Lajmet

​Tahiri dyshon që Osmani e Kurti janë të përfshirë në aferën e ambasadorit Berishaj

Për këtë arsye ai kërkoi hetim ndërkombëtar dhe shkarkim të ambasadorit Berishaj.

Published

on

Shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri hedh dyshime se në aferën e ambasadorit të Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj janë të përfshirë edhe presidentja Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti, por edhe persona tjerë qeveritarë. Për këtë arsye ai kërkoi hetim ndërkombëtar dhe shkarkim të ambasadorit Berishaj.

Tahiri u shpreh se si parti opozitare i shqetëson shumë fakti se ambasadori Berishaj ka një mbrojtje të madhe nga institucionet e Kosovës.

“Pra del që zotëri Martin ka marrë diku rreth 1 milionë e 470 mijë euro në një bankë në Kosovë nga viti 2019 deri në vitin 2022 dhe imagjinoni krejt këto para janë tërhequr kesh nga zotëri Martinaj në sy të institucioneve të Republikës së Kosovës. Në sy të inteligjencës financiare, të policisë, të antikorrupsionit…Dhe mos reagimi i presidentes, i kryeministrit dhe mos shkarkimi i tij dhe mos kërkesa që të fillojë një hetim penal ndërkombëtar jo vetëm për Martinaj, por për disa faktorë se gjithë ky manipulim i madh nuk ka ndodhur vetëm me një person, por ka pasur edhe persona dhe kompani tjera të involvuara në shpëlarjen e këtyre parave, prandaj, mos adresimi i këtyre as nga presidentja dhe nga as kryeministri i bënë përgjegjës direkt dhe me gjasë ata janë të përfshirë në këtë aferë dhe siç duket Berishaj po shkoj, shkon bashkë me këta dhe këta kanë vendosur me qëndruar që të tre në pozicione të tyre duke mos i marrë në konsideratë fare gjithë këta artikuj që dalin në Zagreb, Lubjanë, Beograd… I bëj thirrje presidentes dhe kryeministrit shkarkimi i tij nuk mjafton duhet një hetim I thellë penal për këtë çështje”, tha ai.

Deputeti i PDK-së, Abelard Tahiri thekson se kanë informacione që edhe persona të tjerë të Qeverisë së Kosovës janë të përfshirë në skandalin e ambasadorit të Kosovës në Kroaci.

“Ne kemi informacione edhe për përfshirjen e disa personave të tjerë të Qeverisë së Kosovës, pikërisht me personin në fjalë dhe ne nuk do të ndalemi, ne do të kërkojmë përgjegjësi, shkarkimin e tij, hetimin e krerëve shtetërorë për mbrojtjen që po ia bëjnë një personi të tillë, i cili është i involvuar me përmasa mund të them lirisht evropiane. Ne do t’i bëjmë presion politik e demokratik të gjitha institucioneve tona që të vazhdojnë dhe të kenë një bashkëpunim më të madhe me institucionet e rajonit me prokuroritë si në Mal të Zi, Slloveni, Kroaci përmes institucioneve të BE edhe Serbisë, sepse duket se paratë kanë ardhur nga Serbia dhe ne nuk e dimë se ku kanë përfunduar ato para”, theksoi Tahiri.

Duke thënë se Qeveria e Kosovës e ka vendosur vendin në një pozitë të pafavorshme në kuadër të dialogut me Serbinë, Tahiri u shpreh se nuk është në natyrën e partive opozita të merren me çështjen e asociacionit.

“Në pozicionin që jemi pra më shumë duket se Republika e Kosovës do ta formalizojë një lloj moratoriumi, një lloj vazhdimi të status-quos me Republikën e Serbisë, më shumë kërkohet kjo sesa që do ta përmbyllim çështjen e marrëveshjen me Serbinë, kjo është kthim prapa nga viti 2019, 2018, 2017 ku kemi qëndruar dhe mendoj që ky është një dëm jashtëzakonisht i madh që e bën Kurti me komplet establishmentin qeveritar dhe presidencial në vendin tonë…Nuk është në natyrën e partive opozitare që të bëjnë propozime të tilla, sepse ne jemi parti opozitare që nuk e udhëheqim vendim dhe nuk do të marrim atribute, të cilat nuk i takojnë një partie opozitare, ne si të bëhemi pjesë e një agjende që ka qenë jo transparente”, theksoi ai.

