Lajmet

​Vetingu në dorën e qeverisë së re

Published

on

Vetingu vazhdon të konsiderohet si mundësia e vetme për të rikthyer besimin në sistemin e drejtësisë në vend, por që një proces i tillë assesi të realizohet. Që pas shpalljes së pavarësisë, vetingu në drejtësi ka qenë thuajse premtimi kryesor i partive politike, por që realizimi ka munguar, përkundër disa iniciativave që janë ndërmarrë nga qeveri të ndryshme.

Qeveria e udhëhequr nga Avdullah Hoti, kishte themeluar grupin punues për hartimin e modaliteteve dhe skenarëve për çështje të reformës në sistemin e drejtësisë, me ç’rast ky grup ka dorëzuar raportin që përfshin katër skenarë të cilët mund të përdoren.

Opsioni i parë është vazhdimi i status quo-së apo gjendjes ekzistuese. Opsioni i dytë adreson problemet përmes ndryshimeve ligjore që kanë të bëjnë me llogaridhënien. Opsioni i tretë parasheh mundësinë e adresimit të të metave në llogaridhënie përmes masave të kombinuara, përkatësisht, vetingut në njërën anë dhe përmirësimit të performancës dhe disiplinimit përmes ndryshimeve ligjore në anën tjetër. Ndërkaq opsioni i katërt sheh si zgjidhje zhvillimin e veting-ut për gjyqtarë dhe prokurorë.

Por, pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese organizatat që merren me monitorimin e sistemit të drejtësisë thonë se tashmë çështja e vetingut i mbetet qeverisë së re që do të formohet pas zgjedhjeve, ndërsa ministri në detyrë i Drejtësisë, Selim Selimi, thotë se gjatë këtij muaji do të shohin se për cilin nga katër opsionet do të vendosin.

Drejtori ekzekutiv i Institutit të Kosovës për Drejtësi, Ehat Miftaraj, thotë se e vetmja mënyrë për të kthyer besimin e qytetarëve në sistem të drejtësisë është të bëhet një veting i thellë.

“Ne si IKD e kemi thënë vazhdimisht dhe vazhdojmë ta përsërisim gjithmonë duke u bazuar në gjetjet tona nga monitorimi sistematik i sistemit të drejtësisë e vetmja mënyrë për të shpëtuar Republikën e Kosovës, e vetmja mënyrë për të kthyer besimin e qytetarëve në sistem të drejtësisë është të bëhet një veting i thellë. Ku çdo gjyqtar, çdo prokuror kalon përmes një filtri i cili pastaj ndikon që të kemi një pasqyrë më të qartë se këta persona a janë profesionalë, a kanë integritet, a kanë lidhje me politikën dhe sa janë të gatshëm në një farë mënyrë t’i ushtrojnë kompetencat dhe përgjegjësitë e tyre”, thotë ai.

Rreze Hoxha, nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike, thotë se mungesa e stabilitetit politik po ndikon në të gjitha proceset reformuese të vendit, përfshirë edhe vetingun në drejtësi. Ajo potencon se cilado qeveri që vjen në pushtet duhet ta ketë si prioritet vetingun në drejtësi.

“Mungesa e stabilitetit politik ndikon në gjithë proceset reformuese të vendit, sigurisht këtu përfshihen edhe reformat të cilat i bëhen sistemit të sundimit të ligjit. Në këtë aspekt GLPS konsideron që çfarëdo reforme në të cilën i nënshtrohet ky sektor e që nuk e ka për bazë vetingun është reformë kozmetike. Ky ka qenë qëndrimi ynë i kahmotshëm dhe kjo e tregon insistimin ose avokimin tonë që secila qeveri që vjen në pushtet në Kosovë ta ketë si prioritet një proces vetingu. Mirëpo, jo çfarë do procesi t’ia vëmë emrin veting, mirëpo një veting i cili do të thotë në thellësi i shqyrton kriteret për të cilat do të duhej të përmbusheshin nga secili gjyqtar e prokuror që janë pjesë e sistemit të drejtësisë në vend”, thotë ajo.

Pjesë e grupit punues për hartimin modaliteteve ka qenë edhe Genc Nimoni nga Organizata Çohu, i cili thotë se puna e këtij grupi duhet të merret parasysh edhe nga qeveria e ardhshme, por që thotë se kjo do të varet nga vullneti politik.

