Lajmet

​PDK: Të dorëhiqet narkotrafikanti i VV-së, të nisin menjëherë hetimet

Nga PDK-ja thonë se caktimi i Mujecit aksionar në ndërmarrjen publike stacioni i autobusëve nuk është i rastësishëm.

Published

on

Partia Demokratike në Prishtinë ka kërkuar dorëheqjen e menjëhershme të asambleistit të Lëvizjes Vetëvendosje, Besnik Mujeci i cili u arrestua nga Policia e Shtetit në Tiranë në kuadër të operacionit antidrogë. Sipas shefit të asamblesitëve të PDK-së në Prishtinë, Leutrim Retkoceri, droga e shpërndarë nga Mujeci e ka prejardhjen në Serbi.

Në një konferencë për media ka thënë se caktimi i Mujecit aksionar në ndërmarrjen publike stacioni i autobusëve nuk është i rastësishëm.

“Është jashtëzakonisht shqetësuese kush e përfaqëson sot votën e qytetarëve të Prishtinës, nga Lëvizja Vetëvendosje. Besnik Mujeci nuk është vetëm asambleist i Komunës së Prishtinës, ditë më parë, pikërisht me insistimin e partisë së tij, ai është caktuar aksionar në ndërmarrjen publike Stacioni i Autobusëve. Sipas informatave të policisë së shtetit të Shqipërisë, droga është eksportuar nga Kosova në Shqipëri përmes autobusëve. Arrestimi i asamblistit të Lëvizjes Vetëvendosje, aksionarit të ndërmarrjes Stacioni i Autobusëve, ngre dyshimin e bazuar se caktim i tij ën këtë pozitë të lartë si aksionar në këtë ndërmarrje nuk ka qenë aspak i rastësishëm”, ka thënë ai.

Sipas Retkocerit, droga është marrë në Serbi.

“Në të njëjtën kohë, i arrestuari, narkotrafikanti i Vetëvendosjes Besnik Mujeci është mik shumë i afërt i shefit të grupit të asambleistëve të Vetëvendosjes në Prishtinë, zotëri Gëzim Sveçla. Për ju që nuk e njihni Gëzimi është djali i axhës i ministrit të Punëve të Brendshme, zotëri Xhelal Sveçla. Kjo nuk është e tëra ky lloj i drogës i shpërndarë nga narkotrafikanti i Vetëvendosjes, Besnik Mujeci, prejardhjen e saj e ka në Serbi. Pra këta e kanë marrë drogën në Serbi dhe e kanë sjellë në Kosovë për ta dërguar në Shqipëri. Prandaj,. PDK në Prishtinë, kërkon urgjentisht nga organet e rendit në Republikën e Kosovës që të nisin hetimet e menjëhershme për aferën droga në të cilën është përfshirë asambleisti i Vetëvendosjes”, ka thënë ai.

Lidhur me këtë rast, PDK në Prishtinë ka kërkuar hetime të menjëhershme si dhe dorëheqje të asambleistit të Vetëvendosjes.

“Ne dyshojmë se Besnik Mujeci mund të mos jetë i vetmi i përfshirë në këtë aferë të madhe të kontrabandimit dhe shitjes së drogës. Pyetjet tona për organet e rendit janë të qarta, ku e mori narkotrafikanti i Vetëvendosjes Besnik Mujevci këtë sasi të madhe të drogës, sa herë deri sot ai ka shfrytëzuar kanalet zyrtare dhe pozitën institucionale për të kontrabanduar drogë për në Shqipëri, a është Shqipëria vendi i vetëm në të cilin ka trafikuar drogë Besnik Mujeci, a ka persona të tjera nga radhët e kësaj partie të cilët janë të përfshirë në këtë aferë të madhe të drogës, pse Besnik Mujeci nuk është arrestuar deri sot në Kosovë, a ka pasur mbrojtje nga zyrtarët dhe institucionet e tjera në vendin tonë. Prandaj, pas këtyre pyetjeve, ne kërkojmë dorëheqjen e parevokueshme dhe të shpejtë të asambleistit Besnik Mujeci, i cili ka tradhtuar besimin qytetar dhe obligimin zyrtar”, ka thënë ai.

Këshilltari komunal i Prishtinës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Besnik Mujeci, është pjesë e një grupi prej pesë personash të arrestuar nga Policia e Shtetit në Tiranë në kuadër të operacionit antridrogë “Punisher 2”.

Mujeci së bashku me personat e tjerë të arrestuar janë lokalizuar në kryqëzimin e rrugëve “Myslym Shyri” dhe “Sami Frashëri” në Tiranë së bashku me dërgesën me lëndë të dyshuar narkotike, prej 11 300 tabletash ekstazi MDMA, me peshë 5.093 kg dhe vlerë tregu rreth 400 mijë euro.

