Në rubrikën Ditari, kemi përzgjedhur disa nga lajmet më të rëndësishme të kësaj dite, në periudhën 1993-1998
25 tetor 1993
Në Shupkoc policia serbe ndërhyri brutalisht në ndeshjen sportive
KMDLNJ në Mitrovicë njofton se më 24 dhjetor, rreth orës 14, mbi 35 policë serbë me tre pizgauerë dhe një veturë rrethuan fushën sportive të improvizuar në fshatin Shupkoc afër Mitrovicës, ku po zhvilloheshin garat kampionale të Republikës së Kosovës në futboll. Ishin planifikuar të zhvilloheshin ndeshjet ndërmjet ekipit Skënderaj dhe Birlikut të Mitrovicës, e pastaj edhe në mes Drenicës së Skënderajt e Trepçës së Mitrovicës.
Policia serbe ndërpreu lojën që po zhvillohej dhe rrahu e keqtrajtoi shumë futbollistë e spektatorë. Policia dëmtoi edhe veturat e biçikletat që u gjendën aty.
Nga rrahja më së keqi pësoi referi anësor Iliaz Spahiu, nga Vushtrria, i cili u mbajt për disa orë në stacionin e policisë dhe u plaçkit me 60 marka gjermane, pastaj, Xhafer Dobra, Jeton Kajtazi (14-vjeçar), Faik Fazliu, Flamur Muja, Jakup Fazliu e të tjerë, të cilët kërkuan ndihmë mjekësore.
Siç u informuam nga bashkëpunëtori ynë, në hyrje të Mitrovicës policia ndali dhe e keqtrajtoi edhe futbollistin e Trepçës, Bardhec Seferi.
Siç kemi informuar, në javën e kaluar policia serbe ndërpreu lojën në mes klubeve “Tefik Çanga” e “Drita”, në Grupin e Ferizajt.
25 tetor 1994
Për tetë muaj në Klinikën Gjinekologjike në Prishtinë vdiqën 635 foshnja dhe 8 nëna
Në Klinikën e Gjinekologjisë dhe të Akusherisë në Prishtinë, që administrohet nga serbët e instaluar, për tetë muaj të këtij viti, prej 4.235 foshnjave të lindura, vdiqën 635 sosh. Në këtë periudhë u trajtuan 6.566 paciente, nga të cilat vdiqën 8 nëna. Më e reja prej tyre kishte 20 vjet, kurse më e vjetra 38.
Pos vdekshmërisë së lartë të foshnjave, kjo klinikë karakteriziohet edhe me heqje të shpeshtë të mitrave grave. Vetëm gjatë majit të sivjetmë pati 21 intervenime kirurgjike, gjatë të cilave po kaq grave iu hoqën mitrat!, shkruan gazeta e sotme “Bujku”.
25 tetor 1995
Policia arrestoi dje gazetarët e “Bujkut” dhe korrespondenten e “Dojçe Veles” dhe pengoi delegatet nga Gjakova
Gazetarët e “Bujkut” Elviana Berani, Behxhet Haliti e Ridvan Slivova dhe korrespondentja e Dojçe-Veles, Valentina Saraçini e vozitësi Faik Binçe u arrestuan dje në fshatin Studençan të Suharekës derisa po ktheheshin në Prishtinë nga një fshat i Suharekës ku ishte mbajtur Kuvendi zgjedhor i Forumit të Gruas së LDK-së.
Pasi i legjitimuan gazetarët u dërguan në stacionin e policisë në Suharekë. Elviana Berani dhe Valentina Saraçini u morën në pyetje. Atyre iu kontrollua detajisht materiali që kishin me vete, dokumentet, shkresat, shënimet si dhe kasetofonat gazetareskë. Përkundër insistimit të këtyre dy reporterëve që të japin shpjegime për këtë arrest, policia më se një orë nuk deshi të japë asfarë shpjegimesh. Në fund thanë se e gjithë kjo ka ndodhur gabimisht, njofton sot “Bujku”.
Ndërsa Komisioni për Informim i Degës së LDK-së në Gjakovë njofton se dje në orën 9:00 policia ndaloi në rrugë tetë delegatet nga Gjakova dhe pasi i mbajti rreth 45 min. ia mori atyre materialin e përgatitur për Kuvendin zgjedhor të Forumit të Gruas së LDK-së.
