Lajmet

​Peja e “mbuluar” nga mbeturinat, kompania paralajmëron shtrenjtimin e tarifave

Kompania paralajmëron shtrejtimin e tarifave nga 5 në 6 euro.

Published

on

Gati në çdo cep të qytetit të Pejës mund të hasësh në mbeturina, kjo pasiqë ato hidhen në mënyrë ilegale nëpër trotuaret e rrugëve të këtij qyteti. Përkundër kësaj dukurie, ndërmarrja publike për menaxhimin e mbeturinave po paralajmëron edhe rritjen e tarifave për shërbime nga 5 në 6 euro.

Nga partia opozitare Vetëvendosje në këtë komunë kanë kritikuar kompaninë për menaxhimin e mbeturinave dhe komunën për mosmirëmbajtjen e ambientit. Po ashtu edhe qytetarët ankohen për heqjen e disa kontejnerëve nëpër qytet nga kompania “Ambienti”.

Ndërsa, kryeshefi i ndërmarrjes publike “Ambienti” në Pejë, Diedon Berisha thekson për KosovaPress se kjo kompani po kryen shërbimin në mënyrën më të mirë të mundshme. Mirëpo, sfidë për këtë kompani mbeten deponitë e ilegale të mbeturinave. Megjithatë, Berisha thekson do të bëhet edhe rritja e tarifës për shërbimet.

“Ne si kompani jemi në angazhim 24 orë për qytetarët e Pejës…Ne mendojmë se jemi duke kryer shërbim aq mirë sa të jetë e mundur. Ne si kompani kemi marrë masa për të bërë një rregulluesi të shërbimit tonë, në qytetin e Pejës. Së pari kemi bërë eliminimin e pikave të kontejnerëve publikë të cilët janë. Që nga gushti i vitit të kaluar deri më tash i kemi bërë eliminimin e 15-të pikave, që mendoj se është diçka pozitive për Pejën dhe shihet se rrugët ose vendet ku kanë qenë të ekspozuara tash nuk janë më. Pastërtia është në nivel. Problem mbeten deponitë ilegale, të cilat janë në zona të caktuara. Ajo është vështirësi ose ta quajmë problem, sepse nuk mund t’i mbash nën menaxhim pa pasur kamera, pa pasur inspeksion dhe pa pasur polici aty, dhe për neve si kompani është e vështirë kjo punë”, tha Berisha.

Ndërkaq, zyrtari i subjektit politik LVV, Berat Ganiqi ka akuzuar partitë opozitare në lidhje me strategjitë që po përdorin për mirëmbajtjen e ambientit në këtë komunë. Ai tha se janë hequr të gjithë kontejnerët që kanë ekzistuar në qytetin e Pejës, siç tha ai me qëllim që t’i ikin asaj pamjes së shëmtuar me mbeturina që po bëhet në qytet.

“Deri më tani është duke u bërë një mirëmbajtje e keqe, sepse gjatë gjithë këtyre viteve që është në pushtet LDK-ja dhe PDK-ja, së bashku që po qeverisin komunën e Pejës, është duke u bërë një strategji e gabuar në mirëmbajtjen e ambientit për shkak se janë hequr të gjithë kontejnerët që kanë ekzistuar në qytetin e Pejës, me qëllim që t’i ikin asaj pamjes së shëmtuar që po e bëjnë në qytet. Por marrë shembull, ndërtesën më të lartë në Pejë, “Rokaqielli”, në të kaluarën i ka pasur së paku katër kontejnerë, tani nuk ka asnjë. Banorët e asaj ndërtese nuk kanë se ku t’i hidhen mbeturinat. Obligohen që çdo ditë të bartin mbeturinat poshtë dhe të hiqen. Zyrtarët në ambient të thirrur për këto çështje që janë duke e rregulluar këtë pjesë, por deri më tani nuk është parë ndonjë ndikim i tillë, përkundrazi mua më dhimbsen punëtorët të cilët çdo ditë torturohen, por nuk bëhet një zgjidhje adekuate as për banorët, por as për punëtorët që punojnë”, potencoi Ganiqi.

