Lajmet

​Përfundon seanca në Hagë, gjykimi ndaj Gucatit e Haradinajt vazhdon më 4 nëntor

Gjyqi do të vazhdojë më 4 nëntor me pyetjet e avokatëve mbrojtës.

Published

on

Ka përfunduar për këtë javë gjykimi ndaj ish-krerëve të Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së ku është dëgjuar dëshmitari i tretë i Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS). Gjyqi do të vazhdojë më 4 nëntor me pyetjet e avokatëve mbrojtës.

Pas pyetjeve të prokurorisë, dëshmitari Miro Jukiq, i cili është udhëheqës i ekipit për siguri dhe trajtim të dëshmitarëve pranë ZPS-së, u është përgjigjur pyetjeve të trupit gjykues. Ai ka thënë se pasi kanë rrjedhur në publik dosjet e ZPS-së, shumë prej dëshmitarëve janë shprehur të shqetësuar dhe disa prej tyre ishin kërcënuar. Ai nuk ka treguar sa prej tyre kishin marrë kërcënim të drejtpërdrejt.

“Shumë pak kishin marrë kërcënim të drejtpërdrejtë, jo shumë, më pak se 100”, ka thënë dëshmitari i ZPS-së.

Ai ka thënë se ZPS i ka zhvendosur nga Kosova dy persona, për shkak se kanë qenë të frikësuar.

“Më shumë se një, dy persona janë zhvendosur…Deri ndaj 30 personave u morën masa sigurie”, është përgjigjur dëshmitari Jukiq.

Gjatë dëshmisë së tij, Jukiq ka thënë se një prej dëshmitarëve e kishte telefonuar dhe i kishte thënë se e ka kuptuar nga miqtë e tij se emri i tij përmendej në dokumentet konfidenciale dhe menjëherë ka ndërmarrë masa për të rritur sigurinë e tij dhe të fëmijëve.

Dëshmitari është pyetur nga gjykatësi nëse ka ndonjë arsye për të besuar nëse ndonjë anëtar i ZPS-së është i përfshirë në dorëzimi ne dokumenteve në OVL-UÇK, por ai e ka mohuar një gjë të tillë.

Në kohën e rrjedhjes së dokumenteve Miro Jukiq ka qenë punonjës i sigurisë së dëshmitarëve në ZPS dhe gjatë dëshmisë së tij ka thënë se ka kontaktuar me rreth 30 dëshmitarë.

Sipas tij, dëshmitarët me të cilët ka biseduar kanë qenë të frikësuar si shkak i publikimit të dokumenteve.

Kroati Miro Jukiq është dëshmitari i tretë i Zyrës së Prokurorit të Specializuar(ZPS) në gjykimin ndaj ish-krerëve të Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së.

Para tij, në gjykimin ndaj ish-krerëve të OVL-UÇK, ka dëshmuar koordinatorja e hetimeve në ZPS dhe një ish-gazetar kosovar.

Ish-krerët e Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Gucati e Haradinaj akuzohen për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, konkretisht për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, për frikësim të dëshmitarëve, për hakmarrje dhe për shkelje të fshehtësisë së procedurës.

Në organizatën që ata drejtonin kishin arritur disa pako që pretendohej të ishin me dokumente që kishin rrjedhur nga Zyra e Prokurorit të Specializuar. Të gjitha këto ata i kishin bërë publike përmes konferencave për media dhe paraqitjeve të tjera publike.

Lajmet

Dita e fundit për presidentin: Shtyhet seanca në Kuvend

Published

on

By

Kuvendi i Kosovës pritet të mblidhet gjatë ditës së sotme, mirëpo ende nuk është përcaktuar orari i saktë i nisjes së seancës.

Sipas burimeve të Kohës, deputetët fillimisht u ftuan për të qenë në ulëse në orën 14:00, mirëpo më vonë u njoftuan për shtyrjen e këtij orari. Deri më tani, nga administrata e Kuvendit nuk ka ndonjë njoftim zyrtar lidhur me kohën e saktë të nisjes së punimeve.