Përpos Mujecit, janë arrestuar edhe Mithat Ramadani 30 vjeç, Kalem Picari, 24 vjeç, Ambra Myftari 28 vjeçe, Daniel Avdija 26 vjeç.

Lajmet

Albulena Haxhiu merr pjesë në Samitin BE – Ballkani Perëndimor në Mal të Zi

Published

on

Ushtruesja e detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, do të marrë pjesë në Samitin BE – Ballkani Perëndimor, i cili mbahet më 5 qershor në Tivat të Malit të Zi.

Samiti do të mbledhë liderët e Bashkimit Evropian dhe të vendeve të Ballkanit Perëndimor për të diskutuar mbi perspektivën evropiane të rajonit, Planin e Rritjes, si dhe çështjet që lidhen me sigurinë dhe stabilitetin.

Në këtë takim të nivelit të lartë, u.d. Presidentja Haxhiu do të përfaqësojë Republikën e Kosovës dhe do të riafirmojë përkushtimin e vendit ndaj integrimit evropian, trajtimit të drejtë dhe të barabartë në procesin e zgjerimit të BE-së, si dhe forcimit të bashkëpunimit rajonal në funksion të paqes, stabilitetit dhe zhvillimit të qëndrueshëm.

Continue Reading

Lajmet

SHBA kërkon më shumë angazhim nga aleatët e NATO-s, priten rritje të kapaciteteve ushtarake evropiane

Published

on

Shtetet e Bashkuara të Amerikës presin që aleatët evropianë të NATO-s dhe Kanadaja të rrisin me shpejtësi numrin e aeroplanëve, dronëve dhe anijeve që kontribuojnë në planet mbrojtëse të aleancës, ka deklaruar gjenerali i Forcave Ajrore Amerikane, Alexus Grynkewich, komandanti më i lartë i NATO-s dhe kreu i forcave amerikane në Evropë.

Deklarata e tij vjen pas vendimit të administratës së presidentit Donald Trump për të zvogëluar kapacitetet ushtarake amerikane në dispozicion të NATO-s në rast krizash. Trump ka kërkuar vazhdimisht që vendet evropiane të marrin më shumë përgjegjësi për mbrojtjen e kontinentit dhe të reduktojnë varësinë nga mbështetja ushtarake amerikane.

Sipas raportimeve, SHBA-ja muajin e kaluar i njoftoi aleatët për reduktimin e kontributit në kuadër të Modelit të Forcës së NATO-s, një mekanizëm që përfshin forcat e gatshme për t’u aktivizuar në raste krizash apo konfliktesh.

Megjithëse Uashingtoni nuk ka bërë publike detajet e plota të shkurtimeve, ato raportohet se përfshijnë aftësi të rëndësishme ushtarake, si furnizimi me karburant i aeroplanëve, aeroplanët luftarakë, dronët dhe asetet detare.

Pas takimit të planifikuesve ushtarakë të NATO-s, Grynkewich theksoi se aeroplanët me dhe pa pilot, si dhe anijet detare, janë fushat ku aleatët evropianë dhe Kanadaja mund të ndërhyjnë më shpejt për të mbuluar boshllëqet që do të krijohen nga reduktimi i pranisë amerikane.

“Aeroplanët me dhe pa pilot, si dhe anijet detare janë dy fusha ku Kanadaja dhe aleatët evropianë mund të ndërmarrin hapa tani dhe në afat të shkurtër, ndërsa Shtetet e Bashkuara zvogëlojnë forcat sipas Modelit të Forcës së NATO-s në Evropë dhe i rifokusojnë ato diku tjetër”, ka deklaruar ai.

Gjenerali amerikan shtoi se ka ekzistuar një varësi e tepërt nga forcat amerikane brenda strukturës së NATO-s dhe se kjo situatë duhet të ndryshojë.

“Ka pasur një bashkëvarësi të pashëndetshme në Modelin e Forcës së NATO-s nga forcat amerikane. Presidenti Trump, Sekretari i Mbrojtjes Pete Hegseth dhe të tjerë e kanë bërë të qartë se kjo duhet të ndryshojë dhe do të ndryshojë”, u shpreh Grynkewich.

Sipas tij, zhvillimet globale dhe mundësia e konflikteve të njëkohshme në rajone të ndryshme të botës kërkojnë që aleatët të marrin një rol më të madh në garantimin e sigurisë kolektive të NATO-s.

Burimi: Reuters.

Continue Reading

Lajmet

Oda e Avokatëve kundërshton tarifën e Prishtinës prej 1,000 euro për zyrat e avokatisë

Published

on

Oda e Avokatëve të Kosovës ka kundërshtuar propozimin e Komunës së Prishtinës për vendosjen e një tarife vjetore prej 1,000 euro për zyrat e avokatisë, duke kërkuar përjashtimin e plotë të profesionit të avokatit nga kjo kategori tarifimi.