Sa i përket paralajmërimit për rritjen e tarifave, kryeshefi i kompanisë “Ambienti”, Berisha potencon se shtrenjtimi do ndodhë për shkak se kompania e tyre po operon me humbje financiare.

“Kompania që nga viti 2011/12 e ka çmimin e njëjtë, 5 euro për të kryer shërbim. Ne kemi bërë analizime se kompania jonë është duke operuar me 75 cent humbje për një klient. Kjo do të thotë që ne jemi të detyruar që të rrisim çmimin për mbledhjen e mbeturinave… Rritja e tarifave është e detyrueshme dhe e domosdoshme për qytetin e Pejës dhe gjithë qytetet e tjera të Kosovës… Ne do ta rrisim tarifën 6 euro, që është një tarifë jo fitimprurëse që sjell fitim për kompaninë, por është tarifë e cila mbulon pjesën më të madhe të kostove”, u shpreh Berisha.

Ndërkaq, Ganiqi i VV-së, ka kritikuar edhe vendimin për rritjen e tarifave të faturave për mbeturina. Sipas Ganiqit, në këtë krizë ekonomike, nuk është koha e duhur për një ngritje të tillë.

“Ne si Lëvizje Vetëvendosje, pa dyshim se do jemi kundër shtrenjtimit, për shkak se qytetarët janë duke u ballafaquar me një inflacion të lartë dhe nuk është koha të rriten faturat. Më mirë kishte me qenë të ndalen shpenzimet e bordit të KRM ambientit, të cilët edhe në të kaluarën janë denoncuar nga punëtorët e asaj ndërmarrje, sepse keqpërdorin veturat zyrtare, naftën dhe të mira të tjera, ku me të hollat të ndërmarrjes kanë shkuar edhe në pushime të tyre private”, theksoi Ganiqi.

Qytetarët shprehën të kënaqur me punën e komunës, mirëpo ankohen për rritjen e çmimit të tarifës. Qytetari Jusuf Zekaj tha se në krahasim me komunat e tjera nuk qëndrojnë keq nga ana e mirëmbajtjes së ambientit.

“Në krahasim me komunat e tjera nuk jemi keq. Kryetari Muhaxheri po interesohet më tepër por duhet të vetëdijesohen njerëzit më tepër. Kjo na mungon më së shumti, kultura… Nuk është mirë akoma as kjo komunë por në krahasim me komunat e tjera, unë po shëtis, e kam vërejtur që nuk është dhe aq keq, mirëpo mundet me qenë më mirë gjithmonë. Aty ka vërejtje edhe prej qytetarëve, sepse po i shkatërrojnë kontejnerët. Ata duhet t’i ruajnë dhe duhet të vijnë kontingjent të ri. Komuna duhet të angazhohet më tepër në këtë drejtim”, u shpreh Zekaj.

Lëvdata mbi punën e kryetarit të kësaj komune, pati qytetari Ali Shabanaj. Ai tha se kryetari, nuk ka mundësi që t’i vetëdijësojë njerëzit për veprimet e tyre. Por, sipas tij, largimin e kontejnerëve, e cilëson si një veprim që nuk duhej të merrej.

“Këtu vetë popullata e bën ambientin e ndotur dhe jo që ka faj diçka komuna, aspak komuna nuk ka faj për ambientin. Këtu përsipër për ta shikuar ambientin, e ka “Ambienti”. Është një organizatë, edhe ajo është në kuadër të komunës. Nuk mundet kryetari të shikojë në çdo cep të ambientit. Kryetar më të mirë Peja nuk ka pasur kurrë, kryetari ka punuar jashtëzakonisht mirë dhe punon shumë mirë, për secilin qytetarë pa dallim partie politike… E sa i përket heqjes se kontejnerëve, thotë se është vendim jo i mirë, sepse ka nevojë të ketë dhe më shumë kontejnerë, mbeturinat duhet të hedhën diku. E nëse e bën zvogëlimin atëherë është gabim i madh, nuk është në rregull kjo. Sa më shumë kontejnerë është më mirë për qytetarin, sepse e din se ku duhet të vendoset dhe jo të hedhet në rrugë, por te mbeturinat”, tha Shabanaj.

