Lajmet

​Shkolla pa tekste, MAShTI fajëson drejtoritë e arsimit dhe u kërkon t’i sigurojnë tekstet

Nxënësit e klasës së gjashtë thonë se po kanë vështirësi për të mësuar.

Published

on

Janë bërë gati dy javë prej kur ka nisur viti i ri shkollor dhe nxënësit ende nuk janë pajisur me të gjitha tekstet shkollore nga Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, ani pse fillimi i vitit të ri shkollor ka nisur me katër javë vonesë. Derisa nëpër shkolla flasin për vështirësitë që kanë, MAShTI thotë se tekstet janë shpërndarë në bazë të kërkesave të drejtorive të arsimit.

Me mungesë të teksteve shkollore po përballen më së shumti nxënësit e klasave të gjashta, shtata dhe të nënta, ku për këto klasë MASHTI ka shpërndarë vetëm tekstet alternative.

Shkollat po detyrohen që për këto klasë të përdorin librat e vjetër që janë përdorur nga nxënësit gjatë vitit të kaluar shkollor, e që gjendja e tyre nuk është shumë e mirë dhe shumica e librave të punës janë të plotësuara.

Drejtori i shkollës fillore “Emin Duraku, në Prishtinë, Visar Osmani bën të ditur se për klasat e nënta nuk kanë pranuar asnjë tekst shkollor nga ana e ministrisë, ndërsa për klasat e gjashta dhe të shtata vetëm tekstet alternative.

Ai thotë se për këto klasë po mundohen që të sigurojnë tekstet shkollore që janë kthyer nga nxënësit vitin e kaluar, e në rastet ku nuk arrijnë të furnizojnë të gjithë nxënësit, duhet që ato të blihen të reja nga prindërit.

“Për klasën e nëntë na kanë treguar zyrtarisht që nuk do të ketë sivjet, ndërsa për gjashtë, shtatë, tetë vetëm librat alternativ, ndërsa të tjerat mbetet që t’i sigurojmë me ato që i kanë rikthyer fëmijët dhe nëse nuk kemi në stoqe rezerva të bëjnë zgjidhje prindërit apo nxënësit të shkëmbejnë me shokët dhe shoqet e tyre nëpër shkolla të tjera. Do të thotë ne e kemi një kontingjent që kanë mbetur dhe e tregova për gjashtë, shtatë dhe tetë kanë sjellë vetëm librat alternativ, ndërsa të tjerat na mbetet që të bëjmë zgjidhje…Tash ato që janë, më mirë ato sesa fare, ka që janë të shënuara, shembull fletorët e punës, por sido që të jetë më mirë që janë ato, nuk janë shumë të dëmtuara, kanë pasur fëmijët kujdes dhe duhet t’i përdorim prapë edhe këtë vit. Mendoj që nuk ka qenë zgjidhje e mirë, por jemi obliguar”, thotë ai.

Për klasat e gjashta në këtë shkollë po mungon edhe libri i “Gjuhës shqipe”, e që arsimtarja e kësaj lënde Zarife Bajgora-Godanci, thotë se është shumë e vështirë për të zhvilluar mësimin kur nxënësit nuk e kanë librin para vetës.

“Vitin a kaluar kam qenë ligjëruese tek klasat e nënta, qysh atëherë ka qenë mungesa e tekstit për ‘Gjuhë shqipe’, kemi pasur vetëm librin ‘Gjuhë shqipe’, kurse librin e ‘Letërsisë’ nxënësit janë detyruar ta sigurojnë vet, njëjtë po përcillet edhe këtë vit kjo mungesë. Më së shumti ndërgjegjja duhet të na brejë tek klasat e gjashta, duke e pasur parasysh se ata kanë ardhur nga cikli i ulët dhe momentin që i mungon libri atëherë edhe ju hiqet dëshira për mësim. Jemi munduar me stafin e shkollës t’iu sigurojmë nga nxënësit nga vitet e kaluara, mirëpo duke pasur parasysh se e kemi librin bazë dhe librin fletore pune, libri fletore pune është i shkruar, janë plotësuar nga viti i kaluar, prandaj pak ka pak rënie të interesimit. Mirëpo shpresojmë që ditëve në vijim të sigurohen, në të kundërtën duhet prindërit ata të cilët mbeten pa sigurim të teksteve t’i sigurojnë. Mungesa është edhe tek klasat e gjashta, shtata dhe të nënta, vetëm tek klasa e tetë ka ardhur libri për ‘Gjuhë dhe letërsi shqipe’”, thotë ajo.

