Presidenti amerikan Donald Trump dhe gjiganti teknologjik Nvidia po përballen me kritika të gjera nga ligjvënësit demokratë dhe republikanë në SHBA, pas vendimit të kompanisë për të rikthyer në detyrë shefin ekzekutiv Jensen Huang. Sipas raportimit të BBC-së, Huang u rikthye të hënën, më pak se dy javë pasi u detyrua të jepte dorëheqjen për shkak të raportimeve për një lidhje jashtëmartesore me një grua të dyshuar për lidhje me inteligjencën kineze.
Në një intervistë për CNBC, Trump deklaroi se kishte biseduar me bordin e Nvidia-s dhe e kishte “bindur” atë që ta rikthente Huang-un, duke shtuar se administrata i kishte dhënë garanci bordit se rikthimi i tij nuk përbënte kërcënim për sigurinë kombëtare. “Njerëzit pyesin nëse është kërcënim ta kesh atë? Jo, është kërcënim ta humbasësh,” u shpreh Trump, duke lënë të kuptohet se rënia e aksioneve të Nvidia-s pas dorëheqjes së tij kishte ndikuar në ndërhyrjen presidenciale.
Vendimi i Nvidia-s shënoi një kthesë të papritur, pasi vetëm të martën e kaluar bordi kishte deklaruar se nuk kishte ndërmend ta rikthente atë. Kryetari i bordit, Harvey C Jones, tha se vendimi u mor në interes të aksionarëve dhe punonjësve pas konsultimeve me nivele të larta të qeverisë amerikane. Rikthimi i Huang-ut shkaktoi një rritje prej 31% të aksioneve të Nvidia-s të hënën, duke i shtuar kompanisë rreth 1 trilion dollarë vlerë tregu dhe duke ndalur rënien njëjavore në bursat amerikane.
Megjithatë, ky zhvillim ka ngjallur reagime të forta në Kongresin Amerikan, ku ligjvënës të të dyja partive kanë kërkuar shpjegime. Udhëheqësi i demokratëve në Dhomën e Përfaqësuesve, Hakeem Jeffries, e cilësoi vendimin si “të pambrojtshëm dhe të papërgjegjshëm”, duke premtuar një hetim të shpejtë dhe të plotë nga Kongresi për të mos lejuar që “siguria kombëtare e Amerikës të shitet për përfitime financiare”. Edhe senatorja demokrate Elizabeth Warren e quajti vendimin “të pamatur” dhe kërkoi që administrata Trump të sqarojë se cilët zyrtarë të lartë kishin dhënë garanci për rikthimin e tij.
Jensen Huang, i cili dha dorëheqjen më 12 nëntor pas raportimeve për lidhjen e tij me Alice Huang drejtuese e kompanisë Megaspeed me bazë në Singapor, të cilën Departamenti amerikan i Tregtisë po përgatitet ta fusë në listën e zezë pritet të dëshmojë para tre komiteteve të Dhomës së Përfaqësuesve më 1 dhjetor dhe para Komitetit Bankar të Senatit dy ditë më vonë. /BBC/