Kjo seancë vjen në një moment kritik, pasi sot është afati i fundit kushtetues për zgjedhjen e presidentit të ri të vendit. Nëse Kuvendi dështon të zgjedhë kreun e shtetit deri në mesnatë, vendi shkon automatikisht në zgjedhje të jashtëzakonshme parlamentare. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

Hamza: Nëse Specialja injoron Kuvendin, të shfuqizohen marrëveshjet ndërkombëtare

Published

on

By

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza, ka deklaruar se nëse Dhomat e Specializuara nuk i respektojnë ligjet e miratuara nga Kuvendi i Kosovës, atëherë institucionet vendore duhet të ndërmarrin hapa të mëtejshëm, përfshirë shfuqizimin e marrëveshjeve ndërkombëtare mbi të cilat është krijuar kjo gjykatë.

Deklarata e tij erdhi pas pyetjeve lidhur me amandamentet e propozuara nga PDK-ja, sipas të cilave Gjykata Speciale duhet të trajtojë vetëm krimet e supozuara që ndërlidhen me heqjen e organeve dhe që pretendohet se kanë ndodhur pas luftës, nga 1 korriku 1999 deri më 31 dhjetor 2000.

Lidhur me zbatueshmërinë e këtyre ndryshimeve ligjore, Hamza nënvizoi:

“Unë e them që çdo ligj që aprovohet në procedurë të rregullt në Kuvend, është i obliguar të zbatohet. Nëse ka ndonjë institucion, në këtë rast edhe gjykatat brenda Dhomave të Specializuara, duke e përfshirë Gjykatën Kushtetuese që injoron Kuvendin e Kosovës, një ligj të aprovuar në Kuvend, jam i bindur se Kuvendi duhet të shkojë edhe një hap tutje e kjo nënkupton edhe shfuqizimin e marrëveshjeve ndërkombëtare”.

Gjykata Speciale është themeluar përmes një marrëveshjeje ndërkombëtare ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian, ndërsa propozimi i PDK-së synon kufizimin e mandatit lëndor të saj. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

Hamza: S’ka takim me Kurtin derisa të votohet ligji për Specialen

Published

on

Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, ka thënë se nuk do të takohet me liderin e VV-së, Albin Kurtin, derisa deputetët e partisë së tij të pranojnë ta votojnë, në lexim të dytë, ndryshimin e Ligjit për Gjykatën Speciale, raporton Ekonomia Online.

“S’ka takim. Nuk do të ketë derisa ligji të aprovohet në lexim të dytë. Për Kosovën, ligji është domosdoshmëri. Nuk janë çështje të lidhura. Le të votohet ligji dhe pastaj jemi të hapur të diskutojmë për tema të tjera”, tha Hamza para gazetarëve.

Kreu i PDK-së ka shtuar se janë të hapur për çështjen e presidentit, pasi të kalojë në lexim të dytë Ligji për Specialen.

Sipas Hamzës, mund të ketë president me marrëveshje, por që i ka atributet dhe karakteristikat për ta përfaqësuar vendin në mënyrën më të mirë të duhur./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Ligji për Specialen, protestuesit para Kuvendit të Kosovës

Published

on

Protesta para Kuvendit të Kosovës ka nisur sërish sot, më 6 tetor, në orën 12:00, me kërkesën që ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar të miratohen edhe në lexim të dytë.

Qytetarët janë mbledhur për të kërkuar përfundimin e procedurës parlamentare për projektligjin, i cili u miratua në lexim të parë me 91 vota për. Miratimi përfundimtar ende nuk është bërë, pasi projektligji duhet të kalojë edhe në leximin e dytë.

Protesta e sotme vjen pas tensioneve të një dite më parë, kur pati përplasje mes protestuesve dhe persona të tjerë, ndërsa gjatë protestës u hodhën mjete piroteknike.

Protestuesit kërkojnë që ndryshimet ligjore të kalojnë edhe në leximin e dytë, në mënyrë që procedura parlamentare të përfundojë./A.K/

Continue Reading

Të kërkuara