Janë nxënësit e klasës së gjashtë në shkollën fillore “Emin Duraku”, që thonë se po kanë vështirësi për të mësuar në ato lëndët që kanë mungesë të librave.

Nxënësja e klasës së gjashtë, Ema Slivova, thotë se do të mund të kuptonin më mirë mësimet nëse do ta kishin librin para vetës.

“Kemi pak vështirësi se nuk po mundemi t’i kuptojmë mirë mësimet, nuk po mundemi me i kuptu mirë gjërat që jemi duke i fol pa e pas librin me e shiku edhe ne vet”, thotë ajo.

Edhe nxënësi tjetër i kësaj klase, Eron Majaci, thotë se nuk po arrijnë të përfundojnë detyrat e shtëpisë për shkak të mungesës së librave.

“Është vështirë sepse nuk mund të kuptojmë shumë gjëra…Për të mësuar dhe për të bërë detyrat e shtëpisë”, thotë ai.

Ndërkohë, ministrja e arsimit, Arbërie Nagavci ka shkruar se ditëve të fundit ka pranuar ankesa të shumta në lidhje me mungesën e disa teksteve shkollore, andaj ka informuar se më 15 qershor, Ministria e Arsimit ka njoftuar të gjitha drejtoritë komunale të arsimit se këtë vit do të shpërndajë tekstet për nivelin I-5 dhe për nxënësit e klasës së 8, tekstet alternative për nxënësit e klasave 6 dhe 7, si dhe tekstet shkollore për lëndën e gjuhës gjermane dhe frënge.

“Njëkohësisht, MASHTI i ka njoftuar DKA-të se sipas udhëzimit administrativ, tekstet e klasës 6, 7 dhe 9 do të përdoren të vitit paraprak, andaj shkollat është dashur të sigurohen që nxënësit e këtyre klasave t’i kthejnë tekstet në fund të vitit shkollor. Bazuar në kërkesat që i kanë bërë komunat, MASHTI i ka kontraktuar shtëpitë botuese dhe e ka bërë shpërndarjen e teksteve shkollore. Pra, shpërndarja e teksteve është bërë në respektim të plotë të kërkesave që kanë ardhur nga Drejtoritë Komunale të Arsimit. Ju informoj se si ministri, nuk kemi pranuar asnjë ankesë në raport me tekstet shkollore nga Drejtoritë Komunale të Arsimit. Pas pranimit të shqetësimeve nga ana e prindërve dhe njoftimeve nga disa mësimdhënës, kam dërguar disa komisione që të bëjnë vizita në shkolla për t’u siguruar nëse procesi i shpërndarjes së teksteve nga DKA-të është realizuar në bazë të kërkesave të parapara. Gjatë këtyre vizitave jemi informuar se DKA-të, në disa raste nuk kanë qenë në nivelin e duhur të detyrës, duke mos planifikuar tekstet për nxënësit e të gjithave shkollave dhe duke mos bërë kërkesë të saktë në raport me numrin e nxënësve e madje në disa raste komisionet për pranimin e teksteve janë formuar me persona jo kompetent (punëtorë teknik)”, ka shkruar ajo duke inkurajuar shkollat dhe DKA-të që ta marrin me prioritet trajtimin e çështjes së teksteve mësimore dhe të sigurohen që të gjithë nxënësit t’i kenë tekstet e të vazhdojnë procesin mësimor.

“Nëse ka pasur ndonjë mospërmbushje të obligimeve nga ana e MASHTI, ne jemi të gatshëm t’i plotësojmë menjëherë edhe pse deri tash nuk e kemi asnjë informatë të tillë”, ka shkruar ajo.

Viti i ri shkollor ka nisur me katër javë vonesë për shkak të shtyrjes si pasojë e numrit të lartë të rasteve me COVID-19. Gjatë korrikut Qeveria e Kosovës i ka ndarë ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit katër milionë euro shtesë për blerjen e teksteve shkollore. 

Lajmet

Nisin punimet për rindërtimin e rrugës Kijevë-Malishevë

Published

on

By

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, i shoqëruar nga ministri i Infrastrukturës dhe Transportit, Dimal Basha, mori pjesë sot në ceremoninë e nisjes së punimeve për rindërtimin e rrugës rajonale Kijevë-Malishevë.

Ky projekt, i cili përfshin një gjatësi prej mbi 11 kilometrash, parashihet të jetë një investim që do të transformojë qarkullimin për banorët e Malishevës, zonës së Llapushës dhe më gjerë.

Gjatë perurimit të nisjes së punimeve, Kurti theksoi se ky segment është jetik pasi lidh drejtpërdrejt pesë fshatra dhe përdoret rregullisht nga banorët e 18 fshatrave të tjerë, duke i dhënë fund praktikës së deritashme të “arnimeve” të përkohshme të rrugës.