25 tetor 1997
Të hënën nis procesi i ri gjyqësor në Prishtinë
Prishtinë, 25 tetor (QIK)
Në Gjykatën Serbe të Qarkut në Prishtinë, të hënën më 27 tetor, fillon procesi gjyqësor kundër 21 të akuzuarve shqiptarë nga anë të ndryshme të Kosovës, të ngarkuar se i takojnë Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Hetimet kundër këtyre të akuzuarëve në këtë gjykatë, i bëri gjykatësja hetuese Darica Marinkoviq, ndërkaq, në rolin e prokurorit është Jovica Jovanoviq. Aktakuzën, që përmban 23 faqe, e nënshkroi kryeprokurori Sllavko Stevanoviq. Të akuzuarit do të dalin para trupit gjykues të të pestëve, që do ta kryesojë gjykatësi Dragolub Zdravkoviq.
Para gjyqit do të dalin: Nait Hasani, Agron Tolaj, Arif Vokshi, Hasan Zeneli, Qerim Kelmendi, Alban Neziri, Agim Makolli, Hamzë Pangjaj, Asllan Selimi, Eqrem Kastrati, Isak Shabani, Bislim Zogaj, Ilir Gashi, Ali Gjuliqi, Demir Limaj, Agim Hulaj, Selim Lokaj, Hajdin Rama dhe Nezir Zogaj.
Zyrtarisht në këtë aktakuzë figurojnë edhe emrat e Adrian Krasniqit, që u vra javën e kaluar në Kliçinë të Pejës dhe emri i Januz Zenelit, që gjithashtu javën e kaluar vdiq në spitalin e burgut të Beogradit.
Këta të akuzuar kush më herët e kush më vonë u paraburgosën gjatë janarit, shkurtit dhe prillit të sivjetmë. Sipas aktakuzës, të gjithëve u është vënë në barrë vepra penale e terrorizmit, disave, madje, u vehet në barrë “bashkimi për veprimtari armiqësore”, vepër kjo e sanksionuar sipas neneve 125 e 136 të ligjit penal të “federatës” serbo-malazeze. Dy të akuzuar të tjerë, Agron Tolaj e Arif Vokshi, ngarkohen edhe për vepër penale të vrasjes sipas nenit 47, paragrafi 2, pika 6 të Ligjit Penal të Serbisë, i cili parasheh edhe dënimin maksimal, atë me vdekje.
Ky është procesi i tretë i madh gjyqësor i organizuar kundër shqiptarëve këtë vit, që është edhe një përmbyllje e nxjerrjes në procese të montuara të të akuzuarve në fushatën e madhe të burgosjes së shqiptarëve, të organizuar fundin e janarit e fillimin e shkurtit të sivjetmë. Në dy procese të montuara, kundër 35 të akuzuarve janë shqiptuar 317 vjet burg.
Po nga fillimi i këtij aksioni, policia serbe ka vrarë ose ka mbytur me torturë 6 shqiptarë.
Ky proces bëhet në kohën e një tensionimi të shtuar të situatës së përgjithshme në Kosovë. Gjatë kohës së mbajtjes së dy proceseve të kaluara, organet policore serbe ndërmorën rreth gjykatës serbe masa të forta sigurie, madje edhe keqtrajtuan anëtarë të familjeve të të akuzuarve dhe kalimtarë të rastit.
Dr. Pajazit Nushi, kryetar i KMDLNj-së u ka bërë thirrje individëve dhe organizatave ndërkombëtare për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të njeriut për të marrë pjesë si vëzhgues në
procesin që organizohet të hënën në gjykatën e administruar nga serbët në Prishtinë.
25 tetor 1998
Nga shpërthimi i minave në kufirin Kosovë-Shqipëri gjetën vdekjen 4 të rinj nga komuna e Malishevës
Si pasojë e eksplodimit të minave të montuara nga forcat e ushtrisë serbe në kufirin Kosovë-Shqipëri, gjatë ditëve të fundit gjetën vdekjen edhe së paku 4 të rinj shqiptarë nga komuna e Malishevës, bën të ditur KI i Degës së LDK-së së Malishevës.
Ditë më parë është vrarë i riu Hasan Shala (18) nga Banja e Malishevës, trupi i të cilit është varrosur. Po në kufi kanë gjetur vdekjen edhe Shpëtim Kryeziu (20) dhe Sami Kryeziu (18), të dy nga Pagarusha e Malishevës, dhe një i ri tjetër emri i të cilit nuk është bërë i ditur, por dyshohet se është nga Shkoza e Malishevës, trupat e të cilëve tash tri ditë ndodhen në morgun e spitalit të Prizrenit.
Foto: Klinika Gjinekologjike në Prishtinë