Kur jeni i sëmurë, është normale të doni ushqime e pije që ju ofrojnë ngushëllim dhe për shumë njerëz, kjo përfshin edhe kafenë.
Për individët e shëndetshëm, kafeja, kur konsumohet në sasi të moderuara, ka pak efekte negative e madje ofron përfitime shëndetësore, pasi është e pasur me antioksidantë. Për më tepër, kafeina mund të kontribuojë lehtë në djegien e yndyrnave.
Shtrohet pyetja nëse është e përshtatshme të konsumoni kafe kur jeni të sëmurë.
Efektet e saj mund të jenë pozitive apo negative, në varësi të llojit të sëmundjes e ndërvepron me disa medikamente.
Mund të ndihmojë në rritjen e nivelit të energjisë
Konsumimi i kafesë në mëngjes është zakon i pandashëm, falë efektit stimulues të kafeinës, që ndihmon në zgjuarsinë dhe përqendrimin mendor. Madje, edhe kafeja pa kafeinë ka një efekt stimulues të lehtë përmes efektit placebo.
Kjo rritje e perceptuar e energjisë është arsye kryesore pse njerëzit pijnë kafe kur janë të sëmurë, sidomos kur ndihen të lodhur apo pa energji, por ndihen ende të aftë për të shkuar në punë apo shkollë.
Në rastet e një të ftohure të lehtë, kafeja mund t’ju ndihmojë të përballoni ditën pa shkaktuar efekte anësore të rëndësishme.
Mund të shkaktojë dehidrim dhe diarre
Kafeja ka edhe efekte negative, kafeina ka efekt diuretik, nxit nxjerrjen e lëngjeve përmes urinës çka në disa individë çon në dehidrim.
Konsumimi i moderuar i kafeinës rreth 2–3 filxhanë kafe në ditë nuk ka ndikim të konsiderueshëm në balancën e lëngjeve në trup. Personat që pijnë rregullisht kafe janë të përshtatur me efektin diuretik të saj, në mënyrë që nuk përjetojnë probleme me hidratimin.
Në rastet kur sëmundja shoqërohet me të vjella, diarre, grip, apo helmim ushqimor, është më mirë të shmangni kafenë dhe të zgjidhni pije më hidratuese si uji, pijet izotonike apo lëngjet e holluara të frutave.
Sidoqoftë, nëse jeni konsumues i rregullt i kafesë, ndoshta mund ta vazhdoni pa probleme edhe gjatë sëmundjes.
Mund të irritojë ulçerat në stomak
Kafeja është acidike e mund të shkaktojë irritim në stomak, veçanërisht tek ata që vuajnë nga ulçerat gastrike ose probleme tjera të sistemit tretës. Një studim me 302 persona me ulçerë në stomak zbuloi se 80% përjetuan përkeqësim të simptomave pas konsumimit të kafesë.
Një tjetër studim me mbi 8,000 persona nuk gjeti ndonjë lidhje mes konsumit të kafesë dhe ulçerës apo problemeve të tjera të ngjashme si refluksi acid. Kështu që reagimi ndaj kafesë duket të jetë shumë individual. Nëse vini re se ajo përkeqëson gjendjen, mund të konsideroni ndërprerjen e saj ose kalimin në kafe “cold brew”, e cila ka përmbajtje më të ulët aciditeti.
Ndërvepron me disa medikamente
Kafeina mund të ndërveprojë me disa lloje barnash. P.sh ajo fuqizon efektin e barnave stimulante si pseudoefedrina që përdoret për lehtësimin e simptomave të gripit apo të ftohurës. Mund të ndërveprojë me disa antibiotikë që jepen në rastet e infeksioneve bakteriale.
Edhe pse konsumuesit e rregullt të kafesë tolerojnë më mirë këto ndërveprime, është e këshillueshme të konsultoheni me një profesionist shëndetësor para se të konsumoni kafe bashkë me medikamente të tilla.
Një alternativë është kalimi në kafe pa kafeinë, pasi pikërisht përmbajtja e kafeinës është ajo që shkakton ndërveprimet me barnat. Kafeja pa kafeinë përmban vetëm gjurmë të kafeinës dhe rrallëherë shkakton ndërveprime.
Përfundim
Kafeja, është e padëmshme për të rriturit e shëndetshëm. Nëse jeni të sëmurë, është e rëndësishme të merrni parasysh disa faktorë. Nëse keni një të ftohur të lehtë, kafeja nuk përbën ndonjë rrezik të madh.
Nëse jeni duke përjetuar simptoma si të vjella a diarre, është më mirë të shmangni kafenë për të mos rritur rrezikun e dehidrimit. Nëse vuani nga ulçera apo probleme tjera të tretjes, apo nëse po merrni medikamente që ndërveprojnë me kafeinën, duhet të jeni të kujdesshëm.
Në çdo rast, konsultimi me një profesionist të kujdesit shëndetësor është mënyra më e mirë për të marrë një vendim mbi konsumimin e kafesë gjatë kohës sa jeni të sëmurë.