Lajmet

​Projekti SEEK ndihmoi mbi 1 mijë familje dhe 26 komplekse banesore për efiçiencë

Në përmbylljen e projektit SEEK u prezantuan edhe gjetjet e këtij projekti.

Published

on

Sot është mbajtur konferenca përmbyllëse e projektit “Subvencione për Efiçiencë të Energjisë në Kosovë (SEEK)”, projekti ky i implementuar nga Fondacioni i Mileniumit të Kosovës dhe i mbështetur nga Korporata e Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC) prej të cilit kanë përfituar më shumë se 1 mijë ekonomi familjare dhe 26 ndërtesa banesore për masat e efiçiencës së energjisë.

Në përmbylljen e projektit SEEK u prezantuan edhe gjetjet e këtij projekti, të cilat synojnë të ndihmojnë institucionet e Kosovës të formësojnë investimet e ardhshme në efiçiencë të energjisë elektrike.

Përmes SEEK është synuar zvogëlimi i konsumit të energjisë elektrike në sektorin e banimit duke pilotuar subvencione dhe stimulime të tjera për ekonomitë familjare për të investuar në masa të efiçiencës së energjisë.

Zëvendësministri i Ekonomisë, Getoar Mjeku u shpreh se si qeveri e kuptojnë rëndësinë për efiçiencë të energjisë elektrike, prandaj siç tha ai, edhe kanë shtuar vëmendjen në këtë sektor.

Mjeku tha se krahas projekteve konkrete që ndikojnë në kursim të energjisë, ky sektor po konsolidohet edhe me reforma legjislative.

“Shembulli që e kemi para vetës me projektin SEEK mundohemi të vazhdojmë edhe si qeveri përmes projekteve të ndara që investojmë në efiçiencën e energjisë. Kemi një projekt të investimit në objektet publike pikërisht për të mundësuar efiçiencën e energjisë, gjithashtu edhe masën e ndihmave në komuna, në objekte të shkollave dhe objekte publike, e para në vlerë 2 milionë, e dyta 7.5 milionë. Së fundmi po punojmë intensivisht të lansojmë një skemë mbështetëse, projekt të subvencioneve për amvisëritë, për shtëpitë, banesat në mënyrë që ta kalojmë sa më lehtë dimrin. Që ta lehtësojmë barrën në sektorin e energjisë në Kosovë do të ndajmë 6 milionë euro për pajisje efiçiente dhe prej këtyre 6 milionë euro do të jenë qytetarët që do të përfitojnë drejtpërdrejt por edhe tërthorazi duke parë që do të zvogëlojnë shpenzimin e energjisë pa pasur nevojë të sakrifikojmë nevojat e përditshme”, tha Mjeku.

Kryeshefi i Fondacionit të Mileniumit të Kosovë, Petrit Selimi u shpreh se projekti SEEK është investimi më i madh i MCC në Kosovë, përmes të cilit janë 11 milionë euro për pilotimin e mënyrave sesi familjet kosovare mund të kursejnë energjinë elektrike. Ai tha se nga ky projekt kanë përfituar mbi 1 mijë familje dhe mbi 20 hapësira banesore.

“Ky është investimi më i madh i MCC-së në Kosovë deri më sot. Diku mbi 11 milionë euro janë ndarë për një pilotim të mënyrave se si familjet kosovare mund të kursejnë rrymë se si familjet kosovare mund të keni shtëpi më efiçiente dhe të testohen mënyra se si pastaj Qeveria e Kosovës dhe institucionet kosovare të arrijnë që atë hendekun e madh që ekziston midis prodhimit dhe shfrytëzimit të mbulohet jo vetëm me investime në gjenerim, por edhe me investime në kursim… Sot jemi para juve me një rezultat prej mbi 1 mijë shtëpive në mbarë Kosovën të rinovuara plotësisht me teknologji të ndryshme e masa të ndryshme prej izolimit të mureve e deri te pompa termike, subvencione solare e të tjera. Si dhe mbi 20 objekte banesore shumëkatëshe në gjashtë qytete të Kosovës”, tha ai.

