Lajmet
Prindërit protestojnë në oborrin e shkollës “Faik Konica”, kërkojnë në mënyrë urgjente fillimin e mësimit
Prindër e fëmijë sot kanë protestuar për hapjen e shkollave dhe ndërprerjen e grevave.
Published
4 years agoon
By
UBT.News“Nxënësit nuk janë vlerë monetare” “Po duam të kthehemi në shkollë”, janë disa nga thirrjet e nxënësve të shkollës “Faik Konica” në Prishtinë.
Prindër e fëmijë sot kanë protestuar për hapjen e shkollave dhe ndërprerjen e grevave. Të dy palët kanë thënë se po janë duke u dëmtuar nga kjo gjendje, kështu edhe kanë kërkuar që urgjentisht të fillojë mësimi.
Riga Sheholli, e cila këtë vit është gjysmë-maturante tha se kjo situatë po ua vështirëson mësimin. Ajo ka treguar se kanë marrë librat, por që në shtëpi e kanë pothuajse të pamundur të mësojnë vet.
“Për ne është shumë e vështirë, për nxënësit e klasës së nëntë, sidomos që nuk ka filluar ende procesi mësimor. Kemi humbur shumë, gjithashtu vullneti i nxënësve ka ra shumë poshtë. Ne para një jave kemi marrë librat edhe nuk është e njëjtë sikur t’i hapim librat në shtëpi, si në bankat shkollore”, ka thënë ajo.
Anëtarja e Këshillit të Prindërve në shkollën “Faik Konica”, Fatbardha Sheholli e cila ka dy fëmijët në këtë shkollë ka bërë thirrje që menjëherë të fillojë mësimi.
“Kemi humbur shumë, kemi humbur 26 ditë edhe t’i humbin 26 orë është tepër e lëre më 26 ditë. Kemi humbur që tri vjet prej kohës së pandemisë, kjo është e tepërt. Dëshirojmë që menjëherë, urgjentisht të fillojë procesi mësimor. Duhet t’i gjejnë mënyrat e veta për grevë, ne duam të fillojë procesi mësimor. Po bëjmë thirrje që urgjentisht të fillojë procesi mësimor. Boll më është bërë me këto gjëra që po ndodhin me fëmijët tanë”, është shprehur Sheholli.
Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, i cili ka përcjellë mbarëvajtjen e kësaj proteste të organizuar në oborrin e shkollës “Faik Konica”, ka kërkuar që zgjidhja për të dalë nga greva të bëhet sot.
Valentina Demolli nga KMDLNj tha se palët duhet të ulen dhe të diskutojnë për zgjidhje, meqë humbjet janë të mëdha.
“Ne presim nga të dy palët që të lëshojnë nga qëndrimet e tyre aktuale dhe të gjendet një zgjidhje e ndërmjetme, mes asaj çka ka ofruar qeveria si mandatare dhe sindikatës në kërkesat e tyre. Ne jemi në anë dhe i dalim në krah të drejtës së fëmijëve të cilët kanë të drejtë dhe po u shkelet dhe po u mohohet e drejta për mësimnxënie. Respektojmë të drejtën e sindikatave për të mbajtur grevë. Realisht ne ende mendojmë që sindikatat kanë shkuar në hapa ekstrem, për shkak se do të duhej të shfrytëzoheshin edhe hapa të tjerë përpara se të shkohej tek ky hapi i madh i grevës së përgjithshme dhe shpresojmë që brenda ditës të gjendet një zgjidhje, për shkak se deri më sot humbjet janë jashtëzakonisht të mëdha sa i përket një sistemi arsimor jashtëzakonisht fragjil”, ka deklaruar ajo .
E, Dardan Gjonbalaj i cili ka fëmijën e regjistruar në shkollën “Faik Konica” tha se nuk kërkojnë fajtorin për këtë situatë, por zgjidhje që fëmijët të kthehen në bankat shkollore.
“Ne nuk kemi asgjë kundër mësimdhënësve tanë, tendenca jonë është vetëm që të fillojë mësimi dhe t’iu bëjmë me dije që edhe ne prindërit nuk mund të rrijmë duarkryq mes kësaj katrahure të tyre. Dhe po besojmë që duke filluar prej këtu me lutjen ndaj mësimdhënësve dhe pastaj me hapa tjerë ndaj qeverisë e SBAShK-ut që të bëhet një zgjidhje dhe fëmijët të kthehen në shkollë. Është java e katërt dhe është e patolerueshme”, ka thënë ai.
Edhe Remzi Kica, i cili ka qenë profesor i lëndës së Fizikës ka shprehur gatishmërinë që të mbaj mësim për fëmijët.
