Lajmet

​Sot dita e fundit e fushatës zgjedhore

Published

on

Në mesnatë mbyllet fushata për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 14 shkurtit. Partitë politike deri në mesnatë duhet të përmbyllin përpjekjet për të bindur votuesit e regjistruar që të mbështesin përfshirjen e tyre në qeverisjen e ardhshme të vendit.

Nesër, do të jetë heshtje zgjedhore, ndërsa të dielën, pra më 14 shkurt qytetarët do t’iu drejtohen kutive të votimit për të votuar kandidatët e tyre të preferuar për deputetë si dhe kryeministrin e ardhshëm të Kosovës.

Përgjatë 10 ditëve, subjektet politike kanë shpalosur programet e tyre para elektoratit në secilin pjesë të Kosovës, tubime këto të cilat u bënë në kohë pandemie COVID-19.

Lista përfundimtare e votuesve brenda vendit për zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës të cilat do të mbahen më 14 shkurt, përmban: 1 milion e 794 mijë e 862 emra të votuesve. Pra, në këto zgjedhje janë 143 mijë e 6 votues më pak se në Zgjedhjet për Kuvend të 6 tetorit 2019, pasi nga kjo listë janë larguar 122 mijë e 421 votues, të cilët posedojnë vetëm dokumente të identifikimit të lëshuara nga UNMIK-u, si dhe për shkak të largimit të 11 mijë e 86 të cilët janë konfirmuar se janë larguar nga skema pensionale për shkak të vdekjes.

Siç njofton Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), numri i Qendrave të Votimit në të gjithë vendin është 888 me gjithsej 2 mijë e 382 vendvotime.

Po ashtu, sipas listës përfundimtare të certifikuar u bë e ditur edhe për të dhënat e votuesve nga jashtë Kosovës, të cilët janë regjistruar suksesshëm gjatë periudhës së aplikimit (13 – 21 janar).

Gjatë periudhës së aplikimit, KQZ-ja ka pranuar gjithsej 130 mijë e 168 aplikacione për regjistrim. Pas vlerësimit të aplikacioneve janë aprovuar 102 mijë e 100 aplikacione, ndërsa janë refuzuar 28 mijë e 68 aplikacione.

Arsyet e refuzimit janë të ndryshme, por pjesa më e madhe e tyre, 15 mijë e 933 aplikues janë refuzuar për shkak se kanë dërguar vetëm formularin e aplikimit për regjistrim, ndërsa 11 mijë e 164 aplikues janë refuzuar për shkak se nuk i kanë dëshmuar ose identitetin ose kriterin e zotësisë juridike dhe ose aplikacionet për regjistrim kanë qenë të panënshkruar.

Lajmet

Kosova pranon armatimin kundërtank nga Gjermania

Published

on

By

Faqja ndërkombëtare World News ka njoftuar se Kosova ka pranuar armatim kundërtank të tipit Panzerfaust 3 nga Gjermania.

Ky armatim modern i prodhimit gjerman konsiderohet ndër sistemet më të avancuara kundërtank dhe synon rritjen e aftësive të Forcës së Sigurisë së Kosovës në përmbushjen e detyrave të saj mbrojtëse.

Sistemi Panzerfaust 3 njihet për efikasitetin e tij kundër mjeteve të blinduara dhe përdoret nga disa ushtri të vendeve të NATO-s.

Panzerfaust 3 ose “grusht kundër tankeve”, konsiderohet një nga sistemet më të avancuara kundërtank për këmbësorinë moderne dhe përdoret gjerësisht nga ushtri të vendeve të NATO-s dhe partnerëve të tyre. Panzerfaust 3 përdoret nga të paktën 11 shtete.

Continue Reading

Lajmet

​Sonte finalja e Superkupës së Italisë, Rrahmani pranë një tjetër trofeu të madh

Published

on

Napoli dhe Bologna përballen në stadiumin universitar King Saud në Riad në finalen e Superkupës së Italisë, në një duel mes kampionëve në fuqi të Serie A dhe fituesve të Kupës së Italisë.

