Lajmet

​Von der Leyen: Putin s’duhet të fitojë, Ballkani Perëndimor duhet të integrohet në BE

Ajo kujtoi se vitet e fundit ka pasur një ngadalësim të integrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Published

on

Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen deklaroi sot në hapjen e Forumit të 17-të Strategjik të Bled, se presidenti rus Vladimir Putin nuk duhet të fitojë luftën në Ukrainë dhe se BE mbështet integrimin evropian të Ballkanit Perëndimor, nga i cili varet progresi i rajonit.

Von der Leyen vuri në dukje se BE-ja do të vazhdojë të mbështesë rajonin dhe se hapat e Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë janë shumë të rëndësishëm.

Miqtë tanë në Ballkanin Perëndimor janë pjesë e familjes sonë evropiane. Prosperiteti i Ballkanit varet tërësisht nga integrimi i rajonit në pjesën tjetër të Evropës. Gjëja më e rëndësishme është që njerëzit e Ballkanit Perëndimor në masë të madhe duan t’i bashkohen Bashkimit Evropian”, tha ajo.

Ajo kujtoi se vitet e fundit ka pasur një ngadalësim të integrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Ursula von der Leyen thekson se BE-ja ka interes strategjik që të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor të vazhdojnë rrugën drejt anëtarësimit në Union dhe se është e nevojshme të përshpejtohet integrimi ekonomik dhe të forcohet besueshmëria e procesit të integrimit në BE.

Ajo konkludoi se stabiliteti i Ballkanit Perëndimor është edhe stabilitet evropian, ashtu siç është edhe prosperiteti i Ballkanit Perëndimor prosperitet evropian.

Presidentja e KE-së kujton se në fillim të këtij viti Rusia dhe Kina folën hapur për miqësi pa kufij dhe se vetëm pak javë pas kësaj Rusia filloi një luftë në Ukrainë.

Mesazhi nuk mund të ishte më i qartë. Nëse duam të ruajmë parimet bazë, si vetëvendosja dhe paprekshmëria e kufijve, Putin nuk mund ta fitojë këtë luftë dhe Ukraina duhet të fitojë. Kjo është mjaft e qartë”, tha ajo.

Duke kujtuar se BE-ja vendosi një seri “sanksionesh të ashpra” kundër Rusisë, Von der Leyen njoftoi sanksione të reja dhe më të mëdha, për të cilat beson se do të dëmtojnë aftësinë e Kremlinit për të zhvilluar luftë dhe theksoi se BE-ja do të mbështesë Ukrainën për aq kohë sa të ketë nevojë për të.

Lajmet

FSK rrit gatishmërinë për ndërhyrje emergjente në male

Published

on

By

Në Qendrën Nacionale të Trajnimit për Kërkim Shpëtimit ka përfunduar Trajnimi Bazik i Kërkim-Shpëtimit Malor.

Gjatë këtij trajnimi, pjesëmarrësit përfituan njohuri dhe aftësi të specializuara në fushën e operacioneve malore, duke përfshirë: orientimin në terren malor, teknikat bazike të alpinizmit, përdorimin e pajisjeve teknike, menaxhimin e situatave emergjente, kërkim-shpëtimin në terrene të vështira, si dhe ofrimin e ndihmës së parë në kushte malore.

Trajnimi u zhvillua në përputhje me standardet profesionale dhe synon rritjen e kapaciteteve operacionale të FSK-së për reagim efikas në operacione kërkim-shpëtimi dhe emergjenca në mjedise malore në Mbështetje Ushtarake Autoriteteve Civile.

 

 

 

 

Continue Reading

Lajmet

Biblioteka Kombëtare e Kosovës forcon bashkëpunimin me Bibliotekën Kombëtare të Belgjikës

Published

on

Një takim i rëndësishëm bashkëpunimi është zhvilluar mes drejtoreshës së Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, Blerina Rogova Gaxha, dhe drejtoreshës së Bibliotekës Kombëtare të Belgjikës, Sara Lammens.

