Lajmet

​SBASHK: 400 mësimdhënës me sëmundje të rënda detyrohen të punojnë

Jasharaj thotë se kërkesa e tyre vazhdon të jetë që mësimdhënësit e sëmurë rëndë të lirohen nga procesi mësimor.

Published

on

Rreth 400 mësimdhënës të sëmurë rëndë vazhdojnë të punojnë në institucione arsimore, për shkak se ende nuk është gjetur një zgjidhje e përshtatshme për ta. Kështu thonë nga Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK), derisa kërkojnë nga qeveria aktuale tu mundësojnë atyre pagën e plotë dhe t’i zëvendësojnë me kuadro të reja. Ndërkaq nga Drejtoria Komunale e Arsimit në Prishtinë e quajnë fatkeqësi faktin që mësimdhënësit me sëmundje të rënda detyrohen të dalin në punë, për mos ta humbur vendin e punës.

Kryetari i SBAShK-ut, Rrahman Jasharaj thotë se kërkesa e tyre vazhdon të jetë që mësimdhënësit e sëmurë rëndë të lirohen nga procesi mësimor dhe të paguhen me pagë të plotë.

“Vazhdimisht e kemi shtruar edhe çështjen e punëtorëve me sëmundje të rënda në sistemin arsimor që nga çerdhet në universitet, ngase e kemi konsideruar se shteti ka obligim edhe njerëzor ndaj tyre ngase këta njerëz me këto sëmundje, kanë punuar më vite në arsim mirëpo sëmundja e ka bërë të vetën dhe ata nuk janë më në gjendje të japin kontributin e kërkuar… Kërkesa jonë ka qenë dhe mbetet që këta njerëz të lirohen nga procesi mësimor dhe të paguhen me pagë të plotë, arsyeja është humane ngase shpenzimet për shërimin e sëmundjeve të tyre janë tejet të mëdha dhe ata po i dërguam në ndonjë pension të vogël ata do t’i dëmtojmë dyfish”, thotë Jasharaj.

Jasharaj thotë se në bazë të të dhënave të mbledhura del se janë rreth 400 mësimdhënës me sëmundje kronike të angazhuar nëpër çerdhe e deri në universitete.

“Zgjedhja më meritore dhe më humane do të ishte që këta të lirohen nga procesi mësimor, në vend të tyre të aktivizohen kolegët që janë në pritje, që janë të papunësuar dhe kanë kryer shkollim të mjaftueshëm për sistemin arsimor… Në bazë të analizave që i kanë bërë të tjerët dhe shënimet i kanë dhënë DKA-të para disa viteve, ishte një numër pak më i vogël, mirëpo në diskutimet me MASHT-in dhe DKA-të kemi arritur një përfundim që ky numër mund të jetë 400. Kemi insistuar që të merret një numër mbase pak më i madh në mënyrë që kur të ndahet buxheti mos të ndodhë që të kemi buxhet për një numër më të vogël e pastaj t’ia bëjmë të padrejtë ndonjërit prej tyre”, vijon ai.

Jasharaj potencoi se përveç sëmundjeve të rënda, mësimdhënësit kanë probleme me dëgjim, shikim dhe harresë për shkak të moshës, duke përfshirë edhe sëmundjet e zemrës, që sipas tij mund të vijnë edhe si pasojë e presionit në punë. Ai shtoi se SBASHK-u nuk ka mundësi që të kontribuojë në lidhje me këta mësimdhënës.

Ndërkaq, drejtoresha e Arsimit në Komunën e Prishtinës, Besianë Musmurati thotë se marrin kërkesa të vazhdueshme nga kjo kategori e mësimdhënësve për mbështetje, derisa shton se kjo temë duhet të trajtohet më seriozisht që nga niveli qeveritar.

