Lajmet

​Rutte në Shqipëri, i shqetësuar për situatën në Bosnje dhe ndikimin ruso-kinezo-turk në Ballkan

Kreu i ekzekutivit shqiptar foli për rëndësinë që ka Ballkani i Hapur.

Published

on

Kryeministri holandez, Mark Rutte qëndroi sot në Shqipëri ku pati një takim me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama. Kreu i ekzekutivit shqiptar foli për rëndësinë që ka Ballkani i Hapur, ndërsa homologu i tij holandez tërhoqi vëmendjen për situatën ne Bosnjë dhe për ndikimin në rritje të Turqisë, Kinës e Rusisë në Ballkanin Perëndimor.

Gjatë fjalës së tij, Rama u shpreh se është shumë e rëndësishme për Ballkanin Perëndimor që të ndjejë praninë e Mbretërisë së Holandës. Sipas tij, vendet e Ballkanit kanë shumë për të mësuar nga Holanda.

Rama shtoi se ngjarjet e fundit në Ballkan, përfshirë tensionet në kufirin mes Kosovës dhe Serbisë, nuk janë shenja të mira ndërsa tha se Ballkani i Hapur është mekanizëm për të shtuar komunikimin e bashkëpunimin mes vendeve në Ballkanin Perëndimor.

“Ne kemi shumë nevojë për Bashkimin Evropian dhe besoj që Bashkimin Evropian ka shumë nevojë për Ballkanin Perëndimor. Bashkimi Evropian nuk i duhet një Ballkan Perëndimor ku ka konflikte, nuk i duhet një Ballkan Perëndimor ku ndjenja e mërzisë apo e ndjenja e tradhtisë nga ana Bashkimit Evropian të prevalojë, nuk i duhet një Ballkan Perëndimor ku forcat e tjera t’i gjejnë terren sepse ne jemi brenda Bashkimit Evropian fizikisht. […] Sa i përket specifikisht atyre që shohim në rajon këto ditë që nuk janë shenja të mira, as në Bosnje, as në Malin e Zi, as në Maqedoninë e Veriut, as në kufirin e Kosovës me Serbinë që e pamë para ca ditësh, janë një arsye për të shtuar më shumë forcat për të rritur bashkëpunimin. Prandaj e përsëris Ballkani i Hapur nuk është çelës magjik, nuk është e vetmja gjë që mund të imagjinohet por është një instrument, mekanizëm, që i shërben këtij qëllimi”, deklaroi Rama.

Kryeministri holandez, Rutte, tha se është pro iniciativës së Ballkanit të Hapur për sa kohë e njëjta është e hapur edhe për vendet e tjera si Kosova që nuk janë pjesë e saj.

“Sa i përket nismës së Ballkanit të Hapur ne jemi ne favor të integrimit rajonal për aq kohë sa është i hapur për këdo, dhe unë e kuptoj që është shumë i hapur edhe për Malin e Zi, për Kosovën, për Bosnjë Hercegovinën që në mënyrë që të bëhen pjesë gjithashtu sepse ndihmon po kështu që të punohet drejt hapave të mëtejshëm në bisedimet e anëtarësimit duke përdorur standardet dhe kuadrin e BE-së sa më shumë të jetë e mundur, në mënyrë që të bëhet një lloj hapësire për atë çka ndodh më tej”, deklaroi Rutte.

Në lidhje me situatën në Bosnje, Rama tha se nuk mendon që jemi pranë një shpërthimi të një lufte të re por u shpreh se shenjat duhet të merren shumë seriozisht pasi dhimbjen e luftës e kanë përjetuar edhe ata vet gjatë kohës kur pranuan si refugjatë shqiptarët e Kosovës.

“Besoj që të gjithë në Ballkan, edhe ata të cilët mund të perceptohen si potencialisht të faktorë me një kapacitet destibalizues, e kanë kuptuar që destabilizimi nuk sjellë asnjë të mirë as për vet ata. Dhe, lufta në Ballkan nuk është një mësim që e kemi marrë nga librat, është një eksperiencë që e kemi jetuar të gjithë dikush duke qenë i përfshirë, dikush si ne, shqiptarët e Shqipërisë i përfshirë indirekt, por sidoqoftë i përfshirë, se mjafton të kujtojmë që gjysmë milioni refugjatë lufte erdhën nga Kosova për t’i ikur spastrimit etnik të Sllobodan Millosheviqit dhe ishim pjesë e kësaj gjëje, e kemi parë dhimbjen e luftës edhe nuk besoj -të paktën ky është opinioni im- se jemi në prag të shpërthimit të një konflikti, por besoj se janë simptoma të rrezikshme dhe duhet marrë me shumë seriozitet”, vijoi Rama.

Ndërsa, Rutte u shpreh i shqetësuar për gjithë çfarë po ndodhë në Bosnje duke i akuzuar serbët se po shkelin marrëveshjen e Dejtonit.

