Lajmet

​Përfundon dëgjimi i dëshmitarit të pestë në gjykimin ndaj Pjetër Shalës

Shala e ka ndjekur seancën përmes videolidhjes nga Qendra e Paraburgimit.

Published

on

Ka përfunduar dëgjimi i dëshmitarit të pestë të Zyrës së Prokurorit të Specializuar në gjykimin kundër Pjetër Shalës. Seanca me kundërpyetjet e ekipit mbrojtës të Shalës ka vijuar në pjesë të madhe e mbyllur për publikun. Trupi gjykues ka kërkuar sqarime nga dëshmitari i mbrojtur në lidhje me ndërtesën me numër 1, në afërsi të shtabit të logjistikës në Kukës. Ai ka thënë se nuk ka parë persona me duar të lidhura, ndërkohë që kryetarja e trupit gjykues ka kujtuar deklaratën e tij të dhënë për prokurorinë. Pjetër Shala e ka ndjekur seancën përmes videolidhjes nga Qendra e Paraburgimit. Pas pauzës, seanca po vazhdon me dëgjimin e dëshmitarit të gjashtë.

Avokatja e Pjetër Shalës ka pyetur dëshmitarin se kush ishte përgjegjës për magazinën në fabrikën e metaleve në Kukës, që ai ka përmendur dje gjatë dëshmisë së tij.Pas kthimit në seancë të hapur për publikun, kryetarja e trupit gjykues, Mappie Veldt-Foglia ka kërkuar sqarime në lidhje me deklaratat e dëshmitarit të pestë të Zyrës së Prokurorit të Specializuar.

Veldt-Foglia: Ju përmendet një ndërtesë me numrin 1, si një lloj burgu, a mund të na shpjegoni se si personat që mbërrinin aty në këtë shtabin e Kukësit që i qonin tek kjo ndërtesa me numrin 1, si mbërrinin aty, si arrinin aty, si vinin?

Dëshmitari: Ata komandantët e mëdhenj i mblidhnin dhe i binin.

Gjykatësja: Si vinin aty, në ç‘mënyrë? Me çfarë mjeti vinin?

Dëshmitari: Komandantët e mëdhenj nëpër kampe i mblidhnin që ishin të dyshuar.

Gjykatësja: Po vinin duke ecur në këmbë apo me ndonjë kerr, apo si vinin në çfarë mënyre, me çfarë mjetesh?

Dëshmitari: Po me kerr, më duket nëpër kampe i mblidhnin edhe disa që vijshin si mobizilim i ushtrisë edhe ata i merrnin në pyetje.

Gjykatësja: Ata njerëzit, personat, që i sillnin aty dhe i vendosnin tek ndërtesa numër 1, nga i dije ti, nga e kuptoje ti që ishin të dyshuar, siç na the dje, nga e mësove ti këtë?

Dëshmitari: Kur i merrshin në pyetje disa i lëshojshin u mobilizojshin aty në ushtri”,është përgjigjur dëshmitari i mbrojtur në pyetjet e kryetares së trupit gjykues.

Në pyetjet e gjykatëses për personat që merreshin në pyetje si të dyshuar për bashkëpunëtorë me Serbinë, dëshmitari që mban numrin 10 tha se nuk i kishin duart e lidhura.

Gjykatësja: Kur vinin aty te shtabi, a ishe ti në gjendje për t’i dalluar, a e dije ti që ishin të dyshuar?

Dëshmitari: Jo, jo, jo. Aty vijshin ata mobilizimin për ta bërë, atëherë këta komandantët e mëdhenj që dyshonin i qitshin në këtë ndërtesën numër 1, në dhoma, si të dyshuar.

Gjykatësja: Ata njerëzit që merreshin nëpër kampe, siç the dhe i sillnin aty nga komandantët e mëdhenj me kerre, këta persona kur vinin aty i kishin duart e lidhura?

Dëshmitari: Unë nuk i kam parë me duart e lidhura, është përgjigjur ai në pyetjet e gjykatëses.

Derisa i është kujtuar deklarata që ka dhënë, seanca ka vijuar me përmbajtje të redaktuar. Dhe prapë në seancë publike, dëshmitari i mbrojtur është pyetur se si vinin personat të cilët dyshoheshin se ishin bashkëpunëtor të Serbisë.