“Ka shumë mësimdhënës që kanë kërkuar mbështetje nga komuna, por edhe nga ministria për të bërë zgjidhje për shkak të sëmundjeve të ndryshme që i kanë. Jemi munduar si komunë që të fillojmë me implementimin e disa politikave që i jep pushim me pagesë këtyre rasteve. Fatkeqësisht, mundësitë buxhetore të cilat i kemi dhe po i lejon thesari për momentin janë shumë të limituara, sepse ne funksionojmë me një numër të përgjithshëm të stafit arsimor që e kemi në sistem. Gjithsesi, Është një temë tepër e rëndësishme që mendoj se duhet të trajtohet seriozisht, që nga niveli qeveritar pastaj edhe komunat ta implementojnë, sepse është fatkeqësi që ne i detyrojmë mësimdhënësit të cilët kanë sëmundje të rënda të dalin në punë dhe të mbajnë mësimin dhe të vijojnë mësimin që mos ta humbasin vendin e punës”, thotë Musmurati.

Musmurati thotë se në komunën e Prishtinës kanë pranuar rreth 20 kërkesa nga mësimdhënësit e sëmurë, për t’iu gjetur zgjidhje dhe për t’iu ofruar mbështetje.

“Atyre iu takon pushimi shëndetësor, ashtu siç iu takon të gjithë tjerëve, por për ditë të tjera shtesë ka pasur raste që është dashur t’i refuzojmë për shkak se orët do të humbnin për fëmijët. Kështu që është diçka për të cilën duhet të punojmë më shumë, prej nivelit qendror ta gjejmë një zgjidhje. Pastaj edhe ne si komuna të angazhohemi që të implementojmë me saktësi… Kërkesat vijnë gjatë gjithë vitit, janë ad hoc nuk po më kujtohet një numër i saktë, diku kanë qenë rreth20 kërkesa, po them dallon prej vitit në vit, ka shumë faktorë që ndikojnë, që jo domosdoshmërish i plotësojnë kërkesat që janë me udhëzues të ministrisë po që ne pastaj ulemi dhe i shqyrtojmë”, potencon Musmurati.

Ndërkaq, lidhur me këto kërkesa, nga Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit janë përgjigjur duke thënë se për vitin 2023 nga Grandi specifik i arsimit parauniversitar janë ndarë gjithsej 1,700,000.00 euro për mësimdhënësit me gjendje të rëndë shëndetësore.

“Në prill të vitit të kaluar, MASHTI ka nxjerrë një udhëzues për zëvendësimin dhe pagesën e mësimdhënësve me gjendje të rëndë shëndetësore. Qëllimi i këtij udhëzuesi është të ndihmojë Drejtoritë Komunale të Arsimit për marrjen e vendimit për zëvendësimin dhe pagesën e mësimdhënësve me gjendje të rëndë shëndetësore nga buxheti i ndarë me Ligjin e buxhetit. Sipas këtij Udhëzuesi, zëvendësimin e bëjnë DKA-të, sepse punësimi i mësimdhënësve është në kompetencën e komunave. Për vitin 2023 nga Grandi specifik i arsimit para universitar janë ndarë gjithsej 1,700,000.00 euro për mësimdhënësit me gjendje të rëndë shëndetësore”, thuhet në përgjigjen e MASHT-it përmes e-mailit. 

Lajmet

Mblidhet PDK-ja

Published

on

Grupi Parlamentar dhe Kryesia e Partisë Demokratike të Kosovës është duke mbajtur mbledhjen për zhvillimet e fundit dhe hapat e mëtutjeshëm të këtij subjekti politik.

Kjo mbledhje ka nisur rreth orës 15:00, raporton KP.

Ndërkohë, për të mërkurën, Avni Dehari në cilësinë e kryesuesit të seancës konstitutive, ka thirrur vazhdimin e seancën konstituive, ku pritet zgjidhet kryetari dhe nënkryetarët e Kuvendit të Kosovës.

Kjo seancë do të mbahet në orën 11:00, më 9 shtator.