Edhe qytetarë të tjerë prapa kamerave kanë thënë se qyteti i Pejës nuk ka qenë asnjëherë më parë më i papastër.

Lajmet

REL: Nga frika te fuqizimi: Çka i pret gratë pas raportimit të dhunës në familje?

Published

on

By

Në ndërtesën katërkatëshe të Qendrës për Mirëqenien e Gruas në Pejë, ditët nisin ngjashëm. Gratë e strehuara atje bëhen bashkë për të gatuar mëngjesin për vete dhe fëmijët e tyre.

Por, këto gra, që i bashkon e kaluara – të gjitha i kanë mbijetuar dhunës nga bashkëshortët e tyre – nuk ndjekin më vonë përditshmërinë e njëjtë.

Kurse rrobaqepësie, kompjuterike, kuzhinierie… Seanca me avokaten për ndihmë juridike, takime me stafin psikosocial, vizita nga familjarë, përgatitja e fëmijëve për shkollë… Secila personalizon ditën e saj ashtu siç dëshiron.

“Prej ditës kur ajo mbledh forcën t’i thotë ‘jo’ dhunës, ne mundohemi që ta ruajmë atë forcë të saj, ta përkrahim”, thotë Ardita Bala, drejtoreshë e qendrës në Pejë, ku strehohen të mbijetuarat e dhunës në familje.

Ajo tregon se nga këto kurse – që përfundojnë me certifikata nga Qendrat për Aftësim Profesional – ka pasur gra që kanë nisur të punojnë qysh gjatë kohës sa ishin të strehuara aty. Kështu, kur kanë dalë nga strehimorja, ato kanë pasur një buxhet të tyre për ta rinisur jetën.

Në këtë qendër, ku ka hapësirë për 16-18 persona, çdo grua që ka raportuar dhunën në familje në Policinë e Kosovës, mund të strehohet fillimisht me një kontratë gjashtëmujore, të ndërmjetësuar nga Qendra për Punë Sociale.

Megjithatë, Bala tregon se qëndrimi në këtë strehimore nuk është i caktuar me afat të prerë, pasi që kontrata fillestare zgjatet derisa secila grua e vlerëson veten të gatshme për t’u larguar.

“Ideja është të mos e lëmë askënd jashtë, të mos i themi jo një gruaje në nevojë”, shton ajo.

Bala thekson se gratë në këtë qendër tregojnë shumë solidaritet me njëra-tjetrën, i ndihmojnë njëra-tjetrës që të ambientohen qysh nga dita e parë dhe ndërtojnë raporte shoqërie përplot përkrahje.

Sipas një raporti të publikuar muajin e kaluar nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, rreth 4.7 për qind e grave në Kosovë raportojnë të kenë përjetuar dhunë fizike dhe/ose seksuale nga partnerët e tyre intimë.

Shpeshherë, gratë që vendosen nëpër strehimore shoqërohen nga fëmijët e tyre. Stafi i qendrës sigurohet që edhe për ata të ketë aktivitete dhe punimet e tyre ekspozohen në muret e qendrës.

Në ditën kur Radio Evropa e Lirë vizitoi këtë qendër, më 28 nëntor, katër vajza nga fëmijët në këtë qendër kishin përgatitur një program festiv.

Një nga një, ato recituan nga një vjershë, vallëzuan e kënduan.

Kjo strehimore që funksionon që nga viti 2001, ka strehuar deri më tani 1.758 gra. Ka pasur gra me fëmijë e pa fëmijë, si dhe gra shtatzëna.

