Lajmet

​Tetë vjet nga droni shqiptar në Beograd

Të gjithë mbeten të habitur e të heshtur duke shikuar çudinë që zbriste nga lartësia.

Published

on

Më 14 tetor të vitit 2014, në orën 21:27 është ndërprerë ndeshja Serbi-Shqipëri që luhej në Beograd në kuadër të kualifikimeve për kampionatin Evropian France 2016.

Ndërprerja ishte paralajmëruar pothuajse që para fillimit: Ishte ndaluar pjesëmarrja e tifozëve të Kombëtares shqiptare në Beograd, ndërsa tifozët serbë në stadium me fishkëllima e britma penguan intonimin normal të himnit kombëtar shqiptar.

Në këto kushte, të rënduara dhe të vështira për ekipin shqiptar, filloi ndeshja.

Arbitri britanik Martin Atkinson nuk e kishte të lehtë të ndante gjyqësinë që sidomos nga lojtarët, tifozët, por edhe zyrtarë serbë që gjendeshin aty, konsiderohej betejë lufte.

E tensionuar, me epërsi të dukshme shqiptare, ndeshja vazhdoi kështu deri në minutën 42.

Dhe në atë minutë, nga qielli i Beogradit, sipër tifozëve, më ngadalë e duke valëvitur nga një dron, në fushën e lojës, afrohej flamuri me hartën e viseve etnike shqiptare, me portretet e Ismail Qemalit e të Isa Boletinit dhe me mbishkrimin “AUTOCHTHONOUS”.

Të gjithë mbeten të habitur e të heshtur duke shikuar çudinë që zbriste nga lartësia.

Pastaj një futbollist serb e mori në hapësirë, pa rënë në tokë, flamurin me simbole shqiptare e lojtarët e kombëtares vrapuan menjëherë pas tij duke ia rrëmbyer nga duart.

Pas kësaj, topi u “harrua” dhe filloi beteja fizike ndërmjet lojtarëve të dy ekipeve. Nga tribunat e shikuesve zbriten spektatorët serbë të cilët mësyn lojtarët shqiptarë. Një konfrontim fizik i pabarabartë të cilin lojtarët e kombëtares e braktisen duke kërkuar shpëtim në dhomat e zhveshjes.

Pjesëtarët e sigurimit, në vend se të mbronin lojtarët shqiptarë, u bënë bashkë me spektatorët e lojtarët serbë duke i goditur me grushte e karrige derisa ata sa u futen në kthinën e vet të stadiumit.

Në kushte të tilla nuk kishte si të vazhdohej loja.

Lojtarët shqiptarë, pasi e morën veten, e dorëzuan flamurin e rënë fushë te zyrtarët e UEFA-s dhe rreth orës 3 mëngjesit u kthyen në Tiranë.

Zhvillimi ndeshjes së ndërprerë Serbi – Shqipëri pastaj vazhdoi në tryezat politike.

Politikanë serbë na quajtën të pa civilizuar e vizita e paraparë e Edi Ramës në Beograd u shty për më shumë tri javë, pasi vëllai tij akuzohej se kishte lëshuar dronin.

E kur shkoi Edi Rama në Serbi, në konferencën shtypit me Aleksandar Vuçiqin, natyrisht se nuk u harrua droni, ndeshja e as Kosova. Batutat dhe fjalët lakonike thuheshin anglisht e shqip e serbisht me cinizëm por edhe me maturi.

Dhe këtu përfundoi “pjesa e parë” politike për ta vazhduar pjesa e dytë sportive e ndeshjes:

Komisioni Disiplinor i UEFA-së vendosi më 24 tetor 2014 që ndeshjen e ndërprerë ta regjistrojnë në favor të Serbisë, derisa dy kombëtaret të dënoheshin me nga 100 mijë euro, Serbisë t’i hiqeshin dy pikë dhe dy ndeshjet t’i luante pa tifozë.

Pas ankesës së Shqipërisë në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv (CAS) në Lozanë, më 10 korrik të këtij viti, 3 pikët e ndeshjes kaluan në anën e Shqipërisë.

Në ndërkohë ishte “zbuluar” edhe autori i dronit, Ismail Morina, Ballisti i cili bënte jetë të dyfishtë: Në famën e flamurit të tij e në dyshimin që ai të jetë vërtet autori i lansimit dhe i fshehjes e ruajtjes nga sigurimi serb nga i cili, thoshte ai, kërkohej për t’u vrarë.

Kështu deri në prag të ndeshjes që u zhvillua më 8 tetor në “Elbasan Arena” ndërmjet Shqipërisë e Serbisë, kur Ismail Morina u burgos me akuzë për armëmbajtje pa leje dhe me posedim të biletave të falsifikuara për këtë ndeshje.

Takimi Shqipëri – Serbi përfundoi me rezultatin 0: 2 dhe ai la shumë për të dëshiruar, sidomos për angazhimin e lojtarëve në fushë dhe të spektatorëve në tribuna. Edhe këtë radhë në ndeshje u përzie politika: Edi Rama uroi fitoren e ekipit serb ndërsa tifozë të kuqezinjve, bashkë me udhëheqjen e lojtarët u “armatosen” për betejën në Jerevan.

Mrekullia ndodhi në kryeqytetin armen: Ndeshja Armeni – Shqipëria përfundoi me rezultatin 3:0 dhe Serbia, tash, ashtu siç tha kapiteni i Kombëtares Lorik Cana, kampionatin evropian France 2016, do ta shikojë nga televizioni e me këtë edhe ndeshjet e Shqipërisë në këtë garë në të cilën ajo u kualifikua për herë të parë dhe të vetme deri më tani.