“Ai i vetingut klasik, të cilin ne natyrisht që e mbështesim më shumë, gjithashtu në krijimin e një mekanizmi të përhershëm për veting të gjyqtarëve dhe prokurorëve. Sa i përket pyetjes se çka do të ndodh tani dhe a do të merret parasysh, mendoj që është një dokument konkret dhe që do të duhej të merret parasysh nga qeveria e ardhshme dhe varet nga vullneti i tyre a dëshirojnë tutje ta konkretizojnë këtë apo dëshirojnë të vazhdojnë me këto reforma të cilat veç i kemi pasur me këtë vazhdimësi e cila po vazhdon me i pas pasojat e veta. Natyrisht që kjo siç e përmenda varet nga vullneti politik dhe nuk mundemi me e ditë se as çfarë përbërje do ta ketë qeveria e re në mënyrë që me e ditë nëse do të procedohet tutje. Mirëpo, ajo çka mund të them për këtë grup ka qenë një punë intensive dhe me opsione konkrete dhe i mbetet qeverisë të vendos për opsionin”, thotë ai.

Ministri në detyrë i Drejtësisë, Selim Selimi, thotë se tashmë dokumenti me modalitetet ekziston dhe se gjatë këtij muaji do të kenë kohë të mendojnë se cilin prej tyre do të mbështesin. Ai nuk e sheh si pengesë vendimin e Gjykatës Kushtetuese, se qeveria pjesë e të cilës është u formua në mënyrë jokushtetuese, që të vazhdohet me implementimin e vetingut.

“Vetingu nuk bëhet për politikë, do të thotë nuk bëhet për një grusht votash, vetingu bëhet për t’i ndihmuar sistemit të drejtësisë, për t’i mbrojtur prokurorët e ndershëm, për t’i mbrojtur gjykatësit e ndershëm. Pra, ky është qëllimi ynë dhe vetingu për mua ka qenë e rëndësishme që të kyçet KGJK dhe KPK për shkak se përndryshe nuk kishim mundur ta implementojmë, se vendimet për largim, vendimet për ndryshim i marrin KPK dhe KGJK si institucione të ndara. Në janar kemi kohë të mjaftueshme që të diskutojmë se cili është modaliteti më i mirë, cili është më i miri është ai të cilin e përkrahin shumica. Është e rëndësishme ta përkrahin shumica sepse pastaj mund të dështojmë në implementimin e tij. Çka është e rëndësishme është që në tërë procesin kanë qenë të kyçur SHBA-të, do të thotë kemi qenë në partneritet të plotë me ta dhe ata e kanë përkrahur procesin prej shfuqizimit të vendimit paraprak, marrjes së vendimit të ri”, thotë Selimi.

Selimi pret që puna e grupit punues dhe modalitetet të mos hidhen poshtë nga qeveria që do të formohet pas zgjedhjeve që pritet të mbahen në së shpejti.

“Unë mendoj që po, normalisht është vendim i ministrit që vjen pasardhës për shkak që procesi ka qenë gjithëpërfshirës, procesi ka qenë objektiv. Do të thotë unë kam qenë në një mënyrë si një menaxher i atij trurit të sistemit juridik që i ka prodhuar këto dokumente, nuk është shkruar në zyre të partive, nuk është shkruar nga një kabinet politik, po është shkruar nga ekspertët dhe profesionistët. Andaj mendoj që nuk e ka asnjë pengesë ministri i ardhshëm që të fillojë të implementojë këto”, thotë ai.

Ndryshe, viti 2020 është konsideruar si vit i dështuar për sistemin e drejtësisë, ku gjykatat vazhdojnë të përballen me numër të madh të lëndëve të pa trajtuara.

Lajmet

Gjykata Speciale ia vazhdon paraburgimin Kadri Veselit dhe Jakup Krasniqit

Published

on

By

Gjykata Speciale në Hagë ka marrë vendim për t’ua vazhduar masën e paraburgimit edhe për dy muaj të tjerë Kadri Veselit dhe Jakup Krasniqit.

Lajmin e ka bërë të ditur gazetarja e Klan Kosovës, Rina Mujku, e cila po raporton drejtpërdrejt nga Haga.