Bala tregon se, sipas shumë hulumtimeve, nga pesë gra që përjetojnë dhunë në familje, vetëm njëra e raporton. Shumë herë, thotë ajo, kjo bëhet me idenë se në këtë mënyrë ruhet familja dhe mbrohen fëmijët.

“Por, pikërisht për shkak të fëmijëve, ato duhet ta raportojnë dhunën. Të dhënat tregojnë se, përndryshe, djemtë rriten që të bëhen si babai dhe vajzat rriten që të bëhen viktima të ardhshme”, shpjegon ajo.

Vetë Bala ka rastisur në këtë cikël. Ajo tregon se ka pasur raste kur ka strehuar një grua me vajzën e saj në strehimore dhe se, pas shumë vitesh, ka ardhur edhe vajza e saj si e mbijetuar e dhunës nga partneri.

“Kjo ndodh sepse dhuna është sjellje e mësuar. Dëmi më i madh është ai që u bëhet fëmijëve, sepse janë shumë të vegjël për të kuptuar”, përfundon Bala.

Në vitin 2023, organizata ndërkombëtare që merret me të drejtat e njeriut, Amnesty International, ngriti alarmin për mënyrën se si trajtohen të mbijetuarit e dhunës në familje në Kosovë.

Ndër problemet më të theksuara ishte mënyra e financimit të strehimoreve, të cilat në Kosovë operohen nga organizatat joqeveritare.

Këto OJQ financohen nga Ministria e Drejtësisë në periudha kohore 12-mujore dhe, së fundi, drejtues të strehimoreve të ndryshme nëpër Kosovë janë shprehur të kënaqur me shumën që u është ndarë.

Nga 25 nëntori deri më 10 dhjetor, çdo vit, edhe në Kosovë shënohen 16 Ditët e aktivizmit kundër dhunës me bazë gjinore.

Të dhënat e Policisë së Kosovës tregojnë se shumica e viktimave të dhunës në familje janë gratë. Numri më i madh i regjistruar ndonjëherë u shënua vitin e kaluar, kur pati gati 3.000 raste të dhunës në familje.

Këtë vit, nga janari e deri në tetor janë regjistruar gjithsej 2.429 raste.

Bala thotë se numri më i ulët i raportimeve deri më tani këtë vit nuk tregon se numri i rasteve është ulur në të vërtetë. Ajo shpjegon se kjo reflekton vetëm frikën e grave për ta raportuar dhunën.

“Gratë nuk i dinë të gjitha të drejtat e tyre, nuk dinë për përkrahjen institucionale që u takon dhe hezitojnë ta raportojnë dhunën”, thotë ajo.

Kjo shpesh ndërlidhet edhe me varësinë financiare të grave ndaj partnerëve të tyre. Mbi 80 për qind e grave në Kosovë nuk janë pjesë e tregut të punës, sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK). Të dhënat tregojnë se burrat janë të punësuar në përqindje dukshëm më të lartë se gratë.

Gjithashtu, burrat trashëgojnë prona dhe pasuri nga familjet e tyre, që ua lehtësojnë investimin për të shtuar pasurinë më vonë. Sipas statistikave të Agjencisë Kadastrale të Kosovës, as një e pesta e pronave në Kosovë nuk zotërohet nga gratë.

Me këto probleme, Bala ishte përballur qysh në vitin 1999, kur kishte nisur punën për parandalim dhe luftim të dhunës në familje.

Ajo kujton se si puna e saj ishte pritur plot herë me ankesa se banorëve të Pejës së pasluftës “u duhen kulme në shtëpi, jo ligjërata”.

Por, tregon se më vonë ishin vetë banorët e Pejës ata që kishin kërkuar hapjen e një strehimoreje, në mënyrë që të ndërpritej cikli i dhunës që vetë gratë po përjetonin nga partnerët e tyre.

“Dhuna duhet të ndalet sepse, përndryshe, ajo vazhdon si cikël edhe në gjeneratat e reja”, thotë Bala.

