Sport

​Sot mësohet kampioni i ri i Kosovës në basketboll

Kjo është finalja e pestë e “Play-off”-it dhe do të vendosë se kush do të shpallet kampion.

Published

on

‘Ajka për në fund’. Edicioni 2022-23 në Prince Caffe Superligë do të përmbyllet me super derbin ndërmjet Trepçës dhe Pejës.

Kjo është finalja e pestë e “Play-off”-it dhe do të vendosë se kush do të shpallet kampion. 2:2 është seria finale, ndërsa të dy skuadrat e duan titullin pas një dekade.

Edicioni po përmbyllet me super sfidë, ndërsa ka qenë njëri nga më interesantit në vitet e fundit, kurse interesimi ka qenë i jashtëzakonshëm, sidomos gjatë garave shtesë.

Në katër takimet finale, mitrovicasit dhe pejanët kishin fituar si vendas. “Xehetarët” fituan 94:86 dhe 97:90, kurse verdhezinjtë fituan 107:79 dhe 87:83.

Sot nga ora 20:00 palestra “Minatori” pritet të jetë e stërmbushur, ashtu si ka qenë në pjesën më të madhe të këtij edicioni, ndërsa përveç kampionit do të vendoset se, kush do të shpallet MVP.

Mitrovicasit për herë të fundit ishin shpallur kampionë më 2012, kurse pejanët një vit më vonë, 2013. Në këtë edicion mitrovicasit fituan Kupën, kurse pejanët ishin finalistë të Ligës Ballkanike.

Për të depërtuar deri në finale, Trepça kishte eliminuar Bashkimin dhe Sigal Prishtinën, ndërsa Peja eliminoi Golden Eagle Yllin.

Lajmet

Spektakël në finalen e Botërorit: Madonna, Shakira dhe BTS performojnë në New Jersey

Published

on

By

Madonna, Shakira dhe grupi i njohur i K-popit, BTS, do të jenë yjet kryesorë që do të performojnë në spektaklin e pushimit mes pjesëve, të stilit Super Bowl, në finalen e Kupës së Botës këtë verë.

Turneu, i cili do të bashkëorganizohet nga Shtetet e Bashkuara, Kanadaja dhe Meksika, përfundon me finalen e madhe që do të zhvillohet në New Jersey më 19 korrik. BBC raporton se se ky spektakël do të zgjasë saktësisht 11 minuta.

Më parë kishte raportime se shfaqja mund të zgjaste më shumë se 15 minuta, gjë që bie ndesh me rregullat e lojës, të cilat specifikojnë se pushimi mes pjesëve nuk duhet ta kalojë këtë kohëzgjatje. Megjithatë, spektakli në finalen e Botërorit për Klube verën e kaluar në SHBA, mes Chelsea-t dhe Paris Saint-Germain, kishte zgjatur më shumë se 24 minuta. Performatat para ndeshjeve në ngjarje të mëdha si finalja e Ligës së Kampionëve tashmë janë bërë të zakonshme, por kjo do të jetë hera e parë që organizohet një shfaqje e tillë gjatë pushimit të pjesëve në një finale të Kupës së Botës.

Ylli kolumbian i muzikës pop, Shakira, do të publikojë këtë të enjte këngën e saj zyrtare për Kupën e Botës të titulluar “Dai Dai” — një shprehje italiane që do të thotë “shkojmë” ose “hajde” — në bashkëpunim me këngëtarin nigerian Burna Boy. Këngëtarja 49-vjeçare, e njohur për hitin “Hips Don’t Lie”, kishte realizuar gjithashtu këngën “Waka Waka (This Time for Africa)” për turneun e vitit 2010 në Afrikën e Jugut.

Nga ana tjetër, “Mbretëresha e Popit”, Madonna, artistja femër me më së shumti albume të shitura në historinë e muzikës, po përgatitet të lansojë albumin e saj të 15-të, “Confessions II”, më 3 korrik. Në prill, 67-vjeçarja bëri një paraqitje të papritur si mysafire gjatë koncertit të Sabrina Carpenter në festivalin e muzikës Coachella, ku kënduan në duet hitet “Vogue” dhe “Like A Prayer”.

Ndërkohë, shtatë anëtarët e grupit BTS janë artistët me më së shumti albume të shitura në historinë e Koresë së Jugut, me mbi 45 milionë kopje. Ata, së bashku me grupin Coldplay, arritën vendin e tretë në toplistat britanike me këngën “My Universe” në vitin 2021. Grupi po rikthehet në skenë pas një pauze trevjeçare në muzikë për të përfunduar shërbimin e tyre të detyrueshëm ushtarak, dhe do të jenë në mes të një turneu botëror prej 85 datash kur të performojnë në finale.

Në mars, presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, deklaroi se kjo shfaqje “do të jetë një moment historik për Kupën e Botës, i denjë për ngjarjen më të madhe sportive në botë”.

