Lajmet

​Sot nis fushata për balotazh, këto janë komunat që do të garojnë më 14 nëntor

21 komuna në balotazh.

Published

on

Sot në Kosovë nis fushata pesëditore për raundin e dytë të zgjedhjeve, të cilat do të përcaktojnë kryetarët e ri në 21 komuna.

Sipas Ligjit për Zgjedhjet Lokale, rundi i dytë i zgjedhjeve ndërmjet dy kandidatëve, të cilët kanë fituar më së shumti vota të vlefshme, mbahet më 14 nëntor.

Prishtina shkon në garën e balotazhit ndërmjet Arben Vitisë së LVV-së me 45.54 përqind të votave dhe Përparim Ramës së LDK-së me 29.17.

Në Prizren garojnë Mytaher Haskuka LVV me 40.41 përqind të votave dhe Shaqir Totaj PDK, me 31.36 për qind të votave në raundin e parë.

Gjilani do të ketë balotazh ndërmjet Lutfi Hazirit nga LDK-ja që mori 43.51 përqind të votave, dhe Alban Hysenit nga LVV 44.71.

Gjakova do të ketë balotazh Ardian Gjinin e AAK-së me 45.76 për qind dhe Mimoza Kusari-Lila LVV me 37.20.

Në Podujevë garojnë Ekrem Hyseni i LDK-së, i cili në raundin e parë mori 44.20 përqind dhe Shpejtim Bulliqi i LVV-së me 44.16 për qind.

Në Drenas, kandidati i PDK-së Ramiz Lladrovci, i cili më 17 tetor mori 45.50 për qind, do të përballet me Driton Ajazin nga Demokratët për Drenasin, me 30.50 përqind.

Në Kaçanik do të përballen Besim Ilazi PDK që mori 44.67 përqind të votave kundër Jeton Rakës nga LVV me 33.36.

Në Istog Ilir Ferati i LDK-së me 41.09 për qind të votave dhe Bekë Berisha nga AAK me 24.49.

Në Dragash përballjen do ta kenë Bexhet Xheladini nga LDK që mori 35.69 përqind me Shaban Shabanin nga PDK, i cili në raundin e parë mori 32.56 për qind.

Burim Berisha i LDK-së me 49.72 për qind të votave dhe Enver Bajçinca nga LVV me 25.58, do të garojnë për komunën e Fushë Kosovës.

Ndërsa në Obiliq përballen Xhafer Gashi nga Iniciativa Qytetare për Obiliqin dhe Halil Thaçi i LVV-së. Në raundin e parë kryetari aktual i Obiliqit mori 48.12 për qind të votave, ndërsa kundërkandidati i tij me të cilin do të përballet në balotazhit 20.19 përqind të votave.

Në Klinë janë Zenun Elezaj nga AAK me 43.33 për qind të votave dhe Esat Raci PDK me 27.42.

Në Kamenicë, Qëndron Kastrati nga PSD me 32.52 për qind të votave dhe Kadri Rahimaj LVV, 31.01 përqind.

Në Rahove, Smajl Latifi i AAK-së me 47.18 për qind të votave dhe Visar Korenica LVV me 24.84.

Në Viti, Sokol Haliti LDK me 41.30 përqind dhe Arsim Ademi LVV me 34.50.

Në Junik, Agron Kuçi AAK me 45.19 përqind dhe Ruzhdi Shehu i LDK-së me 42.01 përqind të votave në raundin e parë.

Malisheva shkon në balotazh mes Ekrem Kastratit nga NISMA me 34.08 përqind dhe Isni Kilaj PDK me 28.82.

Në Vushtrri garojnë Ferit Idrizi i PDK-së me 34.81 për qind dhe Xhafer Tahiri LDK 33.82 përqind.

Në Shtime Qemajl Aliu LVV me 45.29 për qind dhe Naim Ismajli PDK me 44.23 për qind të votave në raundin e parë.

Edhe dy komunat tjerat Kllokoti e Mamusha janë në balotazh. Në Kllokot garojnë Vladan Bogdanoviqit nga Lista Serbe me 41.01 përqind dhe Strahinja Spasiq nga GI Srpska Narodna Sloga 36.33 për qind.

