Hormonet janë thelbësore për funksionimin e trupit, por ndikojnë fuqishëm edhe në trurin dhe emocionet tona. Ato ndërveprojnë me neurotransmetuesit, duke ndikuar në mënyrën si ndiejmë, mendojmë dhe reagojmë.
Ndryshimet hormonale dhe shëndeti mendor
Te gratë, periudhat me ndryshime të mëdha hormonale, adoleshenca, cikli menstrual, shtatzënia, pas lindjes dhe menopauza lidhen me rritjen e rrezikut për depresion, ankth dhe stres post-traumatik.
Para ciklit menstrual, rënia e estrogjenit dhe progesteronit mund të shkaktojë nervozizëm, lodhje dhe trishtim, ndërsa gjatë ovulacionit estrogjeni sjell ndjenja mirëqenieje. Pas lindjes, rreth 13% e grave përjetojnë depresion për shkak të rënies së hormonit.
Edhe burrat përjetojnë ndryshime hormonale, sidomos me uljen graduale të testosteronit, që mund të ndikojë në humor.
Si veprojnë hormonët në tru?
Ndikojnë në neurotransmetues si serotonina dhe dopamina. Estrogjeni ndihmon në mbrojtjen dhe krijimin e neuroneve të reja në hipokampus, pjesa e trurit e rëndësishme për kujtesën dhe emocionet.
Kortizoli, hormoni i stresit, nëse është i vazhdueshëm, mund të dëmtojë neuronet dhe të ulë përqendrimin dhe kujtesën.
Hormonet e tiroides gjithashtu ndikojnë në energji dhe humor; sëmundjet tiroide mund të shkaktojnë depresion ose ankth.
Rrugë të reja trajtimi
Zbulimet e fundit kanë çuar në trajtime të reja, si Brexanolone për depresionin pas lindjes, dhe përdorimi i estrogjenit ose testosteronit për të përmirësuar efektin e antidepresantëve në disa pacientë.
Megjithatë, reagimi ndaj trajtimeve hormonale ndryshon nga personi në person.
Si përfundim, hormonet kanë rol kyç në shëndetin mendor dhe mirëqenien emocionale, dhe kuptimi i tyre është çelësi për trajtime më efektive dhe të personalizuara. /A.Z/UBT News/