Projekti SEEK, sipas Sarah Olmstead e cila është drejtoreshë e MCC-së në Kosovë ka ndihmuar qytetarët të rrisin vetëdijen për kursimin e energjisë. Sipas saj, edhe tek kompanitë ndërtuese është ngritur vetëdija për të përdorur materiale efiçiente për energjinë.

“Kjo e ka ngritur vetëdijen lidhur me opsionet e ndryshme lidhur me gjërat që kanë efekt në efiçiencë të energjisë. Dritaret, izolimi, ngrohja e ujit janë gjëra thelbësore stabilimentet elektronike që kanë efiçiencë më të lartë. Shpresoj se kjo ka ndihmuar që njerëzit të mbulojnë gjërat kryesore. Gjithashtu projekti ka ofruar mjete jo vetëm për pronarët e shtëpive jo vetëm në aspektin e materialeve të nivelit të lartë të efiçiencës por edhe në aspekt të trajnimit të sektorit privat në mënyrë që kompanitë të mund të shesin materiale, të informojnë njerëzit për ato materiale që të rrisin vetëdijen tek qytetarët dhe konsumatorët”, u shpreh ajo.

Drejtori menaxhues i operacioneve sektoriale në MCC, Kevin Mitchell tha se falë këtij projekti Kosova është e pozicionuar mirë për të zgjeruar programet e efiçiencës të energjisë.

Sipas tij, kriza globale me energjinë është treguesi më bindës për investimet në efiçiencë të energjisë elektrike.

“MCC dëshironte të ndihmonte qeverinë për të identifikuar programin më efektiv për Kosovën. Përmes projektit ‘SEEK’ ne kemi rinovuar rreth 1000 shtëpi përmes tre granteve të ndryshme. Me çdo grant, ne kemi bërë përmirësime dhe me çdo përsëritje kemi përfshirë atë që kemi mësuar për atë që ishte më efektive. Ne jemi të lumtur që tani po ia përcjellim këto njohuri qeverisë dhe partnerëve të tjerë që punojnë për efiçiencën e energjisë, dhe mezi po presim të dëgjojmë për planet tuaja dhe hapat e ardhshëm në këtë sektor emocionues. Ne jo vetëm që po japim një sërë mësimesh, megjithëse, gjatë zbatimit të programit të kërkimit, MFK dhe kontraktori i saj, GFA, rritën një rrjet mbresëlënës kompanish që kanë certifikuar dhe trajnuar kompanitë për të bërë efiçiencën e energjisë. Ata zhvilluan një platformë online për të menaxhuar këtë program dhe ata realizuan një fushatë mbresëlënëse ndërgjegjësuese për efiçiencën e energjisë. Këto asete dhe mjete konkrete nënkuptojnë se Kosova është e pozicionuar mirë për të zgjeruar programet e Efiçiencës së Energjisë në të ardhmen”, u shpreh ai.

Ndërsa, drejtori i departamentit për Energji pranë GFA Consulting Group GmbH, Ulrich Theuerkauf u shpreh se përmes projektit SEEK Kosova ka krijuar bazë të mirë që qytetarët të jetojnë në mënyrë me efiçiente.

“Rryma që ka shkaktuar turbulenca në tregun ndërkombëtar të energjisë si pasojë e agresionit rus në Ukrainë, vërtetoi se sa e rëndësishme është futja, zbatimi i masave të efiçiencës së energjisë, dhe të gjithë e dini se ndërtimi në Kosovë është një nga shpenzuesit kryesorë të energjisë në vend. Pavarësisht gjithë këtyre sfidave, ne si konsorcium së bashku me partnerët tanë arritëm dhe ia dolëm, mund të them tani me krenari në emër të konsorciumit tonë se ky projekt ka krijuar një bazë për të ecur përpara, që Qeveria e Kosovës të ndiejë mbështetjen e përpjekjeve për financimin e efiçiencës energjetike për qytetarët e vendit, që të jetojnë në mënyrë më efiçiente. Për më tepër, së bashku me MFK-në, ne krijuam një shtysë të fortë për gratë ndërmarrëse në Kosovë”, theksoi ai.

