Lajmet

​Presidenti çek dhe ai finlandez kërkojnë anëtarësimin e Kosovës në KiE

Pavel në fjalën e tij deklaroi se Kosova duhet të bëhet sa më shpejt anëtare e Këshillit të Evropës.

Published

on

Presidenti çek, Petr Pavel dhe ai finlandez, Sauli Niinisto shfrytëzuan Samitin e katërt të Kryetarëve të Shteteve dhe Qeverive të Këshillit të Evropës në Reykjavik të Islandës për të shprehur mbështetjen e tyre për anëtarësimin e Kosovës në këtë institucion.

Edhe pse ky samit iu dedikua Ukrainës, Pavel në fjalën e tij deklaroi se Kosova duhet të bëhet sa më shpejt anëtare e Këshillit të Evropës.

“Ndërsa ne fokusohemi te situata në Ukrainë, nuk duhet të harrojmë Gjeorgjinë, Moldavinë, si dhe partnerët e tjerë që po përballen me presionin dhe frikësimin rus. Ata mund të llogarisin në mbështetjen tonë, duke përfshirë rrugën e tyre drejt anëtarësimit në BE. Gjithashtu do të doja të shfrytëzoj këtë rast për të ritheksuar mbështetjen tonë të plotë për synimin e Kosovës për t’u bërë sa më shpejt anëtare e Këshillit të Evropës”, deklaroi Pavel.

Edhe presidenti finlandez, Sauli Niinisto, tha se nuk duhet harruar Ballkani Perëndimor duke ritheksuar mbështetjen për avancimin e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës.

“Ndërsa vëmendja jonë kryesore është me të drejtë nga Ukraina, ne theksojmë nevojën për mbështetje edhe për Gjeorgjinë, Moldavinë dhe Ballkanin Perëndimor. Finlanda mirëpret hapat e mëtejshëm për avancimin e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës. Ndërsa sistemi shumëpalësh i bazuar në rregulla sfidohet, Këshilli i Evropës meriton mbështetjen tonë më të fortë”, deklaroi Niinisto.

Kosova aplikoi për anëtarësim në Këshillin e Evropës më 12 maj të vitit 2022 ndërsa në fund të prillit të këtij më shumë se 2/3 e votave të shteteve anëtare vendosi në favor të përmbylljes së etapës së parë të anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, duke ia kaluar kërkesën për anëtarësim Asamblesë Parlamentare.

Si hap i radhës, Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës sipas MPJD-së, do të përgatisë një opinion lidhur me anëtarësimin e Kosovës. Pas kësaj, opinioni i dërgohet Komitetit të Ministrave, i cili pastaj merr vendimin final për anëtarësim.

Ndërsa, ky samit që u mbajt në Islandë është një mundësi për të riafirmuar angazhimin e përbashkët ndaj vlerave thelbësore të Këshillit të Evropës dhe për të rifokusuar misionin e tij në dritën e kërcënimeve të reja ndaj të drejtave të njeriut dhe demokracisë dhe për të mbështetur më tej Ukrainën për të ndihmuar në arritjen e drejtësisë për viktimat e agresionit rus.

Në këtë samit, foli edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, që kërkoi nga Asambleja e Këshillit të Evropës të heqë njollën ndaj Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) që ishte vënë me raportin e Dick Martyt, pasi pretendimet e tij për trafik organesh janë rrëzuar. 

lajme

Akademia Verore e Fakultetit të Biokimisë Mjekësore dhe Bioteknologjisë në UBT përmbylli me sukses aktivitetet e edicionit 2026

Published

on

By

Akademia Verore e Fakultetit të Biokimisë Mjekësore dhe Bioteknologjisë në UBT përmbylli me sukses aktivitetet, duke finalizuar një program katërditor të pasur me ligjërata shkencore, diskutime profesionale, punëtori praktike dhe aktivitete akademike të fokusuara në zhvillimet më të fundit në fushën e biokimisë, bioteknologjisë dhe shkencave biomjekësore.

