Lajmet

​Rahoveci nderon të rënët për liri, Serbisë i kërkohet hapja e arkivave

Ai tha se sot po nderojnë ata që kanë përjetësuar idealin e lartë të lirisë.

Published

on

Në 24-vjetorin e të rënëve për liri në fshatin Reti të Komunës së Rahovecit janë bërë homazhe pranë përmendores dhe varreve të tyre. Me këtë rast u tha se kujtimi për dëshmorët Ramadan Mazreku, Bujar e Avni Thaqi si dhe 17 martirëtdo të jetojë përgjithmonë.

Kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi tha se sot po nderojnë ata që kanë përjetësuar idealin e lartë të lirisë.

Ai u shpreh se Retia edhe pse fshat i vogël, ka luajtur një rol të madh në luftën çlirimtare të UÇK-së. Derisa theksoi se qytetarët e saj meritojnë përkrahje më të madhe institucionale.

“Retia ka dhënë shumë në luftën për liri, por janë disa familje që po ashtu kanë dhënë shumë sepse kanë dhënë gjak nga gjaku i tyre për lirinë e atdheut. Ne sot i përkujtojmë me nderim dhe respekt të lartë tre dëshmorët Ramadan Mazrekun, Bujar Thaqin dhe Avni Thaqin, sikurse njëkohësisht përkujtojmë dhe nderojmë gjakun e derdhur për liri të 17 martirëve, dy prej të cilëve janë ende të pagjetur. Retia ka qenë vatër e qëndresës dhe përpjekjeve të luftës për liri, ka qenë selia e Brigadës 124 ‘Gani Paçarizi’, e cila pas ofensivës së shtatorit këtu është riorganizuar, sikurse që ka qenë vatër e riorganizimit të Brigadës 126 ‘Hasi’ dhe 125 brigadës nga Prizreni. Retia dhe qytetarët e saj meritojnë përkrahje shumë më të madhe nga ana e Komunës dhe institucioneve shtetërore… Nuk do ta harrojmë kurrë atë që ka bërë Retia, përpjekjen e madhe për liri”, tha ai.

Ai tha se është koha e fundit që Serbia t’i hap arkivat, në mënyrë që të zbardhet fati i të pagjeturve.

“Është koha e fundit që Serbia të detyrohet ta zbardhë fatin e të pagjeturve, t’i hap arkivat dhe të zbardhë fatin e të zhdukurve me dhunë”, tha ai.

Kryetari i fshatit Reti, Ilir Kryeziu, duke kujtuar veprën dhe jetën e dëshmorëve dhe martirëve tha se do të jetojnë me idealin e tyre për ta bërë Kosovën vendin që ata e kanë dëshiruar.

“Jemi mbledhur për të ndarë dhembjen dhe krenarinë për më të dashurit tanë. Për këtë shtet u derdh shumë liri dhe gjak, kemi paguar me jetën e më të dashurve tanë, duke humbur bijtë dhe bijat, gra, burra, pleq e fëmijë. Por të flijohesh për atdhe do të thotë të mos vdesësh kurrë. Me idealin e tyre ne do të jetojmë për të bërë Kosovën ashtu siç e dëshiruan ata”, tha ai.

E vëllai i dy dëshmorëve Bujar dhe Avni Thaqi, Safeti, kujtoi momentet se si paramilitarët serbë i kishin ndarë nga gratë dhe fëmijët e tyre për t’i pushkatuar.

“Familja ime i ka dhënë dy vëllezërit e mi, që janë kidnapuar nga forcat paramilitare serbe, i kanë nda prej familjeve, prej grave dhe fëmijëve, ata i kanë pushkatuar. Bile, ekziston një dëshmitar i gjallë, që na i tregon të dhënat e sakta”, tha ai. 

Vendi

Studentët e Shkencave të Ushqimit dhe Bioteknologjisë në UBT Prizren realizojnë vizitë studimore në Industrinë e Pijeve “Fruti” dhe në Impiantin e Trajtimit të Ujërave të Zeza

Published

on

By

Studentët e programit të Shkencave të Ushqimit dhe Bioteknologjisë në UBT – dega në Prizren, të shoqëruar nga stafi akademik i përbërë nga prof. Arianeta Nura, prof. Dielleza Elshani, prof. Fjolla Ejupi, prof. Luljeta Ajdini dhe prof. Sami Gashi, kanë realizuar një vizitë studimore në Industrinë e Pijeve “Fruti” dhe në Impiantin e Trajtimit të Ujërave të Zeza në Prizren.

Gjatë vizitës në Industrinë e Pijeve “Fruti”, studentët patën mundësinë të njihen nga afër me proceset teknologjike të prodhimit të pijeve, kontrollin e cilësisë, standardet e sigurisë ushqimore, si dhe me praktikat moderne që aplikohen në industrinë ushqimore.

Ndërkaq, në Impiantin e Trajtimit të Ujërave të Zeza, studentët u informuan për proceset e trajtimit dhe menaxhimit të ujërave, teknologjitë e përdorura për mbrojtjen e mjedisit dhe rëndësinë e sistemeve të qëndrueshme për ruajtjen e burimeve ujore.

