Lajmet

​Prishtina mbështet Ukrainën, bën thirrje për paqe

Të pranishëm ishin ambasadorë të vendeve aleate të Kosovës dhe gazetarët ukrainas që janë të strehuar në Kosovë.

Published

on

Me një minutë heshtje për të gjitha viktimat e invazionit rus në Ukrainë ka nisur seanca solemne e Kuvendit Komunal të Prishtinës, e cila u mbajt në mbështetje të popullit ukrainas në shenjë solidarizimi dhe thirrje për paqe me rastin e njëvjetorit të luftës në këtë shtet.

Të pranishëm në këtë seancë solemne ishin ambasadorë të vendeve aleate të Kosovës dhe gazetarët ukrainas që janë të strehuar në Kosovë.

Në këtë 1 vjetor të luftës në Ukrainës, kryetari i komunës së Prishtinës, Përparim Rama tha se po ndëshkohet një popull paqësor veç se dëshiron të ndjek rrugën pro-perëndimore. Ai i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar që të mbështes deri në fund luftën e drejtë të Ukrainës.

Rama tha se lufta në Ukrainë nuk është vetëm tragjedi për popullin ukrainas, por njollë e errët në ndërgjegjen e gjithë njerëzimit.

“Populli i Kosovës evokon kujtime të ngjashme kur sheh skena të tilla, populli i Kosovës e ka kujtesën e freskët të ushtrimit të dhunës nga agresioni serb nga lufta e fundit, prandaj ne bashkëndjejmë me popullin ukrainas…Ne besojmë që ky brutalitet i Rusisë do të ndëshkohet dhe të shtypet në Ukrainë se Rusisë do t’i duhet me u largua e koritur prej tokës ukrainase, prej tokës që padrejtësisht po e pushton besojmë që Ukraina do të fitoj e mbrojtësit e Ukrainës do të ngadhënjejnë besojmë që ky gjak i derdhur dhe ky flijim i tmerrshëm që po paguhet prej kombi ukrainas ka me i dhënë frytet e një fitoreje të madhërishme. Le të bashkohemi në besimin tonë që fitorja mbi agresionin të vijë pa pas nevojë me përjetuar edhe një tjetër përvjetor. Le të qëndrojmë me popullin ukrainas dhe të tregojmë mbështetjen tonë për luftën e tyre të drejtë.. Le të bashkohemi sot në këtë sallë në thirrjen drejtuar komunitetit ndërkombëtar që të mbështes deri në fund Ukrainën në luftën e saj të drejtë”, u shpreh Rama.

Ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Jeff Hovenier thekoi se SHBA-të do të vazhdojnë ta mbështesin Ukrainën për aq kohë sa duhet. Ai u shpreh se shteti i Kosovës është rreshtuar karshi BE-së dhe SHBA-vë kundër invazionit rus.

Hovenier u shpreh se nga janari i vitit të kaluar SHBA-të kanë investuar më se 30 miliardë dollarë në asistentë për çështje të sigurisë për popullin ukrainas.

“Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe partnerët tanë do të vazhdojnë ta mbështesin Ukrainën për siç ka thënë vazhdimisht presidenti Biden për aq kohë sa duhet….Si përfaqësues i SHBA-ve në Kosovë jam krenar për lidershipin që presidenti Biden ka treguar për të siguruar që SHBA i prinë përpjekjeve globale për të mbështetur Ukrainën përderisa ajo mbron popullin dhe territorin e saj. …Putini ka menduar se NATO do të thyhet dhe të qaj, në vend të kësaj NATO është më e bashkuar dhe më unike dhe më bashkë se kurrë më përpara. Populli I Kosovës është pjesë integrale e këtij reagimi të unifikuar nga kombet demokratike, ju keni ofruar strehim ukrainasve që ikin nga lufta, i keni strehuar gazetarët ukrainas që të mund të vazhdojnë punën e tyre në liri dhe siguri keni qëndruar përkrah nesh dhe BE në vendosje të sanksioneve si dhe ju keni dhënë krejt çka mundeni për të demonstruar saktësisht se ku qëndron Kosova si dhe për të demonstruar saktësisht me kë qëndroni ju”, tha ai.

Ndërsa, shefi i Zyrës së BE-së në Kosovës, Tomas Szunyog u shpreh se invazioni rus në Ukrainës nuk është vetëm kundër këtij shteti, por edhe agresion kundër demokracisë botërore. Ai tha se Kosova me pozicioni e saj kundër Rusisë ka treguar se është në pjesën e duhur të historisë.

