Lajmet

​Vjedhja e kapakëve të pusetave rrezikon kalimtarët në Prishtinë

Vjedhjen por edhe blerjen e këtyre kapakëve, qytetarët po e konsiderojnë si vepër penale që duhet dënuar.

Published

on

Sokol Stanovci është vetëm njëri nga qytetarët që pësoi për shkak të mungesës së kapakëve të pusetave në kryeqytet. Ai derisa përballet me sëmundjen e tij, tregon se për pak sa nuk e theu këmbën. Të verbëritë thonë se nuk guxojnë të dalin pa përcjellës në rrugë, e qytetarët tjerë ndihen të rrezikuar. Për kapakët e pusetave, të cilët po vjedhen dhe po shiten për hekur e për pak para, në Komunën e Prishtinës shpresojnë se do të bëjnë zgjidhje nga mesi i muajit nëntor.

Vjedhjen por edhe blerjen e këtyre kapakëve, qytetarët po e konsiderojnë si vepër penale që duhet dënuar.

Sokol Statovci thotë se është i paralizuar dhe se ka rënë në një gropë që ishte pa kapakun mbyllës.

“Ju lutem këto gropa sepse po rrëzohemi po vritemi po “sakatohemi”, këto gropa i kanë fajet këto të komunës sepse nuk i urdhërojnë punëtorët me mbuluar këto gropa. Vetëm sa u rrëzova, i paralizuar jam le të kujdeset dikush…është e rrezikshme desh i theva këmbët atje. Kam kërkesa për kryetarin e komunës, le ta hap zemrën pak, le të punon pak, mos të sheh vetëm për vete. Ka ankesa boll, patjetër duhet të bëhet një fushatë me i rregulluar rrugët sepse rrugët na mbytën..Pusetata a nuk pa kush a? Të gjithë këta që po i shesin hekur, të gjitha ata po i marrin. Nuk është mirë me i hap pusetat me i bo gropat sepse jam njeri i sëmurë… ata që marrin kapakët e pusetave dënimin e meritueshëm e kanë”, përfundoi ai.

Drejtori për Investime Kapitale në Komunën e Prishtinës, Krenar Xhaferi tha se ky problem është i kamotshëm, por sipas tij do të bëhet zgjidhja e kësaj çështje duke u bazuar në ndarjen rezionale të qytetit.

“Problem i pusetave është krijuar praktikë që disa vite, ato i marrin keqbërës të ndryshëm dhe mbesin kapakët e pusetave të hapura… Në shumë puseta kemi edhe kontraktor si KEDS-i, të cilin e njoftojmë për mungesën e kapakëve dhe intervenojmë. Kemi menduar zgjidhjen duke u bazuar në ndarjen rezionale të qytetit, këtë kontratë e kemi përcjell për tenderim. Qyteti është i ndarë në pesë zona dhe një zonë është jashtë qytetit, kanë me qenë pesë kontraktorë brenda qytetit, të cilat në kohë reale do t’i përcjellim sepse do të ketë monitorim të zonës, do t’i përcjellim edhe gropat edhe problemet e tjera përveç kapakëve dhe do të intervenojmë. Kemi pesë kontraktorë në pesë zona me depo të veçanta në kuadër të zonës dhe monitorim në kuadër të zonës. Me këtë projekt të cilën është në fazë të tenderimit dhe do të zgjidhim problemet në kohë reale. Si drejtori e kemi përcjell për tenderim, hapja është më 12 nëntor.. Prej ditës të parë që kam ardhur në drejtorin e investimeve, shqetësimin kryesor e kam pasur mungesën e kapakëve të pusetave sepse fëmijët tanë mund të rrezohen dhe pikërisht për këtë një ndër projektet që janë premtuar në fushatë ka qenë ndarja rezionale”, u shpreh ai.

Xhaferi duke thënë se nga mesi i nëntorit do të bëhet kontrata e ndarjes rezionale, thotë se kjo do ta mundësonte një monitorim më mirë.

