Lajmet
Prindërit protestojnë për klasët e vogla, drejtoresha e shkollës “Ismail Qemali” tregon se ka bërë ndërrimin e klasave
Nga nesër kjo paralele do të mbajë mësimin në një klasë tjetër.
Published
3 years agoon
By
Betim GashiMbi 30 nxënës numëron çdo klasë e shkollës Fillore të Mesme të Ulët “Ismail Qemali” në Prishtinë. Përveç numrit të madh të nxënësve, problem për disa paralele vazhdon të mbeten edhe klasët e vogla. Gjatë së mërkurës, prindërit e një paraleleje të klasës së tretë kanë protestuar që të bëhet një zgjidhje për fëmijët e tyre. Ndërkaq drejtoresha ka njoftuar se ka bërë ndërrim të klasave dhe që nga nesër kjo paralele do të mbajë mësimin në një klasë tjetër.
Kryetarja e prindërve të paraleles së tetë të klasës së tretë, Diellza Gjinovci ka deklaruar se tash e sa kohë po kërkojnë nga drejtoresha që të gjendet një mundësi dhe fëmijët të mos vijojnë mësimin në atë klasë, ku sipas saj është shumë e vogël.
“Ne konkretisht kemi kërkuar një klasë më të madhe, sepse fëmijët kanë qenë në klasë shumë të vogël. Kanë qenë të detyruar që të ulen nga tre nxënës. Kështu që procesi mësimor nuk ka vijuar si duhet, si në çdo klasë tjetër. Dhe kemi kërkuar që të na mundësohet një klasë më e madhe. Fëmijët të kenë shëndet e të mos u përkeqësohet dhe që të zhvillohet procesi mësimor në formë të rregullt”, ka thënë ajo.
E sipas drejtoreshës së shkollës, Mimoza Krasniqi ka një ngarkesë të madhe të fëmijëve të regjistruar.
“Jemi në këto kushte që jemi shumë të ngarkuar. Ka shumë fëmijë të cilët me siguri nuk i kanë as adresat e sakta, bëjnë falsifikime, i bijnë dokumentet dhe ne nuk jemi inspektorët që të inspektojmë. Kjo është mundësia që shkolla Ismail Qemali, i ka në të gjitha klasat mbi 35 nxënës në një klasë”, ka theksuar ajo.
Megjithatë Krasniqi ka njoftuar se kanë bërë një zgjidhje të përkohshme dhe prej nga nesër bëhet ndërrimi i klasave.
“Prej nesër ajo klasë shkon te klasa e autizmit, ku i kam dërguar parashkollorët. Parashkollorët i sjellim në dy zyre këtu deri në momentin e rregullimit të aneksit për parashkollorët. Kjo është një zgjidhje e përkohshme që besoj se rregullohet ditëve në vazhdim”, ka njoftuar drejtoresha e kësaj shkolle.
Më tej drejtoresha e shkollës “Ismail Qemali” ka njoftuar se janë në proces të punimeve dhe të njëjtat janë zvarritur për shkak të grevave.
“Ne kemi qenë në proces të punimeve që kanë filluar qysh në fund të korrikut. Për shkak të grevave, nënshkrimi i kontratave është vonuar. Puna e nënshkrimit të kontratave neve na i ka zvarritur punimet. Punimet veç kanë filluar. Ne një zgjidhje e kemi bërë të përkohshme. Për momentin e kemi hequr klasën e autizmit e kemi dërguar në një zyre. Që nuk është mirë t’i dërgojmë, por e kemi bërë një zgjidhje të përkohshme. Në momentin që rregullohen, klasa e parashkollorëve vijnë në vendin e vet. Edhe mësuesja që ju ka ndërruar klasa për arsyeje të një fëmije me nevoja të veçanta, i cili ka probleme në lëvizje, në boshtin kurrizor dhe ka një sëmundje shumë të rëndë, ajo më ka detyruar mua që të ndërrojë klasën”, ka përfunduar Krasniqi.
Lajmet
Policia kërkon ndihmën e qytetarëve për identifikimin e një të moshuari që u gjet pa shenja jete në Prizren
Published
15 minutes agoon
March 26, 2026By
UBTNews
Policia e Kosovës ka kërkuar bashkëpunimin e qytetarëve për identifikimin e një burri rreth 70-vjeçar, i cili u gjet i vdekur në rrugën “Edit Durham” në Prizren, saktësisht pranë banesave të ish-TMK-së.
Sipas njoftimit zyrtar, mjekët ligjorë kanë konstatuar se vdekja ka ndodhur rreth 2-3 orë para mbërritjes së ekipeve në vendngjarje.
