një prej aktiviteteve më të rëndësishme të festivalit, duke bashkuar sportin ekstrem me promovimin e kulturës dhe turizmit.

Edhe kryetari i Fondacionit për Gjakovën, Ermal Hasimja, vlerësoi se kjo garë është një simbol i qytetit dhe një ngjarje që tërheq çdo vit vizitorë të shumtë.

Në kategorinë e stilit “dallëndyshe”, fitues u shpall Florid Gashi, i cili mori vlerësimet maksimale të jurisë. Ai u shpreh i lumtur për triumfin, duke theksuar se përvoja në garat ndërkombëtare, përfshirë kërcimet nga Ura e Mostarit, e ka ndihmuar ta tejkalojë frikën dhe të vazhdojë sukseset.

Vendin e dytë e fitoi Shkëlzen Goqi, ndërsa çmimi i tretë u nda mes Bledar Morinës dhe Albion Gashit.

Në kategorinë e kërcimeve në këmbë, vendi i parë i takoi Gent Krasniqit, i dyti Teki Miftarit, ndërsa i treti Gëzim Krasniqit.

Vëmendje të veçantë tërhoqi edhe pesëvjeçari Kani Basha, i cili u duartrokit nga publiku për guximin e tij dhe u nderua me një mirënjohje.

Bashkorganizatori Astrit Haliti tha se kërcimet nga Ura e Fshajtë janë një traditë që promovon Gjakovën dhe turizmin sportiv, duke shtuar se ky sport ekstrem meriton mbështetje edhe më të madhe në të ardhmen.

Kërcimet nga Ura e Fshajtë organizohen që nga vitet ’50 të shekullit të kaluar. Pas një ndërprerjeje disa vjeçare, ato u rikthyen para një dekade dhe vazhdojnë të tërheqin gjithnjë e më shumë garues, vizitorë dhe vëmendje edhe nga mediat ndërkombëtare, duke promovuar njëkohësisht edhe Urën e Fshajtë, monument të trashëgimisë kulturore dhe një nga simbolet më të njohura të Gjakovës./A.K/

Continue Reading

Të kërkuara