Kjo vizitë studimore u mundësoi studentëve të lidhin njohuritë teorike të fituara gjatë studimeve me praktikën profesionale, duke zgjeruar njohuritë e tyre në fushën e teknologjisë ushqimore, bioteknologjisë dhe menaxhimit mjedisor.

UBT vazhdon të krijojë mundësi të shumta për studentët që të përfitojnë përvoja praktike në institucione dhe kompani relevante, duke i përgatitur ata për sfidat dhe kërkesat e tregut të punës.

Continue Reading

Vendi

“Hapësira si Kujtesë” – studentët e vitit të dytë prezantojnë instalacione që dialogojnë me vendin dhe kujtesën

Published

on

By

Në kuadër të Ditëve të Artit dhe të Dizajnit në UBT, studentët e vitit të dytë të Fakultetit Art dhe Dizajn, nën mentorimin e profesorit Burim Berisha, kanë hapur ekspozitën “Hapësira si Kujtesë”, e cila sjell para publikut një seri instalacionesh bashkëkohore të zhvilluara gjatë Semestrit IV.

Ekspozita bazohet në qasjen artistike site-specific, ku veprat janë krijuar në raport të drejtpërdrejtë me historinë, arkitekturën dhe karakterin e hapësirës ku prezantohen. Përmes kësaj qasjeje, studentët kanë eksploruar mënyrat se si hapësira mund të shndërrohet në bartëse të kujtesës, përvojave dhe narrativave të ndryshme.

Punimet e ekspozuara ndërtojnë ura komunikimi ndërmjet vendit, kujtesës dhe shikuesit, duke përdorur një gamë të gjerë mediumesh bashkëkohore, si ndërhyrje hapësinore, zë, reflektim, video dhe materiale të ndryshme artistike. Çdo instalacion paraqet një interpretim unik të marrëdhënies ndërmjet individit dhe hapësirës, duke ftuar publikun të reflektojë mbi mënyrën se si vendet ruajnë gjurmë të së kaluarës dhe ndikojnë në perceptimin tonë të së tashmes.

Përmes kësaj ekspozite, studentët dëshmojnë aftësitë e tyre kreative dhe konceptuale në fushën e instalacionit, duke sjellë projekte që sfidojnë format tradicionale të ekspozimit dhe krijojnë përvoja të drejtpërdrejta e interaktive për vizitorët.

Continue Reading

Botë

Irani kërkon zhbllokimin e 12 miliardë dollarëve para marrëveshjes me SHBA-në

Published

on

Irani po kërkon lirimin e menjëhershëm të 12 miliardë dollarëve në fonde të ngrira sapo të arrihet një marrëveshje e përkohshme me Shtetet e Bashkuara, raportojnë mediat iraniane.

Sipas agjencisë Fars, Teherani e konsideron qasjen në këto fonde si garanci për zbatimin e marrëveshjes dhe për ruajtjen e interesave të tij në rast të tensioneve të reja.

Nga shuma totale, 6 miliardë dollarë janë fonde të ngrira më herët, ndërsa 6 miliardë dollarë të tjerë pritet të lirohen në këtë fazë të negociatave.

Ndërkohë, agjencia Tasnim ka raportuar se në rast të arritjes së një marrëveshjeje, mund të zhbllokohen gjithsej 24 miliardë dollarë në asete iraniane, me gjysmën e shumës që do të lirohej menjëherë pas shpalljes së saj.

Sipas raportimeve, Katari pritet të luajë rolin e garantuesit për këto fonde, megjithëse autoritetet e Dohas kanë mohuar pretendimet se kanë ofruar 12 miliardë dollarë për të lehtësuar marrëveshjen mes Iranit dhe SHBA-së.

Continue Reading

Lajmet

KQZ akrediton mbi 15 mijë vëzhgues për zgjedhjet e parakohshme

Published

on

By

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka akredituar grupin e dytë të vëzhguesve për monitorimin e zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Kosovës, duke miratuar gjithsej 15,782 vëzhgues.

Ky vendim u mor në mbledhjen e 60-të të KQZ-së dhe përbën një nga grupet më të mëdha të vëzhguesve të akredituar në procesin zgjedhor.

Vëzhguesit do të angazhohen në monitorimin e procesit zgjedhor në qendrat e votimit, numërimin e votave dhe fazat e tjera të administrimit të zgjedhjeve, me qëllim garantimin e transparencës dhe integritetit të procesit demokratik. Akreditimi i tyre vjen pas miratimit të grupit të parë të vëzhguesve nga KQZ, në kuadër të përgatitjeve për zgjedhjet e parakohshme.

KQZ ka theksuar se vëzhgimi i pavarur nga subjektet politike, organizatat vendore dhe ndërkombëtare, mediat dhe institucionet e tjera përbën një element kyç për rritjen e besimit të qytetarëve në procesin zgjedhor.

Ky numër i madh i vëzhguesve pritet të sigurojë mbulim të gjerë të procesit zgjedhor në të gjithë territorin e Kosovës, duke kontribuar në monitorim më efektiv dhe raportim të rregullt të mbarëvajtjes së zgjedhjeve.

Continue Reading

Të kërkuara