“Pikërisht ky shqetësim na ka ardhur deri tek kontrata rezionale për zgjidhjen e kohë reale të këtyre problemeve. Lagja Arbëria, Emshir dhe Shkabaj, do të kenë një zonë me depo të veçantë në kuadër të zonës për monitorim të zonës. Vet kontraktori i zonës do ta ketë më të lehtë nëse vjedhjen pusetat në Emshir, atëherë lajmërimi për atë pjesë do të jetë edhe në polici, kjo ndarje razionale na krijon një monitorim më të mirë të gjendjes në terren për zgjidhjen e këtij problemi. Shqetësimi jonë ka ardhur deri në ndarjen rezionale dhe kjo ndarje do të qetësoj të gjitha këto probleme të cilat i kemi të përditshme edhe ne… Po sa njoftohemi që nuk ka pusetë lajmërojmë kontraktorin me vendos apo KEDS nëse është pusetë e KEDS-i. Në qershor e kemi miratuar si ligj në kuadër të buxhetit e kemi përcjell për tenderim, nga mesi i nëntorit do ta kemi kontratën e ndarjes rezionale..Në momentin që vjen në drejtorin tonë, ne jemi të gatshëm prej ditës të parë ta zbatojmë si kontratë”, tha ai.

Sipas Xhaferit, vjedhja e pusetave është vepër penale, duke treguar një rast ku posa i kanë vendosur kapakët, keqbërësit kanë vendosur disa gur që të shfrytëzojnë këto situata për vjedhjen e kapakëve.

Drejtoresha e Komitetit të Grave të Verbëra, Bajramshahe Jetullahu tha se rrugët janë të pakalueshme dhe të verbërit nuk kanë guxim të dalin vet.

“Si duket janë duke pritur me hasur një person i verbër të fundoset në një kanalizim dhe pastaj të shohim se çfarë do të bëjnë…Rrugët tona nuk janë të kalueshme për të verbëritë, gjithmonë duhet me qenë të varur edhe pse një person i verbër po të ishin rrugët si duhet do të mund prej shtëpisë deri në vendin e caktuar të shkoj me ndihmën e shkopit të bardhë. Mirëpo duke u bazuar në rrugët tona, një person i verbër nuk mund ta merr guximin të dal vetë pa shoqërues… Një shoqërues me paguar 125 euro në muaj, ai me qenë përherë me neve, kjo është një tmerr. Personi i verbër merr gjithsej 250 euro, 125 euro për shoqërues, e kush do të na shoqërojë neve”, tha ajo.

Qytetari Isë Hasangjeka tha se ky problem është i kamotshëm dhe po rrezikon të rinjtë e të moshuarit.

“Shqetësimi është i përhershëm sepse është rrezik si për të rinjtë dhe për të moshuarit. Kush po i heq, kush po i mirëmban dhe kush po i mbikëqyrë ato, aty është problemi sepse ata që heqin po i shesin dhe ai që i blen duhet të dënohet. Ka ndodhë që ka rënë fëmija në të…të gjitha përgjithësitë i ka komuna sepse kur vjen aty e kërkon votën dhe përgjegjësinë por nuk është vetëm komuna përgjegjës, përgjegjës është njeriu, njeriu duhet të vetëdijesohet që nuk mundet të bëhet gjithçka, duhet të mësohemi që janë projekte edhe pusetat janë projekt është rrezik për njerëzit, por komuna duhet të lidhet me ata të cilët i mirëmbajnë dhe kush i mbikëqyrë. ..Ajo është vepër penale po të vret në prapavijë”, tha ai.

Gjate vitit 2020, në kryeqytet ishte marrë një iniciativë për pastrimin e pusetave të ujërave të zeza, megjithatë që nga atëherë nuk ka pasur ende ndonjë veprim konkret nga institucionet relevante.

Lajmet

Sulm seksual dhe dëmtim prone në kryeqytet, arrestohet i dyshuari

Published

on

By

Në raportin 24-orësh të Policisë së Kosovës është evidentuar një rast në Prishtinë, i cilësuar si sulm seksual dhe asgjësim apo dëmtim i pasurisë së huaj.

