Lajmet

​Përgatitjet drejt fundit, trupi gjykues pritet të caktojë datën e fillimit të gjykimit ndaj Pjetër Shalës

Ajo tha se në periudhën në vijim, trupi gjykues do të nxjerrë vendim edhe për pranueshmërinë e provave.

Published

on

Trupi gjykues në rastin kundër Pjetër Shalës në Hagë pritet të nxjerrë vendimin që përcakton datën e fillimit të procesit gjyqësor.

Në konferencën përgatitore për gjykim në Dhomat e Specializuara të Kosovës, kryetarja e trupit gjykues, Mappie Veldt Foglia tha se përveç kësaj do të nxjerrin vendim edhe për viktimat pjesëmarrëse në procesin gjyqësor si dhe një vendim për njohjen në tërësi të dëshmitarëve. Ajo tha se në periudhën në vijim, trupi gjykues do të nxjerrë vendim edhe për pranueshmërinë e provave.

“Në periudhën në vijim, trupi gjykues synon të nxjerrë ndër të tjera vendimet e mëposhtme. Sigurisht, një vendim që përcakton datën për fillimin e procesit gjyqësor që ka të bëjë me viktimat pjesëmarrëse në procesin gjyqësor dhe për mbrojtjen e viktimave, ne do të mundohemi të jemi sa më gjithëpërfshirës të jetë e mundur sa i takon informacionit që nevojitet për këtë aspekt. Një vendim për njohjen në tërësi të dëshmitarëve, një vendim për pranueshmërinë e provave dhe një vendim sigurisht për kryerjen e proceseve gjyqësore”, tha ajo.

Në këtë konferencë përgatitore për gjykim, trupi gjykues ka marrë një sërë vendimesh ndër të cilat edhe atë ku miraton kërkesën e Zyrës së Prokurorit të Specializuar për të ndryshuar listën e provave duke shtuar gjashtë dokumente.

Kjo ishte kundërshtuar dje nga pala mbrojtëse. Në konferencën e djeshme avokati Jean-Louis Gilissen tha se është e vështirë të pranohen dokumente disa para konferencës përgatitore për gjykim meqë të njëjtat marrin kohë të analizohen. Ai kritikoi ndryshmet nga ana e prokurorisë që përfshijnë heqjen e disa dëshmitarëve në këtë periudhë kohore dhe shtimin e dokumenteve.

“Trupi gjykues është i mendimit se numri i materialeve që dëshiron të shtojë prokuroria është i kufizuar dhe vet këto dokumente nuk janë të gjerësishme, e dyta trupi gjykues mban parasysh faktin që parashtrimet e ZPS-së thonë që këto dokumente janë me vlerë provuese dhe trupi gjykues mendon që këto dokumente janë të rëndësishme për të arritur në të vërtetën. E treta, informacioni i këtyre materialeve është në domenin e publikun, është i shfrytëzueshëm nga publiku siç e ka pranuar edhe pala mbrojtëse. Trupi gjykues nënvizon që është e parakohshme kjo nëse mbrojtja nuk ka bërë parashtrime përmbi vlerën provuese të këtyre dokumenteve. ZPS e ka bërë këtë kërkesë përpara fillimit të gjyqit, për këtë arsye trupi gjykues është i bindur se ZPS ka treguar arsye të qëndrueshme dhe e ka bërë në kohë mocionin e saj. Trupi gjykues i kërkon ZPS-së që t’i nxjerrë këto dokumente për mbrojtjen dhe t’i bëjë pjesë të listës së dëshmitarëve të tyre, jo më vonë se data 28 tetor 2022”, tha kryetarja e trupit gjykues.

Gjykatësja gjithashtu bëri të ditur se trupi gjykues dëshiron të shohë listën e të gjithë dëshmitarëve të ZPS-së, dëshmia e të cilëve synon të shfrytëzohet në gjyq.