Për gratë që hezitojnë të raportojnë dhunën që përjetojnë, Bala ka një mesazh të qartë: strehimoret nuk janë vendi ku dështon jeta, janë vendi ku ajo rifillon. Aty, sipas saj, çdo ditë dikush mëson një aftësi të re e dikush tjetër kupton se nuk është e vetme./REL

Continue Reading

Vendi

UBT mirëpret eksperten ndërkombëtare nga Ukraina në ligjëratë për propagandën dhe dezinformimin, Delfina Ertanowska

Published

on

UBT ka organizuar një ligjëratë të veçantë për studentët e programit Studime të Sigurisë, ku ekspertja ndërkombëtare Delfina Ertanowska ka prezantuar temën “Russian Influence, PSYOP, and ‘Interests’: Propaganda, AI, Social Media, and Terrorist States”. Kjo ngjarje shënon një tjetër moment të rëndësishëm në angazhimin e UBT-së për të sjellë ekspertizë globale për studentët.

Ligjërata e mbajtur nga Ertanowska, e cila ka përvojë të gjerë në analizën e operacioneve psikologjike (PSYOP) dhe ndikimit të aktorëve shtetërorë në hapësirat digjitale, u përqendrua në mënyrat se si Rusia dhe shtete të tjera përdorin propagandën, inteligjencën artificiale dhe rrjetet sociale për të ndikuar në opinionin publik dhe për të destabilizuar rajone të caktuara.

Studentët patën mundësinë të eksplorojnë raste konkrete të manipulimit mediatik dhe të kuptojnë rolin e teknologjisë në strategjitë moderne të ndikimit.

Ky aktivitet u zhvillua në bashkëpunim me prodekanin e programin Studime të Sigurisë, Arian Kadriu.

Përmes këtyre ligjëratave, UBT po e pozicionon veten si një institucion që jo vetëm ndjek zhvillimet globale në fushën e sigurisë, por edhe kontribuon në formimin e profesionistëve të rinj me perspektivë ndërkombëtare.

Continue Reading

Lajmet

16 vjet e 8 muaj burgim për njërin, 11 vjet burgim për të akuzuarin tjetër për vrasjen në Fushë-Kosovë

Published

on

By

Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur aktgjykim dënues ndaj të akuzuarve Atdhe Musliu dhe Labinot Bajrami, lidhur me akuzën për rastin e vrasjes së A.H., më 2023 në Fushë-Kosovë. Musliu u dënua me dënim unik prej 16 vjet e 8 muaj burgim, ndërkaq Bajrami me 11 vjet burgim.

Në këtë rast, Atdhe Musliu dhe Labinot Bajrami akuzoheshin se kanë privuar nga jeta A.H., me ç’rast ngarkoheshin se kanë kryer veprën penale “Vrasje” në bashkëkryerje, ndërsa Musliu akuzohej edhe për armëmbajtje pa leje, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Aktgjykimi u shpall të hënën nga kryetari i trupit gjykues, Gent Beka dhe anëtarët Medie Bytyqi dhe Agim Kuçi, pas aprovimit të marrëveshjes për pranim fajësie të arritur mes Prokurorisë dhe dy të akuzuarve.

Gjykatësi Beka tha se dy të akuzuarit shpallen fajtorë sipas marrëveshjes së arritur për pranim fajësie për veprën penale “Vrasje” dhe i akuzuari Musliu edhe për armëmbajtje pa leje.

I akuzuari Musliu për veprën penale “Vrasje” u dënua me 16 vjet burgim, ndërkaq për armëmbajtje pa leje me 10 muaj burgim. Ndaj tij, u shpall dënim unik me 16 vjet e 8 muaj burgim.

Kurse, i akuzuari Bajrami për veprën penale “Vrasje” u dënua me 11 vjet burgim.

Dy të akuzuarve iu vazhdohet masa e paraburgimit, por jo më gjatë sesa dënimi i shqiptuar. Pala e dëmtuar udhëzohet në kontest të rregullt juridiko-civil.