Spektakli i pushimit mes pjesëve është kuruar nga lideri i Coldplay, Chris Martin, dhe do të mbledhë fonde për Fondacionin Global të FIFA-s për Edukimin e Qytetarëve, një iniciativë që synon të sigurojë 100 milionë dollarë (73 milionë funte) për fëmijët në mbarë botën. /BBC/

 

Continue Reading

Sport

Trepça mbron “Minatorin” ndaj Bashkimit dhe bën hapin e madh drejt titullit kampion

Published

on

By

Klubi i basketbollit Trepça ka shënuar edhe fitoren e dytë radhazi në serinë finale të play-offit në Superligën e Kosovës, duke mposhtur Bashkimin me rezultat 93:83. Ndeshja e zhvilluar në palestrën “Minatori” në Mitrovicë dhuroi basketboll të nivelit të lartë dhe rivalitet të fortë, por vendasit arritën të shkëputen në momentet vendimtare, të shtyrë edhe nga përkrahja masive e shikuesve.

Atmosfera në palestër ishte e jashtëzakonshme, ku mbi 3 mijë tifozë mitrovicas kishin mbushur shkallët e “Minatorit” për të mbështetur skuadrën e tyre drejt mbrojtjes së titullit. Kjo fitore vjen pas triumfit të parë që Trepça e arriti javën e kaluar me rezultatin 94:79, duke dëshmuar formë të lartë në këtë fazë finale.

Me këtë rezultat, Trepça tani udhëheq serinë finale me epërsi 2-0. Seria e ndeshjeve tani zhvendoset në Prizren, ku ballafaqimi i tretë do të luhet të dielën nga ora 19:30 në palestrën “Sezai Surroi”, ku Bashkimi do të kërkojë përmbysjen, ndërsa Trepça mundësinë për të mbyllur llogaritë.

Continue Reading

Lajmet

Shkencëtarët paralajmërojnë FIFA-n se nxehtësia ekstreme rrezikon lojtarët

Published

on

By

Një grup prej 20 ekspertësh dhe shkencëtarësh ndërkombëtarë të fushës së shëndetësisë dhe klimës i kanë dërguar një letër të hapur FIFA-s, ku paralajmërojnë se udhëzimet aktuale për mbrojtjen nga nxehtësia gjatë Kupës së Botës janë të pamjaftueshme. Sipas studiuesve nga Britania e Madhe, SHBA, Kanadaja dhe Australia, rregullat e shtëpisë botërore të futbollit nuk përkojnë me shkencën aktuale dhe i vënë lojtarët në rrezik serioz për lëndime apo probleme shëndetësore.

Paralajmërimi vjen për shkak se temperaturat në 14 nga 16 stadiumet e turneut që do të mbahet në SHBA, Kanadà dhe Meksikë pritet të kalojnë në nivele kritike. Në disa pjesë të SHBA-së jugore dhe Meksikës veriore, termometri pritet të shënojë deri në 40 gradë Celsius, ku kombinimi i nxehtësisë me lagështinë e lartë krijon stres ekstrem në trupin e sportistëve.

Në anën tjetër, FIFA ka reaguar duke thënë se është plotësisht e përkushtuar për sigurinë e pjesëmarrësve. Organizatorët kanë paraparë masa si pushime të detyrueshme 3-minutëshe për freskim në çdo pjesë loje, ulëse me klimë të kontrolluar për stafin dhe rezervistët, si dhe lehtësime për tifozët, duke përfshirë zonat me hije dhe shpërndarjen e shtuar të ujit. Megjithatë, ekspertët insistojnë për protokolle më të rrepta, duke përfshirë edhe mundësinë e shtyrjes së ndeshjeve në kushte ekstreme.

Continue Reading

Lajmet

KFF Dukagjini fiton Kupën e Kosovës pas finales dramatike ndaj Prishtinës

Published

on

KFF Dukagjini ka triumfuar në Kupën e Kosovës në futboll për vajza, pasi mposhti KFV Prishtina pas penalltive me rezultat 5:4, në një finale të mbushur me emocione dhe rivalitet sportiv.

Koha e rregullt përfundoi 1:1. Skuadra nga Klina kaloi në epërsi që në minutën e katërt me golin e Olsa Kuçit, ndërsa Prishtina barazoi në minutën e 86-të përmes Rreze Gashit, duke e çuar ndeshjen në vazhdime. Edhe pas 120 minutave lojë nuk pati fitues, ndërsa penalltitë vendosën triumfin e Dukagjinit, që siguroi trofeun për të dytin vit radhazi.

Finalja u vlerësua për nivelin e lartë sportiv dhe emocionet që solli, duke dëshmuar edhe njëherë rritjen e vazhdueshme të futbollit të vajzave në Kosovë.

Continue Reading

Të kërkuara