Gjykata “Manchester Crown Court” në Britaninë e Madhe ka dënuar me burgim anëtarët e një grupi të organizuar kriminal që merrej me shpërndarjen e kokainës. Në krye të rrjetit ndodhej 44-vjeçari Rezart Balesi, i cili u dënua me 7 vite e 6 muaj burg, ndërsa në burg përfunduan edhe djali i tij 22-vjeçar, Joshua Balesi (4 vite burg) dhe vëllai Refail Balesi (5 vite e 3 muaj burg).
Sipas hetimit të kryer nga njësia rajonale kundër krimit të organizuar (NWROCU), grupi përdorte një lokal në zonën e Bury-t si bazë operative, ndërsa porositë e drogës merreshin përmes aplikacionit WhatsApp dhe u shpërndaheshin klientëve nga korrierë të besuar. Hetimet treguan se rrjeti, i cili funksiononte nga maji i vitit 2024 deri në mars të vitit 2026, gjeneronte deri në 9,000 paund në një natë të vetme.
Gjatë dhënies së vendimit, gjykatësja e çështjes kritikoi ashpër kryetarin e grupit, Rezart Balesi, për futjen e djalit të tij në rrugën e krimit që në moshën 18-vjeçare.
Përveç anëtarëve të familjes Balesi, gjykata dënoi edhe pesë persona të tjerë të përfshirë në këtë rrjet kriminal: Fatos Vrenezi (53 vjeç) – u dënua me 4 vite burg, Imanuel Lumaj (30 vjeç) – u dënua me 3 vite e 9 muaj burg, Fjoraldo Lukaj (31 vjeç) – u dënua me 3 vite e 6 muaj burg dhe përballet me dëbim nga Britania, Lorenzo Canovi (48 vjeç) – u dënua me 37 muaj burg, Antonino Precaj (33 vjeç) – u dënua me 27 muaj burg për përfshirje në kultivim kanabisi.