Lajmet

​Partitë opozitare nuk pajtohen me koeficientin 105 euro, shpalosin propozimet e tyre

Ndërkaq Murati kërkoi procedura të përshpejtuara për këtë projektligj.

Published

on

Mes kundërshtimeve të shumta po vazhdon në Kuvendin e Kosovës shqyrtimi i parë i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit mbi ndarjet buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2023.

Derisa ministri i Financave, Hekuran Murati, e ka prezantuar Projektligjin e Buxhetit për vitin 2023, i cili përmban edhe koeficientin e ri prej 105 eurove, kërkoi procedura të përshpejtuara për këtë projektligj.

Me këtë koeficient nuk janë pajtuar partitë opozitare të cilat patën propozimet e tyre për vlerën e koeficientit.

Ministri i Financave, Hekuran Murati kërkoi që kjo çështje të miratohet në Kuvendin e Kosovës madje edhe me procedurë të përshpejtuar me qëllim që të krijohet mundësi të ekzekutimit të pagave me ligjin e ri të pagave duke nisur nga ky muaj.

“Përmban vlerën e koeficientit dhe kësisoj përmbyll ciklin apo skemën e miratuar me ligjin e pagave ku duhet përcaktohet edhe vlera e koeficientit në ligjin për ngjarjet buxhetore, vlera e tillë është në shumën prej 105 euro dhe është përbrenda kufijve buxhetor që parashihen me ligjin për ndarjet buxhetore që në shumën totale është 745 milionë euro.. procesin që jemi si qeveri në përgatitjen e listave të pagave që të ekzekutohen sipas ligjit të ri në fund të muajit shkurt iu ftoj ta miratoni…Marrë parasysh rëndësinë dhe procesin në të cilin jemi në përgatitjen e listave të pagave, ju ftoj ta miratoni dhe të trajtohet me procedurë të përshpejtuar në mënyrë që të kemi mundësi t’i procedojmë pagat qysh këtë muaj”, tha ai.

Mbështetje për këtë plotësim ndryshim kërkoi edhe Armend Muja nga Lëvizja Vetëvendosje i cili tha se me ligjin e ri të Pagave koeficienti i favorizon ato shtresa që kanë qenë në fund të piramidës.

“Ka rritje të ndjeshme dhe të përgjegjshme brenda mundësive buxhetore ka drejtësi në sistem ka një lloj parashikueshmërie dhe një standardizim të sistemit të pagesave. Me plotësimin ndryshimin e ligjit të buxhetit pagat e sektorit publik arrijnë në 745 milionë euro për vitin 2023 apo rreth 110 milionë euro më shumë sesa dy vitet paraprake. Me koeficientin e propozuar parashihet që paga mesatare bruto në sektorin publik të jetë 730 euro në muaj apo rreth 18% rritje krahasuar me vitin paraprak. Koeficienti i propozuar ndikon në mënyrë të ndjeshme dhe të drejtpërdrejtë tek rreth 65 mijë shërbyes publik këta janë rreth 80% e shërbyesve publik, në bazë të të dhënave ajo çfarë shihet që Ligji dhe koeficienti i favorizon ato shtesa që kanë qenë në fund të piramidës dhe pastaj rritja fillon të moderohet sa më afër majës së piramidës”, u shpreh ai.

Deputeti i PDK-së, Ferat Shala tha se procedurat e miratimit të këtij projektligji kanë mangësi e shkelje. Por theksoi se si PDK kërkon që baza e këtij debati të koeficientit të jetë 120 e tutje, dhe nuk pajtohen me koeficientin e propozuar.

Sipas Shalës koeficienti prej 105 eurosh nuk përbënë rritje reale, por rritje numrash.

“Nuk kemi rritje reale rritje numrash, shifrash, kalkulimesh po, por rritje reale nuk do të kemi sepse përfituesit do ta shohin atje kur të filloj shpërndarja e tyre. Andaj, kërkojmë që minimumi I kësaj të diskutojmë 120 e tutje në të kundërtën do të kemi shkallë të lartë të pakënaqësive dhe ankimimeve sepse këtu goditet një pjesë e mirë e sektorit të drejtësisë, këtu goditet mirë sektori i sigurisë po thuasje në të gjitha nivelet. Grupi jonë parlamentar nuk mund të pajtohet me këtë koeficienti çfarë na e sjell qeveria dhe e lëmë të hapur që ne jemi të gatshëm të bëjmë hajde uroni t’i ulim nivelet politike nëse veç nuk keni mjete unë iu ofroj uljeve edhe deputetëve edhe këshilltarëve e kryeministrit në asnjë mënyrë”, tha ai.

Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami koeficienti prej 105 euro u shpreh se vetëm ul pagat për një pjesë të konsiderueshme të zyrtarëve publik. Ajo tha se bazuar në buxhetin e Kosovës për vitin 2023 propozojnë që koeficienti për këtë vit të jetë 125 euro.

“Ky është koeficient i uljes së pagave për një pjesë të konsiderushme të zyrtarëve në sektorin publik dhe por zotëri Muja e kemi parasysh shtesën tranzitore por mbajtja e nivelit të njëjtë të pagës në sektorin publik me nivelet e inflacionit çfarë i kemi pas për 12 muaj e fundit dhe çfarë i kemi edhe sot e kësaj dite nënkupton ulje të pagës në sektorin publik, pavarësisht se ata do të vazhdojnë me anë të shtesën tranzitore t’i marrin të njëjtat mjete monetare…Nuk është reflektuar norma e inflacionit të cilin ne mendojmë se kjo qeveri e ka të domosdoshme ta bëjë andaj kemi shikuar si grup parlamentar me kujdes buxhetin e Kosovës për vitin 2023 dhe ne kemi propozuar që koeficienti për vitin 2023 125 euro….Ne konsiderojmë që meqenëse jemi në plotësim ndryshim të ligjit të buxhetit kjo është thjesht e mundshme këto janë mjetet që ministri i financave dhe as Qeveria nuk ka ndonjë projekt”, tha ajo.

Edhe deputeti i AAK-së, Pal Lekaj u shpreh se koeficienti i propozuar nga pushteti është i papranueshëm për këtë subjekt politik. Ai propozoi që koeficienti të jetë 129 euro.

“Qeveria Kurti me këtë ligj po e pamundëson organizimin e funksionalizimin e shërbimeve jetike për vendin, kështu gjithçka që po arrini me këtë i nderuar kabinet qeveritar është shtimi i kërkesave dhe pritja e zyrtarëve tanë nëpër ambasada. Ne si AAK assesi nuk pajtohemi që koeficienti të ketë këtë vlerë ne kërkojmë rritje të koeficientit prej 129 euro dhe kjo është më e pakta që u detyrohemi mbi 82 mijë punonjësve të administratës publike”, tha ai.

Pas këtyre kritikave të opozitës, ministri i Financave, Hekuran Murati u shpreh se propozimet e partive opozitare rëndojnë barrën në sektorin privat dhe krijojnë thellim të disbalancës.

“Çështja tjetër që u ngrit ishte të gjendet një balancim me sektorin privat u tha këtu kundër kësaj po veproni ju ose kjo është tentativa juaj në këtë lojën popullsitë që po mundoheni ta shisni para publikut nëse me vlerën e koeficientit 105 euro paga mesatare në sektorin publik bëhet 730 euro bruto nëse i marrim vlerat që po i propozoni ju nëse merret 125 euro vlera do të ishte 870 paga mesatare, nëse merret 130 euro vlera paga mesatare do të ishte 900 euro tani ku do të merreshin këto para ku merren rëndom është sektori privat pra takasapaguesit që punojnë në sektorin privat merret ky tatim dhe më tregoni se sa është paga mesatare në sektorin privat, në sektorin privat paga mesatare është 420 euro. Ju çka p propozoni është më shumë se dyfishi i pagës mesatare në sektorin privatë, propozimi juaj është të rëndohet barra në sektorin privat dhe të rritet paga mesatare në sektorin publik. Mos luani me popullizma të tillë sepse është e pandershme dhe thellon më tepër disbalancinë që është krijuar me sektorin privat në raport me atë publik”, tha ai.

E më pas u kundërpërgjigj përsëri deputeti i PDK-së, Ferat Shala i cili kërkoi të di se a është përfshirë inflacioni në këtë vlerë të koeficientit.

“Thuani se sa është paga minimale sipas ligjit, thuani se sa është rritja ekonomike reale, sa është inflacioni a e keni inkorporuar inflacionin në këtë ligj janë pyetje elementare nuk po hyjë në detaje, sa është balancuar inflacioni prej 13% në këtë ligj në këtë koeficienti prandaj mos sepse jashtë dinjitetit tonë po na obligon me u drejtua me komunikua me ju, mos luaj kështu është marre”, tha ai.

