Lajmet

​Rikonstrukti i gjirit pa pagesë për herë të parë në QKUK

E gjithë kjo po bëhet në muajin e ndërgjegjësimit për gratë e prekura me kancer të gjirit.

Published

on

Klinika e Kirurgjisë Plastike në bashkëpunim me shoqatën e Kirurgëve Plastik Rekonstruktiv, për herë të parë, janë duke ofruar rikonstruktimin e gjirit pa pagesë për të gjitha gratë, të cilat kanë kaluar fazën e kancerit të gjirit.

E gjithë kjo po bëhet në muajin e ndërgjegjësimit për gratë e prekura me kancer të gjirit. Ndërkohë moto e kësaj inciative është “T’i kthejmë buzëqeshjen gruas”.

Drejtori i shoqatës së kirurgëve plastik, Ylber Zejnullahu thotë për KosovaPress, se përmes donacioneve të mbledhura, këtë vit ofrohet rikonstruktimi i gjirit për gratë e prekura me kancer të gjirit. Ai tha se një trajtim i tillë sikur në shtetet e tjera, edhe në Kosovë ka qenë i nevojshëm.

“Ne kemi marrë shkas duke parë se nevojat e grave, se kanë nevojë për rekonstruksion mbasi e kanë kaluar kancerin. Aspekti psikologjik është shumë i rënduar dhe kemi dashur që të krijojmë si shtetet tjera një fond të veçantë përmes QKUK-së dhe donacioneve nga jashtë. Kemi siguruar një sasi të disa balonave të cilët e rrisin sipërfaqen e lëkurës, sepse atyre iu mungon një gjoks, rrallë edhe dytë”, tha Zejnullahu.

Zejnullahu shtoi se ky operacion është shumë i kushtueshëm nëse bëhet në klinika private. Ai ka bërë thirrje të gjitha grave që të interesohen për këtë model të përmbushjes së gjirit sepse e gjitha procedura është falas.

“Ka qenë i nevojshëm për ata jo vetëm ne nuk është që ne e kemi shpik. Shumë shtete të botës kjo rimbursohet 100%, ne nuk kemi pas mundësi me rimbursu gjithën por vetëm me i marrë mjetet falas, dhe operacionet falas…. Është operacion i kushtueshëm më dy akte, nuk është e lehtë por fatmirësisht komplikacionet janë të rralla për atë arsyeje ka një kosto të lartë dhe për njerëzit është e papërballueshme….  Gratë mos të hezitojnë, le të lajmërohen secila grua duhet të operohet, secila grua që ka kaluar 2 vjet nga kanceri gjirit, ato janë kandidate, duhet të shohim gjendjen e tyre”, tha Zejnullahu.

Doktoresha e Kirurgjisë Plastike, Sanije Abazi tha se si staf kirurgjikal kanë mbledhur fonde nga organizatat joqeveritare për t’i ndihmuar gratë me kancer të gjirit. Ajo tha se rikonstruktimi i gjirit ka një ndikim të madh tek vetëbesimi i grave.

“Të mbledhim fonde ose të bëjmë një bujë më të madhe edhe në Ministrinë e Shëndetësisë, edhe në organizata joqeveritare të Kosovës të grave që të ndihmojnë që këtyre grave që janë të prekura nga kanceri gjirit, t’i mundësojmë që rekonstruksionin e gjirit të bëjnë falas, gjë e cila nuk ka qenë më herët. Patjetër që është e nevojshme bukuria e gruas është veçantia e saj. “T’i kthejmë buzëqeshjen gruas”, është edhe motoja jonë e cila patjetër që ndikon edhe në vetëbesimin, në përditshmërinë dhe në kthimin e besimit të gruas”, tha Abazi.

Ajo u shpreh se si operacion i cili po ofrohet për herë të parë në Kliniken e Kirurgjisë Plastike, po pritet mjaftë mirë nga të gjitha gratë, derisa bëri thirrje të vinë dhe t’i përfundojnë vizitat e para.

“Ka qenë e vështirë në fillim se shumica e grave nuk e kanë ditë që në Kirurgjinë Plastike bëhet rekonstruksioni gjirit sepse dallojnë metodat tek secila grua veç e veç…. Shumica e kanë mirëpritur shumë mirë edhe janë shumë të gatshme për me bashkëpunuar dhe për të fillojnë procedurat e rekonstruksionit të gjirit….  I bëjmë thirrje që çdo ditë deri në orën 9:00, deri 12:00, çdo ditë pune, ne jemi të hapur dhe gjitha gratë munden të vinë t’i kryejnë vizitat dhe me vendos çka me tutje”, shtoi Abazi.