Dita e katërt e Akademisë Verore solli në fokus rolin e biofizikës, biokimisë dhe diagnostikës bashkëkohore në mbrojtjen dhe avancimin e shëndetit, duke theksuar rëndësinë e integrimit të kërkimit shkencor, teknologjive moderne dhe praktikës klinike në përgatitjen e profesionistëve të së ardhmes.

Gjatë gjithë programit, pjesëmarrësit patën mundësinë të ndjekin ligjërata nga ekspertë vendorë dhe ndërkombëtarë, të shkëmbejnë përvoja dhe ide, si dhe të angazhohen në diskutime profesionale mbi sfidat dhe zhvillimet më të reja në fushën e diagnostikës laboratorike, bioteknologjisë dhe shkencave të jetës.

Në ceremoninë përmbyllëse, Dekani i Fakultetit të Biokimisë Mjekësore dhe Bioteknologjisë, Prof. Dr. Fisnik Laha, në emër të Rektorit të UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, ndau certifikata për anëtarët e Komitetit Organizativ, ligjëruesit dhe folësit kontribuues, si dhe për studentët pjesëmarrës, në shenjë vlerësimi për angazhimin, kontributin profesional dhe pjesëmarrjen aktive gjatë gjithë Akademisë Verore.

Përmes kësaj Akademie Verore, Fakulteti i Biokimisë Mjekësore dhe Bioteknologjisë konfirmoi edhe një herë përkushtimin e tij për promovimin e arsimit bashkëkohor, kërkimit shkencor dhe bashkëpunimit akademik, duke krijuar një platformë që lidh dijen, praktikën laboratorike dhe inovacionin në funksion të zhvillimit të shkencave shëndetësore.

Continue Reading

Aktualitet

KPK refuzoi ankesën e Atdhe Demës për procesin e zgjedhjes së Kryeprokurorit të Shtetit

Published

on

Me një votë për dhe pesë vota kundër, Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) refuzoi ankesën e kandidatit për Kryeprokuror të Shtetit, Atdhe Dema.

Dema kishte paraqitur ankesë në KPK, duke pretenduar shkelje të dispozitave ligjore në aspektin procedural dhe material si dhe mospërputhje ndërmjet pikëzimit dhe arsyetimit të dhënë nga Paneli vlerësues.

Ai kishte kërkuar që ankesa të aprovohej si e bazuar dhe që Paneli vlerësues ta rishqyrtonte vlerësimin e tij, duke argumentuar se vlerësimi për intervistën dhe koncept-dokumentin nuk ishte mbështetur në fakte konkrete dhe arsyetim të mjaftueshëm.

Gjatë shqyrtimit të ankesës, zëvendëskryesuesi i KPK-së, Dardan Vuniqi, tha se pretendimet e Demës për mungesë të arsyetimit nuk qëndrojnë. Sipas tij, kandidati nuk ka paraqitur prova që mbështesin pretendimet e ngritura dhe ankesa nuk tregon se cili element i vlerësimit duhet të ndryshohet.

“Kam kërkuar dokumente shtesë në ankesë, por nuk kam arritur ta gjej interesin e kandidatit në fjalë, se çfarë ka kërkuar të ndryshohet, pasi të drejtën që e ka kërkuar e ka fituar. Mendoj se diskrecioni ka qenë në përputhje me rregulloren. Ankesa nga kandidati duhet të mbështetet në prova. Ankesën e kemi pranuar vetë, i kam dëgjuar intervistat, por nuk mund të shkojmë tutje nëse nuk kemi interes juridik se çfarë duhet të ndryshohet, ngase ajo për të cilën është atakuar, ajo e drejtë është e fituar. Unë qëndroj në argumentimin tim që e njëjta ankesë të refuzohet”, tha ai.

Vuniqi shtoi se ankesa e Demës nuk specifikon ndonjë shkelje procedurale apo materiale, por shpreh vetëm mospajtim me pikëzimin e marrë.