“Pasojat janë parë dhe janë ndjerë në gjithë botën kështu përfshihet këtu edhe Ballkani Perëndimor e sidomos Kosova në veçanti. Ne i shohim efektet e luftës në faturat e rrymës dhe në tregtitë tona…. Në muajt e ardhshëm e di që do të duhet të kemi një bashkëpunim të lartë dhe duhet të bashku të qëndrojmë dhe të mbrojmë vlerat tona të përbashkëta dhe rregullat ndërkombëtare bazuar në të drejtat e njeriut, dua të falënderoj Kosovën që politikisht është bashkuar BE, mirëpo edhe duke i aplikuar sanksionet Rusisë dhe duke i pranuar refugjatët ukrainas sidomos gazetarët dhe duke iu bashkuar BE-së dhe përfundimit për të përkrahur Ukrainën dhe mendoj se Kosova është në pjesën e duhur të historisë”, u shpreh ambasadori i BE-së në Kosovë.

Edhe ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde shprehu mbështetjen e shtetit të tij për t’i dal në mbrojtje qytetarëve ukrainas.

“Jemi përkrah Ukrainës qëndrojmë me Ukrainë dhe dje kur e pash rezolutën në Kombet e Bashkuara 141 përballë 7 shteteve…ishte porosi e qartë nuk jeni vetëm qofshin milionë refugjatë që kanë gjetur strehim në Gjermani, Kanada, SHBA, Mbretërisë të Bashkuara, ndihma ushtarake e emergjente dhe kjo më tregon që ne do të vazhdojmë tu mbështesim dhe do të sigurohemi që Putini të dështoj në kërkesën e tij në përpjekjet e tij kriminale për të nënshtruar një shtet tjetër”, u shpreh ai.

Në sallën e Kuvendit Komunal të Prishtinës ku po mbahej seanca solemne në shenj solidarizimi me popullin ukrainas të cilët tash e 1 vit po përballen me luftën ishin edhe gazetarët ukrainas që janë të strehuar në Kosovë.

Gazetarja ukrainase e cila po qëndron në Kosovë, Lyudmila Makey falenderoi shtetin e Kosovë që i strehoi në një epokë të vështirë.

“Fatkeqësisht jeta paqësore ukrainase është shkatërruar më 24 shkurt ë vitit të kaluar kur Rusia filloi pushtimin….Gjatë kësaj kohe liderët e shteteve evropian filluan të kuptojnë rrezikun që paraqet rreth botës regjimi kriminal i Putinit. Ata e kuptuan se ukrainasit mbrojnë jo vetëm tokën e tyre por edhe vlerat demokratike të vendeve të tjera. Prandaj, bota filloi të bashkohet dhe të mbështes Ukrainën në luftën e saj të drejtë për të jetuar…Kosova na strehoi në një epokë të vështirë. Prishtina u bë shtëpia jonë e dytë dhe na dha mundësi të qëndrojmë dhe t’i tregojmë botës të vërtetën për luftën në Ukrainë. Unë ndihem mirë dhe qetë”, theksoi ajo.

Pas seancës solemne të Kuvendit Komunal të Prishtinës në shenjë solidarizimi me popullin ukrainas, kryetari i kryeqytetit, Përparim Rama së bashku me një grup fëmijësh kanë lëshuar në qiell pëllumba të bardhë për të dhënë mesazhin për paqe.

Komuna e Prishtinës në shenjë solidarizimi me popullin ukrainas ka vendosur flamujt e Ukrainës në sheshet e kryeqytetit, si dhe u ka dhënë ngjyrat verdhë dhe kaltër vendkalimeve dhe rrethojave në Prishtinë.

Lajmet

LVV dorëzon në Prokurorinë Speciale kontratën për ndriçimin “Smart”, ngre dyshime për dëmtim të buxhetit të Prishtinës

Published

on

Shefi i asamblistëve të Lëvizjes Vetëvendosje në Prishtinë, Gëzim Sveçla, ka bërë të ditur se së bashku me deputetin Ilir Kërçeli kanë dorëzuar në Prokurorinë Speciale dokumentacionin lidhur me kontratën për ndriçimin publik “Smart”, për të cilën pretendojnë se ka pasur parregullsi dhe se është dëmtuar buxheti i Komunës së Prishtinës.

Sveçla tha se bëhet fjalë për dy kontrata të nënshkruara në korrik të vitit 2024 dhe në prill të vitit 2025, të cilat, sipas tij, kanë dallime të mëdha në çmime për pozicione dhe punë të njëjta.