Ndërsa në Mamushë, Abdulhadi Krasniqi nga KDTP, i cili në raundin e parë mori 48.92 përqind dhe Arif Butuqi nga Kosova Adalet Turk Partisi me 36.95.

Komunat që nuk do të votojnë më 14 nëntor janë Peja, Ferizaj, Mitrovica e Jugut, Deçani, Lipjani, Suhareka, Hani i Elezit, Leposaviqi, Zubin Potoku, Zveçani, Mitrovica e Veriut, Graçanica, Novobërda, Shtërpce, Ranillugu dhe Parteshi.

Në të gjitha këto komuna kryetarët e ri janë zgjedhur në raundin e parë duke fituar mbi 50 përqind të votave të nevojshme. 

Lajmet

Dogana në aksion, kontrolle në barnatoret e Pejës dhe Gjakovës

Published

on

By

Dogana e Kosovës është duke zhvilluar një aksion kontrolli në gjashtë barnatore në Pejë dhe një në Gjakovë.

Kjo është konfirmuar për Klankosova.tv nga zëdhënësi i Doganës së Kosovës, Adriatik Stavileci.

Aksioni është duke u zhvilluar ne 6 lokacione në Pejë dhe një në Gjakovë’, deklaroi ai.

Raportohet se në cak të aksionit është parandalimi i tregtimit të barnave pa dokumentacion dhe pa procedura të rregullta doganore.

Continue Reading

Lajmet

KESCO kërkon rritje të çmimit të rrymës prej 21.4%

Published

on

By

Kompania furnizuese me energji elektrike, KESCO, ka kërkuar rritje të çmimit të energjisë elektrike për 21.4 për qind për vitin 2026.

Kërkesa është dorëzuar në Zyrën e Rregullatorit për Energji (ZRRE) dhe tani i takon këtij institucioni të vendosë nëse do ta aprovojë apo jo propozimin për rritjen e çmimit të rrymës.

Sipas aplikimit për të hyrat maksimale, pas marrjes në konsideratë të shpenzimeve të pritshme, kërkesa e Furnizuesit të Shërbimit Universal (FSHU) për të hyrat e lejuara maksimale për vitin 2026 arrin në 528.78 milionë euro.

Për krahasim, të hyrat e lejuara për vitin 2025 kanë qenë rreth 435 milionë euro – të cilat ishin aprovuar nga ZRRE-ja.

Continue Reading

Lajmet

Qeveria e Kosovës miraton kërkesën për dërgimin e FSK në mision kërkim-shpëtimi në Shqipëri

Published

on

By

Qeveria e Kosovës nëpërmjet një komunikate për media njofton se në mbledhjen elektronike të mbajtur një ditë më parë, ka miratuar kërkesën e Ministrisë së Mbrojtjes për dërgimin e Kontingjentit të FSK-së në operacion humanitar në Republikën e Shqipërisë.

Qeveria në detyrë e Republikës së Kosovës, ka mbajtur dje një mbledhje elektronike në të cilën ka miratuar kërkesën e Ministrisë së Mbrojtjes për dërgimin e Kontingjentit të FSK-së në operacion humanitar në Republikën e Shqipërisë”, thuhet në komunikatën e mbledhjes së Qeverisë.

Ndërkohë që ministri në detyrë i Mbrojtjes Ejup Maqedonci shkroi për këtë në facebook ku tha se kjo u bë me kërkesën e autoriteteve të Republikës së Shqipërisë.

Me kërkesën e autoriteteve të Republikës së Shqipërisë, Qeveria e Republikës se Kosovës në mbledhjen e saj të 286 ka miratuar propozimin e Ministrisë së Mbrojtjes për angazhimin e  një kontingjenti të Kërkim-Shpëtimit, të Regjimentit të Mbrojtjes Civile të Gardës Kombëtare të FSK-së, i cili tashmë i është bashkuar operacionit në Klos të Republikës së Shqipërisë, për kërkimin e një personi të humbur në rrjedhën e lumit Mat”, ka shkruar ai.

