Lajmet

​Prokurori: Kërkojmë konstatime për të gjitha format e përgjegjësisë alternative por vendimi i fajësisë të jepet vetëm për një prej tyre

Sipas prokurorisë, të akuzuarit kanë publikuar informacionet që i posedonin edhe pse e dinin që dosjet mund të jenë të vërteta.

Published

on

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë po vazhdon paraqitja e deklaratës përmbyllëse nga Zyra e Prokurorit të Specializuar, në gjykimin ndaj Hysni Gucatit e Nasim Haradinajt.

Sipas prokurorisë, të akuzuarit kanë publikuar informacionet që i posedonin edhe pse ishin të vetëdijshëm që dosjet mund të jenë të vërteta.

Prokurorja Valeria Bolici ka paraqitur edhe video nga deklarimet e mëparshme të Gucatit dhe Haradinajt në media, si dhe nga përgjigjet e tyre në sallën e gjyqit, në të cilat ata shprehin kundërshtimin e tyre për gjykatën.

“Provat tregojnë më tej që të akuzuarit jo vetëm i kanë thënë dëshmitarëve që identiteti i tyre ishte i njohur por në të njëjtën kohë që deklaronin që të dhënat e dëshmitarëve do të bëheshin publike, Haradinaj dhe Gucati kanë akuzuar dëshmitarët se janë spiunë, tradhtarë, bashkëpunëtorë, kolaboracionistë kriminelë, thithës gjaku dhe folës shqiptarë. Në momente të ndryshme gjatë këtij procesi të akuzuarit janë munduar që të ulin kuptimin e fjalëve apo akuzave të tilla, megjithatë fuqia kërcënuese e fjalëve të tyre dhe interpretimi i kuptimit të tyre shpjegohet në fakt në shumë momente të rëndësishme nga vet të akuzuarit”, ka thënë prokurorja Bolici.

Sipas saj, të akuzuarit në mënyrë të qëllimshme e kanë publikuar informacionin që dikush e kishte dërguar në zyrat e OVL-UÇK.

“Të akuzuarit e dinin se informacioni që kishin në posedim, përfshirë informacionin që ishte dhënë nga dëshmitarët autorëve të prokurorisë, mund të kenë qenë të vërteta, dhe kishin qëllim të merrnin hak kundër këtyre dëshmitarëve që dhanë informacion të vërtetë, si të tillë jo vetëm sjellja kriminale por edhe qëllimi kriminal i të akuzuarve është vërtetuar përtej dyshimit të arsyeshëm në këtë gjykim”, ka thënë ajo.

Në deklaratën përmbyllëse, prokurori nga ZPS, ka thënë se nuk ka prova që dikush nga kjo zyrë i ka përcjellur zyrtarët e OVL-UÇK.

“ZPS nuk ka kërkuar dënime alternative në këtë rast ne po kërkojmë vendime fajësie përmbledhëse për krimet e kryera në përputhje me elementet e materialitetit, dhe mbrojtja e Gucatit pajtohet se është zbatuar standardi i duhur në paragrafin 137. Ne kërkojmë konstatime për të gjitha format e përgjegjësisë alternative por vendimi i fajësisë do të jepet vetëm për një prej tyre. Pra duhet të shprehet e gjithë gama e fajësisë. Pra kur thotë mbrojtja e Gucatit se pika 2 është një formë e rënduar e pikës një apo që është dytësore ndaj pikës 1 siç e thonë në paragrafin 30 dhe 146 të dosjes së tyre, ata i keq-zbatojnë standardin e elementeve të veçantë, që kanë rëndësinë e materialit të veçantë. Dhe trupi gjykues mund të jap vendime fajësisë për të dyja”, ka thënë prokurori.

Ai gjithashtu ka thënë se nuk ka ndonjë provë që dikush nga ZPS i ka dërguar apo ka bashkëpunuar për dërgimin e dosjeve në zyrën e OVL-UÇK.

“Të akuzuarit nuk janë duke u gjykuar për ushtrimin e të drejtës së lirisë së fjalës siç thuhet në paragrafin 58 të dosjes së Haradinajt, ata janë këtu në gjyq për pengesën e procedurave gjyqësore, frikësimin e dëhsmitarëve dhe dhunimin e sekretit të procedurave, ky nuk është një sulmim i tyre për shkak se janë kritik të DhSK-së. DhSK ka mjaft kritika dhe njerëzit që nuk janë dakord me të por këtu bëhet fjalë për atë carë kanë bërë të akuzuarit dhe cfarë kanë thënë kjo është arsyeja pse ata kanë ardhur këtu në këtë gjykatë”, ka thënë përfaqësuesi i ZPS-së.

Seanca në Hagë po vazhdon me deklaratën përmbyllëse të prokurorisë ndërsa Gucati e Haradinaj janë të pranishëm në sallën e gjyqit.

Deklaratat përmbyllëse po dëgjohen pasi kanë përfunduar paraqitjet e provave dhe dëshmitarëve nga të dy palët.

Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj u arrestuan më 25 shtator 2020 prej kur edhe po qëndrojnë në paraburgim në Hagë.