Ai deklaroi se kanë dorëzuar në Prokurori të gjeturat e tyre, duke kërkuar nisjen e hetimeve dhe përgjegjësi për personat që mund të kenë kryer shkelje.

Ndërkaq, deputeti Ilir Kërçeli tha se në kontratën e dytë disa pozicione janë paraparë me çmime dukshëm më të larta sesa në kontratën e parë.

Sipas tij, disa pozicione që në kontratën e parë kushtonin 90 euro, në të dytën janë paraparë me çmim prej 300 eurosh, ndërsa të tjera kanë kaluar nga 50 në 250 euro.

Kërçeli kërkoi që Prokuroria t’i hetojë këto dallime, duke ngritur edhe dyshime nëse punimet e parapara në kontratën e parë janë realizuar nga kompania përfituese.

Ai pretendoi se disa nga punimet mund të jenë përfunduar nga kompania që fitoi kontratën e dytë, në vlerë prej 10 milionë eurosh.

Në fund, Kërçeli iu referua edhe deklarimeve të kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama, duke thënë se përgjegjësia ndaj kryeqytetit nënkupton edhe evidentimin e parregullsive dhe kërkimin e llogarisë nga personat përgjegjës.

Deri në këtë fazë, bëhet fjalë për pretendime të paraqitura nga përfaqësuesit e Vetëvendosjes, ndërsa hetimet e Prokurorisë pritet të përcaktojnë nëse ka pasur shkelje në lidhje me kontratat.

/A.K/

Continue Reading

Lajmet

Apple tejkalon pritjet me të ardhurat, por aksionet bien pas publikimit të rezultateve

Published

on

Kompania amerikane Apple ka raportuar të ardhura më të larta se pritjet e analistëve për tremujorin që përfundoi më 26 shtator 2026, të nxitura kryesisht nga shitjet rekord të iPhone-ve.

Megjithatë, aksionet e kompanisë ranë me rreth 3 për qind gjatë tregtimit pas mbylljes së bursës, pasi investitorët vlerësuan rezultatet pozitive në raport me presionin mbi marzhet e fitimit.

Të ardhurat e Apple arritën në 114.5 miliardë dollarë, duke shënuar rritje prej 12 për qind krahasuar me 102.5 miliardë dollarët e regjistruar në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Kompania me seli në Cupertino të Kalifornisë raportoi fitime prej 30.71 miliardë dollarësh, ose 2.10 dollarë për aksion. Një vit më parë, fitimi kishte qenë 27.47 miliardë dollarë, apo 1.85 dollarë për aksion, që përfaqëson një rritje prej 12 për qind.

Sipas të dhënave të FactSet, analistët kishin parashikuar fitime mesatare prej 1.99 dollarësh për aksion dhe të ardhura prej 113.4 miliardë dollarësh. Apple arriti t’i tejkalojë të dyja parashikimet.

Megjithatë, një pjesë e rritjes së fitimit erdhi nga rimbursimet e tarifave doganore, të cilat kontribuuan me 0.05 dollarë për aksion dhe rritën marzhin bruto të kompanisë me rreth një pikë përqindjeje, duke e çuar atë në 47.9 për qind.

Tremujori përfshiu vetëm ditët e para të shitjeve të modeleve premium iPhone 18 Pro. Ndërkaq, telefoni i palosshëm i kompanisë, iPhone Duo, nisi të shitej gjatë tremujorit aktual dhe, për rrjedhojë, shitjet e tij nuk janë përfshirë në rezultatet e fundit.

Të ardhurat nga shitjet e iPhone-ve u rritën me 17.5 për qind, duke arritur në 57.6 miliardë dollarë. Edhe shitjet e kompjuterëve Mac shënuan rritje prej gati 24 për qind.

Në anën tjetër, të ardhurat nga iPad-ët ranë me 10.4 për qind, ndërsa kategoria e pajisjeve të veshshme, pajisjeve për shtëpi dhe aksesorëve shënoi rënie prej 7.9 për qind.

Ky është raporti i parë financiar i Apple që nga marrja e drejtimit të kompanisë nga John Ternus, më 1 shtator, duke zëvendësuar Tim Cook-un.

Ternus veçoi rimëkëmbjen e shitjeve në rajonin e Kinës së Madhe, ku të ardhurat u rritën me 21 për qind gjatë tremujorit dhe me 28 për qind gjatë gjithë vitit fiskal. Sipas tij, rritja u nxit kryesisht nga shitjet e iPhone-ve dhe kompjuterëve Mac.