Lajmet

Justina Shiroka-Pula merr zyrtarisht detyrën e presidentes

Published

on

Justina Shiroka-Pula ka marrë zyrtarisht detyrën e presidentes së Republikës së Kosovës.

Në ceremoninë e inaugurimit, ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, ia ka dorëzuar Kushtetutën presidentes së re.

Justina Shiroka-Pula mori 81 vota në Kuvend, në votimin që u zhvillua në mesnatën mes të martës dhe të mërkurës, në fund të afatit kushtetues që e caktoi 6 tetorin si datë të fundit për zgjedhjen e presidentit. Detyrën e siguroi pas dakordimit të Vetëvendosjes dhe Partisë Demokratike të Kosovës./A.K/

Continue Reading

Lajmet

BE-ja shqetësohet për ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara

Published

on

Bashkimi Evropian ka shprehur shqetësim të thellë për miratimin nga Kuvendi i Kosovës të Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara të Kosovës.

Në një përgjigje për KOHËN, një zëdhënës i BE-së ka thënë se ndryshimet e miratuara janë në kundërshtim me obligimet ndërkombëtare të Kosovës ndaj Bashkimit Evropian.

“Partneriteti ynë nënkupton jo vetëm interesa të përbashkëta, por edhe përgjegjësi të përbashkëta”, thuhet në përgjigje.

BE-ja ka theksuar se vazhdimisht ka mbështetur punën e Dhomave të Specializuara të Kosovës si institucion të pavarur gjyqësor, të themeluar përmes vendimeve të Kuvendit në vitet 2014–2015 dhe të përcaktuar në Kushtetutën e Kosovës.

Sipas BE-së, mandati dhe pavarësia e Dhomave të Specializuara duhet të respektohen plotësisht, ndërsa drejtësia duhet të vazhdojë të bazohet në parimin e përgjegjësisë penale individuale.

BE-ja i ka bërë thirrje Kosovës që t’u përmbahet obligimeve të saj ndërkombëtare dhe të garantojë pavarësinë gjyqësore të Dhomave të Specializuara, si dhe llogaridhënien dhe drejtësinë për viktimat dhe familjet e tyre nga të gjitha komunitetet në Kosovë.

Projektligji u miratua në Kuvend të martën, pak para përfundimit të afatit për zgjedhjen e Presidentit, pas një marrëveshjeje mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Partisë Demokratike të Kosovës.

Miratimi i tij u shoqërua me protesta në Kosovë, ndërsa kundërshtimi ndaj Dhomave të Specializuara është rritur pas aktgjykimit të 16 shtatorit ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Schuebel uron presidenten e re, mbështetja e BE-së do të mbetet e palëkundur

Published

on

By

Ambasadori i Bashkimit Evropian në Kosovë, Dirk Schuebel, ka uruar Justina Shiroka-Pulën për zgjedhjen e saj në postin e Presidentes së Republikës së Kosovës.

Schuebel ka shprehur shpresën për rikthimin e stabilitetit politik dhe institucional në vend, duke theksuar gatishmërinë për të bashkëpunuar me presidenten e re, institucionet e Kosovës dhe spektrin politik.

“Me shpresën për ripërtëritjen e stabilitetit politik dhe institucional, pres me kënaqësi të punoj me Presidenten Shiroka-Pula, institucionet e Kosovës dhe spektrin e gjerë politik për ta afruar vendin më pranë Bashkimit Evropian”, ka deklaruar Schuebel.

Ai ka theksuar gjithashtu se mbështetja e Bashkimit Evropian për Kosovën do të vazhdojë të jetë e palëkundur.

Justina Shiroka-Pula u zgjodh Presidente e Kosovës në raundin e parë të votimit, duke marrë 81 vota në seancën e Kuvendit që kishte nisur më 6 tetor. Votimi përfundoi pak pas mesnate, ndërsa numërimi i votave përfundoi rreth 15 minuta më vonë.

Me zgjedhjen e Shiroka-Pulës, Kosova tashmë ka presidenten e re, ndërsa mesazhi i BE-së vjen me theks të veçantë te stabiliteti institucional dhe vazhdimi i rrugëtimit të vendit drejt Bashkimit Evropian.

D.L

Continue Reading

Lajmet

15 milionë euro për subvencionimin e faturave të energjisë për familjet në nevojë

Published

on

Ministri për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare, Andin Hoti, ka bërë të ditur se janë ndarë 15 milionë euro për mbështetjen e familjeve për faturat e energjisë elektrike, përmes Programit për Mbrojtjen e Konsumatorëve të Cenueshëm të Energjisë Elektrike 2026–2027.

Hoti ka njoftuar se programi është miratuar në mbledhjen e pestë të Qeverisë dhe synon subvencionimin e faturave për familjet që plotësojnë kriteret për përfitim.

Ai ka thënë se në ditët në vijim do të nënshkruajë vendimin që përcakton kushtet dhe kriteret për përfituesit, pas së cilës pritet të hapet thirrja për aplikim.

Sipas Hotit, programi lidhet edhe me obligimet e Kosovës në kuadër të procesit të integrimit evropian dhe zbatimit të Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor, veçanërisht për identifikimin dhe mbështetjen e konsumatorëve të cenueshëm.

“15 milionë euro mbështetje. Drejtpërdrejt në faturat e familjeve”, ka shkruar Hoti./A.K/

Continue Reading

Të kërkuara