Sipas gazetares, vendimi është marrë nga kryetari i trupit gjykues, Charles Smith, pasi sot përfundonte afati ligjor nga vendimi i fundit i marrë më 15 korrik. Mujku sqaron se ky veprim përbën një procedurë të zakonshme formale për respektimin e afateve gjyqësore.

Sipas raportimit të Klan Kosovës, për dy të akuzuarit e tjerë në këtë proces, Hashim Thaçin dhe Rexhep Selimin, ende nuk ka një njoftim të ri lidhur me masën e paraburgimit.

Kjo masë procedurale vjen pikërisht një ditë para shpalljes së aktgjykimit për katër ish-drejtuesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

Policia e Kosovës apelon për kujdes nga mesazhet mashtruese dhe dokumentet e falsifikuara

Published

on

By

Policia e Kosovës u ka bërë thirrje qytetarëve për kujdes të shtuar pasi janë diktuar mesazhe mashtruese dhe dokumente të falsifikuara, të cilat po qarkullojnë duke keqpërdorur në mënyrë të paautorizuar emrin, logot, vulat dhe nënshkrimet e institucioneve vendëse.

Autoritetet sqarojnë se dokumentet e tilla nuk përfaqësojnë njoftime zyrtare të Policisë së Kosovës, ndaj u kërkohet qytetarëve që të mos u përgjigjen kërkesave të dyshimta, të mos ndajnë të dhëna personale apo bankare dhe të mos dërgojnë informacione përmes adreshash të paverifikuara.

Aktualisht, Policia po ndërmerr të gjitha veprimet e nevojshme hetimore për trajtimin e rastit dhe identifikimin e personave përgjegjës, ndërsa rikujton se çdo informacion zyrtar duhet të merret vetëm përmes kanaleve zyrtare institucionale.

Këshillat e Policisë për qytetarët:

Udhëzime të menjëhershme: Shmangni klikimin në linqe të dyshimta, mos jepni të dhëna bankare apo personale dhe mos hapni faqe që kërkojnë pagesa përmes SMS-ve.

Veprimet në rast se pranoni mesazhe të tilla: Fshijeni mesazhin menjëherë, raportojeni te autoritetet dhe kontaktoni bankën tuaj nëse keni ndarë të dhëna financiare.

Rastet e mashtrimeve mund të raportohen në polici përmes aplikacionit “Lajmëro Policinë” ose duke telefonuar në numrin pa pagesë 192.

 

Continue Reading

Lajmet

Zbulime të reja arkeologjike në Bostan të Novobërdës

Published

on

Gërmimet arkeologjike që po zhvillohen në Bostan të Novobërdës po sjellin të dhëna të reja për këtë lokalitet të lashtë, i cili lidhet me periudhën e Mbretërisë Dardane.

Hulumtimet e zhvilluara gjatë viteve të fundit kanë konfirmuar praninë e një vendbanimi të fortifikuar, ku janë evidentuar gjurmë të një muri rrethues, një kulle dhe një porte.

Materialet arkeologjike të zbuluara dëshmojnë për rëndësinë e këtij lokaliteti gjatë periudhës klasike dhe helenistike.

Të dhënat e deritanishme e rendisin Bostanin ndër lokalitetet me rëndësi për studimin e jetës, ekonomisë dhe organizimit të vendbanimeve në Dardani gjatë periudhës së Mbretërisë Dardane./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Biblioteka Kombëtare e Kosovës merr pjesë në takimin vjetor të ISBN-së në Madrid

Published

on

Biblioteka Kombëtare e Kosovës po merr pjesë në Takimin e Përgjithshëm Vjetor të Agjencisë Ndërkombëtare të ISBN-së, i cili po mbahet në Madrid të Spanjës.

Takimi mbledh përfaqësues të agjencive kombëtare të ISBN-së nga vende të ndryshme të botës, me qëllim të diskutimit të zhvillimeve të reja në sistemin ndërkombëtar të identifikimit të botimeve.

Në fokus të takimit është edhe forcimi i bashkëpunimit ndërmjet institucioneve përgjegjëse për sistemin ISBN dhe shkëmbimi i përvojave në këtë fushë.

Pjesëmarrja e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës në këtë takim kontribuon në bashkëpunimin ndërkombëtar dhe në ndjekjen e zhvillimeve të reja në standardizimin dhe identifikimin e botimeve./A.K/

Continue Reading

Të kërkuara