Gjykatësja: Këta njerëzit që i sillnin aty, duart i kishin të lidhura?

Dëshmitari: Zonja gjyqtare është mundësia që i kanë pasur, tash kam harruar se i binin aty në zyre, një herë i binin në zyre komandantët, tani i sjellshin në pavijonin numër 1. Me makinë e bijshin, por është mundësia që i kanë pasur duart (e lidhura), tash kam harruar unë.

Gjykatësja: Në rregull, por këto fjalë ja ke thënë prokurorisë dhe tani po thua që mund t’i kesh harruar. Edhe kur ta lexojë unë, tani që po ta lexoj, a të kujtohet apo prapë se ke shumë të qartë?

Dëshmitari: Prapë po them, ndoshta i kanë pasur… i qojshin në zyre komandantët. Nuk i zhdrypshin para portës aty ata që i vendosnin nëpër kampe. Ndoshta i kanë pasur duart lidhur se në makinë të vogël nuk i kam parë. Është edhe mundësia që i kam thënë prokurorisë.

Në pyetjet e gjykatëses për prejardhjen etnike të këtyre personave që i sillnin në “ndërtesën numër 1”, dëshmitari tha se ishin të të gjitha vendeve të Kosovës. Ndërkaq, kryetarja e trupit gjykues tha se ai kishte thënë se kishte edhe romë, për çka e ka konfirmuar edhe dëshmitari i mbrojtur.

Gjykatësi Zhilbir Biti ka pasur disa pyetje për kushtet ku mbaheshin këta persona.

“Si për personat në ndërtesën numër 1, si për ne, njëjtë ka qenë. Se ku hajshim ne bukë edhe ata hajshin. Ka një ditë kishe, nga një ditë nuk kishe”, ka thënë ai.

Në dëshminë e tij të djeshme, dëshmitari i pestë ka thënë se ishte ushtar i thjeshtë dhe kishte bërë roje në shtabin e logjistikës në Kukës. Prokuroria i ka shfaqur skicën, ku kishte përmendur edhe “ndërtesën 1”, që sipas tij, mbaheshin e merreshin në pyetje personat e dyshuar që kishin lidhje me Serbinë.

Ky është dëshmitari i pestë i Zyrës së Prokurorit të Specializuar dhe i njëjti ka dëshmuar nën masa mbrojtëse duke mbajtur të fshehur identitetin.

Seanca në Hagë po vazhdon me dëgjimin e dëshmitarit të gjashtë të ZPS-së, i cili mban numrin 11. Pjetër Shala po mbahet në qendrën e paraburgimit në Hagë prej marsit të vitit 2021.

Sipas Speciales “Krimet për të cilat akuzohet Shala u kryen përafërsisht midis 17 majit 1999 dhe 5 qershorit 1999 kundër personave që u mbajtën të ndaluar në fabrikën e metalit në Kukës (Shqipëri), që pretendohet se përdorej prej Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”.

Pjetër Shala u arrestua më 16 mars 2021 nga autoritetet belge dhe u transferua në Hagë më 15 prill të atij viti, në bazë të një kërkese për bashkëpunim në zbatimin e fletëarrestit dhe urdhrit për transferim lëshuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës.

Botë

8-vjeçarja nga Luiziana humb jetën nga “ameba trungrënëse” pas notit në liqen

Published

on

Një vajzë 8-vjeçare nga Luiziana, Lillian Smart, ka humbur jetën pasi u infektua me Naegleria fowleri, një amebë e rrallë e njohur si “ameba trungrënëse”.

Sipas familjes, Lillian nga Ruston ndërroi jetë pak pasi kishte festuar ditëlindjen e saj të tetë, ndërsa dëmtimet në trurin e saj ishin shumë të rënda.

Departamenti i Shëndetësisë i Luizianës kishte njoftuar më herët për një rast të dyshuar të infektimit me këtë amebë te një banor i zonës, pas notit në liqenin Claiborne, rreth 48 kilometra në veriperëndim të Ruston. Dyshohet se edhe infektimi i vajzës ka ndodhur gjatë notit në ujë të ëmbël.

Naegleria fowleri gjendet zakonisht në ujëra të ëmbla dhe të ngrohta. Infeksioni mund të ndodhë kur uji i kontaminuar hyn përmes hundës dhe arrin në tru.

