Lajmet

​Rama: Mosliberalizimi i vizave për Kosovën është turp për BE-në

Rama në një intervistë për gazetën gjermane ”Frankfurter Rundschau” flet për mosliberalizimin e vizave ndaj kosovarëve.

Published

on

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka deklaruar se mosliberalizimi i vizave për Kosovën është turp për BE-në, pasi qytetarët e Kosovës janë të vetmit në kontinentin tonë që nuk lejohen të udhëtojnë të lirë.

Rama në një intervistë për gazetën gjermane ”Frankfurter Rundschau”, ka thënë se qytetarët e Kosovës më parë në ish-Jugosllavi dhe Serbi dhe kanë qenë të lirë të udhëtojnë.

“Dhe tani? A janë të pavarur dhe të lirë nga diktatura apo çlirimtarët i mbajnë në një lloj burgu?”, ka thënë ai, derisa ka komentuar edhe raportet e tij me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq.

“Ne kemi një marrëdhënie të mirë personale edhe pse herë pas here nuk pajtohemi. Për shembull, ai thotë “e ashtuquajtura Kosovë”. Unë them “shteti i pavarur i Kosovës”. Ne tani i zgjidhim mosmarrëveshjet tona në një mënyrë të civilizuar”, ka thënë Rama.

Sipas tij, pajtimi mes qytetarëve të Kosovës dhe Serbisë do të marrë kohë.

“Kush do ta kishte menduar se gjermanët dhe francezët do të ishin sërish partnerë të ngushtë kaq pak vite pas Luftës së Dytë Botërore? Vizioni dhe lidershipi politik nevojiten për të çuar përpara këtë proces. Por, ky proces do të ndodhë, jam i sigurt. Nuk ka kthim pas”, thënë ai.

Intervistë e plotë e kryeministrit Edi Rama për gazetën gjermane ”Frankfurter Rundschau”

Zoti Rama, si shumë politikanë të tjerë gjermanë, edhe kancelari Scholz është jurist. Ata nuk janë artistë, piktorë apo të kenë luajtur basketboll. A keni ju një qasje të ndryshme ndaj politikës?

Edi Rama: Mendoj se duhet të jemi të kujdesshëm me këto lloj kategorizimesh. Në çdo fushë ka njerëz të mirë dhe jo të mirë, ka të talentuar dhe të pa talentuar. Dyshoj se do të ishte ide e mirë të kishim artistë kudo në politikë.

Por, cila është receta juaj për sukses në politikë? Është kreativiteti apo këmbëngulja, ndoshta edhe dëshira për të gjetur një rrugë më pak të thjeshtë?

Edi Rama: Sigurisht që kërkohet kreativitet. Do të thoja se përkushtimi dhe vullneti janë po aq të rëndësishëm. Politika kërkon edhe shumë durim. Politikanët që janë të padurueshëm, janë të humbur.

Ku e mësuat durimin?

Edi Rama: Unë kam lindur njeri i paduruar. Ndoshta padurimi im më bëri ndihesha si i huaj për një kohë të gjatë – dhe që më në fund çoi në lëvizjen e demokracisë në diktaturën shqiptare, në të cilën u rrita. Për mua, politika ishte një kurs i vështirë përplasjeje me durimin. Sidomos kryesia e partisë. Udhëheqja e një partie është një detyrë herkuliane sepse ka kaq shumë interesa të ndryshme që duhet të përputhen. Kjo nuk ka të bëjë me artin dhe pikturën, por ka të bëjë me ngjyrat, format dhe harmonitë. Në qeverisje, çdo penel është një person, kjo është ajo që e bën atë kaq të komplikuar.

Ju e përfshitë artin në politikë kur u kujdesët që ndërtesat gri të Tiranës të lyheshin me ngjyra të ndritshme. Si ju lindi ideja?