Continue Reading

Lajmet

Osmani: Rreshtimi me Amerikën në Bordin e Paqes forcon subjektivitetin dhe zërin ndërkombëtar të Kosovës

Published

on

By

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka treguar se çfarë do të thotë për Kosovën përfshirja në Bordin e Paqes të themeluar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe cilat janë obligimet, përgjegjësitë dhe përfitimet që mund t’i ketë.

Në këtë një intervistë për “Përballje Podcast” në Telegrafi.com, Osmani ka folur për takimin e saj me Presidentin Donald Trump, raportet strategjike me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si dhe mundësitë për një diplomaci të re, përfshirë edhe angazhimin me shtetet që ende nuk e kanë njohur Kosovën.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka vlerësuar përfshirjen e Kosovës në Bordin e Paqes si një nga zhvillimet më të rëndësishme të politikës së jashtme të vendit në vitet e fundit, duke theksuar se ky hap e fuqizon drejtpërdrejt subjektivitetin ndërkombëtar të Kosovës.

“Anëtarësimi i Kosovës në secilën organizatë ndërkombëtare është lajm i mirë për vendin tonë, e në veçanti kur po flasim për një organizatë ndërkombëtarë që udhëhiqet nga aleati ynë strategjik, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, shteti kryesor që nëpërmjet ndihmës, bashkërendimit dhe udhëheqjes, lidershipit të vet ia ka bërë Kosovës të mundur lirinë, pavarësinë, demokracinë dhe paqen që e gëzojmë”, tha Osmani me kryeredaktorin e Telegrafit, Muhamet Hajrullahu.

Ajo tha se është krejtësisht i natyrshëm rreshtimi politik i Kosovës me aleatin e saj, Shtetet e Bashkuara të Amerikës sa herë që ka nisma të tilla të rëndësishme ndërkombëtare.

Osmani ka treguar detaje lidhur me ftesën për Kosovën si shtet themelues i kësaj organizate ndërkombëtare të themeluar nga SHBA me Presidentin Trump, çka sipas saj përbën një vlerësim të jashtëzakonshëm për shtetin dhe qytetarët e Kosovës.

“Kosova është vlerësuar nga ShBA. Ky është një vlerësim i jashtëzakonshëm i popullit tonë dhe i shtetit tonë si faktor i rëndësishëm për paqe dhe stabilitet, jo vetëm në rajon, por edhe përtej. Në anën tjetër, kjo fuqizon subjektivitetin e pozicionin ndërkombëtar të shtetit”, deklaroi Osmani.

E para e shtetit sqaroi se pjesëmarrja në Bord i jep Kosovës mundësi të ketë zë të barabartë në vendimmarrjen ndërkombëtare, si dhe hap dyer të reja diplomatike, përfshirë edhe me shtete që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.

“Na jep mundësi që të kemi zërin tonë të barabartë në tavolina të vendimmarrjes dhe në të njëjtën kohë na jep qasje te shumë shtete që ende nuk e kanë njohur Kosovën”, theksoi Presidentja.

Ajo shtoi se gjatë ceremonisë së themelimit të Bordit të Paqes ka pasur takime dhe komunikime të drejtpërdrejta me liderë të shumë shteteve, përfshirë edhe vende mos njohëse, të cilat, sipas saj, e kanë parë përfshirjen e Kosovës si një mesazh të fortë politik.

Presidentja sqaroi gjithashtu se anëtarësimi në këtë Bord nuk sjell obligime financiare të detyrueshme për Kosovën, pasi kontributet janë vullnetare dhe çdo angazhim i mëtejmë do të kalojë përmes Kuvendit.

Osmani konfirmoi se marrëveshja do t’i dërgohet Kuvendit të Kosovës për ratifikim sapo ky institucion të konstituohet, me qëllim që procesi të ketë legjitimitet të plotë kushtetues dhe politik.

Duke folur për mesazhin që kjo përfshirje dërgon në arenën ndërkombëtare, Osmani tha se anëtarësimi i Kosovës në Bordin e Paqes është një konfirmim i pathyeshmërisë së shtetësisë së Kosovës

Continue Reading

Të kërkuara