Tri pakot kryesore të këtij projekti që ka nisur para tri viteve kanë qenë: Rinovimet për efiçiencë të energjisë në njësi të banimit, rinovimet për efiçiencë në objekte shumëbanesore dhe gratë ndërmarrëse në energji.

Violeta Rexha specialiste për përfshirje gjinore dhe sociale tha se ky projekt ka pasur impakt në rritjen e interesimit të bizneseve për të përfshirë gratë në fushën e energjisë. Sipas saj, ky projekt ka ndihmuar të kemi mjaft gra të kualifikuara.

“Fillimisht kur e kemi dizajnuar këtë program kemi pasur hezitime se a do të jetë të gatshmet bizneset të ofrojnë praktika për punë për gratë dhe vajzat e Kosovës. Ky program, i pari në Kosovë e që lidhej energjia dhe gratë dhe kur kemi lansuar programin atëherë kemi kërkuar nga kompanitë e interesuara të shprehin interesin përmes një platforme dhe kemi qenë të befasuar për të mirë për interesimin e madh të institucioneve dhe bizneseve për të pasur gra të kualifikuara në bizneset e tyre”, theksoi ajo.

Projekti “Subvencione për Efiçiencë të Energjisë në Kosovë (SEEK)” ka nisur së implementuari në Kosovë në vitin 2019 nga konsorciumi i kompanive gjermane GFA dhe HPC.

Continue Reading

lajme

Muriqi shënon për Kosovën dhe golin ia dedikon çlirimtarëve: “Drejtësi për çlirimtarët”

Published

on

By

Kosova ka shënuar më në fund golin e parë. Pas një gjuajtjeje të Ermal Krasniqit, topi u përplas fillimisht në traversë pas një devijimi, ndërsa Vedat Muriqi realizoi nga afërsia me kokë, duke e dërguar topin në rrjetë.

Muriqi golin ia dedikoi ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët javën e kaluar u dënuan me gjithsej 81 vjet burgim.

Pas golit, para shikuesve, sulmuesi i Kosovës ngriti fanellën me mbishkrimin “Drejtësi për çlirimtarët”, duke përcjellë mesazhin e tij në një moment emocionues për tifozët.

D.L

Continue Reading

Vendi

REL: Keqardhje që Serbia s’ka ndërmarrë hapat e nevojshëm për sulmin në Banjskë

Published

on

Në përvjetorin e tretë të sulmit të armatosur në Banjskë të Zveçanit, Bashkimi Evropian shprehu keqardhje që Serbia nuk ka ndërmarrë hapat e nevojshëm ndaj të dyshuarve që gjenden në territorin e saj.

“BE-ja vazhdimisht ka bërë thirrje që përgjegjësit duhet të dalin para drejtësisë dhe shpreh keqardhje që, deri më tani, Serbia nuk ka ndërmarrë hapat e nevojshëm për të arrestuar dhe ndjekur penalisht ata, me akuza përkatëse, të personave që gjenden në Serbi”, tha një zëdhënës i BE-së.

Tre vjet më parë, në Banjskë të Zveçanit një grup i serbëve të armatosur sulmuan Policinë e Kosovës, duke vrarë rreshterin Afrim Bunjaku. Gjatë këmbimit të zjarrit, tre sulmues serbë u vranë.

Përgjegjësinë për sulmin e ka marrë Millan Radoiçiq, ish-nënkryetar i Listës Serbe, partisë kryesore të serbëve në Kosovë që ka mbështetjen e Beogradit.

Radoiçiq ka adresë të regjistruar në Serbi, teksa Kosova vazhdimisht kërkon që ai të ekstradohet në mënyrë që të përballet me drejtësinë.