Përveç lehtësimit të qarkullimit të përditshëm, investimi synon të zhbllokojë potencialin turistik të zonës, veçanërisht duke u shërbyer vizitorëve që shkojnë drejt Ujëvarave të Mirushës.

Punimet, të cilat pritet të përfundojnë brenda 225 ditëve, do të përfshijnë rindërtim të plotë nga baza, asfaltim të ri, ndërtim të trotuareve, stacione të autobusëve dhe sinjalizim modern. Gjithashtu, vëmendje e veçantë do t’i kushtohet kanalizimit të ujërave atmosferikë për të garantuar qëndrueshmërinë afatgjatë të rrugës.

Krahas këtij projekti, kryeministri njoftoi se qeveria po financon edhe rrugën nga Llapqeva deri te Ujëvarat me 700 mijë euro, si dhe është në proces tenderimi për rrugën Malishevë-Arllat në vlerë prej 2.6 milionë eurosh. Në total, vlera e investimeve rrugore në Malishevë brenda kësaj periudhe arrin në mbi 5.6 milionë euro, veprime këto që Kurti i cilësoi si përmbushje të zotimeve programore dhe shërbim konkret ndaj qytetarëve.

 

Continue Reading

Lajmet

Finalja e Ligës së Kampionëve mes Arsenalit dhe PSG-së me orar të ri

Published

on

Arsenali dhe Paris Saint-Germain do të përballen në finalen e Ligës së Kampionëve më 30 maj në Budapest, në “Puskás Arena”. Arsenali eliminoi Atletico Madrid, ndërsa PSG kaloi Bayern Munich për të siguruar finalen.

UEFA ka vendosur që finalja të nisë në orën 18:00, në vend të orës tradicionale 21:00. Sipas organizatorëve, ndryshimi synon ta bëjë ndeshjen më të aksesueshme për tifozët në mbarë botën dhe të përmirësojë përvojën e shikimit.

Presidenti i UEFA-s, Aleksander Ceferin, tha se ky orar i ri e bën finalen më gjithëpërfshirëse dhe u jep tifozëve mundësi të shijojnë më shumë mbrëmjen pas ndeshjes.

Continue Reading

Lajmet

“Ditët e Artit dhe Dizajnit 2026” nisin në UBT në kuadër të 25-vjetorit, duke e kthyer institucionin në qendër të kreativitetit dhe inovacionit artistik

Published

on

By

Në kuadër të jubileut të madh të 25-vjetorit të UBT-së, Fakulteti i Artit dhe Dizajnit nis edicionin special të “Ditëve të Artit dhe Dizajnit 2026”, një platformë gjithëpërfshirëse artistike dhe kulturore që do të zhvillohet përgjatë muajve maj dhe qershor, duke sjellë në fokus kreativitetin, inovacionin dhe fuqinë transformuese të artit në arsimin modern.

I konceptuar si një nga komponentët më të rëndësishëm të programit jubilar, ky organizim shumëdimensional do ta shndërrojë UBT-në në një hapësirë dinamike të artit, dizajnit dhe kulturës bashkëkohore, përmes një serie ekspozitash, performancash, prezantimesh kreative dhe aktiviteteve interaktive që promovojnë talentin e studentëve, stafit akademik dhe komunitetit krijues.

“Ditët e Artit dhe Dizajnit 2026” synojnë të pasqyrojnë jo vetëm identitetin inovativ të Fakultetit të Artit dhe Dizajnit, por edhe vizionin e UBT-së si një institucion lider që ndërthur arsimin, teknologjinë, kulturën dhe krijimtarinë në funksion të zhvillimit të së ardhmes.

Continue Reading

Lajmet

Baleti Kombëtar i Kosovës dhe ai i El Salvadorit në prova të përbashkëta për gala mbrëmjet në El Salvador

Published

on

Baleti Kombëtar i Kosovës, së bashku me Baletin Kombëtar të El Salvadorit, kanë zhvilluar ushtrime dhe prova të përbashkëta në sallën e institucionit në Prishtinë.

Këto prova shënojnë fazën e fundit të përgatitjeve në sallë, para kalimit në Teatro Nacional de El Salvador, ku nesër do të mbahen provat finale në skenë.

Performancat janë në kuadër të përgatitjeve për tre mbrëmje gala që do të zhvillohen më 8, 9 dhe 10 maj, duke shënuar një bashkëpunim artistik mes dy trupave të baletit.

Continue Reading

Të kërkuara