“Patrulla policore, së bashku me ekipin kujdestar të hetuesisë dhe ekipin e krim-teknikës, kanë dalë në vendin e ngjarjes, i cili gjendet tek banesat e ish TMK-së. Sipas informatave fillestare viktima është mashkull i moshuar, rreth 70 vjeçar, ende i paidentifikuar. Ekipi i Urgjencës ka konstatuar se viktima ka ndërruar jetë të paktën 2–3 orë para mbërritjes së mjekëve. Nuk janë vërejtur shenja të një vdekjeje të dhunshme”, thuhet në njoftimin policor.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë e krim-teknikës dhe prokurori i shtetit, i cili e ka cilësuar rastin si “hetim i vdekjes”. Me urdhër të prokurorit, trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.
Policia u bën thirrje të gjithë atyre që mund të kenë informacione mbi identitetin e viktimës të lajmërohen në stacionin më të afërt ose të telefonojnë në numrin emergjent 192.
Lajmet
Izraeli raporton vrasjen e komandantit të marinës iraniane
Published
4 hours agoon
March 26, 2026By
UBTNews
Izraeli thotë se ka vrarë shefin e marinës së Iranit, i cili mbikëqyrte bllokadën e Ngushticës së Hormuzit.
Alireza Tangsiri u emërua komandant i Marinës së Korpusit të Gardës Revolucionare Islamike (IRGC) në vitin 2018, ndërsa më parë kishte shërbyer si zëvendëskomandant i kësaj marine që nga viti 2010.
Një llogari në rrjetin social X, që i atribuohet atij, ka qenë aktive që nga 10 marsi i këtij viti, me mediat iraniane që citonin postimet e tij. Në këto postime, ai kishte shkruar disa herë për Ngushticën e Hormuzit, duke deklaruar se “asnjë anije e lidhur me agresorët kundër Iranit nuk ka të drejtë të kalojë”.
Tangsiri njihej si një komandant i ashpër, i cili në të kaluarën kishte bërë deklarata të shumta kundër SHBA-së dhe Izraelit. Në vitin 2019, ai kishte kërcënuar se do të mbyllte Ngushticën e Hormuzit nëse pengoheshin eksportet e naftës së Iranit. Tangsiri u sanksionua nga Thesari i SHBA-së bashkë me komandantë të tjerë të IRGC-së në vitin 2019, pasi Irani rrëzoi një dron vëzhgues amerikan pranë ngushticës./BBC/
Lajmet
Një moment kthese për rrjetet sociale: Çfarë e pret teknologjinë pas vendimit historik për varësinë?
Published
5 hours agoon
March 26, 2026By
UBTNews
Një juri në Los Anxhelos ka dhënë një vendim dënues për dy nga platformat digjitale më të njohura në botë, Instagram dhe YouTube, duke konfirmuar se këto aplikacione janë krijues varësie dhe janë projektuar qëllimisht në atë mënyrë.
Gjykata doli në përfundimin se pronarët e tyre kanë qenë neglizhentë në mbrojtjen e fëmijëve që i përdorin ato, duke shënuar një moment të rëndë për Silicon Valley me implikime globale. Gjigantët teknologjikë në këtë rast, Meta dhe Google, tani duhet të paguajnë 6 milionë dollarë dëmshpërblim për një grua të re të njohur si Kaley, viktima në qendër të këtij rasti, e cila pohoi se platformat i shkaktuan dismorfi trupore, depresion dhe mendime vetëvrasëse.
Megjithëse të dyja kompanitë synojnë të apelojnë — me Metën që pretendon se një aplikacion i vetëm nuk mund të jetë përgjegjës për krizën e shëndetit mendor te adoleshentët dhe Google që thotë se YouTube nuk është rrjet social — vendimi do të thotë se “epoka e pandëshkueshmërisë ka mbaruar”, sipas Dr. Mary Franks, profesore e ligjit në Universitetin George Washington.
Ky vendim konsiderohet si një moment kthese që do të ripërcaktojë peizazhin e mediave sociale dhe mund të jetë fillimi i fundit të kësaj epoke ashtu siç e njohim ne. Ndërsa përdoruesit e rregullt mund të mos jenë tronditur, kompanitë teknologjike duket se u kapën në befasi, duke shpenzuar shuma marramendëse për tarifa ligjore.
Dy kompanitë e tjera në gjyq, TikTok dhe Snap, pronar i Snapchat, zgjodhën të bënin marrëveshje jashtë gjykatës para se të niste procesi, mes zërave se nuk mund ta përballonin dot këtë betejë. Pavarësisht prezantimeve të shumta nga rrjetet sociale mbi mjetet që ofrojnë për prindërit për të mbrojtur fëmijët, gjykata vendosi se këto masa nuk ishin të mjaftueshme.
Arturo Bejar, i cili dikur punonte në Instagram, deklaroi se e kishte paralajmëruar Mark Zuckerbergun për rreziqet që u kanoseshin fëmijëve vite më parë, duke thënë se aplikacioni ndryshoi nga “një produkt që e përdorni ju, në një produkt që ju përdor juve”.