Ndërsa, Arnisa Osmani, gruaja e cila tashmë e ka kaluar sfidën me kancerin e gjirit dhe ka vendosur rikonstrimin për veten e saj, tha se një operacion i tillë është i preferuar për secilën grua me kancer të gjirit, derisa propozon gjithmonë konsulta me kirurgët profesional.

“Kur një grua është diagnostikuar me sëmundjen e kancerit në gji, është shumë e vështirë së pari veten me pa në pasqyrë, merr kohë ndoshta jo një kohë e gjatë por merr kohë me pa, me u pajtuar dhe me pa veten në pasqyrë pa një gji. Sado që thonë kryesorja është me shpëtuar por gjiri është simboli femëror.  Rikonstruimi kur e kam bërë para dy viteve që po i bie tre vite pas operimit, a është një gjë e lehtë…jo. Mirëpo për veten kur je pa një gji ose edhe pa dy, kush ka mundësit që tash edhe në QKUK, po bëhen rikonstruimet, pse jo me i bërë normal me konsultën e mjekëve. Nëse ka ndonjë problem mundet edhe mos me iu lejuar, mirëpo iu lutna në konsultë me mjekun”, tha Osmani.

Lajmet

Arrestohet 32-vjeçari në Ferizaj, policia i gjen armë zjarri në një Lamborghini

Published

on

Policia e Kosovës ka sekuestruar një armë zjarri gjatë një kontrolli të realizuar në Ferizaj.

Sipas policisë, më 9 korrik 2026, rreth orës 19:20, njësia e patrullës së Stacionit Policor në Ferizaj ka ndaluar për kontroll një automjet të tipit Lamborghini në rrugën “Enver Topalli”.

Gjatë kontrollit, te pasagjeri i automjetit, V.S., 32 vjeç, është gjetur dhe sekuestruar një pistoletë me tetë fishekë.

Lidhur me rastin është njoftuar prokurori i shtetit dhe është iniciuar procedurë për veprën penale “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Me vendim të prokurorit, i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt, ndërsa hetimet lidhur me rastin janë në vazhdim./A.K/

Continue Reading

Lajmet

ATK thotë se në janar-qershor 2026 mbodhi më tepër para se më 2025 e më 2024

Published

on

Administrata Tatimore e Kosovës ka shënuar rritje prej 14 për qind të të hyrave gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2026, ndërsa ka shtuar edhe numrin e kontrolleve, vizitave në terren dhe rasteve të evidentuara të evazionit fiskal.

Kështu bëri të ditur drejtori i Administratës Tatimore të Kosovës, Mentor Hyseni, gjatë prezantimit të raportit gjashtëmujor për vitin 2026, të premten në Prishtinë.

Sipas tij, rritja e të hyrave në këtë periudhë ka tejkaluar rezultatet e të njëjtës periudhë kohore edhe për vitet 2025 e 2024, ndërsa tatimi mbi vlerën e shtuar përbën mbi 37 për qind të të hyrave tatimore.

Në bazë të të dhënave të prezantuara nga Hyseni, numri i kontrolleve është rritur për 35.7 për qind, ndërsa evidentimi i evazionit fiskal është dyfishuar. Po ashtu, sipas tij, vizitat në terren janë rritur nga 11 mijë e 900 në rreth 16 mijë.

“Në 2026 në këtë gjashtë mujor kemi një rritje prej 14 për qind që tejkalon dy vitet paraprake. Nëse e shohim ka përbërja, në pjesën e TVSH-së e kemi mbi 37 për qind që është pjesa e të hyrave tatimore, nëse shohim historinë e saj për 2024-2025 kemi një rritje prej 16 për qind ndërsa 2025-26 kemi 11 për qind, parashihet një rënie e TVSH-së krahasim me vitet paraprake.. 10 punëtorë na kanë dalë në pension në këtë gjashtë mujorin e parë, por megjithatë me këtë mungesë të punëtorëve, ne kemi arritur ta rrisim numrin e kontrolleve për 37 për qind në krahasim me vitin paraprak, 35.7 për qind është rritur numri i kontrolleve”, ka deklaruar ai. “Rezultatet nuk tregojnë që ka pasur vetëm rritje efektive të numrit. Me rritjen prej 35.7 për qind të kontrolleve kemi rritur 100 për qind pjesën e evazionit fiskal që e kemi gjetur. Kjo nuk ka shënuar vetëm efikasitet në rritje të numrit të kontrolleve, por edhe efektivitet në mënyrën se si janë kontrolluar bizneset. E njëjta dinamikë tregohet tek rezultatet e vizitave. Numri tyre është prej 36.97 për qind krahasuar me vitin paraprak sa kanë qenë 11 mijë e 900 tash janë 16 mijë vizita në terren”.

