Lajmet

​Rama u përgjigjet deklarimeve të Lavrov mbi Ballkanin e Hapur

Sipas tij, “fabulën” se Rusia e mbështet këtë nismë e besojnë vetëm “peshqit e Ballkanit të mbyllur”.

Published

on

Lidhur me deklaratat e ministrit të Jashtëm rus se ky shtet është në përkrahje të Ballkanit të Hapur, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama tha se nëse kjo do të ishte e vërtetë Sergei Lavrov do të ishte sot në samitin e Ohrit.

Rama theksoi pjesëmarrjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian duke thënë se këta të fundit janë përkrahës të kësaj nisme.

Sipas tij, “fabulën” se Rusia e mbështet këtë nismë e besojnë vetëm “peshqit e Ballkanit të Mbyllur”.

“Sa për ministrin e Jashtëm rus, bëhet fjalë për një peshkaqen të nivelit shumë të lartë në oqeanin e diplomacisë botërore, i cili është i mirënjohur për sarkazmat tij dhe shumë peshq kanë rënë në atë rrjedhën e trikave të tij, sepse nëse ai do të ishte mbështetësi i Ballkanit të Hapur do të ishte këtu. Si mund të jetë ai mbështes i Ballkanit të Hapur, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian nuk e duan Ballkanin e Hapur, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian janë këtu sot ai nuk është. Tani këtë lloj fabule ose këtë lloj narrative ose këtë lloj ushqimi e hanë vetëm peshqit e Ballkanit të mbyllur. Peshqve të Ballkanit të mbyllur nuk kemi çka t’u bëjmë, i kemi në ujërat tona, edhe ne lloje peshqish jemi po të rrimë të kjo fauna e detit, por Ballkani i Hapur është për njerëzit, për të gjithë njerëzit dhe kaq”, tha Rama.

Lidhur me këtë u përgjigj edhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, i cili tha se ideja për “Ballkanin e Hapur” nuk ka qenë jashtë rajonit, por e tri vendeve të Ballkanit Perëndimor, Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë.

“Isha prezentë kur ne të tre, Edi, Zorani dhe unë filluam “Ballkanin e Hapur”, s’ka qenë asnjë ministër i jashtëm dhe askush tjetër. Unë nuk kam turp për politikën që bënë Serbia dhe nuk turpërohem për marrëdhëniet tradicionale që i kemi me Federatën Ruse, por askush tjetër përveç neve nuk kishte dhënë ide për “Ballkanin e Hapur”. Kjo është ide e njerëzve që dëshirojnë të bashkëpunojnë”, tha ai.

Lajmet

Ndalohet një person në Prishtinë për keqpërdorim detyre, ryshfet dhe zbulim të fshehtësisë zyrtare

Published

on

By

Prokuroria Themelore në Prishtinë, përkatësisht Departamenti për Krime të Rënda, ka njoftuar se pas hetimeve disamujore në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, ka ndaluar për 48 orë personin me inicialet N.A., i dyshuar për disa vepra të rënda penale.

Arrestimi është realizuar nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit. Sipas të dhënave fillestare të hetimit, i ndaluari dyshohet se në bashkëpunim me persona të tjerë ka zbuluar informacione zyrtare për prona të caktuara te persona të paautorizuar në këmbim të ryshfetit, me qëllim tjetërsimin e tyre.

Nga organet e ndjekjes bëjnë të ditur se pronat e përfshira në këtë skemë dyshohet se kapin vlera mjaft të mëdha financiare.

“Prokuroria Themelore në Prishtinë në bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe institucionet e tjera kompetente, mbetet e përkushtuar në luftimin e kriminalitetit dhe korrupsionit, dhe do të vazhdojë ndërmarrjen e të gjitha veprimeve të nevojshme hetimore për zbardhjen e plotë të rastit”, thuhet në komunikaten e Prokuroris Speciale

Continue Reading

Lajmet

Tensione dhe përplasje me policinë në protestën e studentëve para Ministrisë së Arsimit në Tiranë

Published

on

By

Studentë, gjimnazistë dhe qytetarë të shumtë janë mbledhur këtë të martë para ambienteve të Ministrisë së Arsimit në Tiranë, në një protestë të njoftuar prej ditësh për të ngritur zërin kundër problematikave që prekin arsimin dhe të rinjtë.

