Lajmet

​Osmani: Gjysmëzgjidhjet në mes Kosovës e Serbisë nuk sjellin paqe afatgjatë

Osmani ka thënë se Serbia duhet të pranojë realitetin e Kosovës së pavarur dhe sovrane.

Published

on

Presidentja Vjosa Osmani ka thënë se dialogu në mes të Kosovës dhe Serbisë duhet të përqendrohet në njohje reciproke dhe se çfarëdo gjysmëzgjidhje midis vendeve nuk do të sjellë paqe afatgjate në rajon.

Nga Sllovenia, Osmani ka thënë se njohja reciproke është e vetmja zgjidhje që sjellë paqen e dëshiruar dhe i afron shtetet me Bashkimin Evropian.

Pas Samitit të Brdo-Brionit, Osmani ka theksuar se Kosova është e përkushtuar për dialog.

Ka shumë gjëra në të cilat nuk pajtohemi por gjithsesi dialogu midis Kosovës dhe Serbisë duhet të përqendrohet te njohja e ndërsjellë dhe shpresojmë që nëse Serbia angazhohet në mënyrë konstruktive, sa më shpejt që është e mundur të mund të arrijmë një marrëveshje përfundimtare që fokusohet te njohja e ndërsjellë, por çfarëdo gjysmëzgjidhje nuk do të sjellë paqen afatgjatë, njohja e ndërsjellë është e vetmja gjë që sjell paqen aq të dëshiruar në rajon dhe përtej dhe na bën më të afërt me Be-në që është edhe synim i yni”, ka thënë Osmani.

Osmani ka thënë se Serbia duhet të pranojë realitetin e Kosovës së pavarur dhe sovrane.

Nuk kemi pasur ndonjë bisedë bilaterale, sigurisht që kemi shumë mospajtime me presidentin Vuçiq dhe këto mospajtime janë publike, sepse Serbia ende nuk e pranon realitetin e Kosovës së pavarur dhe sovrane, që është realitet i pakthyeshëm. Besoj fuqimisht që sa më shpejt që Serbia ta kuptojë që ky realitet është i pakthyeshëm, do të jetë më mirë për të, por edhe për gjithë rajonin, paqen dhe stabilitetin afatgjatë”, ka thënë Osmani.

Presidentja Osmani ka folur edhe për procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën, për çka ka theksuar edhe njëherë se shteti i ka përmbushur të gjitha kriteret.

Ajo ka thënë se në këtë samit është folur njëzëri që Kosovës duhet t’i hiqet regjimi i vizave.

E para e shtetit ka thënë se aktualisht nuk ka asnjë vend në Bashkimin Evropian që thotë se është kundër liberalizimit të vizave për Kosovën.

Kemi biseduar me aleatë tanë çekë, pastaj shtete anëtare të caktuara në BE, nuk ka vend në BE aktualisht që na thotë se janë kundër liberalizimit të vizave dhe besoj që e kemi momentumin më të mirë në këto katër vjetët e fundit. Pra momentumi është i shkëlqyeshëm, kemi mbështetjen e vendit nikoqir për këtë takim dhe takimet ministrore kështu e me radhë. Shpresojmë që gjatë tetorit do të ketë takim të grupit punues për viza, për ta shtyrë çështjen përpara dhe pastaj në Samitin e ardhshëm BE-Ballkan Perëndimor që pritet të mbahet pak më vonë pas tetorit. Ajo që është me rëndësi, që gjatë Presidencës Çeke të merret ky vendim, gjatë këtij viti pra”, ka thënë ajo.

Osmani ka thënë se Kosova ka zgjedhur rrugëtimin euroatlantik dhe ka theksuar se këtë vit do të aplikojë për statusin e vendit kandidat.

Ndryshe, sot ka përfunduar samiti i Brdo-Brionit në Slloveni, ku mori pjesë edhe presidentja Vjosa Osmani. Për shkak të mospajtimeve, deklarata e përbashkët e presidentëve të rajonit nuk është miratuar, megjithatë dritë e gjelbër iu dha disa konkluzioneve, mes tyre, liberalizimi i vizave për Kosovën dhe dhënia e statusit kandidat për Bosnjë-Hercegovinën. Ndërkohë, u kërkua nga BE që të ndihmojë Ballkanin Perëndimor për krizën energjetike dhe sigurimin e ushqimit.

Lajmet

​Në tetor Shqipëria nis zyrtarisht pagesat në euro përmes zonës SEPA

Published

on

By

Me datë 7 tetor 2025, Shqipëria hedh një hap historik duke nisur zyrtarisht pagesat në euro përmes zonës SEPA (Single Euro Payments Area). Ky zhvillim i rëndësishëm, i njoftuar nga Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, gjatë Konferencës së Ambasadorëve, sinjalizon një integrim më të thellë të vendit në sistemin financiar evropian dhe një përparim të konsiderueshëm drejt anëtarësimit të plotë në Bashkimin Evropian.

Guvernatori Sejko theksoi se ky moment shënon një fazë të re për Shqipërinë, duke e konsideruar vendin “të integruar në BE në aspektin e pagesave në fushën financiare”.

Ai sqaroi se Banka e Shqipërisë, në bashkëpunim të ngushtë me institucionet e tjera përgjegjëse, ka përmbushur të gjitha kërkesat ligjore dhe rregullatore të nevojshme për përfshirjen e plotë në këtë sistem të unifikuar pagesash. Komisioni Evropian i Pagesave ka miratuar tashmë të gjitha bankat shqiptare, të cilat do të operojnë brenda standardeve SEPA duke filluar nga data e caktuar.