“Ne presim që Serbia të bashkëpunojë plotësisht përmes kanalit të krijuar për ndihmë të ndërsjellë juridike. Kjo çështje ka mbetur pezull për një kohë të gjatë dhe Serbia duhet ta trajtojë atë sa më shpejt”, tha zëdhënësi i BE-së.

Në deklaratën e BE-së tha se çështjen e Banjskës, përfaqësuesja e lartë për politikë të jashtme dhe siguri, Kaja Kallas, e ka ngritur gjatë takimit me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, gjatë takimit në Nju Jork.

Po në Nju Jork, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ngriti çështjen e sulmit në Banjskë gjatë takimit me Kallasin.

Kuri tha se Radoiçiq dhe persona të tjerë që morën pjesë në sulm po “mbrohen nga presidenti i Serbisë”, duke shtuar se ka kërkuar përkrahjen e BE-së që t’i bëjë trysni Serbisë për këtë çështje.

Përveç BE-së, edhe Shtetet e Bashkuara kanë kërkuar vazhdimisht që të përfshirët në sulm të përballen me drejtësinë.

Kosova ka ngritur aktakuzë ndaj 45 personave, përfshirë Radoiçiqit, për sulmin në Banjskë. Gjykimi është mbajtur vetëm ndaj tre personave, të cilët janë dënuar nga shkalla e parë e gjyqësorit: një me 30 vjet burgim dhe dy persona me burgim të përjetshëm.

Continue Reading

Vendi

Nora Gjakova diplomon në UBT, xhudistja përmbyll me sukses studimet në Shkencat e Sportit

Published

on

Xhudistja kosovare dhe kampionia olimpike, Nora Gjakova, ka diplomuar në UBT, në Fakultetin e Shkencave të Sportit dhe të Lëvizjes, në programin “Shëndeti dhe Aktiviteti Fizik”.
Gjakova, e cila ndër vite ka përfaqësuar Kosovën në garat më të rëndësishme ndërkombëtare të xhudos, ka përfunduar studimet me një temë diplome që lidhet drejtpërdrejt me sportin që e ka shoqëruar gjatë gjithë karrierës së saj.
Tema e punimit të saj ishte “Monitorimi i shkallës së lodhjes akute dhe rikuperimit pas një ndeshjeje të simuluar të xhudos përmes metodës indirekte (two-point velocity), të bazuar në shpejtësi në teknikën Bench Press”.
Punimi është realizuar nën mentorimin e Asoc. Prof. Dr. Milaim Berishës.
Me këtë arritje akademike, Nora Gjakova i shton një tjetër sukses rrugëtimit të saj, kësaj radhe në fushën e arsimit dhe shkencës sportive.

Continue Reading

Lajmet

Arrestohet një zyrtar që dyshohet se mori ryshfet nga pronarë biznesesh

Published

on

Policia e Kosovës ka arrestuar një person në Rahovec, i dyshuar për veprën penale “Marrja e ryshfetit”.

Sipas Policisë, i dyshuari, mashkull kosovar, në periudha dhe lokacione të ndryshme në zonën e Rahovecit, dyshohet se kishte kërkuar dhe pranuar ryshfet nga pronarë të bizneseve, në këmbim të moskryerjes së kontrolleve apo mosndëshkimit për shkeljet e ligjit.

Gjatë hetimeve, të zhvilluara në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore në Gjakovë, janë siguruar dëshmi se i dyshuari dyshohet se kishte pranuar në disa raste shuma prej 300 deri në 500 euro nga pronarë të ndryshëm biznesesh.

Me urdhër të Gjykatës Themelore në Gjakovë, më 24 shtator janë kontrolluar ambienti i punës dhe veturat që i dyshuari kishte në shfrytëzim. Gjatë kontrollit është sekuestruar edhe një telefon celular.

Pas intervistimit, me vendim të prokurorit, i dyshuari është ndaluar për 48 orë./A.K/

Continue Reading

Të kërkuara