Edi Rama: Kur u zgjodha kryetar i bashkisë së Tiranës, në vitin 2000, qyteti ishte në gjendje mjaft të keqe. Nëpër rrugë kishin mbetur vetëm 78 llampa. Qyteti në rritje e sipër kishte një buxhet prej vetëm rreth gjashtë milionë dollarë, që nuk mjaftonte për asgjë. Ndërtesat pa leje u shtuan gjithandej dhe nuk kishte asnjë rregull. Me paratë e Bashkimit Evropian më lindi ideja që gjatë rindërtimeve, të lyej një rrugë me pallate me ngjyra. Ideja u përhap tej e më tej, derisa më në fund Tirana u bë shumëngjyrëshe. Kjo jo vetëm që e zbukuroi qytetin, por në përgjithësi e përshpejtoi ndryshimin.

Meqë ra fjala, ky ishte lajmi i parë i mirë që doli nga Shqipëria në botë, pas një kohe të gjatë.

Edhe sot e kësaj dite ka shumë klishe për Shqipërinë. Vend i panjohur në mes të Europës, hakmarrja, Kanuni në veri, izolimi, krimi dhe mafia. Çfarë klishe tjetër e karakterizon ende imazhin e Shqipërisë jashtë saj?

Edi Rama: Duhet kuptuar se Shqipëria e sotme është krejtësisht ndryshe nga Shqipëria e izoluar nën diktatorin Enver Hoxha, që dikur konsiderohej si “Koreja e Veriut e Europës”. Nuk kishim pothuajse asnjë kontakt me të huajt, madje edhe kur kishim, ishin me grupe marksiste-leniniste nga Gjermania, Franca apo Brazili. Kjo ishte e pabesueshme. Do t’ju jap një shembull: Shqipëria ishte një vend marksist-leninist nën një regjim stalinist. Në Aeroportin e Tiranës kishte një parukeri ku prisnin flokët të gjithë të ardhurit, sepse nuk lejoheshin flokët e gjata apo mjekra. Prandaj, as Karl Marksit nuk i duhej lejuar hyjra në vend. Nëse e merrni këtë si bazë, atëherë nuk kam asnjë dyshim. Asnjë vend në Evropë nuk ka ndryshuar më shumë në 30 vitet e fundit sesa Shqipëria. Më vjen mirë kur dëgjoj se Shqipëria duhet të jetë një fletë e bardhë. Shumicën e kohës dëgjoj atribuime krejt të ndryshme. Si gazetar, ju e dini që lajmet e këqija shpërndahen me shpejt se lajmet e mira. Shpresoj që imazhi i Shqipërisë jashtë vendit të ndryshojë. Unë shoh që ka gjithnjë e më shumë raporte pozitive për vendin tonë. Kjo jep shpresë.

Por kur shterohet shpresa? Shqipëria është kandidate zyrtare për anëtarësim në BE që nga viti 2014. Tetë vjet më vonë, negociatat nuk kanë filluar ende. Ne folëm për durimin. Sa i duruar jeni me Brukselin?

Edi Rama: Durimi ynë është i pashtershëm për këtë temë, sepse nuk kemi zgjidhje tjetër. Jemi mësuar. Shqipëria ka qenë gjithmonë lojë e fuqive të tjera dhe rrallëherë kemi patur mundësi të votojmë për veten tonë. Ne jemi një vend i vogël, kemi vuajtur shumë dhe nuk na kanë lënë të marrim vetë vendime. Tani, për herë të parë, ne kemi një zgjedhje të lirë. Ne jemi evropianë dhe duam të anëtarësohemi në BE, sepse jemi pjesë e kontinentit. Çfarëdo që të duhet, pa marrë parasysh sa kohë duhet, ne po i përmbahemi këtij qëllimi.

Si viktimë e agresionit rus, Ukraina ka një status të veçantë dhe mund të mbështetet te negociatat e shpejta. A nuk është zhgënjyese kjo?

Edi Rama: Jo, kjo është një situatë e jashtëzakonshme dhe BE-ja veproi drejt. Megjithatë, i thashë presidentit ukrainas Volodymyr Zelenskyy se mund të marrë shumë kohë. Maqedonia e Veriut është kandidate për anëtarësim prej 17 vitesh!

Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria, janë të lidhura ngushtë kur bëhet fjalë për anëtarësimin. Bullgaria ka kohë që bllokon bisedimet e pranimit me Maqedoninë e Veriut dhe kjo ju ka ndikuar edhe juve. Ç’pritet më tej?

