Një rast tragjik ndodhi mbrëmjen e së dielës në Vushtrri, ku një 19-vjeçar u vra me armë zjarri nga një bashkëmoshatar. Ky i fundit ka pranuar fajësinë gjatë dhënies së deklaratës, ndërkohë që ende nuk dihen motivet e kësaj ngjarje të rëndë. Armët në duart e të rinjve po konsiderohen alarm për të gjitha institucionet e sigurisë dhe drejtësisë në vend.

Vrasja e të riut ndodhi në rrugën “Galip Badivuku” në Vushtrri, rreth orës 20:35, ku policia njoftoi se 19-vjeçari pësoi plagë vdekjeprurëse.
Pranimin e fajësisë nga i dyshuari e bëri të ditur të hënën zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, Valon Preteni.
Ai theksoi se i dyshuari për veprën penale “Vrasje e rëndë” gjendet në ndalim 48 orësh.
“Është sekuestruar arma me të cilën dyshohet se është kryer kjo vrasje, Prokuroria dhe policia janë duke mbledhur provat relevante në lidhje me rastin. Gjatë marrjes së deklaratës i dyshuari e ka pranuar fajësinë për vrasjen. Në afatin e paraparë ligjor prokuroria do të paraqesë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarit për këtë rast. Gjatë hetimit do të zbulohen edhe motivet që çuan në këtë ngjarje”, thuhet në përgjigjen.
Institucioni i Avokatit të Popullit tha se posedimi i armëve po rrezikon jetën e secilit person në vend.
“Armët në duart e qytetarëve vazhdojnë të rrezikojnë drejtpërdrejt jetën e secilit person në vend, si dhe të cenojnë sigurinë dhe qetësinë publike, dhe ky është një alarm për të gjitha institucionet e sigurisë dhe drejtësisë në vend. Të gjitha institucionet përgjegjëse dhe kompetente në Republikën e Kosovës, duhet të marrin veprime në ashpërsimin e masave kundër armëmbajtjes pa leje në tërë vendin, veprim të cilin duhet ta konsiderojnë si veprim urgjent dhe të domosdoshëm”, thuhet në përgjigjen e Institucionit të Avokatit të Popullit.
Policia tha në shtëpinë e të dyshuarit është realizuar bastisje ku është gjetur dhe konfiskuar edhe një armë e gjatë me pesë fishekë. Ndërkaq, në vendin e ngjarjes policia ka gjetur tri gëzhoja dhe ka konfiskuar një revole që dyshohet se është përdorur nga i dyshuari për kryerjen e veprës.
Personi i cili ka poseduar armën e cila u shfrytëzua mbrëmë për vrasje, sipas drejtorit të Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS), Mentor Vrajolli, duhet të jap përgjegjësi.
“Problemi i armëve pa leje është problem i cili është vështirë të eliminohet si i tillë. Megjithatë poseduesit e tyre duhet të japin përgjegjësi për këto armë. Jo vetëm për shkak se posedojnë armë pa leje por edhe mënyrën se si ata i posedojnë. Për shkak se në këtë rast ky i riu mbase edhe ka pasur akses në armë të cilën nuk e ka blerë vet. Personi përgjegjës i cili e ka pasur këtë armë duhet të jepet llogari. Është me rëndësi që derisa problemi i armëve pa leje është problem të zgjidhet si i tillë, për shkak se është vështirë që institucionet të mbledhin gjithë ato armë. Ajo që duhet të bëhet nga ana e institucioneve është që të punohet me më shumë të rinj për të adresuar problemin e dhunës”, thotë ai.
Sipas tij, duhet të krijohen mekanizma të duhur që trajtojnë parandalimin e këtyre rasteve.
“Duhet të ketë më shumë policë në komunitet. Policia një kohë e ka pasur si ide që ta zhvillojë inteligjencën që buron nga komuniteti. Mendoj që kjo është e domosdoshme që t’i parandalojë herët këto incidente. Policinë nuk duhet ta shohim si instancë e fundit e parandalimit, por duhet ta kemi një bashkëpunim mes komunitetit dhe një pale, në këtë rast Policisë, apo mekanizmave rajonal apo taskforca të ndryshme që mund të krijohen nëpër komuna që do të merreshin me identifikimin e këtyre problemeve”, shton ai.
Rastin tragjik që ndodhi mbrëmë në Vushtrri e konsideron alarm për vendin edhe sociologu Labinot Konushevci.
“Ky[rasti në Vushtrri]duhet të jetë alarm për gjithë shoqërinë. Sepse e gjithë shoqëria është përgjegjëse kur ndodhë një vrasje. Institucionet e arsimit duhet të jenë të alarmuara sepse këto janë raste mes të rinjve të cilët nuk e kanë arritur një formim të duhur kulturor prej sistemit arsimor edhe kjo tregon që sistemi i arsimit tek ne po dështon. Po dështon sistemi i arsimit publik për të krijuar një kulturë më emancipuese e cila do të parandalonte këto vrasje. Vrasja është një fenomen jashtëzakonisht shqetësues që ndodhë më shumë në ato shoqëri ku mungon kontrolli shoqëror dhe institucional. Pra, një shoqëri e frustruar, një shoqëri e cila nuk e ka komunikimin si mjet për zgjidhjen e problemit”,përfundon ai.
Kryetari i Vushtrrisë, Ferit Idrizi ka reaguar pas vrasjes tragjike, duke kërkuar që të zbardhet sa më parë ky rast.
“Sonte, qyteti ynë është tronditur nga një ngjarje e rëndë, ku një 19-vjeçar humbi jetën tragjikisht. Duke i shprehur ngushëllimet më të thella familjes, bashkëndiejmë dhimbjen për humbjen e djalit të tyre. Falënderoj organet e rendit për reagimin e shpejtë dhe arrestimin e të dyshuarit. Besojmë në drejtësi. Të zbardhet sa më parë rasti dhe të garantohet siguria e qytetarëve tanë”, shkroi Idrizi më 23 mars.
Autoritet po vazhdojnë hetimet për të zbuluar motivet që çuan në këtë ngjarje tragjike.