Sipas Hysenit, masat ndëshkuese ndaj tatimpaguesve kanë shënuar rënie, nga 2 mijë e 700, në 2 mijë e 500. /KosovaPress//A.K/

Continue Reading

Lajmet

Gjykata në Fier ashpërson masat ndaj vajzave që dhunuan 17-vjeçaren, hetohen edhe për shantazh

Published

on

Gjykata e Fierit ka ndryshuar masat e sigurisë për vajzat e përfshira në dhunimin dhe filmimin e një 17-vjeçareje, pasi rasti mori vëmendje të gjerë publike dhe institucionet reaguan duke e trajtuar atë si më shumë se një konflikt mes adoleshentesh.

Për 19-vjeçaren, gjykata ka caktuar masën e paraburgimit deri në përfundim të hetimeve, ndërsa 15-vjeçarja tjetër është lënë në arrest shtëpiak.

Ndërkohë, e mitura e tretë e përfshirë në ngjarje është dërguar për mjekim të detyruar, pasi, sipas autoriteteve, pas incidentit dhe një episodi dhune ndaj nënës së saj, është konstatuar se ka probleme të shëndetit mendor.

Sipas informacioneve të siguruara nga Top Channel, dhunimi i 17-vjeçares nuk është e vetmja çështje penale që po hetohet ndaj tre adoleshenteve. Policia e Fierit dyshon se ato kanë qenë të përfshira edhe në një skemë shantazhi.

Sipas hetimeve paraprake, vajzat dyshohet se joshnin burra përmes komunikimeve online dhe u caktonin takime në hotele. Më pas, në vend të takimit paraqitej një person tjetër, i cili i fotografonte dhe, sipas dyshimeve, këto pamje përdoreshin më pas për t’i shantazhuar.

Në këtë skemë dyshohet se ka rënë edhe një efektiv policie, baba i dy fëmijëve, i cili ishte kontaktuar nga 15-vjeçarja. Edhe pse ai e kishte takuar vetëm në një lokal dhe jo në hotel, bisedat e zhvilluara mes tyre dyshohet se u përdorën për ta kërcënuar, me kërkesën që procedimi penal ndaj vajzave për dhunimin e 17-vjeçares të mbyllej, në të kundërt komunikimet do të publikoheshin në internet.

Për këtë rast, efektivi është përjashtuar nga Policia e Shtetit, ndërsa Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka nisur verifikimet për zbardhjen e plotë të rrethanave./TCH/A.K/

Continue Reading

Lajmet

Koncerti “Americana” festoi miqësinë Kosovë–SHBA, Ambasada amerikane falënderon Filharmoninë

Published

on

Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Prishtinë ka shprehur mirënjohjen për Orkestrën e Filharmonisë së Kosovës dhe të gjithë ata që kontribuuan në realizimin e koncertit “Americana”, i mbajtur të mërkurën mbrëma në Sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Ambasada e SHBA-së e cilësoi koncertin si një mbrëmje të veçantë kushtuar muzikës, kulturës dhe miqësisë, në kuadër të shënimit të 250-vjetorit të Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

“Çfarë performance që shijuam! Falënderime të përzemërta për Orkestrën e Filharmonisë së Kosovës për interpretimin e jashtëzakonshëm dhe për të gjithë ata që e bënë ‘Americana’ një mbrëmje kaq të paharrueshme, duke festuar 250-vjetorin e Amerikës dhe partneritetin tonë të qëndrueshëm. Një mbrëmje vërtet e paharrueshme me muzikë, kulturë dhe miqësi!”, thuhet në reagimin e Ambasadës.

Koncerti “Americana”, nën dirigjimin e maestros Toshio Yanagisawa, solli para publikut vepra të njohura të kompozitorëve amerikanë, përfshirë George Gershwin dhe Leonard Bernstein, duke mbledhur qindra qytetarë në qendër të Prishtinës për një mbrëmje festive që shënoi lidhjet e ngushta ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës./A.K/

Continue Reading

Të kërkuara