Për mos futjen në agjendë të kërkesë së Kosovës për anëtarësim në Këshill të Evropës, shefi i grupit parlamentar të PKD-së, Abelard Tahiri i bënë përgjegjës krerët më të lartë shtetërorë.

“Asnjëherë Kosova nuk ka pasur kushte më të favorshme dhe më të mira sesa tani që ta ketë afër anëtarësimin… Kjo është një humbje të një shanse jashtëzakonisht të madhe. Pra, kjo është një faturë, një dështim i madh të cilin e mban në radhë të parë presidentja e vendit, e cila në politikën e jashtme e tash e dy vite ku po bëhen prej që është zgjedhur nuk është vërejtur fare, nuk ka pas fare angazhim, për dy vite nuk mund t’ia numërojmë asnjë sukses të vetëm në politikën e jashtme presidentes së vendit, e cila e drejton dhe është përgjegjësi dhe kompetencë dhe ia jep Kushtetuta e Kosovës. Përgjegjës është edhe kryeministri i Kosovës, të cilin e kemi parë duke abstenuar nga angazhimi i tij nga një agjendë e mirëfilltë që do të duhej ta kishte Kosova në politikën e jashtme. Padyshim që edhe ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla mban një përgjegjësi për këtë dështim të madh dhe kjo faturë që do t’i kushtojë edhe në të ardhmen Kosovës është një faturë shumë e dëmshme, mosshfrytëzimi i këtij momentumi ku në institucion mungojnë dy kundërshtarët më të mëdhenj të Kosovës siç është Rusia dhe Bjellorusia”, tha ai. 

lajme

Ambasadori i Hungarisë në Kosovë, László Dux, sjell perspektivën diplomatike në Akademinë Verore të Shkencave Politike dhe Studimeve të Sigurisë në UBT

Published

on

By

Fakulteti i Shkencave Politike dhe Studimeve të Sigurisë në UBT ka nisur aktivitetet e Akademisë Verore 2026 në kuadër të Global UBT Fest 2026, duke mirëpritur Ambasadorin e Hungarisë në Republikën e Kosovës, László Dux, në një dialog diplomatik të nivelit të lartë me studentët dhe stafin akademik.

Aktiviteti inaugurues, i titulluar “Diplomatic Dialogue with the Ambassador of Hungary”, mblodhi studentë të Shkencave Politike, Studimeve të Sigurisë, Politikave Publike dhe Menaxhimit, të cilët patën mundësinë të diskutojnë mbi zhvillimet më të rëndësishme të politikës evropiane dhe marrëdhënieve ndërkombëtare.

Gjatë bashkëbisedimit, Ambasadori László Dux ndau perspektivën e Hungarisë mbi çështjet bashkëkohore evropiane, rëndësinë e bashkëpunimit rajonal, sfidat diplomatike në kontekstin aktual ndërkombëtar, si dhe rolin që shtetet e vogla luajnë në ndërtimin e stabilitetit dhe bashkëpunimit ndërkombëtar.

Diskutimi u karakterizua nga një atmosferë interaktive, ku studentët patën mundësinë të parashtrojnë pyetje dhe të shkëmbejnë mendime mbi proceset integruese evropiane, politikën e jashtme, sigurinë rajonale dhe sfidat gjeopolitike që ndikojnë në Evropën Juglindore.

Përmes organizimit të këtij dialogu diplomatik, UBT vazhdon të krijojë mundësi që studentët të mësojnë drejtpërdrejt nga diplomatët, vendimmarrësit dhe ekspertët ndërkombëtarë, duke lidhur njohuritë teorike me praktikën dhe realitetin e marrëdhënieve ndërkombëtare.