Sipas njoftimit zyrtar nga autoritetet policore, një burrë dyshohet se ka sulmuar seksualisht një grua. Menjëherë pas marrjes së informacionit, njësitë relevante policore kanë dalë në vendin e ngjarjes për të ndërmarrë veprimet e nevojshme operative.

Lidhur me rastin është njoftuar edhe prokurori kujdestar, me urdhër të të cilit kanë nisur hetimet e plota për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes, ndërsa i dyshuari është shoqëruar në polici. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

Damon Albarn mahnitet gjatë provave për koncertin historik të Gorillaz në stadium

Published

on

Damon Albarn ka treguar edhe një herë natyrën e tij të qetë dhe spontane gjatë provave për koncertin e parë stadiumik të grupit Gorillaz në Tottenham Hotspur Stadium në Londër.

Gjatë interpretimit të këngës “Dirty Harry”, Albarn u largua nga skena për të parë efektet vizuale të shfaqjes dhe për të përshëndetur reperin argjentinas Trueno, duke harruar për disa minuta se duhej të ishte në skenë me grupin.

“Jam frontmeni më i keq”, ka thënë ai me humor, duke shtuar se ka një qasje shumë të relaksuar ndaj performancave live.

Koncerti mblodhi mbi 30 muzikantë nga 15 shtete të ndryshme, duke krijuar një atmosferë të veçantë bashkëpunimi dhe miqësie. Në mesin e mysafirëve ishin emra të njohur të muzikës si Johnny Marr, Sparks, Shaun Ryder, Bashy dhe Anoushka Shankar.

Ndërkohë, bashkëthemeluesi i Gorillaz, Jamie Hewlett, po realizon një dokumentar për këtë ngjarje unike, i cili do të tregojë prapaskenat e organizimit të spektaklit, nga udhëtimi i artistëve deri te momentet pas përfundimit të koncertit.

Koncerti në Tottenham shënon një moment historik për Gorillaz, duke sjellë në një skenë të vetme artistë nga kultura dhe zhanre të ndryshme muzikore./BBC/

/A.K/

 

Continue Reading

Lajmet

Mbyllet edicioni i 26-të i Panairit të Librit në Prishtinë

Published

on

Pas gjashtë ditësh me aktivitete letrare, dje është mbyllur edicioni i 26-të i Panairit të Librit në Prishtinë, një nga ngjarjet më të rëndësishme kulturore në vend.

Panairi mblodhi dhjetëra shtëpi botuese nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe treva të tjera shqiptare, duke sjellë mijëra tituj librash, promovime dhe takime me autorë. Mysafir nderi i këtij edicioni ishte shkrimtari italo-francez Francesco Rapazzini.

Një ditë para mbylljes, u ndanë edhe çmimet tradicionale të panairit, me të cilat u vlerësuan autorë, përkthyes, studiues dhe vepra të spikatura të vitit.

Përfaqësues të shtëpive botuese vlerësuan interesimin e lexuesve, por theksuan se ndryshimi i datave të organizimit ka ndikuar në numrin më të vogël të vizitorëve krahasuar me vitet e kaluara.

Në kuadër të panairit, lexuesit patën mundësi të përfitojnë nga oferta të shumta, tituj të rinj dhe zbritje të konsiderueshme, ndërsa interesim të veçantë pati për librat akademikë, teknologjinë, inteligjencën artificiale, si dhe literaturën për fëmijë.

Panairin e Librit “Prishtina 2026” e vizitoi edhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti, së bashku me ministren në detyrë të Kulturës dhe Turizmit, Saranda Bogujevci./rtk/

/A.K/

Continue Reading

Lajmet

Beton ka gjithandej, avantazhi turistik i Shqipërisë është natyra

Published

on

By

Një grup shkencëtarësh kërkuan të dielën ndalimin e menjëhershëm të planeve për zhvillime ndërtimore në zonat e mbrojtura, duke filluar nga Zvërneci dhe kudo më tutje, në jug dhe në veri duke argumentuar se natyra është aseti më i madh edhe ekonomik dhe avantazh turistik ndërsa betonizimi do të jetë një gabim që vende të tjera e kanë bërë dhe janë penduar sakaq.