Megjithatë, analisti i lartë i Investing.com, Jesse Cohen, në një vlerësim të cituar nga MarketWatch, theksoi se të ardhurat nga Kina, si dhe ato nga pajisjet e veshshme dhe pajisjet për shtëpi, rezultuan më të ulëta se pritjet e analistëve.

/A.K/

Continue Reading

Lajmet

Kosova dhe Gjermania zhvillojnë konsultime për bashkëpunimin zhvillimor, fokus te ekonomia, energjia dhe qeverisja

Published

on

Kosova dhe Gjermania kanë zhvilluar konsultimet zyrtare për Bashkëpunimin Zhvillimor, gjatë periudhës 26–30 tetor, me fokus në tri fusha kryesore: zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik, energjinë dhe klimën, si dhe qeverisjen e mirë.

Sipas njoftimit të Ambasadës Gjermane në Kosovë, delegacioni gjerman u kryesua nga Dr. Micong Klimes, përfaqësuese e Ministrisë Federale Gjermane për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (BMZ).

Në delegacion morën pjesë edhe Daniel Alker, shef i Bashkëpunimit për Zhvillim në Ambasadën Gjermane, Markus Delfs, drejtor i GIZ-it në Kosovë, Moritz Remé, shef i zyrës së KfW-së, si dhe përfaqësues të tjerë të këtyre institucioneve.

Gjatë vizitës, delegacioni zhvilloi takime me ministritë partnere, ku u diskutua për bashkëpunimin aktual, prioritetet e ardhshme dhe angazhimet e planifikuara ndërmjet dy vendeve.

Dr. Klimes mori pjesë gjithashtu në Forumin e 3-të Ekonomik Kosovaro-Gjerman, ku ishte pjesë e një paneli diskutimi për diasporën e bizneseve kosovare në Gjermani, potencialin e saj për të nxitur investimet dhe forcimin e lidhjeve ekonomike mes dy vendeve.

Ambasada Gjermane bëri të ditur se vizita shërbeu edhe për prezantimin e rezultateve konkrete të bashkëpunimit në disa sektorë.

Në fushën e zhvillimit të aftësive profesionale, përmes Fondit Rajonal të Sfidave janë ndarë 2.1 milionë euro për pesë projekte të aftësimit profesional në sektorë si teknologjia e informacionit dhe komunikimit, siguria kibernetike dhe përpunimi i ushqimit.

Ndërkaq, në fushën e punësimit dhe ndërmarrësisë, 99 pjesëmarrës janë trajnuar në agrobiznes dhe energji solare, ndërsa pesë prej tyre kanë përfituar grante për zhvillimin e ideve të tyre të biznesit.

Bashkëpunimi përfshin edhe efiçiencën e energjisë, përmes mbështetjes për forcimin e Fondit të Kosovës për Efiçiencë të Energjisë dhe zgjerimin e investimeve në efiçiencën energjetike dhe energjinë e pastër.

Një tjetër fushë është menaxhimi i qëndrueshëm i mbeturinave, ku po mbështeten pesë komuna të rajonit të Dukagjinit për zhvillimin e një sistemi të integruar të menaxhimit të mbeturinave.

Ambasada Gjermane e cilësoi këtë si një partneritet të fuqishëm, që synon përmirësimin e kushteve të jetesës së qytetarëve dhe avancimin e Kosovës drejt Bashkimit Evropian, duke rikonfirmuar përkushtimin e Gjermanisë për vazhdimin e bashkëpunimit me vendin.

/A.K/

Continue Reading

Lajmet

Aksion i madh policor në Prishtinë, përfshihen edhe autoritetet ndërkombëtare

Published

on

Forca të shumta policore janë angazhuar në një aksion në Prishtinë, në një objekt afarist ku operojnë qendra të thirrjeve (Call Center).

Sipas raportimeve, aksioni po zhvillohet në objektin afarist, ndërsa në vendin e ngjarjes janë parë pjesëtarë të shumtë të Policisë.

Për Telegrafin, zëdhënësja e Prokurorisë Speciale ka konfirmuar se është duke u zhvilluar një aksion në bashkëpunim me autoritetet ndërkombëtare.

“Mund të konfirmojmë që ka aksion, në bashkëpunim me autoritetet ndërkombëtare”, ka deklaruar Arbnora Luta.

Deri më tani, nuk janë bërë të ditura detaje të tjera lidhur me operacionin, personat e përfshirë apo veprimet konkrete të institucioneve të rendit.

Telegrafi do t’ju mbajë të informuar për zhvillimet e mëtejshme./A.K/

Continue Reading

Të kërkuara