Gjykata Themelore në Prishtinë ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit prej një muaji ndaj Gani Gecit, i cili dyshohet për kanosje ndaj gazetarit Lirim Mehmetaj.
Vendimi është marrë pas seancës dëgjimore të mbajtur në Pallatin e Drejtësisë në Prishtinë, e cila zgjati rreth dy orë.
Gjatë seancës, Prokuroria ka paraqitur kërkesën për caktimin e paraburgimit, ndërsa mbrojtja ka pasur mundësinë të shprehë qëndrimin dhe kundërshtimet e saj lidhur me këtë masë.
Ndërkohë, familjarët e Gani Gecit kanë pritur në ambientet e Gjykatës deri në marrjen e vendimit.
Pas vendimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë për caktimin e masës së paraburgimit prej një muaji ndaj Gani Gecit, i dyshuar për kanosje ndaj gazetarit Lirim Mehmetaj, është deklaruar avokati i tij, Besnik Berisha.
Berisha e ka cilësuar vendimin si të panevojshëm, duke pretenduar se masa e paraburgimit është caktuar për shkak të emrit të Gecit dhe jo mbi bazën e kushteve ligjore.
Ai ka paralajmëruar se mbrojtja do të paraqesë ankesë brenda afatit ligjor, duke shprehur bindjen se Gjykata e Apelit do ta korrigjojë këtë vendim.
Sipas Berishës, klienti i tij e respekton lirinë e shprehjes, por në këtë rast ka pasur një keqkuptim lidhur me kërkesën e tij për largimin e një postimi.
Avokati ka sqaruar se Geci kishte kërkuar që familja e tij të mos ndërlidhej apo asociohej me Serbinë, duke mohuar se qëllimi i tij kishte qenë kanosja e gazetarit.
Berisha ka përmendur gjithashtu një sulm të armatosur të vitit 2001, në të cilin Geci kishte qenë viktimë dhe ku kishin humbur jetën disa nga miqtë e tij të afërt, përfshirë edhe një gazetar.
Sipas mbrojtjes, për shkak të kësaj përvoje, Geci e kishte perceptuar postimin si një rrezik të mundshëm për sigurinë e tij dhe të familjes.
Avokati ka theksuar se kërkesa për largimin e postimit nuk kishte për qëllim kërcënimin, siç pretendohet nga organet e ndjekjes.
Ndërkohë, Gani Geci do të qëndrojë në paraburgim sipas vendimit të Gjykatës Themelore, ndërsa mbrojtja ka paralajmëruar kundërshtimin e kësaj mase në Gjykatën e Apelit.