Të tronditur nga dëmet e shkaktuara nga ndërtuesit gjatë atyre pak ditëve të punimeve në Zvërnec dhe në Pishë-Poro, një skuadër shkencëtarësh shqiptarë dhe të huaj paralajmëruan të dielën se vendi mund të humbasë përgjithmonë atë që duhet të jetë aseti më i madh, jo vetëm në kuadër të mbrojtjes së mjedisit, por edhe në kuadër të zhvillimit të qëndrueshëm dhe të zhvillimit të turizmit në vend.

Shkencëtarët Aleko Miho, Taulant Bino, Ferdinand Bego, Friedrich Schiemer dhe Perikli Qirjazi thanë në një konferencë për shtyp se larg nga të qenit pengesë, ruajtja e natyrës në zonat e mbrojtura duhet të shikohet si avantazh, për zhvillimin e ekonomisë në përgjithësi dhe të turizmit në veçanti.

“Beton ka kudo dhe vende të tjera kanë bërë këto gabime para nesh,” argumentoi Ferdinand Bego

“Sado emra joshës t’u vihen këtyre projekteve, qoftë “Dubai” apo “Maldivet” shqiptare, humbësi i vërtetë do të jetë publiku dhe trashëgimia natyrore e vendit,” shtoi Bego, i cili e përshkroi politikën aktuale të qeverisë si sakrifikim të pasurisë së përbashkët “për interesat e një pakice”.

Shkencëtarët shqetësohen jo vetëm për Zvërnecin, ku punimet u nisën dhe u ndërprenë pas protestave popullore, por edhe për planet që duket se janë sakaq gati për shumë zona të tjera të mbrojtura, nga Butrinit në Vjosë e deri në veri në kufi me Malin e Zi.

“…mbrojtja e Zvërnecit nuk është vetëm një çështje lokale; ajo lidhet drejtpërdrejt me të ardhmen e biodiversitetit në Shqipëri. Vetëm në këtë zonë janë të lidhura me habitatet ujore mbi 200 lloje shpendësh, shumë prej tyre të mbrojtura dhe të rrezikuara në nivel kombëtar. Nëse humbasim këto peizazhe, humbasim një pjesë të identitetit tonë natyror dhe kulturor që nuk mund të rikthehet më.”, tha Taulant Bino.

Ndërsa Perikli Qirjazi, pasi bëri një përshkrim të larmishëm të pasurisë mjedisore në Zvërnec vërejti se si shkencëtarët shqiptarë kanë punuar në mbrojtjen e pasurisë së vendit edhe në vitin 1997.

“Kemi punuar edhe në vitin 1997 për të identifikuar monumentet e natyrës. Në këtë zonë kemi identifikuar tre objekte, dunat, e bukura, të dalluara në të gjithë Mesdheun. Liqeni i vogël me ujë të ëmbël, i cili është shumë i veçantë në një zonë të rrethuar nga deti dhe laguna, e cila është me ujë të kripur dhe kodrat e Zvërnecit, të cilat dikur kanë qenë ishuj,” tha Qirjazi, anëtar i Akademisë së Shkencave.

“Kjo është një zonë që përbën arkivë të historisë gjeologjike të bregdetit shqiptar. Mbetjet fosile atje na ndihmojnë për të na informuar për periudhën e miocenit,” shtoi Qirjazi.

“E gjithë bota i shpall dunat pasuri e mbrojtur,” tha Qirjazi duke paralajmëruar se gjithçka mund të shkatërrohet në mënyrë të parekuperueshme nga një investim brutal.

Bino argumentoi më tutje se vetëm 22% e territorit të vendit është zonë e mbrojtur, në të cilën nuk mund të ndërtohet, ndërsa pjesa tjetër është e hapur për ndërtim.

Shkencëtarët argumentuan se ndërtimet në Zvërnec, Pishë-Poro e vende të tjera të mbrojtura po synojnë fitime afatshkurtra në dëm të mirëqenies jetëgjatë të vendit.