Akademia Verore e Fakultetit të Shkencave Politike dhe Studimeve të Sigurisë do të vazhdojë edhe gjatë ditëve në vijim me ligjërata, panele diskutimi dhe aktivitete të tjera akademike, të fokusuara në diplomaci, siguri, qeverisje dhe politika publike, me pjesëmarrjen e ekspertëve vendorë dhe ndërkombëtarë.

Continue Reading

Aktualitet

Mbrojtja e Thaçit kërkon lirim me kusht, Specialja: Vendimi merret në kohën e duhur

Published

on

By

Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë do të marrin një vendim në kohën e duhur lidhur me kërkesën e mbrojtjes së Hashim Thaçit për lirim me kusht. Lajmi është konfirmuar për Radio Dukagjinin nga zëdhënësi i Gjykatës Speciale, Michael Doyle, i cili sqaroi se trupi gjykues po e shqyrton këtë kërkesë të parashtruar më 6 korrik.

Në kuadër të kësaj kërkese, mbrojtja e ish-presidentit ka ofruar një dorëzani financiare prej 50 mijë eurosh, si dhe një varg garancish të tjera. Ndër to, Thaçi zotohet se nuk do të largohet nga territori i Kosovës, do të dorëzojë pasaportën dhe dokumentet e udhëtimit, si dhe do të përmbahet nga çdo deklaratë publike apo diskutim rreth çështjes së tij në media dhe rrjete sociale. /Radio Dukagjin/

 

 

Continue Reading

lajme

Fakulteti i Shkencave Kompjuterike dhe Inxhinierisë në UBT nis Akademinë Verore “Përtej Horizontit”

Published

on

By

Fakulteti i Shkencave Kompjuterike dhe Inxhinierisë në UBT ka nisur punimet e Akademisë Verore, e cila këtë edicion organizohet nën moton “Përtej Horizontit: AI, Dronët, Siguria dhe Quantum Computing” (Beyond the Horizon: AI, Drones, Security & Quantum Computing).

Programi pesëditor, i zhvilluar në kuadër të Global UBT Fest 2026, ka bashkuar në kampusin e UBT-së në Prishtinë studentë dhe profesorë nga universitete të vendeve të ndryshme, duke krijuar një mjedis ndërkombëtar të shkëmbimit të njohurive dhe përvojave akademike.

Akademia zhvillohet nga 13 deri më 17 korrik, ndërsa pjesëmarrësit janë të ndarë në dy grupe paralele që ndjekin të njëjtin program përgjatë gjithë javës. Aktivitetet janë konceptuar si një kombinim i ligjëratave, punëtorive praktike dhe garave, duke u ofruar pjesëmarrësve mundësinë të përballen me disa nga temat më aktuale të teknologjisë dhe inxhinierisë.

Në fokus të programit janë përdorimi i algoritmeve të Machine Learning për zbulimin e sulmeve kibernetike DDoS, aplikimi i Internetit të Gjërave (IoT) në bujqësi, robotika me Java, si dhe siguria kibernetike, e cila trajtohet përmes punëtorisë dhe garës HackBound (CTF). Pjesë e programit janë gjithashtu teknologjitë e dronëve dhe roli i tyre në operacionet moderne, si dhe zgjidhjet për menaxhimin e energjisë në mikrorrjetet inteligjente.

Krahas ligjëruesve nga UBT, në Akademi kontribuojnë edhe akademikë ndërkombëtarë, të cilët sjellin përvojën e tyre përmes ligjëratave të ftuara mbi mobilitetin ndërkombëtar, dizajnin e mbështetur nga kompjuteri (CAD) dhe projektet kërkimore. Kjo pjesëmarrje u mundëson studentëve të njihen me perspektiva nga mjedise të ndryshme akademike dhe të ndërtojnë ura bashkëpunimi përtej kufijve.