Kundërpërgjigje pati edhe deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami e cila u shpreh se koeficienti i propozuar nga ky subjekt politik është i bëshëm dhe nuk implikon tatime shtesë. Ajo tha se për mos rritje të pagës minimale, ministri i Financave duhet t’u kërkojë falje qytetarëve.

“Gjatë krejt kësaj kohe ke vjel tatime 50% më shumë tjera amendamenti dhe propozimi i LDK për 125 euro vlerë monetare është i bëshëm dhe nuk implikon tatime shtesë për shkak se edhe më herët thash se në ministrinë e Financave që ju e udhëheqni janë 121.9 milionë euro në emër të kontigjencave dhe janë 144.3 milionë euro në emër të ringjalljes që ju asnjëherë nuk keni pas mundësi me iu tregu deputetëve se çka do të bëni me këto mjete”, tha ajo.

E për pagën minimale, Murati tha se projektligji është në Kuvend dhe si qeveri po e zbatojnë në projektin “Superpuna”.

Vendi

Dizajni, moda dhe identiteti kulturor në fokus të webinarit ndërkombëtar në UBT

Published

on

By

Në kuadër të Ditëve të Artit dhe Dizajnit, që po zhvillohen në UBT me mbi 30 aktivitete të ndryshme artistike, kreative dhe akademike, u organizua webinari ndërkombëtar me temën “Design, Memory and Identity in Contemporary Culture”, i udhëhequr nga Prof. Cennet Lika.

Ky aktivitet bëri bashkë në formatin online profesorë, artistë, dizajnerë dhe studentë nga vende të ndryshme, duke krijuar një platformë bashkëkohore diskutimi mbi rolin e dizajnit, kujtesës dhe identitetit në kulturën moderne. Përmes një qasjeje ndërdisiplinore, webinari trajtoi mënyrën se si moda, arti, kultura vizuale dhe identiteti kulturor ndërthuren në realitetin bashkëkohor dhe ndikojnë në formësimin e shoqërisë moderne.

Në panel morën pjesë emra të njohur vendorë dhe ndërkombëtarë, si: Elisa Poli – Program Leader Senior në NABA, Itali, Phlox Van Oppen – dizajnere tekstili nga Holanda, Tiina Burton – artiste dhe Senior Digital Fashion Lecturer në Cambridge, si dhe ligjëruesit e UBT-së, Dukagjin Muhaxheri dhe Dardan Luta.

Diskutimet sollën perspektiva të ndryshme mbi zhvillimet më të fundit në art, dizajn, modë dhe kulturë digjitale, duke i njohur studentët me praktikat dhe trendet bashkëkohore ndërkombëtare në industrinë kreative.

Përmes aktiviteteve të tilla, UBT vazhdon të dëshmojë përkushtimin në avancimin e programeve të artit dhe dizajnit, duke u ofruar studentëve mundësi të drejtpërdrejta bashkëpunimi me profesionistë vendorë dhe ndërkombëtarë, si dhe qasje në tema aktuale që ndërlidhen me kreativitetin, inovacionin dhe industrinë moderne kreative.

Ditët e Artit dhe Dizajnit në UBT po vazhdojnë me ekspozita, punëtori, ligjërata, diskutime dhe aktivitete të shumta interaktive, duke e shndërruar kampusin në një qendër të rëndësishme të artit, dizajnit dhe inovacionit kulturor.

 

Continue Reading

Kronikë e zezë

Vdekje tragjike dhe të njëpasnjëshme në Durrës

Published

on

By

Dy ngjarje të rënda janë regjistruar gjatë ditës së sotme në Durrës, ku një burrë dhe një grua kanë humbur jetën në rrethana tragjike.

Në zonën e ish-Kënetës, një 68-vjeçar u gjet pa shenja jete në banesën e tij nga familjarët, ndërsa policia po e heton rastin si vetëvrasje me varje.

Ndërkohë, në lagjen 18 të qytetit, një grua 46-vjeçare dyshohet se është hedhur nga kati i pestë i një pallati.

Të dyja rastet po hetohen nga autoritetet, ndërsa shkaqet mbeten ende të paqarta.