“Unë si profesor jam gati që të shkoj në çdo shkollë që më thërrasin të mbaj fizikën. Meqë nuk duan kolegët e mi të rrijnë, jam në gjendje dhe do të mobilizojë të gjithë kolegët e mi që janë në pension të shkojmë të mbajmë mësim, pa pagesë, vullnetar”, ka shtuar ai.
Që nga data 25 e muajit të kaluar është shpallur greva nga Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës. Sindikalistët po kërkojnë që të plotësohen kërkesat e tyre prej 50 eurove nga shtatori dhe me rritje të pagës prej 10,45 për qind deri në dhjetor.
Vendi
Sorensen prezanton planin e punës për normalizimin e raporteve Kosovë-Serbi gjatë takimeve në Bruksel
Published
51 minutes agoon
May 13, 2026By
UBTNews
Përfaqësuesi i Posaçëm i Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen, ka njoftuar përmes platformës “X” se gjatë kësaj jave ka zhvilluar takime të ndara dhe të detajuara në Bruksel me të dy kryenegociatorët, ku Kosova është përfaqësuar nga Agron Bajrami.
Gjatë këtyre diskutimeve, Sorensen ka paraqitur planin e punës mbi normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, duke specifikuar hapat dhe angazhimet që priten gjatë muajve të ardhshëm.
Ky njoftim vë në pah përpjekjet e vazhdueshme të Bashkimit Evropian për të koordinuar agjendën e dialogut dhe për të siguruar progres në procesin e stabilizimit të raporteve mes dy vendeve në kuadër të kornizës së përcaktuar nga Brukseli, duke mbajtur takime të veçanta me përfaqësuesit e palëve për të shpjeguar në detaje ecurinë e planit të punës për periudhën vijuese.
Aktualitet
Gjykata Supreme shfuqizon tarifën 3-euroshe për shoqëruesit e pacientëve në QKUK
Published
1 hour agoon
May 13, 2026By
UBTNews
Gjykata Supreme e Kosovës ka shpallur të paligjshme tarifën prej 3 eurosh për personat shoqërues mbi 15 vjeç të pacientëve në QKUK, duke shfuqizuar pjesërisht Udhëzimin Administrativ nr. 03/2024 për bashkëpagesat në shërbimet shëndetësore. Ky vendim erdhi pas padisë së Institutit të Kosovës për Drejtësi kundër Ministrisë së Shëndetësisë, me të cilën kontestohej ligjshmëria e kësaj pagese ditore.
Pas shqyrtimit të provave, Gjykata vlerësoi se Ministria ka tejkaluar autorizimet e saj ligjore dhe ka zgjeruar në mënyrë të palejuar nocionin e bashkëpagesës, pasi ky detyrim mund të vendoset vetëm ndaj personave që janë përfitues të drejtpërdrejtë të shërbimeve shëndetësore.
Sipas aktgjykimit, tarifimi i shoqëruesve cenon të drejtën për qasje të barabartë në kujdesin shëndetësor dhe krijon obligime financiare pa bazë të qartë ligjore, duke pasur parasysh se prania e familjarëve është shpesh e domosdoshme për pacientët.
Edhe pse kjo tarifë nisi të zbatohej nga shkurti i këtij viti, Gjykata Supreme theksoi se aktet nënligjore duhet të jenë gjithmonë në përputhje me ligjin dhe nuk mund të krijojnë kategori të reja tarifimi të paparashikuara më parë.
Vendi
Publikohen listat e kandidatëve, këta janë emrat që synojnë ulëset e Kuvendit
Published
3 hours agoon
May 13, 2026By
UBTNews
Pas përmbylljes së afatit zyrtar për dorëzimin e listave në KQZ, subjektet kryesore politike në vend kanë zbuluar emrat e kandidatëve me të cilët do të kërkojnë votën e qytetarëve në zgjedhjet e parakohshme të 7 qershorit. Gara pritet të jetë e fortë, me ndryshime interesante në renditje dhe prurje të reja në listat zgjedhore.
Listës së Lëvizjes Vetëvendosje i prin kryeministri aktual, Albin Kurti. Në dhjetëshen e parë radhiten emrat kryesorë të partisë si Glauk Konjufca, Donika Gërvalla, Avni Dehari, Albulena Haxhiu dhe Xhelal Sveçla. Një detaj që ka rënë në sy është mungesa e Besnik Bislimit dhe Hysen Durmishit, me këtë të fundit që deklaroi se ishte vendim i tij personal. Ndërkohë, në listë është përfshirë Arton Konushevci, vëllai i heroit Ilir Konushevci, me numrin 15.