Napoli vjen pas një periudhe jo të qëndrueshme, por fitorja 2-0 ndaj Milanit në gjysmëfinale i riktheu besimin ekipit të Antonio Contes, i cili synon ta fitojë këtë trofe për herë të tretë me klubin napolitan. Partenopei kanë fituar gjashtë nga tetë ndeshjet e fundit zyrtare, edhe pse efikasiteti në sulm mbetet një pikëpyetje.

Në anën tjetër, Bologna siguroi finalen pas triumfit me penallti ndaj Interit dhe synon ta fitojë Superkupën për herë të parë në histori. Trajneri Vincenzo Italiano ka përvojë në ndeshje të mëdha dhe skuadra e tij po tregon stabilitet jashtë fushe, duke mos humbur në nëntë ndeshjet e fundit larg shtëpisë. Vendndodhja neutrale në Arabinë Saudite mund t’u përshtatet Rossoblù, që kërkojnë vazhdimësi në rezultate.

Historia e përballjeve i jep shpresë Bolognës, e cila ka mbetur e pamposhtur në pesë nga gjashtë ndeshjet e fundit ndaj Napolit, përfshirë fitoren 2-0 në nëntor. Megjithatë, në një finale gjithçka nis nga e para dhe detajet pritet ta vendosin fituesin e trofeut.

Ndeshja nis nga ora 20:00./S.K/KP/

Continue Reading

Lajmet

Reuters: Kosova shkon në zgjedhje ndërsa bllokimi politik kërcënon fondet jetike

Published

on

By

Kosova do të mbajë zgjedhje të parakohshme parlamentare më 28 dhjetor, pas një ngërçi politik njëvjeçar që çoi në shpërbërjen e Kuvendit dhe krijoi një boshllëk prej rreth 1 miliard eurosh në financat tashmë të brishta të shtetit më të ri të Evropës.

Partia Lëvizja Vetëvendosje (LVV) e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, doli fituese në zgjedhjet e shkurtit, por nuk arriti të sigurojë shumicën parlamentare dhe as të formojë një koalicion qeverisës, pas një fushate të ashpër dhe polarizuese. Dështimi për të ndërtuar institucione funksionale ka rritur frikën se një përsëritje e rezultatit mund ta zhysë vendin në një krizë edhe më të thellë politike dhe financiare.

Zgjedhjet vijnë vetëm katër muaj para afatit kushtetues për zgjedhjen e presidentit të ri dhe në një moment kritik, kur Kosova rrezikon humbjen e fondeve të rëndësishme ndërkombëtare.

Këto janë zgjedhjet më të rëndësishme të viteve të fundit, sepse pasojnë një vit paralize institucionale dhe i paraprijnë zgjedhjes së presidentit”, vlerëson analisti politik Artan Muhaxhiri. Sipas tij, nëse Kurti fiton sërish me rreth 42 për qind të votave, bllokada politike do të vazhdojë, pasi hendeku mes Vetëvendosjes dhe partive të tjera mbetet i pakapërcyeshëm.

Në Kosovë sondazhet zgjedhore nuk publikohen, ndaj parashikimet për rezultatin mbeten të paqarta. Megjithatë, partitë kryesore opozitare kanë sinjalizuar se nuk janë të gatshme të hyjnë në koalicion me Kurtin, të cilin e akuzojnë për përkeqësim të marrëdhënieve me pakicën serbe në veri, dështim në rritjen e standardit të jetesës dhe dëmtim të imazhit ndërkombëtar të Kosovës.

Kurti, i cili erdhi në pushtet në vitin 2021, fajëson opozitën për krizën politike dhe shprehet optimist se do të sigurojë 500 mijë votat e nevojshme për një shumicë të plotë parlamentare. Në tubime elektorale, ai ka premtuar rritje pagash, investime kapitale prej një miliard eurosh në vit dhe krijimin e një njësie të re prokuroriale për luftimin e krimit të organizuar.