“Jam vërtet i shqetësuar për Bosnjë Hercegovinën pasi duket sikur serbët e Bonjës në këtë moment po dhunojnë hapur Marrëveshjen e Dejtonit dhe të Kushtetutës së Bosnjës, por punojmë shumë në nivelet e BE për të stabilizuar situatën dhe për të parandaluar sistemin politik që të ndahet në atë vend përgjatë kufijve etnikë, kjo thekson rëndësinë e dialogut po kështu edhe të udhëheqjes se politikanëve të lartë në Ballkanin Perëndimor”, tha kryeministri holandez.

Rutte shkoi edhe më tej kur tha se situata të tilla i hapin rrugë ndikimit të mëtejmë të Rusisë, Kinës e Turqisë në Ballkanin Perëndimor.

“Shqetësimi ynë është që ajo çfarë vjen si anë negative e kësaj është një influencë në rritje e Turqisë, Rusisë dhe Kinës dhe ne jemi të interesuar që perspektiva e BE-së të jetë e pranishme këtu dhe jo perspektiva e lidhjes më të ngushtë me Rusinë, Kinën apo Turqinë”, përfundoi Rutte.

Kryeministri holandezdeklaroi gjithashtu se Shqipëria ka bërë përparim në shumë çështje dhe shpreson në mbajtjen sa më parë të Konferencës së Parë Ndërqeveritare dhe të zgjidhet bllokimi i Bullgarisë që pengon procesin e anëtarësimit të Shqipërisë e Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian.

Lajmet

Kurti i bën thirrje Hamzës për takim, do ta votojmë një deputet të PDK-së për nënkryetar të Kuvendit

Published

on

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje do ta votojë një deputet të PDK-së për nënkryetar të Kuvendit.

Ai ka kërkuar që emrat e kandidatëve të diskutohen në takimet mes partive dhe ka thënë se ende nuk është tepër vonë për të arritur marrëveshje.

“Ne medoemos një deputet të PDK-së do ta votojmë për nënkryetar të Kuvendit. Ne medoemos një deputet ose deputete të LDK-së do ta votojmë për nënkryetar të Kuvendit”, ka deklaruar Kurti.

Kurti ka thënë se dëshiron të takohet me kryetarin e PDK-së, Bedri Hamza, për të diskutuar emrat e kandidatëve.

Ai e ka cilësuar si të keqardhshme braktisjen e procesit të konstituimit të Kuvendit, duke thënë se sot është humbur një mundësi për përmbylljen e tij.

“Jemi vonë, por nuk është tepër vonë. Nëse e bëjmë këtë të dielën, megjithatë do të konsiderojmë që përgjithësisht dhe së bashku ishim të suksesshëm”, ka deklaruar Kurti./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Avokati: Kërkojmë shpalljen të pafajshëm të Fazliut, të akuzuarit s’u intervistuan nga ZPS-ja

Published

on

Avokati i Fadil Fazliut, David Young ka kërkuar shpalljen të pafajshëm të Fadil Fazliut.

“Kërkojë me respekt që verdikti në këtë rast të korrigjohet dhe të jetë në përputhje me detyrën publike që është pafajësia e z.Fazliu”, tha Young.

Ai tha se gjatë ngritjeve të akuzave në këtë çështje, Prokuroria nuk ka intervistuar asnjëherë të dyshuarit.

 “Pjesa më e madhe e këtyre personave, e këtyre të akuzuarve nuk janë intervistuar asnjëherë. Besoj që z.Kilaj mund të ketë qenë para shumë shumë vitesh por pjesa më e madhe e të akuzuarve nuk janë intervistuar asnjëherë nga Prokuroria. Pra, mund të nxjerrim deduktimin nga kjo që Prokuroria ka marrë qasjen strategjike për të mos i intervistuar ata. Për të mos i intervistuar këta persona lidhur me pretendimet dhe a është kjo mënyrë  e drejtë për të filluar hetimet ap ngritur akuzat?! Unë besoj që jo. Unë thgem qartësisht që nuk është kështu”, tha David Young.

Young parashtroi se Fadil Fazliu duhej të paktën që të intervistohej por atij nuk iu dha mundësia të thoshte atë që kishte për të thënë.

“Nga përvoja juaj e gjerë i nderuar gjykatës ju e dini që normalisht ju jepet prokurorëve dhe hetuesve mundësia për pyetjet që do i bëjnë dëshmitarit për pretendimet dhe lidhur me provat. Në të njëjtën mënyrë, intervista I jep mundësinë të dyshuarit që të jep përgjigjet e tij ndaj pretendimeve që ngrihen kundër tij. Ndonjëherë është mënyrë e mirë për të vërtetuar provat dhe për të verifikuar pretendimet dhe për të parë se si personi përgjigjet”, tha ai.