Continue Reading

Vendi

Prishtina pas luftës në qendër të dramës që shfaqet në festivalin ndërkombëtar në Graz

Published

on

Shfaqja “Prishtina: Vrasja e paralajmëruar e një ëndrre”, produksion i Qendrës Multimedia, do të prezantohet më 28 maj 2026 në kuadër të “Dramatiker:innenfestival”, që mbahet në Graz të Austrisë nga 26 deri më 31 maj.

Drama me tekst të Jeton Nezirajt dhe regji të Blerta Nezirajt sjell në qendër transformimin urban të Prishtinës pas luftës, duke u fokusuar në figurën e arkitektit Rexhep Luci dhe ndryshimet e thella në hapësirën e qytetit.

Përmes një qasjeje bashkëkohore teatrore, shfaqja trajton çështje si planifikimi urban, arkitektura dhe trashëgimia kulturore, si dhe ndikimin e ndërtimeve pa kontroll në jetën e përditshme të qytetarëve.

“Prishtina…” është pjesë e programit ndërkombëtar të festivalit dhe është shfaqur me sukses në Kosovë dhe jashtë saj, duke u vlerësuar edhe nga kritika ndërkombëtare për qasjen e saj reflektuese mbi qytetin dhe kujtesën urbane.

Continue Reading

Lajmet

BE-ja dhe ekspertët kërkojnë masa më të ashpra ndaj cigareve elektronike

Published

on

By

Rishikimi i ligjeve për duhanin dhe nikotinën nga Bashkimi Evropian ka nxitur diskutime të shumta në Konferencën Evropiane për Duhanin dhe Shëndetin, e mbajtur këtë javë në Milano. Ekspertë të shëndetësisë dhe organizata ndërkombëtare kanë bërë thirrje për rregulla më të forta ndaj cigareve elektronike dhe produkteve të reja me nikotinë, duke theksuar ndikimin e tyre te të rinjtë.

Gjatë konferencës është kërkuar forcimi i masave si rritja e taksave, kufizimi i reklamimit dhe ndalimi i përdorimit në më shumë hapësira publike. Drejtori i përgjithshëm i World Health Organization, Tedros Adhanom Ghebreyesus, ka paralajmëruar se produktet e reja të nikotinës po krijojnë forma të reja varësie, sidomos te të rinjtë.

“Sot, përballemi jo vetëm me dëmet e vazhdueshme të shkaktuara nga produktet tradicionale të duhanit, por edhe me një treg që po ndryshon me shpejtësi të produkteve të reja dhe në zhvillim të nikotinës. Këto produkte shpesh reklamohen si më pak të dëmshme, por në realitet po krijojnë rrugë të reja drejt varësisë, veçanërisht për të rinjtë. Kjo nuk është ulje e dëmit. Kjo është krijim i dëmit”, ka deklaruar ai.

Në konferencë u theksua gjithashtu se përdorimi i cigareve elektronike në Evropë po rritet ndjeshëm, veçanërisht tek të rinjtë. Përfaqësuesit e organizatave shëndetësore vlerësuan se krijimi i hapësirave pa nikotinë mbetet një nga mënyrat më efektive për mbrojtjen e shëndetit publik.

“Shfaqja e shpejtë e produkteve të reja të nikotinës, e kombinuar me ndryshimin e mënyrave të përdorimit, do të thotë se puna jonë është më e rëndësishme dhe më urgjente se kurrë”, ka thënë Juha Pekka Turunen.

Ndërkohë në Prishtinë, mjekët kanë ngritur shqetësime për shkallën e lartë të varësisë nga nikotina tek të rinjtë. Sipas tyre, shumë fëmijë dhe adoleshentë po bëhen të varur nga cigaret elektronike për shkak të përmbajtjes së lartë të nikotinës dhe aromave tërheqëse.

“Niveli i lartë i nikotinës që gjendet në këto produkte bën që fëmijët të bëhen kaq shumë të varur, sa që zgjohen edhe natën për të marrë dozën e nikotinës”, është shprehur mjeku Morina.

Ai ka paralajmëruar edhe për pasojat shëndetësore të këtyre produkteve, duke përfshirë dëmtimet në mushkëri, zemër, tru dhe sistemin psikik.

Së fundmi, në Kosovë është iniciuar ndryshimi i Ligjit për Kontrollin e Duhanit, por autoritetet deri tani kanë pranuar vetëm rekomandimin për ndalimin e aromave dhe shijeve në cigaret elektronike. /Ekonomia online/

 

 

Continue Reading

Të kërkuara