Grykëderdhjet e lumenjve janë zona dinamike, ku territori ndryshon, paralajmëroi Bego. Në zonat e jugut tendenca është që prurjet e lumenjve të zgjerojnë tokën në det, ndërsa në zonat e veriut, kryesisht si pasojë e ndërtimit të hidrocentraleve mbi Drin e Mat, tendenca është erozioni i tokës për shkak të ndërprerjes së prurjeve së sedimenteve. Ndërtimi i qytezave të reja në këto zona nuk është ide e mirë as nga pikëpamja e mjedisit dhe as nga pikëpamja e zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik, tha Bego.

“Mbrojtja e deltës së Vjosës është urgjente. Studimet shkencore tregojnë se ajo është një nga deltat më të ruajtura në Mesdhe, me një mozaik unik habitatesh që mbështesin biodiversitet të jashtëzakonshëm dhe funksione të rëndësishme ekologjike. Aktualisht, kjo zonë përballet me kërcënime serioze nga projektet e turizmit masiv, të cilat rrezikojnë integritetin e ekosistemit. Ekspertët bëjnë thirrje për anulimin e planeve të zhvillimit me ndikim të lartë, integrimin e deltës në Parkun Kombëtar të Lumit të Egër Vjosa dhe promovimin e një modeli turizmi të qëndrueshëm që respekton kapacitetet natyrore të zonës.”, deklaroi Friedrich Schiemer nga Universiteti i Vjenës.

Shkencëtarët hedhin poshtë si të pavërteta pretendimet e kryeministrit Edi Rama që është përpjekur të argumentojë se natyra mund të bashkëjetojë me ndërtimet apo se zona e projektit aktual nuk ka status të mbrojtur.

Bino rikujtoi se kjo çështje nuk do të ishte diskutuar fare në rast se shumica parlamentare socialiste nuk do të kishte bërë ndryshimet në vitin 2024 në ligjin Për Zonat e Mbrojtura. “Ndryshimet ishin klienteliste,” tha Bino.

Ndryshimet në ligjin Për Zonat e Mbrojtura u miratuan nga shumica socialiste pavarësisht kundërshtive të aktivistëve dhe të zyrtarëve të Bashkimit Evropian. Këto ndryshime do të duhet të shfuqizohen si kusht i vendosur nga Komisioni Evropian në negociatat për anëtarësim, gjë që duhet të ndodhë së shpejti. Qeveria duket se e ka me ngut që të mund të lejojë ndërtimet në zonat e mbrojtura brenda dritares së shkurtër kohore deri në shfuqizimin e ligjit, i cili normalisht mund të shfuqizohet që sot, por që hë për hë, shumica socialiste duket se nuk e ka me nxitim.

Shënjestrat aktuale të zhvilluesve përfshijnë jo vetëm Pishë-Poron dhe Zvërnecin por edhe grykëderdhjen e Vjosës pak më në veri.

Për momentin, punimet në Zvërnec janë ndalur, por shkencëtarët kërkojnë ndërprerjen dhe braktisjen e planeve për ndërtime qytetesh të tëra në zonat e mbrojtura duke paralajmëruar se vetëm brenda atyre pak ditëve kur Zvërneci dhe Pishë – Poro ranë nën pushtetin e ndërtuesve, dëmi ishte kolosal.

“Gjatë dy ditëve që kaluam në terren, pamë nga afër sesi dunat janë rrafshuar dhe sesi kjo ndërhyrje po paraqitet si një model bashkëjetese mes zhvillimit dhe natyrës. Megjithatë, shumë gjëra nuk po bëhen publike. Përtej deklaratave se “nuk ka projekt”, ajo që shihet në terren dhe në planet e zhvillimit tregon qartë një vizion urbanizimi në shkallë të gjerë, të paketuar me emra si “luxury resorts”. Në realitet, bëhet fjalë për zona të reja ndërtimi që do të zëvendësojnë një natyrë të krijuar ndër mijëra vite me beton dhe infrastrukturë. Kjo është veçanërisht shqetësuese për një vend që aspiron integrimin evropian,” deklaroi Bego.  /Gjergj Erebara-Reporter.al/

 

 

Continue Reading

Të kërkuara