Gjatë diskutimit, anëtari i KPK-së, Milot Krasniqi, tha se Këshilli duhet ta vlerësojë ankesën vetëm mbi bazën e kritereve dhe shtyllave të përcaktuara në procesin e vlerësimit.

“Sa i përket barrës së provës, konsideroj se është duke u bërë një interpretim i gabuar, sepse kandidati, jo vetëm ky, por edhe të tjerët, nuk kanë se si të sigurojnë prova se çfarë ta mbështesin. Konsideroj se sa i përket barrës së të provuarit nuk mund të kërkohet që kandidatët të dorëzojnë dokumente që mbështesin pretendimet e tyre. Duhet të bazohemi në tri shtylla: vlerësimin e kryer nga paneli, të cilin nuk e kemi sot para vetes, intervistën, ku mund të shohim më së miri kandidatët, dhe e treta është kundërshtimi. Mbi këto baza mund të dalim në një vlerësim më të qartë”, tha ai.

Ndërsa, ushtruesi i detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Agron Qalaj, tha se për të është me rëndësi të kuptohet se në çfarë mase KPK-ja ka pasur mundësi të ushtrojë kontroll efektiv mbi vlerësimin e bërë nga Paneli vlerësues.

Në të njëjtën mbledhje, me gjashtë vota për u miratua edhe autorizimi i drejtorit të Sekretariatit të KPK-së, Sami Istrefi, për ta përfaqësuar Këshillin para Gjykatës Kushtetuese si dhe për dorëzimin e komenteve lidhur me njoftimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës./Kosovapress/A.K/

Continue Reading

Vendi

Themelohet grupi punues për hartimin e Programit për Mbrojtjen e Konsumatorëve të Cenueshëm 2026–2027

Published

on

Ministria për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare ka themeluar Grupin Punues për hartimin e Programit për Mbrojtjen e Konsumatorëve të Cenueshëm për periudhën 2026–2027.

Sipas ministrisë, programi do të përcaktojë kriteret, procedurat dhe mekanizmat e nevojshëm për hartimin dhe zbatimin e masave që synojnë mbështetjen e konsumatorëve të cenueshëm, në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe standardet përkatëse.

Ministria thekson se ky program synon të krijojë politika të qëndrueshme që mbrojnë qytetarët më të cenueshëm dhe garantojnë qasje më të drejtë në shërbime dhe mbështetje institucionale.

Sipas njoftimit, puna e grupit do të fokusohet në hartimin e një kornize që do të forcojë mbrojtjen sociale dhe do të përmirësojë qasjen e kategorive në nevojë ndaj mekanizmave të mbështetjes shtetërore./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Ferizaj: Arrestohet një 16-vjeçar pasi sulmoi me thikë qytetarët dhe zyrtarët policorë

Published

on

By

Sot rreth orës 07:50 në Ferizaj, policia ka arrestuar një 16-vjeçar dhe nënën e tij 47-vjeçare, pas një incidenti që nisi në sheshin e qytetit dhe përfundoi me lëndimin e dy qytetarëve dhe tre zyrtarëve policorë.

Sipas njoftimit zyrtar, i mituri fillimisht ka sulmuar qytetarët me thikë dhe më pas është larguar nga vendi i ngjarjes.

Policia e ka lokalizuar të dyshuarin në fshatin Greme, ku ai ka refuzuar të dorëzohet, ka hedhur benzinë në trup dhe ka sulmuar zyrtarët policorë me gurë e me thikë. Gjatë kësaj kohe, nëna e tij ka ndërhyrë duke penguar veprimet e policisë. Nga përleshja kanë mbetur të lënduar tre policë, përfshirë njërin që ka marrë një goditje me thikë në qafë.

Pas ndërhyrjes, policia ka prangosur të dy personat dhe ka sekuestruar thikën si provë materiale. Me urdhër të prokurorit, 16-vjeçari është dërguar në mbajtje për 24 orë, ndërsa autoritetet po vazhdojnë hetimet për zbardhjen e plotë të rastit. /E.A/

Continue Reading

Të kërkuara