Në një njoftim për media, bëhet e ditur se kryetari i Odës së Avokatëve të Kosovës, Besnik Berisha, ka marrë pjesë në dëgjimin publik të organizuar nga Komuna e Prishtinës lidhur me Draft-Rregulloren për tarifa, ngarkesa dhe gjoba komunale.

“Në emër të Odës së Avokatëve të Kosovës dhe të qindra avokatëve që ushtrojnë profesionin në kryeqytet, Kryetari Berisha kundërshtoi propozimin për vendosjen e tarifës vjetore prej 1,000 euro për zyrat e avokatisë, duke kërkuar përjashtimin e plotë të profesionit të avokatit nga kjo kategori tarifimi”, thuhet në njoftim.

Sipas OAK-së, avokatia nuk mund të trajtohet si veprimtari tregtare, pasi ajo ka rol kushtetues në garantimin e të drejtës për mbrojtje, qasje në drejtësi dhe proces të rregullt ligjor.

“Avokatia nuk është veprimtari tregtare dhe nuk mund të trajtohet njësoj me bizneset komerciale. Avokati është bartës i një funksioni të domosdoshëm për realizimin e të drejtës kushtetuese në mbrojtje, qasje në drejtësi dhe proces të rregullt ligjor”, theksohet në qëndrimin e OAK-së.

Po ashtu, gjatë diskutimit është vënë në pah se vendosja e një tarife të tillë do të krijonte precedent të gabuar për profesionet e drejtësisë.

“Vendosja e një tarife të tillë ndaj avokatëve është në kundërshtim me natyrën dhe rolin kushtetues të profesionit, ndërsa trajtimi i tyre si kategori biznesi për qëllime fiskale krijon precedent të gabuar”, ka deklaruar kryetari Berisha.

OAK vlerëson se çdo barrë financiare ndaj avokatisë reflektohet drejtpërdrejt te qytetarët, duke rritur kostot dhe duke vështirësuar qasjen në drejtësi.

Në fund, OAK ka kërkuar nga Komuna e Prishtinës që avokatia të përjashtohet nga kjo rregullore dhe ka paralajmëruar se argumentet e saj do të dorëzohen edhe me shkrim në kuadër të procesit konsultativ.

Continue Reading

Lajmet

Sheshi i Prishtinës mbushet me mbi një mijë nxënës për Ditën Olimpike

Published

on

Në një atmosferë festive dhe të mbushur me entuziazëm fëmijësh, sheshi i Prishtinës u shndërrua në arenën kryesore të festimeve për Ditën Olimpike. Mbi njëmijë nxënës nga shkolla të ndryshme të kryeqytetit u mblodhën për të shënuar këtë datë të rëndësishme globale të sportit, e cila u festua më herët se data zyrtare e 23 qershorit, me qëllim që nxënësit të mund të merrnin pjesë para përfundimit të vitit shkollor.

Të pranishëm në këtë ngjarje masive ishin figura të larta të sportit, duke përfshirë Presidentin e Komitetit Olimpik të Kosovës Ismet Krasniqi dhe Drejtorin e Sportit në Komunën e Prishtinës, Granit Geci.

Gjatë fjalimit para të pranishmëve, Presidenti i Komitetit Olimpik kujtoi rëndësinë e lidhjes mes sportit dhe arsimit, duke garantuar se aktiviteti fizik ndihmon në rritjen e përqendrimit në mësime dhe në zhvillimin e një jete të shëndetshme.

“Unë ju thërras të gjithë juve fëmijëve të dashur, shfrytëzojeni sa më shumë jetën tuaj të mirë me sport dhe me mësim. Këto të dyja lidhen shumë ngushtë njëra me tjetrën. Sporti ju ndihmon të keni trurin më të përqendruar në mësimet e juaja. Merruni me sport! Sepse kur merreni me sport, jeni më të aftë edhe për të mësuar, ju premtoj këtë… Pra merruni me sport që të jeni më të shëndetshëm, jeni më të fokusuar, dhe jeni më të mirë për popullin tonë, për vendin tonë, për shtetin tonë”, deklaroi Krasniqi.

Nga ana tjetër, Drejtori i Sportit në Komunën e Prishtinës, Granit Geci, dha një mesazh të qartë dhe të fortë për gjeneratat e reja. Thirrja e tij për nxënësit ishte që të largohen nga ekranet e telefonave dhe t’i përkushtohen aktiviteteve sportive.

“Sot për juve kam vetëm një këshillë: merruni me aktivitete sportive, largohuni nga telefonat dhe rrituni të shëndetshëm ashtu siç tha edhe presidenti më parë. Andaj ju lus të jeni të mirë, të shëndetshëm, merruni me aktivitete sportive dhe e ardhmja juaj është e ndritshme. Faleminderit shumë të gjithëve”, theksoi Geci.

Continue Reading

Të kërkuara