Një vit paralize institucionale

Kosova shpalli pavarësinë nga Serbia në vitin 2008, me mbështetjen e SHBA-së dhe pas ndërhyrjes së NATO-s në vitin 1999. Megjithatë, vendi me rreth 1.6 milion banorë vazhdon të përballet me varfëri, paqëndrueshmëri politike dhe krim të organizuar. Mandati i parë i Kurtit mbetet i vetmi rast kur një qeveri në Republikën e Kosovës ka përfunduar një mandat të plotë.

Kriza aktuale u thellua kur Kuvendit iu deshën gjashtë muaj dhe 73 votime për të zgjedhur kryetarin e parlamentit, një kusht i domosdoshëm për formimin e qeverisë. Pas dështimit të Kurtit dhe më pas të Glauk Konjufcës për të siguruar shumicën, presidentja Vjosa Osmani shpërndau Kuvendin dhe shpalli zgjedhjet e dhjetorit.

Për momentin, shteti nuk është funksional. Çdo gjë duhet të ndryshojë, sepse asgjë nuk po ecën”, thotë Shaip Gashi, 79 vjeç, banor i Prishtinës.

Fondet ndërkombëtare në rrezik

Ngërçi politik ka pasur pasoja të rënda për financat publike. Rreth 880 milionë euro fonde të Bashkimit Evropian për buxhetin e Kosovës janë vonuar, së bashku me 127 milionë euro mbështetje nga Banka Botërore, përfshirë projekte në shëndetësi dhe arsim.

Banka Botërore ka paralajmëruar se 90 milionë euro do të humbasin nëse nuk ratifikohen nga Kuvendi deri më 13 shkurt, ndërsa afatet për pjesën tjetër të fondeve skadojnë në prill dhe maj. Edhe fondet e BE-së mbeten në rrezik nëse institucionet nuk formohen shpejt pas zgjedhjeve.

Njerëzit po presin me padurim që vendi të dalë nga kjo gjendje. Ata mezi po përballojnë shpenzimet për ilaçe dhe energji elektrike”, thotë Vlora Çitaku nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), e cila po bën fushatë me fokus në përmirësimin e cilësisë së jetës përmes shëndetësisë, arsimit dhe rritjes së pagave.

Continue Reading

Lajmet

Malisheva dhe Drita mbesin barazim në ndeshjen e fortë të Liman Gegaj

Published

on

Malisheva dhe Drita kanë ndarë pikët pas një ndeshjeje të luajtur në Liman Gegaj, e cila përfundoi 1-1.

Pjesa e parë ishte e barabartë dhe e tensionuar, me Dritën që u paraqit pa disa lojtarë kyç, përfshirë portierin Faton Maloku, mbrojtësin Egzon Bejtullai, mesfushorët Rron Broja e Vesel Limaj, dhe sulmuesin kryesor Arb Manaj.

Malisheva rrezikoi me goditje nga Laurent Xhylani, ndërsa Drita iu kundërpërgjigj me Jorgo Pëllumbin, por portieri Ilir Avdylit e ndali. Pjesa e parë përfundoi pa gola, 0-0.

Edhe në pjesën e dytë, Malisheva e nisi mirë, me Feratin që gjuajti rrezikshëm, por u ndal nga portieri i Dritës, Laurit Behluli.

Në minutën e 73-të, Xhylani pati një rast të pastër, por edhe këtë herë Behluli ndërhyri për të mbajtur portën të paprekur.

Drita kaloi në avantazh në minutën e 83-të me një gol të bukur të Jorgo Pëllumbit, por vetëm pesë minuta më vonë, Xhemal Ibishi barazoi për Malishevën me kokë, duke vulosur rezultatin përfundimtar 1-1.

Me këtë barazim, Malisheva mbetet në vendin e katërt me 27 pikë, ndërsa Drita ndodhet e pesta me një pikë më pak./S.K/EO/

Continue Reading

Të kërkuara