Një hapësirë e veçantë i është kushtuar prezantimit të projekteve dhe inovacioneve të studentëve të UBT-së, ku të rinjtë ndajnë punën e tyre me kolegët dhe ligjëruesit, duke promovuar kreativitetin dhe kulturën e inovacionit.

Me këtë edicion, Fakulteti i Shkencave Kompjuterike dhe Inxhinierisë vazhdon traditën e organizimit të akademive verore që lidhin njohuritë akademike me praktikën profesionale, duke i përgatitur studentët për sfidat e inteligjencës artificiale, sigurisë kibernetike dhe teknologjive të avancuara në zhvillim.

 

Continue Reading

Lajmet

United Hospital – qendra moderne ku ekspertiza ortopedike rikthen lëvizjen, ndërsa kujdesi profesional u ofron siguri qytetarëve dhe mërgimtarëve

Published

on

By

Pushimet në Kosovë nuk janë vetëm kohë për t’u çmallur me familjen dhe vendlindjen, por edhe një mundësi e rëndësishme për t’u kujdesur për shëndetin. Për qindra bashkatdhetarë që jetojnë në diasporë, kjo periudhë po shndërrohet në momentin ideal për diagnostikimin dhe trajtimin e problemeve ortopedike në United Hospital, një institucion shëndetësor që po konsolidohet si një nga qendrat më moderne dhe më profesionale në vend.

Dhimbjet e gjurit, kërdhokullës apo shtyllës kurrizore janë ndër problemet më të shpeshta që ndikojnë në cilësinë e jetës dhe lirinë e lëvizjes. Pikërisht për këto gjendje, United Hospital ofron një gamë të plotë shërbimesh ortopedike, duke përfshirë diagnostikim të avancuar, trajtime bashkëkohore, ndërhyrje kirurgjikale sipas standardeve ndërkombëtare, vendosje të protezave moderne, si dhe rehabilitim e fizioterapi të specializuar.

Falë një ekipi multidisiplinar të mjekëve specialistë, teknologjisë diagnostikuese të gjeneratës së fundit dhe qasjes së personalizuar ndaj çdo pacienti, spitali garanton trajtim të sigurt, efikas dhe të orientuar drejt rikthimit të shpejtë në aktivitetet e përditshme. Çdo rast trajtohet mbi bazën e protokolleve moderne mjekësore, me fokus në cilësinë e jetës dhe rezultatet afatgjata.

Në qendër të këtij vizioni qëndron drejtuesi i United Hospital, Edmond Hajrizi, i cili vazhdon të investojë në zhvillimin e kapaciteteve profesionale, teknologjike dhe njerëzore të institucionit. Me një qasje të orientuar drejt pacientit, ai synon që çdo qytetar dhe çdo mërgimtar të ketë qasje në shërbime shëndetësore të standardeve më të larta, duke e bërë United Hospital një adresë të besueshme për kujdesin modern shëndetësor.

Sipas Hajrizit, investimi në shëndet nuk është vetëm zhvillim institucional, por një përgjegjësi shoqërore që synon të ofrojë siguri, dinjitet dhe besim për çdo pacient. Ky përkushtim ka bërë që United Hospital të njihet gjithnjë e më shumë si një institucion ku profesionalizmi, inovacioni dhe humanizmi ecin paralelisht.

Për bashkatdhetarët që kalojnë pushimet në Kosovë, spitali ka krijuar mundësi që kontrollet, diagnostikimi dhe trajtimet të realizohen pa pritje të gjata, duke u mundësuar atyre të rikthehen në vendet ku jetojnë me më shumë shëndet, lëvizshmëri dhe cilësi jete.

United Hospital vazhdon kështu të ndërtojë një model të avancuar të kujdesit shëndetësor, ku ekspertiza mjekësore, teknologjia moderne dhe përkushtimi ndaj pacientit bashkohen për të ofruar trajtim të sigurt dhe shpresë për një jetë pa dhimbje./rajonipress/

Continue Reading

Të kërkuara