“Trupi gjykues i kërkon ZPS-së të përfshijë dëshmitarët ekspertë mbi dëshmitë e të cilëve dëshiron të mbështetet dhe të paraqesë informacion mbi ekspertizën apo kualifikimet e të gjithë ekspertëve, dhe kjo përpara të premtes 28 tetor dhe për ta plotësuar gjithë kuadrin dhe për të qenë të qartë turpi gjykues e bën të qartë se dëshiron të shohë në listën e dëshmitarëve të gjithë dëshmitarët, dëshmia e të cilëve do të shfrytëzohet në gjyq nga ZPS-ja, pavarësisht nëse ata do të thirren për të dhënë dëshmi apo në mënyra të tjera”, tha ajo.

Ajo gjithashtu miratoi kërkesën e ZPS-së për t’i shtuar 85 dokumente në njoftimin saj të rregullës 103.

Ajo kërkoi nga mbrojtësi i viktimave që deri më 21 tetor të paraqesin listën e individëve të cilët do të kenë status të dyfishtë të viktimave dhe dëshmitarëve. Kryetarja e turpit gjykues theksoi se kjo listë do të jetë rreptësishtë konfidenciale.

Mbrojtja e të akuzuarit dhe mbrojtja e viktimave kanë afat deri më 11 nëntor 2022 të bëjnë parashtrimet e tyre lidhur me procedurat e zhdëmtimit.

“Trupi gjykues urdhëron mbrojtjen e viktimave dhe mbrojtjen e të akuzuarit që të bëjnë parashtrime me shkrim nëse dëshirojnë për të thënë nëse procedura gjyqësore për zhdëmtimin duhet të bëjnë paralelisht me procesin gjyqësor penal dhe në rast dënimi nëse trupi gjykues duhet që ta kalojë pjesën e çështjes së zhdëmtimit në Kosovë, në përputhje me nenin 22, paragrafi 9 i ligjit, dhe rregullës 167, trupi gjykuese urdhëron mbrojtjen e viktimave dhe mbrojtjen e të akuzuarit që të bëjnë parashtrimet e tyre me shkrim lidhur me këtë çështje deri të premten 11 nëntor 2022”, tha ajo.

Ish-pjesëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Pjetër Shala po mbahet në qendrën e paraburgimit në Hagë prej marsit të vitit 2021.

Sipas Speciales, “Krimet për të cilat akuzohet Shala u kryen përafërsisht midis 17 majit 1999 dhe 5 qershorit 1999 kundër personave që u mbajtën të ndaluar në fabrikën e metalit në Kukës (Shqipëri), që pretendohet se përdorej prej Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”.

Pjetër Shala u arrestua më 16 mars 2021 nga autoritetet belge dhe u transferua në Hagë më 15 prill 2021, në bazë të një kërkese për bashkëpunim në zbatimin e fletarrestit dhe urdhrit për transferim lëshuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës. 

Lajmet

Gjendet vetura e të dyshuarit për vrasjen e 29-vjeçarit në Pogragjë të Gjilanit

Published

on

By

Policia e Kosovës ka gjetur veturën e të dyshuarit për vrasjen e 29-vjeçarit që ndodhi të dielën në fshatin Pogragjë të Gjilanit.

Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Gjilanit, Ismet Hashani.

Ndërkaq, i dyshuari për kryerjen e kësaj vrasjeje gjendet ende në arrati, teksa njësitë hetimore po vazhdojnë punën për lokalizimin dhe kapjen e tij.

Continue Reading

Lajmet

Maqedonci merr pjesë në Forumin e Sigurisë në Varshavë

Published

on

By

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, po merr pjesë në “Warsaw Security Forum 2026”, që po mbahet më 12 dhe 13 tetor në Poloni, ku do të diskutohet për të ardhmen e NATO-s, forcimin e kapaciteteve mbrojtëse evropiane dhe luftën në Ukrainë.

Gjatë këtij forumi ndërkombëtar të sigurisë, i cili bashkon liderë ushtarakë, diplomatë e përfaqësues shtetërorë, Maqedonci pritet të zhvillojë takime me homologë e partnerë ndërkombëtarë për fuqizimin e kapaciteteve mbrojtëse të Kosovës.