Protesta e nisur rreth orës 14:00 ka përshkallëzuar me shpejtësi në tensione. Protestuesit kanë gjuajtur godinën e ministrisë me vezë, bojë të kuqe, gurë, sende të forta dhe kapsolla. Gjatë përplasjeve, disa prej tyre kanë shkulur kangjellat mbrojtëse të rrugës dhe kanë tentuar të hyjnë me forcë në ambientet e brendshme të institucionit.

Për të shpërndarë turmën, forcat e policisë kanë ndërhyrë me ujë dhe gaz lotësjellës, ndërsa gjatë përplasjeve fizike disa nga protestuesit janë shoqëruar në komisariat. Në terren janë angazhuar dhjetëra efektivë shtesë për të marrë nën kontroll situatën.

Tubimi i organizuar përmes rrjeteve sociale vjen me kërkesën për plotësimin e gjashtë pikave që lidhen me ngritjen e cilësisë në arsim dhe përmirësimin e kushteve për studentët. Përveç kërkesave arsimore, protestuesit kanë bërë thirrje politike duke kërkuar dorëheqjen e ministres së Arsimit, Mirela Kumbaro, si dhe të kryeministrit Edi Rama.

Continue Reading

Lajmet

Prof. Dr. Bekim Marmullaku takohet me profesorin nga Universiteti i Norvegjisë Juglindore, Glenn Agung Hole, për mundësitë e bashkëpunimit akademik

Published

on

By

Udhëheqësi i Departamentit për Bashkëpunim në UBT, Prof. Dr. Bekim Marmullaku, priti në takim profesorin Glenn Agung Hole nga Universiteti i Norvegjisë Juglindore (University of South-Eastern Norway – USN), me të cilin diskutoi mundësitë e zhvillimit të bashkëpunimit akademik dhe kërkimor ndërmjet dy institucioneve.

Gjatë takimit u diskutua për potencialin e bashkëpunimit në fushat e sipërmarrësisë, ekonomisë institucionale, zhvillimit rajonal dhe sigurisë kombëtare, me theks të veçantë në rolin e universiteteve në zhvillimin ekonomik, inovacionin dhe forcimin e kapaciteteve institucionale.

Continue Reading

Lajmet

Inspektorati i Tregut mbyll një biznes në Zubin Potok dhe shqipton gjobë 6,000 euro

Published

on

By

Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut ka ndërmarrë masa ndaj disa subjekteve ekonomike gjatë inspektimeve të fundit në Komunën e Zubin Potokut, me qëllim garantimin e zbatimit të ligjit dhe sigurisë në treg.

Gjatë këtij aksioni, inspektorët kanë mbyllur një biznes që ushtronte veprimtarinë pa u regjistruar në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve të Kosovës, si dhe kanë sekuestruar produkte që nuk kishin deklaracion të prejardhjes. Po ashtu, ndaj një subjekti tjetër ekonomik është shqiptuar gjobë prej 6,000 eurosh pasi u ka shërbyer pije alkoolike personave të mitur.

Nga Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut kanë bërë të ditur se këto masa janë pjesë e angazhimit të vazhdueshëm për mbrojtjen e konsumatorëve dhe respektimin e legjislacionit në fuqi.

“IQMT u bën thirrje të gjitha subjekteve ekonomike që të sigurojnë regjistrimin e rregullt të veprimtarisë së tyre në ARBK, të tregtojnë vetëm produkte me dokumentacionin përkatës dhe të respektojnë të gjitha dispozitat ligjore që rregullojnë ushtrimin e veprimtarisë ekonomike. IQMT do të vazhdojë me inspektime dhe mbikëqyrje të rregullta në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës, me qëllim të identifikimit dhe trajtimit të çdo shkeljeje që cenon të drejtat e konsumatorëve dhe sigurinë e tregut”, thuhet në njoftimin e ministrisë. /E.A/

 

Continue Reading

Të kërkuara