Edi Rama: Mënyra se si Bullgaria e trajtoi atë ishte një turp. Sofja na ka ndarë më shumë se sa na ka bashkuar. Shpresoj që kjo të ndryshojë tani.

A mendoni se keni mbështetje të mjaftueshme nga qeveria gjermane?

Edi Rama: Kam pasur raporte të mira me Angela Merkelin. Ajo e dinte shumë mirë potencialin, por edhe rreziqet në Ballkan. Ajo kishte një vizion dhe jam shumë i lumtur që Olaf Scholz po e çon më tej këtë vizion.

E keni fjalën për të ashtuquajturin Procesi i Berlinit për bashkëpunim më të mirë rajonal mes vendeve të Ballkanit Perëndimor?

Edi Rama: Po, Merkel ishte shumë e përkushtuar për këtë. Ne duam të rrisim tregtinë dhe të përmirësojmë marrëdhëniet me njëri-tjetrin. Shkoi mirë për një kohë, por më pas u lëkund. Gjithashtu sepse BE-ja nuk bëri gjithçka që mund të kishte bërë.

Për këtë arsye po bashkëpunoni më ngushtë me Serbinë? Beogradi kohët e fundit është kthyer sërish drejt Rusisë. A ju shqetëson kjo?

Edi Rama: Historia bën diferencën. Kemi vuajtur shumë nga Bashkimi Sovjetik dhe Kina. Kjo është arsyeja pse ne jemi pro amerikanë. Serbia ka një histori tjetër, por Beogradi nuk e mbështet në asnjë mënyrë luftën e Putinit. Por, presidenti serb, Aleksandër Vuçiç ka një problem, pasi ekonomia e Serbisë është shumë e varur nga gazi dhe nafta ruse.

A keni marrëdhënie të mira me të?

Edi Rama: Ne kemi një marrëdhënie të mirë personale edhe pse herë pas here nuk pajtohemi. Për shembull, ai thotë “e ashtuquajtura Kosovë”. Unë them “shteti i pavarur i Kosovës”. Ne tani i zgjidhim mosmarrëveshjet tona në një mënyrë të civilizuar.

Miliona shqiptarë jetojnë në disa shtete, përfshirë Kosovën. Fakti që Serbia ende nuk e njeh Kosovën a ndikon në integrimin e Shqipërisë në BE?

Edi Rama: Ne jemi një komb, i njëjti gjak dhe flasim të njëjtën gjuhë. Por, ne jetojmë në dy shtete. Pajtimi mes qytetarëve të Kosovës dhe Serbisë do të marrë kohë. Kush do ta kishte menduar se gjermanët dhe francezët do të ishin sërish partnerë të ngushtë kaq pak vite pas Luftës së Dytë Botërore? Vizioni dhe lidershipi politik nevojiten për të çuar përpara këtë proces. Por, ky proces do të ndodhë, jam i sigurt. Nuk ka kthim pas.

Qytetarët e Kosovës ende kanë nevojë për vizë për të hyrë në BE. Çfarë lidhje ka kjo me integrimin më të mirë të Ballkanit Perëndimor?

Edi Rama: Ky është turp për BE-në! Qytetarët e Kosovës janë të vetmit në kontinentin tonë që nuk lejohen të udhëtojnë të lirë. Ata kanë jetuar më parë në ish-Jugosllavi dhe Serbi dhe kanë qenë të lirë të udhëtojnë. Dhe tani? A janë të pavarur dhe të lirë nga diktatura apo çlirimtarët i mbajnë në një lloj burgu?

Së fundmi ka pasur protesta në Tiranë. A nuk jeni të shqetësuar se më shumë njerëz do të dalin në rrugë nëse inflacioni vazhdon të rritet dhe ushqimet bëhen më të shtrenjtë?

Edi Rama: Protestat në Shqipëri nuk ishin të mundura për një kohë të gjatë. Ato janë absolutisht të nevojshme për një demokraci. Nëse edhe Gjermania nuk mund ta mbrojë popullsinë e saj nga inflacioni, çfarë duhet ta bëjë Shqipëria? Ne kemi inflacionin më të ulët në rajon, ndonëse në kurriz të një recesioni.