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) këtë herë garon me një listë ku bartëse është ish-presidentja Vjosa Osmani, e ndjekur nga kryetari i partisë, Lumir Abdixhiku. Pjesë e dhjetëshes janë edhe Kujtim Shala, Lutfi Haziri e Anton Quni. Megjithatë, befasi mbetet renditja e Avdullah Hotit dhe Hykmete Bajramit jashtë top-dhjetëshes, përkatësisht me numrat 11 dhe 12. Në listë është rikthyer edhe Ukë Rugova, djali i presidentit historik Ibrahim Rugova.

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ishte subjekti i fundit që e bëri publike listën e saj, së cilës i prin kandidati për kryeministër, Bedri Hamza. Pas tij renditen Uran Ismaili e Vlora Çitaku, ndërsa bie në sy ngjitja e Arian Tahirit në dhjetëshen e parë. Një emër që ka nxitur debate është ai i Nait Hasanit, i përfolur për dyshime rreth manipulimeve me vota në zgjedhjet e kaluara, gjë që ka nxitur edhe reagimin e kryetarit të Prizrenit, Shaqir Totaj, i cili u distancua nga ky propozim.

Te Aleanca për Ardhmëri të Kosovës, përgjegjësinë e bartësit të listës e ka marrë Ardian Gjini. Ndërkohë, lideri i partisë, Ramush Haradinaj, ka zgjedhur të garojë me numrin 11. Nga ana tjetër, partitë si AKR kanë njoftuar se nuk do të marrin pjesë fare në këto zgjedhje, ndërsa PSD-ja do të jetë e pranishme me një listë të shkurtër prej vetëm gjashtë kandidatësh.

Lajmet
Kosova dhe Shqipëria prezantohen në Kanë me pavijon të përbashkët dhe premierën e filmit “Dua”
Published
3 hours agoon
May 13, 2026By
UBT News
Qendra Kinematografike e Kosovës ka njoftuar hapjen e Pavijonit të Kosovës në kuadër të Marché du Film, tregut zyrtar të Festivalit të Filmit në Kanë. Ky prezantim shënon vazhdimësinë e pjesëmarrjes së Kosovës në një nga ngjarjet më të rëndësishme të industrisë botërore të filmit.
Për të 15-in vit me radhë, Qendra Kinematografike e Kosovës dhe Qendra Kombëtare e Kinematografisë e Shqipërisë po prezantojnë së bashku kinematografinë shqiptare përmes pavijonit të përbashkët Kosovë-Shqipëri, me synim forcimin e bashkëpunimit dhe rritjen e dukshmërisë ndërkombëtare të produksioneve nga të dy vendet.
Ky edicion shënohet edhe me një moment të veçantë: premierën botërore të filmit “Dua”, i cili është përzgjedhur në programin prestigjioz Semaine de la Critique, ku garon për katër çmime kryesore. Përzgjedhja në këtë program konsiderohet një nga vlerësimet më të rëndësishme për filma të rinj në Kanë.
Pjesëmarrja e përbashkët dhe prezantimi i filmit “Dua” pritet të forcojnë më tej praninë e kinematografisë shqiptare në skenën ndërkombëtare.
Donald Trump mbërrin në Kinë për takim me Xi Jinping
Sorensen prezanton planin e punës për normalizimin e raporteve Kosovë-Serbi gjatë takimeve në Bruksel
Gjykata Supreme shfuqizon tarifën 3-euroshe për shoqëruesit e pacientëve në QKUK
Pakistani: Ndërmjetës apo oportunist?
Publikohen listat e kandidatëve, këta janë emrat që synojnë ulëset e Kuvendit
Kosova dhe Shqipëria prezantohen në Kanë me pavijon të përbashkët dhe premierën e filmit “Dua”
Kanye West humb gjyqin për shkelje të të drejtave të autorit
Arijanet Muriç konfirmon largimin nga Italia: “Nuk do të luaj më për Sassuolon”
UEFA gjobit Fenerbahçen me 10 milionë euro: Nën llupë kontratat e Mourinhos dhe Akturkoglu
Të kërkuara
-
Lajmet3 months agoUBT nderon Familjen Jashari me Dekoratën Jetësore të Nderit
-
Lajmet2 months agoKoordinatorja e projektit AKIL-EU në UBT, prof. Manjola Zaçellari, referon në University of Oxford
-
Lajmet3 months agoPërfundon seanca e sotme në Hagë për pengim të drejtësisë
-
Live3 months agoKryegjykatësi Smith III shpall mbylljen e çështjes gjyqësore