Ndërkaq, edhe Lidhja Demokratike e Kosovës sot vendosi të marrë pjesë në seancën konstituive të Kuvendit të Kosovës. Kështu tha shefja e Grupit Parlamentar të LDK-së, Jehona Lushaku, pas mbledhjes së sotme./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Nepali në ditë zie, mbi 1,300 të vdekur dhe mijëra të zhdukur nga përmbytjet

Published

on

Nepali është sot në ditë zie kombëtare, në kujtim të qindra viktimave të përmbytjeve vdekjeprurëse të 26 gushtit, ndërsa vazhdojnë kërkimet për mijëra persona të zhdukur.

Flamujt janë ulur në gjysmështizë në të gjitha ndërtesat publike në vend, në nderim të viktimave të përmbytjeve që autoritetet i kanë cilësuar si të pashembullta.

Sipas të dhënave të përkohshme, të paktën 1 mijë e 398 persona kanë humbur jetën, ndërsa më shumë se 5 mijë e 500 persona rezultojnë të zhdukur në zonën kufitare mes Nepalit dhe Kinës.

Mes të zhdukurve dyshohet se ka turistë, pelegrinë të huaj dhe qindra punëtorë që janë rrëmbyer nga ujërat.

Për të 13-tën ditë radhazi, ekipet e shpëtimit po vazhdojnë kërkimet në sipërfaqe, nga ajri dhe në tunele, me shpresën për të gjetur të mbijetuar. Autoritetet thonë se operacionet po zhvillohen me të njëjtin intensitet si në ditën e parë./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Tragjedi në Poterq të Klinës: Burri i vë flakën krevatit të motrës dhe sulmon nënën, motra humb jetën

Published

on

Një grua ka humbur jetën pasi u sulmua nga vëllai i saj në fshatin Poterq të Klinës.

Sipas Policisë, ngjarja ka ndodhur më 6 shtator, kur i dyshuari, i cili dyshohet se ka probleme të shëndetit mendor, fillimisht i ka vënë flakën krevatit ku ndodhej motra e tij dhe më pas ka sulmuar nënën e tij me një mjet të fortë.

Të dyja viktimat kanë pësuar lëndime të rënda. Ato fillimisht janë dërguar në Spitalin Rajonal të Pejës, ndërsa më pas janë transferuar në QKUK në Prishtinë.

Policia ka njoftuar se më 7 shtator motra e të dyshuarit ka ndërruar jetë si pasojë e plagëve të marra nga zjarri.

I dyshuari është arrestuar dhe, me vendim të prokurorit, i është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh. Për shkak të gjendjes së tij të rënduar psikike, ai është vendosur në repartin e psikiatrisë në Spitalin Rajonal të Pejës, nën përkujdesjen e personelit mjekësor dhe mbikëqyrjen e Policisë./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Kuriozitetet e ditës

Published

on

Lexoni pesë kuriozitete. Mund të mos i keni ditur:

 

1.Pemët Akacia në Afrikë komunikojnë me njëra-tjetrën. Kur sulmohen nga kafshët barngrënëse, ato lëshojnë gazra në ajër për të paralajmëruar pemët e tjera që të prodhojnë substanca mbrojtëse.

 

2.Armadilot njihen për mburojën e tyre shumë të fortë natyrore. Në disa raste është raportuar se predhat kanë devijuar nga lëkura e tyre e fortë, prandaj shpesh thuhet se janë “rezistente ndaj plumbave”.

 

3.Ujëvarat e Niagarës nuk ngrijnë kurrë plotësisht. Edhe gjatë dimrave ekstremë, sasia e madhe e ujit që rrjedh vazhdimisht e pengon ngrirjen totale.

 

4.Piramida e Madhe e Gizës është ndërtuar nga rreth 2.3 milionë blloqe guri. Secili prej tyre peshon mesatarisht rreth 2.5 ton, një arritje inxhinierike që vazhdon të mahnisë botën edhe sot.

 

5.Telefonata e parë nga një telefon mobil u realizua më 3 prill 1973 në New York. Në atë kohë askush nuk e imagjinonte se celularët do të bëheshin pjesë e përditshmërisë sonë.

Continue Reading

Të kërkuara