Pavarësisht progresit ekonomik, shqiptarët po vazhdojnë të largohen nga vendi. Kjo duhet të jetë alarmuese për ju.

Edi Rama: Po. Fatkeqësisht, historia është eksporti ynë kryesor dhe kjo nuk është gjë e mirë. Më lejoni të përgjigjem. Ballkani nuk ka qenë kurrë një vend i mërzitshëm. Por ne, Ballkani, duam të bëhemi më te zakonshëm dhe më normal. Po aq të rëndomtë sa Bashkimi Evropian. Një vend është i zakonshëm kur gjithçka funksionon në mënyrë eficente si në Gjermani. Për shaka, dikush më tha një herë se mund të bëhesha kryebashkiak i Frankfurtit. Jo, më mirë jo, iu përgjigja. Sigurisht që ka gjëra që mund të përmirësohen këtu, por Frankfurti është një qytet i vendosur dhe i pasur. Çfarë duhet të qeverisësh në një vend të përsosur?

Po kryebashkiaku i Berlinit?

Edi Rama: Unë kam shumë lidhje në fushën e artit të Berlinit. Shumë nga miqtë e mi atje janë pak të zhgënjyer, ata thonë se qyteti është bërë pak provincial. Nuk mund të gjykoj. Ndoshta është bërë e mërzitshme.

Çfarë do të dëshironit të bënit pas karrierës suaj politike?

Edi Rama: Ndoshta të dizenjoj rrobat e mia si stilist.

Në Shqipëri apo jashtë saj?

Edi Rama: Në Shqipëri. Shqipëria mund të duket e mërzitshme. Por, jo aq sa për ta lënë.

Nga Thomas Kaspar & Martin Benninghoff

Lajmet

Ditë e natë në terren, forcat e NATO-s dërgojnë mesazh stabiliteti

Published

on

By

Ushtarët gjermanë të caktuar në Komandën Rajonale-Lindje (RC-E) të misionit të KFOR-it, të udhëhequr nga NATO, po vazhdojnë patrullimet e tyre të rregullta ditën dhe natën në disa komuna brenda zonës së përgjegjësisë.

Sipas njoftimit, këto patrullime sigurojnë një prani të dukshme dhe qetësuese në terren, rrisin ndërgjegjësimin situativ dhe kontribuojnë drejtpërdrejt në ruajtjen e stabilitetit rajonal. Patrullat janë pjesë thelbësore e misionit të vazhdueshëm të KFOR-it për të garantuar një mjedis të sigurt dhe të qëndrueshëm për të gjithë qytetarët që jetojnë në Kosovë.

KFOR-i thekson se vazhdon zbatimin e mandatit të tij, të bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të vitit 1999, me qëllim sigurimin e një ambienti të qetë dhe të sigurt, si dhe garantimin e lirisë së lëvizjes për të gjithë, në çdo kohë.

Po ashtu, KFOR-i vepron në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), në përputhje me rolet e tyre përkatëse si reagues të sigurisë, duke synuar ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në vend.

Continue Reading

Lajmet

Nesër samiti mes BE-së dhe Ballkanit Perëndimor, Rama niset drejt Brukselit

Published

on

By

Kryeministri Edi Rama është nisur pasditen e kësaj të marte drejt Brukselit. Rama nesër do të marrë pjesë në samitin mes BE dhe vendeve te Ballkanit Perëndimor.

Takimi pritet të përqëndrohet në gjetjet më të fundit të paketës së zgjerimit 2025. Gjatë takimit do të dikutohet edhe Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor prej 6 miliard eurosh.

Ndërkaq, nga Kosova europianët i çuan ftesë presidentes Vjosa Osmani, e cila ka konfirmuar se do të marrë pjesë në këtë samit.

Continue Reading

Lajmet

Spiropali në Greqi, rihapet dialogu për kufirin detar

Published

on

By

Ministrja e Jashtme e Shqipërisë, Elisa Spiropali nisi sot një vizitë dyditore në Greqi me ftesë të homologut grek, George Gerapetritis. Vizita e Ministres Spiropali nisi në Presidencën greke, ku u prit nga Presidenti Konstantinos Tasoulas.

