Lajmet

​Shpërthime në qendër të Kievit mes paralajmërimit për sulm ajror

Shpërthimet tronditën rrethin qendror Shevchenkivskyi dhe shërbimet e urgjencës ishin dërguar.

Published

on

Shpërthime u dëgjuan në qendër të kryeqytetit ukrainas Kiev herët të mërkurën, tha kryebashkiaku i qytetit, Vitali Klitschko.

Ai tha se shpërthimet tronditën rrethin qendror Shevchenkivskyi dhe shërbimet e urgjencës ishin dërguar.

Sistemet e mbrojtjes ajrore janë në punë, thotë guvernatori i Kievit, Oleksiy Kuleba.

Gazetarët e BBC dëgjuan shpërthime të forta pak pasi u dëgjua sirena e sulmit ajror. Rusia ka shënjestruar vazhdimisht infrastrukturën energjetike të Ukrainës që nga tetori me raketa dhe drone.

Klitschko më vonë tha se mbrojtja ajrore kishte rrëzuar 10 drone Shahed të prodhuar nga Irani herët të mërkurën.

Administrata ushtarake e qytetit tha se një fragment droni kishte goditur dy ndërtesa administrative në qendër të qytetit. Nuk ka ende detaje për viktima.

Ukraina ka akuzuar Iranin se ka furnizuar Rusinë me drone “kamikaze” të përdorur në sulmet vdekjeprurëse më 17 tetor, për çka Teherani fillimisht e mohoi.

Irani më vonë pranoi se i dërgoi Moskës një numër të kufizuar dronësh “shumë muaj” para luftës.

Në përgjigje, presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky tha se kjo ishte një gënjeshtër dhe se shumë më tepër drone iranianë po përdoreshin.

Guvernatori i Kievit Kuleba tha: “Sistemi i mbrojtjes ajrore po funksionon. Tani është e rëndësishme të qëndrojmë në strehimore dhe vende të sigurta. Rusia po vazhdon terrorin e saj energjetik kundër vendit tonë. Por ne po forcohemi çdo ditë”.

Lajmet

Fitore e madhe e Prishtinës së Re ndaj Prishtinës

Published

on

Prishtina e Re ka marrë një fitore të madhe ndaj Prishtinës me rezultat 3-2 në javën e 33-të të Superligës së Kosovës, pasi përmbysi disavantazhin prej dy golash.

Prishtina krijoi epërsi 0-2 me golat e Leotrim Kryeziut dhe Ardian Mujës, por vendasit reaguan fuqishëm. Ibrahim Kargbo shënoi dy herë, ndërsa Nedim Mekic realizoi nga penalltia për t’i siguruar Prishtinës së Re tri pikë të rëndësishme.

Ndeshja mori kthesë pas kartonit të kuq të Arjol Bllacës, që la Prishtinën me një lojtar më pak.

Pas kësaj fitoreje, Prishtina e Re mban gjallë shpresat për mbijetesë me 31 pikë, ndërsa Prishtina mbetet e katërta me 45 pikë.

Continue Reading

Lajmet

Duartrokitje dhe emocione në premierën e baletit kushtuar Nexhmije Pagarushës

Published

on

Mbrëmja e parë e baletit “Zëri i saj”, dedikuar ikonës së muzikës shqiptare Nexhmije Pagarusha, u përcoll me emocione të forta dhe duartrokitje të gjata nga publiku në Atelienë e Pallatit të Rinisë dhe Sportit në Prishtinë.

Shfaqja u realizua nga Opera e Kosovës në bashkëpunim me Ansamblin Kombëtar të Këngëve dhe Valleve “Shota” dhe Shkollën e Mesme të Muzikës “Prenk Jakova” – drejtimi balet, duke sjellë në skenë një homazh artistik për “Bilbilin e Kosovës”.

Organizatorët falënderuan publikun, artistët dhe bashkëpunëtorët për kontributin në realizimin e kësaj mbrëmjeje të veçantë, ndërsa interpretimet e artistëve dhe nxënësve të baletit u vlerësuan për ndjeshmërinë dhe fuqinë artistike.

Baleti “Zëri i saj” vazhdon edhe me natën e dytë, duke premtuar një tjetër mbrëmje të mbushur me art dhe emocion.

Continue Reading

Lajmet

Haxhiu kërkon ndërhyrjen e ndërkombëtarëve për të drejtat e shqiptarëve në Luginë

Published

on

By

Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, u ka bërë thirrje mekanizmave ndërkombëtarë që çështjen e të drejtave të shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc ta trajtojnë me prioritet në raport me Serbinë.

Përmes një shkrimi në Facebook, Haxhiu ka thënë se vërejtjet përfundimtare të Komitetit të OKB-së për Eliminimin e Diskriminimit Racor (CERD) ndaj Serbisë konfirmojnë shqetësimet e ngritura prej vitesh nga shqiptarët në Luginë dhe nga institucionet e Kosovës.

Ajo theksoi se Kuvendi i Kosovës, përmes rezolutës së miratuar më 24 prill 2026 për avancimin e përkujdesjes institucionale ndaj shqiptarëve në Luginë, tashmë e ka trajtuar këtë çështje si përgjegjësi shtetërore.

Sipas Haxhiut, pasivizimi i adresave përbën diskriminim dhe cenim të pranisë juridike të qytetarëve, duke u mohuar atyre dokumentet, shërbimet dhe sigurinë para ligjit. Prandaj, ajo u ka bërë thirrje partnerëve ndërkombëtarë, mekanizmave të OKB-së, Bashkimit Evropian, OSBE-së dhe Këshillit të Evropës, që këtë temë ta trajtojnë me prioritet dhe të kërkojnë nga Serbia zbatim të plotë të rekomandimeve të CERD-it.

Haxhiu shtoi se të drejtat e shqiptarëve në Luginë nuk duhet të mbeten në margjinat e raporteve ndërkombëtare, por të jenë pjesë e dialogut politik, monitorimit ndërkombëtar dhe proceseve që lidhen me sundimin e ligjit dhe trajtimin e pakicave.

Continue Reading

Lajmet

Biblioteka Kombëtare e Kosovës dhe Ambasada e Shqipërisë diskutojnë bashkëpunimin kulturor

Published

on

Drejtoresha e përgjithshme e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, Blerina Rogova Gaxha, ka pritur në takim ambasadorin e Shqipërisë në Kosovë, Petrit Malaj, së bashku me diplomatin Francesk Fusha.

Në qendër të diskutimeve ishte thellimi i bashkëpunimit ndërinstitucional mes dy institucioneve, me fokus organizimin e aktiviteteve të përbashkëta kulturore dhe promovuese.

Një nga temat kryesore ishte edhe organizimi i një ekspozite në kuadër të Vitit të Kadaresë, kushtuar jetës dhe veprës së shkrimtarit të njohur Ismail Kadare.

Takimi u vlerësua si i frytshëm dhe u theksua angazhimi i përbashkët për forcimin e bashkëpunimit kulturor dhe afrimin e publikut me vlerat letrare shqiptare.

Continue Reading

Të kërkuara