Autoritetet theksojnë se ameba nuk shkakton infeksion kur uji gëlltitet dhe nuk transmetohet nga personi në person.

Departamenti i Shëndetësisë e ka cilësuar infeksionin si “jashtëzakonisht të rrallë, por pothuajse gjithmonë fatal”.

Në Shtetet e Bashkuara janë raportuar vetëm 180 raste të konfirmuara të infeksionit me Naegleria fowleri nga viti 1937 deri në vitin 2025./A.K/

Continue Reading

Vendi

Juridiku në UBT: Rrugëtimi ideal drejt një karriere të suksesshme në drejtësi

Published

on

By

Fusha e drejtësisë kërkon dije, integritet dhe aftësi për të parë përtej një rregulli, për të kuptuar një çështje dhe për të ndërtuar argumentin e duhur. Në një shoqëri ku ligji është pjesë e çdo fushe të jetës, nevoja për profesionistë të përgatitur juridikisht është gjithnjë më e madhe. Pikërisht për këtë, UBT ofron Programin Bachelor në Juridik si një rrugëtim akademik dhe profesional që i pajis studentët jo vetëm me njohuri të thelluara juridike, por edhe me aftësitë praktike të nevojshme për t’i zbatuar ato në realitet.

Programi Bachelor në Juridik në UBT ofrohet në Prishtinë dhe në Kampusin e UBT-së në Prizren, duke u krijuar studentëve mundësinë të ndjekin studimet në një mjedis modern dhe të orientuar drejt zhvillimit profesional. Programi synon të ofrojë cilësinë më të lartë të edukimit juridik dhe të përgatisë studentë të aftë për të përballuar kërkesat e profesionit, për të kontribuar në forcimin e sundimit të ligjit dhe për të luajtur një rol aktiv në zhvillimin e shoqërisë.

Gjatë studimeve, studentët ndërtojnë njohuri të qëndrueshme në fushat kryesore të së drejtës, duke përfshirë të drejtën civile, penale, administrative, tregtare dhe kushtetuese, si dhe dimensionet e së drejtës ndërkombëtare. Ata mësojnë të analizojnë legjislacionin, të interpretojnë normat juridike dhe të kuptojnë mënyrën se si parimet dhe rregullat juridike zbatohen në raste konkrete.

Por një jurist i mirë nuk mjaftohet vetëm me njohjen e ligjit. Për këtë arsye, programi i kushton rëndësi të veçantë zhvillimit të mendimit kritik, aftësive analitike, komunikimit profesional dhe argumentimit juridik. Studentët mësojnë të analizojnë çështje të ndryshme ligjore, të hartojnë dokumente juridike dhe të ndërtojnë argumente të strukturuara, duke përdorur edhe metodën IRAC – Çështja, Rregulla, Analiza dhe Përfundimi. Kjo qasje i ndihmon ata të zhvillojnë një mënyrë sistematike të të menduarit dhe të zgjidhjes së problemeve juridike.

Programi i nxit studentët edhe në fushën e hulumtimit dhe analizës juridike. Ata angazhohen në projekte që kërkojnë mbledhjen, analizimin dhe interpretimin e legjislacionit të Kosovës, vendimeve gjyqësore dhe çështjeve të së drejtës kombëtare e ndërkombëtare. Në këtë mënyrë, studentët zhvillojnë aftësinë për të hulumtuar në mënyrë të pavarur, për të vlerësuar burimet juridike dhe për të ndërtuar përfundime të bazuara në argumente profesionale.

Përveç njohurive individuale, rëndësi i kushtohet edhe aftësisë për të bashkëpunuar dhe komunikuar në mënyrë profesionale. Studentët përgatiten për punë ekipore dhe bashkëpunim me institucionet e drejtësisë, policinë, prokuroritë, gjykatat, organizatat joqeveritare dhe sektorin privat. Kjo i pajis ata me kompetenca që janë të rëndësishme jo vetëm për profesionin juridik, por për çdo mjedis profesional ku kërkohet përgjegjësi, analizë dhe vendimmarrje.