Gjatë takimit Spiropali theksoi se “Shqipëria beson fort se nën udhëheqjen greke të Presidencës së BE, Ballkani Perëndimor do të mbetet në krye të agjendës europiane”.

Më pas Spiropali zhvilloi një takim dypalësh me homologun e saj Gerapetritis, të fokusuar në forcimin e marrëdhënieve ndërmjet Shqipërisë dhe Greqisë. Në konferencën për shtyp, Spiropali tha se Greqia duhet të heqë ligjin e luftës, duke theksuar se dy vendet janë pjesë e NATO-s.

“Duke qenë partnerë në NATO, të lidhur nga një Traktat Miqësie dhe me perspektivë të përbashkët europiane, Shqipëria mbështet përfundimin sa më parë të çdo reference ligjore atavike nga Lufta e dytë Botërore, me pasoja në marrëdhëniet aktuale, e cila nuk pasqyron realitetin e marrëdhënieve tona si aleatë dhe si miq”, tha Spiropali.

Ministrja theksoi se Shqipëria është e hapur për dialog për çështjen e detit dhe shtoi se duan të vijojnë negociatat për njohjen e pensioneve.

“Shqipëria mbetet po ashtu e përkushtuar për zgjidhjen e çështjeve të lidhura me kufirin (përfshirë edhe delimitimin e hapësirave detare) në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe parimet e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë, ku palët janë plotësisht të hapura për dialog konstruktiv. Ne do të vijojmë të udhëhiqemi nga vlerat thelbësore të BE-së, nga respekti për normat e të drejtës ndërkombëtare për zgjidhjen paqësore të mosmarrëveshjeve dhe promovimin e stabilitetit në rajon”, shtoi ajo.

Mëngjesin e së mërkurës, në orën 09.00, Spiropali do të takohet me Ministrin e Mbrojtjes, Niko Dendias. Në orën 09.45, Spiropali do të takohet me përfaqësues të bizneseve dhe sipërmarrjeve që operojnë mes Shqipërisë dhe Greqisë, për potencialin e bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve.

Continue Reading

Lajmet

Dyshohet abuzim i të miturit në Ferizaj përmes rrjeteve sociale

Published

on

By

Policia e Kosovës ka nisur hetimet lidhur me një rast të dyshuar të abuzimit ndaj një të mituri, i cili dyshohet se është kontaktuar përmes rrjeteve sociale.

Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prishtinës, Agron Borovci, bëri të ditur se rasti është raportuar më 15 dhjetor 2025, rreth orës 11:00, në stacionin policor të Fushë Kosovës.

Sipas policisë, ngjarja dyshohet të ketë ndodhur në territorin e Ferizajt. Me autorizim të Prokurorit të Shtetit, është iniciuar hetim për veprën penale “Dhunimi”, ndërsa policia, në bashkëpunim me institucionet relevante, po punon intensivisht për identifikimin e të dyshuarit dhe sqarimin e plotë të rastit, duke garantuar konfidencialitetin dhe mbrojtjen e viktimës.

“Më datë 15.12.2025, rreth orës 11:00, policia e stacionit policor në Fushë Kosovë, ka  pranuar informacionin lidhur me një rast të dyshuar të abuzimit ndaj një të mituri. Dyshimet e ngritura sugjerojnë  se i mituri  është kontaktuar përmes rrjeteve sociale dhe se ngjarja dyshohet të ketë ndodhur diku në territorin e Ferizajt. Specialist të policisë për hetimin e rasteve të tilla, në bashkëpunim me institucionet relevante, janë duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për zbardhjen e plotë të rastit. Me autorizim të Prokurorit të Shtetit, gjithnjë duke garantuar konfidencialitetin dhe mbrojtjen e viktimës, policia ka iniciuar një hetim në drejtim të veprës penale “Dhunimi”, përderisa po punohet intensivisht në identifikimin e të dyshuarit dhe përcaktimin e vendndodhjes së tij.”

Continue Reading

Të kërkuara