David Young tha se kjo është mënyrë e duhur për të verifikuar provat nga mënyra se si përgjigjet I dyshuari.

“Por pas intervistave, është praktikë e zakonshme për prokurorët në nivel kombëtar dhe ndërkombëtarë që të marrin vendimin se nëse do të vazhdojnë më tej ndjekjen kundër të dyshuarit, të ngrenë akuza ndaj tij dhe kjo mund të varet nga ajo që është thënë gjatë intervistës apo jo”, tha ai.

Me kaq përfundoi fjalën përfundimtare mbrojtja e Fadil Fazliut për të vazhduar më pas me mbrojtjen e Hajredin Kucit e përfaqësuar nga avokati Alexander Admiral./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Avokati i Kuçit: ZPS-ja ndërtoi teorinë e saj mbi gabime në përkthim

Published

on

Alexander Admiral, avokat i Hajredin Kuçit, tha se Prokuroria ka ndërtuar teorinë e saj për Hajredin Kuçin mbi transkripta të përkthyera gabim dhe sipas tij versioni i korrigjuar dëshmon tjetër gjë.

Ai tha se Prokuroria ka hetuar Kuçin për më shumë se dy vjet duke kontrolluar shtëpinë e tij, telefonin, kompjuterin dhe mesazhet e tij. 

Ai tha se pas gjithë kësaj, provat e Prokurorisë mbështetën vetëm në një mesazh dhe në një bisedë e regjistruar pas të cilës asnjë dëshmitar nuk është kontaktuar dhe asgjë nuk është ndërmarrë si veprim.

Admiral tha se Prokuroria i ka thënë gjyqtarit të procedurës paraprake se Kuçi i kishte shkruar këto fjalë “Mik, ai të përgëzon për profesionalizimin, idetë e qarta, për vendin, luftën dhe guximin tënd! Bravo!”.

Sipas avokatit, me frazën “ai”, Prokuroria e ndërtoi teorinë e saj dhe në fjalën hyrëse kishte thënë që Kuçi i kishte përcjell përgëzimet e një personi të paemëruar duke shtuar se idetë e atij personi të paemëruar ishin të Fazliut.

“Kjo teori ishte e gabuar. Njësia e përkthimit tani ka dhënë përkthimin e duhur. Mesazhi lexon: Mik, ju përgëzoj unë (veta e parë). Z. Kuçi pra vetë. Nuk ka person të emëruar. Nuk ka mesazh nga askush”, tha Admiral.

Admiral tha se mbrojtja nuk e mohon faktin që është dërguar një mesazh por korrigjimi i përkthimit e ndryshon kuptimin e atij mesazhi.

“Hiqet pretendimi se z.Kuci ka shërbyer si lajmës. Gjithashtu nuk është më e vlefshme baza mbi të cilën është mbështetur Prokuroria për të thënë se ka pasur një plan më të gjerë për të ndërhyrë ndaj dëshmitarëve. Ky nuk është një ndryshim i vogël. Ndryshon kuptimin dhe peshën e mesazhit”, tha ai.

Admiral tha se ky mesazh ishte dërguar nga Kuçi tek Mustafa dhe se ky i fundit e kishte dhënë intervistën përpara se t’i dërgohej mesazhi.

 Sipas tij, deklaratat e Mutafës në Hagë ishin paraqitur në media dhe se Kuçi e pa se çfarë u tha dhe thjesht ia dërgoi dy fjali shokut të tij prej 30 vjetësh./A.K/

Continue Reading

Lajmet

“Liria ka Emër” fton qytetarët në “Marshin për Liri” më 12 shtator

Published

on

Platforma qytetare “Liria ka Emër” u ka bërë thirrje qytetarëve që t’i bashkohen “Marshit për Liri”, i cili do të mbahet të shtunën, më 12 shtator, në orën 14:00 në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.

Përfaqësuesit e platformës, Eliza Hoxha dhe Ismail Tasholli, kanë bërë të ditur se në marsh janë ftuar liderët e katër partive parlamentare shqiptare. Sipas tyre, pozitivisht janë përgjigjur vetëm kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, dhe ai i AAK-së, Ardian Gjini.

Në aktivitet pritet të ketë edhe fjalime nga përfaqësues të shoqatave të dala nga lufta, familjarë të dëshmorëve dhe këngë patriotike.

Organizatorët kanë njoftuar gjithashtu se është siguruar transport me autobusë nga qytete të ndryshme të Kosovës dhe kanë bërë thirrje që qytetarët të marrin pjesë së bashku me familjet.

Marshi zhvillohet pak ditë para shpalljes së vendimit të Gjykatës Speciale ndaj ish-krerëve të UÇK-së, më 16 shtator në Hagë./A.K/

Continue Reading

Të kërkuara