Ekspertët e kanë përshkruar këtë vendim si momentin “Big Tobacco” të teknologjisë, duke bërë analogji me industrinë e duhanit, gjë që mund të çojë në paralajmërime shëndetësore në ekrane apo kufizime të reklamave.
Aktualisht, këto kompani mbrohen ligjërisht në SHBA nga “Neni 230”, i cili i liron nga përgjegjësia për përmbajtjen që publikohet në to — një mburojë pa të cilën shpesh thuhet se industria nuk do të mbijetonte. Megjithatë, skeptikët ndaj kësaj mbrojtjeje po shtohen, sidomos pas dëgjimit të fundit në Komitetin e Tregtisë të Senatit të mërkurën. /BBC/
Lajmet
Nga Veterniku në Vushtrri: Detajet e operacionit “Delivery” ku u zbulua edhe një “Call Center” i dyshimtë
Published
7 hours agoon
March 26, 2026By
UBTNews
Policia e Kosovës, përkatësisht Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë në Prishtinë, ka realizuar me sukses operacionin e koduar “Delivery”, i cili rezultoi me arrestimin e pesë personave dhe sekuestrimin e një sasie të konsiderueshme të drogës dhe pajisjeve teknologjike.
Sipas njoftimit, aksioni nisi pas një pune intensive operative që identifikoi dy persona të dyshuar për shpërndarjen e marihuanës dhe kokainës në kryeqytet.
Gjatë zbatimit të planit taktik mesditën e së mërkurës në Veternik, të dyshuarit, të cilët po lëviznin me një veturë Golf 8, tentuan t’i shmangen policisë duke nisur një ndjekje me shpejtësi të lartë që përshkoi Fushë-Kosovën, Podujevën dhe përfundoi në hyrje të Vushtrrisë, ku edhe u prangosën nga njësitet policore.
Gjatë kontrollit të veturës dhe përgjatë rrugës ku të dyshuarit kishin hedhur pako me lëndë narkotike gjatë ikjes, policia sekuestroi mbi 3.3 kilogramë marihuanë dhe sasi të kokainës të ndarë në 25 qese.
Operacioni u zgjerua me bastisje në katër lokacione të ndryshme në Prishtinë, ku u gjetën edhe dy peshore digjitale, mbi 4 mijë euro para të gatshme, valuta të huaja, dy vetura dhe katër telefona celularë.
Sipas komunikatës, forenzika rajonale ka dokumentuar të gjitha provat në vendin e ngjarjes, ndërsa hetimet po vazhdojnë në bashkëpunim me Prokurorinë e Shtetit.
Një detaj i rëndësishëm i këtij operacioni ishte zbulimi i një hapësire të modifikuar si “Call Center” në njërin nga lokacionet e bastisura, ku u sekuestruan pesë laptopë. Për shkak të dyshimeve për krime kibernetike, në rast u përfshinë edhe hetuesit e specializuar të kësaj fushe, të cilët ndaluan një person të pestë të përfshirë në këtë aktivitet.
Me urdhër të prokurorit kujdestar, të gjithë të dyshuarit janë dërguar në qendrën e mbajtjes për 48 orë, ndërsa Policia e Kosovës ka rikonfirmuar përkushtimin e saj në luftën kundër narkotikëve dhe krimit të organizuar.
Policia kërkon ndihmën e qytetarëve për identifikimin e një të moshuari që u gjet pa shenja jete në Prizren
Izraeli raporton vrasjen e komandantit të marinës iraniane
HBO lanson trailerin e parë të serialit “ Harry Potter”
Një moment kthese për rrjetet sociale: Çfarë e pret teknologjinë pas vendimit historik për varësinë?
Kosova pa Demakun e Sadriun në gjysmëfinalen ndaj Sllovakisë
Nga Veterniku në Vushtrri: Detajet e operacionit “Delivery” ku u zbulua edhe një “Call Center” i dyshimtë
Rita Ora uron Kosovën dhe Shqipërinë para gjysmëfinaleve të Botërorit
Gruaja nga Florida akuzohet për tentim vrasje ndaj Rihannës
Mungesa të mëdha për Sllovakinë: David Duris dhe Milan Skriniar jashtë përballë Kosovës
Të kërkuara
-
Lajmet3 months agoProfesorët e UBT-së publikojnë studim shkencor në revistën prestigjioze ndërkombëtare të indeksuar në Scopus (Q1)
-
Lajmet1 month agoUBT nderon Familjen Jashari me Dekoratën Jetësore të Nderit
-
Lajmet3 months agoStudentët e UBT-së vizitojnë agjencinë Base Agency për të mësuar mbi marketingun dhe inovacionin
-
Lajmet2 months agoProfesori i UBT-së, Kujtim Thaçi publikon artikull shkencor në revistën prestigjioze Frontiers in Immunology