Në takim ishte i pranishëm edhe ambasadori i Republikës së Kosovës në Belgjikë, Agron Bajrami, si dhe Kimete Mitrovica Basha nga fondacioni “Ydriz Basha” i Novosejt. Gjatë takimit u diskutuan mundësitë për thellimin e bashkëpunimit ndërinstitucional, shkëmbimin e përvojave profesionale dhe zhvillimin e projekteve të përbashkëta në fushën e bibliotekarisë dhe ruajtjes së trashëgimisë kulturore.

Në kuadër të vizitës, stafi i Bibliotekës Kombëtare të Kosovës pati mundësinë të njihet nga afër me ambientet e bibliotekës në Belgjikë, përfshirë koleksionet e veçanta, dorëshkrimet dhe librat e rrallë. Ata gjithashtu u njohën me proceset moderne të digjitalizimit dhe praktikat bashkëkohore të menaxhimit të materialeve bibliotekare.

Kjo vizitë u vlerësua si një mundësi e rëndësishme për shkëmbim përvojash dhe avancim profesional, duke hapur rrugë për bashkëpunime të reja institucionale.

Continue Reading

Lajmet

Nesër në UBT diskutohet për sigurinë në punë: Sfidat dhe zgjidhjet për sektorin e ndërtimit

Published

on

By

Me rastin e Ditës Botërore të Sigurisë dhe Shëndetit në Punë, UBT do të jetë nikoqir i një diskutimi që prek një prej sektorëve më dinamikë në vend: ndërtimin. Ngjarja do të mbahet nesër, më 28 prill 2026, duke filluar nga ora 14:00, në ambientet e Bibliotekës në Parkun Shkencor, Inovativ dhe Teknologjik të UBT-së, në Lipjan.

Ky panel diskutimi do të bëjë bashkë krerët e institucioneve publike, përfaqësues të Inspektoratit të Punës, si dhe ekspertë të fushës nga Oda e Arkitektëve dhe ajo e Inxhinierëve. Qëllimi kryesor është analiza e thellë e shkaqeve të aksidenteve në vendet e punës dhe propozimi i masave konkrete për rritjen e sigurisë.

Përmbajtja e diskutimit do të shtrihet në tri shtylla kryesore:

  • Analiza e incidenteve: Shqyrtimi i statistikave aktuale dhe roli i zbatimit të ligjit nga inspektorati.
  • Faktorët natyrorë: Ndikimi i gjeologjisë, rrëshqitjeve të dheut dhe ndryshimeve klimatike në sigurinë e kantiereve.
  • Perspektiva akademike: Roli i universiteteve në edukimin e brezave të rinj dhe integrimin e inovacionit për parandalimin e rreziqeve.

Ky aktivitet organizohet në kuadër të jubileut të 25-të të UBT-së, duke rikonfirmuar misionin e këtij institucioni për të shërbyer si një platformë ku shkenca, politika dhe industria bashkohen për të zgjidhur problemet jetike të shoqërisë kosovare dhe për të garantuar mbrojtjen e jetës së punëtorëve.

Continue Reading

Lajmet

Disa zona të Kalasë së Prizrenit mbyllen përkohësisht për arsye sigurie

Published

on

Ministria e Kulturës dhe Turizmit ka njoftuar se, në kuadër të mbrojtjes së trashëgimisë kulturore dhe sigurisë së vizitorëve, disa zona të Kalasë së Prizrenit do të mbyllen përkohësisht.

Vendimi është marrë pas vlerësimeve profesionale që kanë evidentuar gjendje të rënduar të disa strukturave dhe rrezik potencial për vizitorët. Zonat e rrezikuara do të jenë të shënuara dhe të kufizuara deri në një njoftim të ri. Po ashtu, është pezulluar përkohësisht përdorimi i hapësirave të kalasë për aktivitete kulturore, artistike dhe organizime të ndryshme, deri në stabilizimin e gjendjes dhe krijimin e kushteve të sigurta.

Ministria ka bërë të ditur se publiku do të njoftohet me kohë për çdo zhvillim të mëtejshëm dhe për afatet e mundshme të rihapjes, ndërsa falënderon qytetarët për mirëkuptimin.

Continue Reading

Të kërkuara