Obligohet secili i akuzuar që në emër të paushallit gjyqësor të paguajnë nga 200 euro dhe 50 euro të tjera për Fondin për kompensimin e viktimave të krimit, në afat prej 15 ditësh nga plotfuqishmëria e aktgjykimt.

Meqenëse kemi dënim të rekomanduar, Gjykata u dha të drejtën e ankesës brenda afatit ligjor.

Të pranishëm në shpallje ishin dy të akuzuarit dhe mbrojtësit e tyre, avokatët Taulant Broqi dhe Fehmije Gashi-Bytyqi.

Paraprakisht, Gjykata në seancën dëgjimore për shqyrtimin e marrëveshjes për pranimin e fajësisë, pas marrjes së mendimit të palëve, mori aktvendim me të cilin aprovoi marrëveshjen për pranimin e fajësisë e lidhur në mes Prokurorisë dhe dy të akuzuarve Atdhe Musliu dhe Labinot Bajrami./EO

Continue Reading

Lajmet

KQZ: Mbi 24 mijë aplikime nga diaspora, shumica për votim me postë

Published

on

By

24 mijë e 500 aplikime për regjistrim si votues jashtë vendit ka pranuar Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nga 26 nëntori kur ka nisur të rrjedhë ky afat e deri të dielën e 30 nëntorit.

Këtë e ka bërë të ditur për RTKlive, zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi që tregoi se nga kjo shifër, janë aprovuar 14, 600, ndërkaq janë refuzuar 3, 500, ndërsa thotë se në vlerësim e sipër janë rreth 6,400 aplikime.

Ai ka sqaruar se shumica e aplikuesve që janë aprovuar, janë regjistruar për të votuar përmes postës.

Nga numri i përgjithshëm i aplikuesve të aprovuar, pjesa më e madhe janë regjistruar për të votuar përmes postës, mbi 10,500 prej tyre për të dërguar pakon me fletëvotim në ndonjërën nga adresat e kutive postare jashtë Kosovës dhe mbi 500 të tjerë për të dërguar pakon me fletëvotim në kutinë postare të KQZ-së në Kosovë. Ndërkaq, mbi 3,500 shtetas janë regjistruar për të votuar fizikisht në ndonjërën nga përfaqësitë diplomatike”, ka bërë të ditur zëdhënësi i KQZ-së.

Elezi tha se procesi i regjistrimit të votuesve jashtë Kosovës, nuk është përjashtues. Kjo do të thotë, sipas tij,  se KQZ i informon rregullisht dhe personalisht aplikuesit e refuzuar për arsyet e refuzimit të kërkesës së tyre dhe se do të mund të ri-aplikojnë përmes platformës për regjistrim duke bashkëngjitur dokumentet e nevojshme për të përmbushur kërkesën e tyre në përputhje me udhëzimet e KQZ-së. “Kjo do të mundësohet gjatë kohës sa zgjatë periudha e regjistrimit”, sqaroi ai.

Elezi ka folur edhe për vendimin e një ditë më parë që ka marrë Paneli Zgjedhor për Ankesa e Parashtresa që e ka ndryshuar vendimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të 26 nëntorit sa i përket Qendrave të Votimit jashtë Kosovës, duke vendosur që në zgjedhjet e 28 dhjetorit mund të votohet vetëm në Përfaqësitë Diplomatike të Republikës së Kosovës dhe jo në hapësira shtesë, sipas propozimit të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës.

Ai tha se KQZ-ja është në pritje të plotfuqishmërisë së vendimit, meqë shtoi se ndaj vendimit të PZAP-së lejohet edhe ankesë në Gjykatën Supreme.

“PZAP ka marrë vendim për çështjen të Qendrave të Votimit në hapësira shtesë – jashtë përfaqësive diplomatike dhe ndaj këtij vendimi lejohet ushtrimi i ankesës në Gjykatën Supreme. Si çdoherë, KQZ pret plotfuqishmërinë e vendimit, cilado qoftë, për ta zbatuar atë”, tha për RTKlive zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi./EO

Continue Reading

Të kërkuara