Me përfundimin e studimeve, të diplomuarit synohet të jenë të përgatitur për të vazhduar rrugëtimin e tyre profesional dhe akademik në fusha të ndryshme të drejtësisë. Ata fitojnë një bazë të fortë për zhvillimin e mëtejshëm në profesionet juridike, në institucione publike, organizata, sektorin privat dhe fusha të tjera ku kërkohen njohuri dhe kompetenca juridike.

Juridiku në UBT është një përvojë që ndërthur dijen, praktikën, kërkimin dhe zhvillimin personal. Është vendi ku studenti mëson jo vetëm çfarë thotë ligji, por edhe si ta analizojë, ta interpretojë dhe ta përdorë atë me përgjegjësi. Në Prishtinë dhe Prizren, UBT u hap rrugën të rinjve që duan ta shndërrojnë interesimin për drejtësinë në një profesion dhe një karrierë me ndikim.

 

Continue Reading

Vendi

UBT, lider i institucioneve akademike në rajon në ndikimin e qëndrueshmërisë

Published

on

By

UBT ka shënuar një tjetër arritje të rëndësishme në Times Higher Education (THE) Impact Rankings 2026, duke u renditur si institucioni më i lartë në mesin e institucioneve akademike nga Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut të përfshira në këtë krahasim rajonal.

UBT: 801–1000 në nivel global

Pozicioni i përgjithshëm i UBT-së në renditjen globale është përmirësuar krahasuar me vitet e mëparshme, duke kaluar nga grupi 1001–1500 në vitet 2024 dhe 2025, në grupin 801–1000 në vitin 2026. Ky progres dëshmon për forcimin e profilit ndërkombëtar të UBT-së në fushën e qëndrueshmërisë dhe rritjen e ndikimit të tij në nivel rajonal.

Performanca më e fuqishme e UBT-së në objektivat e zhvillimit të qëndrueshëm është veçanërisht e dukshme në:

  • SDG 7 – Affordable and Clean Energy: 50.6–55.3
  • SDG 2 – Zero Hunger: 54.4–62.7
  • SDG 1 – No Poverty: 56.4–62.7

UBT ka shënuar gjithashtu rritje të dukshme në disa nga SDG-të krahasuar me vitet e mëparshme, me progres të veçantë në reduktimin e varfërisë, shëndetin dhe mirëqenien, barazinë gjinore, ujin e pastër, energjinë e pastër dhe punën e denjë.

Me një pikëzim të përgjithshëm në THE Impact prej 53.7–60.6, UBT qëndron në krye të institucioneve të përfaqësuara nga Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut.

Ky rezultat shkon përtej një pozicioni në renditje. Ai pasqyron ndikimin në rritje të kërkimit shkencor, edukimit, politikave institucionale, angazhimit me komunitetin dhe përkushtimit të UBT-së ndaj Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm të Kombeve të Bashkuara.

Continue Reading

Lajmet

Ndalohet një person pas vdekjes së punëtorit në vendpunishten në Veternik

Published

on

Një punëtor ka humbur jetën pasi dyshohet se ka rënë nga lartësia gjatë punimeve në një objekt banesor në ndërtim në lagjen Veternik të Prishtinës.

Sipas Prokurorisë Themelore në Prishtinë, aksidenti ka ndodhur më 24 gusht, rreth orës 10:30. Viktima ka pësuar lëndime të rënda trupore dhe nuk ka mundur t’u mbijetojë atyre.

Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet e Policisë së Kosovës, Inspektorati i Punës, eksperti i sigurisë në vendin e punës, Instituti i Mjekësisë Ligjore dhe Drejtoria e Inspektimit e Komunës së Prishtinës.

Me urdhër të Prokurorit të Shtetit është ndaluar për 48 orë një person me inicialet Xh.Sh., nën dyshimin për veprën penale “Asgjësimi, dëmtimi ose heqja e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikimi i sigurisë në vendin e punës”.

Në vendin e ngjarjes janë intervistuar edhe dëshmitarë okularë, ndërsa po vazhdon grumbullimi dhe administrimi i provave për të sqaruar rrethanat e aksidentit.

Prokurori i çështjes pritet të shqyrtojë, brenda afatit ligjor, mundësinë e kërkimit të ndonjërës prej masave të sigurisë ndaj të dyshuarit./A.K/

Continue Reading

Të kërkuara