Lajmet

Sekuestrohen armë dhe narkotikë në aksione policore në Kosovë

Published

on

By

Policia e Kosovës ka sekuestruar armë dhe substanca narkotike në disa aksione të zhvilluara në Graqanicë, Ferizaj dhe Vushtrri.

Në Graqanicë, gjatë një tentimi për kontroll policor, një i dyshuar është larguar duke ikur nëpër oborre shtëpish dhe duke hedhur sende gjatë arratisjes. Në vendngjarje, policia ka gjetur dhe sekuestruar një pistoletë me një fishek, si dhe një sasi të vogël të substancës së dyshuar narkotike. I dyshuari është arrestuar dhe më pas është liruar në procedurë të rregullt me vendim të prokurorit.

Në Ferizaj, njësitë policore kanë identifikuar një person të dyshuar për shitblerje të narkotikëve, i cili është larguar me veturë sapo ka vërejtur policinë. Në afërsi të vendit të ngjarjes është gjetur dhe sekuestruar 188.9 gramë substancë e dyshuar narkotike e llojit marihuanë, me vlerë rreth 2 mijë euro. I dyshuari është në kërkim policor dhe hetimet po vazhdojnë.

Në Vushtrri, është arrestuar një person tek i cili është gjetur një armë e gjatë M48 me tre fishekë. Arma është sekuestruar, ndërsa pas intervistimit, me vendim të prokurorit i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt.

Continue Reading

Lajmet

Dy të arratisur nga Qendra Edukuese Korrektuese kapen dhe kthehen në qendër

Published

on

Në Lipjan, më 03.06.2026 rreth orës 21:28, është raportuar arratisja e dy personave nga Qendra Edukuese Korrektuese në Lipjan, pasi zyrtarët korrektues kanë njoftuar për largimin e tyre nga institucioni.

Pas pranimit të informatës, janë ndërmarrë menjëherë veprime taktiko-operative nga autoritetet përkatëse me qëllim lokalizimin dhe kapjen e të dyshuarve.

Si rezultat i veprimeve në terren, të dy personat janë identifikuar, janë kapur dhe më pas janë kthyer sërish në Qendrën Edukuese Korrektuese në Lipjan.

Rasti është menaxhuar nga institucionet përgjegjëse, ndërsa rrethanat e arratisjes mbeten nën trajtim.

Continue Reading

Lajmet

Një polic u vra dhe një tjetër u plagos në Maliq të Shqipërisë

Published

on

By

Një ngjarje e rëndë është regjistruar në zonën e Lozhanit, në Bashkinë e Maliqit, në Shqipëri, ku një efektiv policie ka humbur jetën dhe një tjetër ka mbetur i plagosur gjatë një operacioni të forcave të rendit.

Sipas informacioneve paraprake, autori i dyshuar i sulmit është kapur i plagosur. Në vendngjarje kanë mbërritur forca të shumta policore dhe grupet hetimore, të cilat po punojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.

Autoritetet pritet të japin detaje shtesë lidhur me dinamikën e incidentit dhe identitetin e personave të përfshirë.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka reaguar pas ngjarjes së rëndë në Maliq.

Rama njoftoi se polici i vrarë në krye të detyrës, Enea Mekolli, do të shpallet “Dëshmor i Atdheut”, ndërsa shprehu ngushëllimet për familjen e tij dhe uroi shërim të shpejtë për efektivin tjetër të plagosur gjatë aksionit.

“Gjatë një operacioni kurajoz për kapjen e një të shumëkërkuari, që prej vitesh i fshihej ligjit në malet e Korçës, ka humbur jetën një efektiv policie dhe është plagosur një i dytë. Ndërkohë, pasi hapi zjarr ndaj tyre, u plagos dhe u kap edhe krimineli”, ka shkruar Rama.

Kryeministri theksoi se autori duhet të përballet me ndëshkimin maksimal të parashikuar nga ligji dhe vlerësoi angazhimin e Policisë së Shtetit në luftën kundër kriminalitetit.

“Nderim përjetë dëshmorit të atdheut, ngushëllime familjes dhe shërim të shpejtë efektivit tjetër. Ndëshkim maksimal për të shumëkërkuarin dhe respekt maksimal për Policinë e Shtetit, që nuk do të ndalet asnjëherë në misionin e saj”, u shpreh Rama.

Foto: Balkanweb.com

Continue Reading

Lajmet

Dyshime për 338 euro të falsifikuara në Prishtinë

Published

on

Sipas raportit të fundit të Policisë së Kosovës, është iniciuar një rast për falsifikim të parasë në Prishtinë, pas ekspertizës së kryer nga Agjencia e Kosovës për Forenzikë.

Në konsultim me prokurorin, më 3 qershor 2026 është hapur rasti pasi ekspertiza ka konstatuar se 338 euro në monedha dhe kartëmonedha të ndryshme dyshohet se janë të falsifikuara.

Paratë e dyshuara ishin dorëzuar në polici më 8 gusht 2024 nga një zyrtare e një banke private.

Autoritetet kanë bërë të ditur se hetimet po vazhdojnë nga ekipet përkatëse me qëllim të zbardhjes së plotë të rrethanave të rastit.

Continue Reading

Të kërkuara