Continue Reading

Lajmet

Kuvendi mblidhet të enjten: Në rend dite zgjedhja e anëtarëve të BQK-së dhe Bordit të RTK-së

Published

on

By

Seanca e radhës plenare e Kuvendit të Kosovës do të mbahet të enjten, më 15 tetor, me fillim nga ora 10:00.

Vendimi u mor gjatë mbledhjes së sotme të Kryesisë së Kuvendit me kryetarët e grupeve parlamentare, të udhëhequr nga kryetarja Albulena Haxhiu.

Në rend të ditës të kësaj seance, përveç deklarimeve jashtë rendit të ditës dhe pyetjeve parlamentare, përfshihen një sërë pikash me rëndësi:

  • Bordi i BQK-së: Zgjedhja e dy anëtarëve joekzekutivë të Bordit të Bankës Qendrore të Kosovës.
  • Bordi i RTK-së: Formimi i Komisionit Ad-Hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për anëtarë të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës (dy nga komuniteti shqiptar, një nga komuniteti serb dhe një nga komunitetet tjera joshumicë).
  • Projektligje dhe komisione: Shqyrtimi i dytë i Projektligjit për Parandalimin e Pastrimit të Parave dhe Luftimin e Financimit të Terrorizmit, si dhe propozimi i Listës Serbe për emërimin e deputetëve në komisionet parlamentare.

Përveç caktimit të seancës, Kryesia mori vendim edhe për shpalljen e konkursit për anëtarë të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës (KPMSHCK).

 

Continue Reading

Lajmet

Nënshkruhet marrëveshja 41-milionëshe për modernizimin e infrastrukturës shëndetësore në Kosovë

Published

on

By

Qeveria e Kosovës ka nënshkruar një marrëveshje financimi në vlerë prej 41 milionë eurosh me Bankën Evropiane të Investimeve (BEI) dhe Bankën për Zhvillim të Këshillit të Evropës (CEB), e cila ka për synim modernizimin e infrastrukturës mjekësore dhe sigurimin e pajisjeve të avancuara në sistemin shëndetësor publik.

Financimi do të ndahet në mënyrë të barabartë mes dy bankave evropiane dhe do të përfshijë investime direkte në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) në Prishtinë, si dhe në spitalet rajonale të Prizrenit, Pejës, Gjakovës dhe Gjilanit. Projektet përkojnë me objektivat e Strategjisë Sektoriale të Shëndetësisë 2025–2030 për digjitalizimin dhe ngritjen e cilësisë së shërbimeve dytësore dhe terciare.

Ministri i Financave, Hekuran Murati, theksoi se ky investim do të përmirësojë drejtpërdrejt kushtet e punës për profesionistët shëndetësorë dhe shërbimet ndaj pacientëve:

“Marrëveshja e kredisë me BEI dhe CEB në vlerë prej 41 milionë eurosh do të sigurojë pajisje mjekësore moderne dhe do të ndikojë në infrastrukturën përcjellëse në QKUK dhe spitalet rajonale në Prizren, Pejë, Gjakovë e Gjilan.”

Ndërkaq, Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, nënvizoi se ky projekt përbën një shtyllë kyçe të reformës shëndetësore:

“Strategjia Sektoriale e Shëndetësisë 2025–2030 i jep një rëndësi të veçantë përmirësimit të infrastrukturës fizike dhe furnizimit me pajisje moderne mjekësore për një periudhë afatgjatë.”Nga ana e institucioneve financiare ndërkombëtare, nënkryetari i BEI-t, Robert de Groot, dhe zëvendësguvernatori i CEB-it, Johannes Böhmer, vlerësuan se investimi do të garantojë diagnostikim më të saktë dhe trajtim më efektiv për qytetarët e Kosovës.

“Përmes këtij operacioni po ndihmojmë që profesionistët shëndetësorë dhe pacientët në mbarë Kosovën të kenë qasje në pajisje dhe lehtësira moderne për një kujdes më të mirë mjekësor”, u shpreh de Groot.

“Mund të thoshim se pa shëndet, çdo gjë është asgjë. Popullata pret një sistem të fortë shëndetësor si shërbim bazë që qeveritë duhet ta sigurojnë”, shtoi Böhmer. /Ekonomia Online/

 

Continue Reading

Të kërkuara