SEPA: Një hap drejt një Evrope financiare të bashkuar

SEPA, që aktualisht përfshin 41 vende, duke përfshirë shtetet anëtare të BE-së, disa vende nordike dhe Mbretërinë e Bashkuar, lejon transferta bankare në euro me shpejtësi më të madhe, standarde të unifikuara dhe kosto dukshëm më të ulëta krahasuar me sistemet ndërkombëtare tradicionale. Shqipëria, së bashku me Malin e Zi, u pranuan formalisht si anëtaret më të reja të zonës SEPA në nëntor 2024, një arritje strategjike që konsiderohet gjerësisht si një sukses në fushën financiare dhe transparencës.

Përfitime konkrete për ekonominë dhe qytetarët

Guvernatori Sejko nënvizoi se miratimi i ligjit për shërbimet e pagesave, së bashku me aktet nënligjore dhe reformat në luftën kundër pastrimit të parave, kanë krijuar një bazë të fortë ligjore që ka favorizuar pranimin në SEPA. Ai theksoi se përfitimet e drejtpërdrejta për ekonominë dhe biznesin shqiptar do të jenë të shumta:

Pagesa në euro drejt dhe nga vendet e BE-së do të jenë më të shpejta.

Qytetarët dhe bizneset do të përfitojnë nga tarifat bankare më të ulëta për pagesat ndërkombëtare.

Sistemi bankar do të bëhet më transparent dhe efikas, transmeton RTSH.

Investitorët e huaj do të kenë më shumë besim në sistemin financiar shqiptar.

“Ky hap ul ndjeshëm kostot për ekonominë dhe rrit imazhin e Shqipërisë në tregjet e huaja, duke e bërë vendin më tërheqës për investime të huaja,” përfundoi Guvernatori Sejko, duke theksuar rëndësinë strategjike të këtij momenti për të ardhmen e zhvillimit ekonomik të vendit./D.B/KP

Continue Reading

Bota

Rusia thotë se nuk kishte planifikuar të sulmonte asnjë objektiv në Poloni

Published

on

By

Ministria ruse e Mbrojtjes tha se nuk kishte planifikuar të sulmonte asnjë objektiv në Poloni, pasi Varshava tha se 19 dronë rusë hynë në hapësirën e saj ajrore gjatë sulmeve të natës në Ukrainën perëndimore.

Në një përditësim të përditshëm mbi sulmet kundër Ukrainës, ajo tha se “Asnjë objekt në territorin polak nuk ishte planifikuar të ishte në shënjestër”, raporton BBC.

Megjithatë, ne jemi të gatshëm të zhvillojmë konsultime me ministrinë polake të Mbrojtjes mbi këtë temë”, tha Ministria e Mbrojtjes e Rusisë.

Gjatë natës, një “numër i madh” dronësh rusë u rrëzuan mbi hapësirën ajrore polake, tha kryeministri i Polonisë. Duke folur përpara një takimi urgjent, Donald Tusk tha se ishte hera e parë që dronë rusë u rrëzuan mbi këtë vend.

Polonia mbylli përkohësisht hapësirën e saj ajrore dhe filloi një operacion ushtarak, të cilit iu bashkuan avionë të NATO-s dhe holandezëve. Qytetarëve në tre rajone polake përgjatë kufirit ukrainas iu tha të qëndronin në shtëpi.

Dronët që hynë në Poloni ishin pjesë e sulmit të fundit të madh ajror ndaj Ukrainës, ku Rusia lëshoi 415 dronë gjatë natës.

Presidenti i Ukrainës Zelensky tha se “të paktën tetë dronë sulmues” ishin të drejtuar drejt Polonisë, duke e quajtur përshkallëzimin një “precedent jashtëzakonisht të rrezikshëm për Evropën”./D.B/KP

Continue Reading

Lajmet

​Dogana gjen në një veturë botoks dhe fillerë në kontrabandë

Published

on

By

Njësitet për Anti-Kontrabandë të Doganës së Kosovës, sot bazuar në informatat paraprake dhe autorizimet ligjore të parashikuara në Kodin Doganor dhe të Akcizave, kanë ndaluar një automjet në territorin e Prishtinës, ku kanë hasur “botoks” dhe “fillerë” të kontrabanduara.

Sipas Doganës, gjatë kontrollit të automjetit, është konstatuar se brenda tij transportoheshin produkte të padoganuara të llojit “botoks” dhe “fillerë” (produkte për përdorim estetik).

Pas veprimeve të mëtejshme operative dhe në koordinim me prokurorin kompetent, është kryer kontroll edhe në një lokacion tjetër në Prishtinë, ku është gjetur dhe ndaluar një sasi shtesë e këtyre produkteve”, thuhet në njoftim.

Sipas doganës, vlera e përgjithshme e mallrave të ndaluara llogaritet të jetë rreth 5,000 €.

Duke marrë parasysh se këto produkte kanë kontakt të drejtpërdrejtë me trupin e njeriut, mungesa e kontrollit adekuat dhe transporti i parregullt i bën ato veçanërisht të rrezikshme për shëndetin e popullatës“, thuhet në njoftim.

Po ashtu në njoftim thuhet se rasti, sipas procedurave ligjore, është duke u trajtuar si kundërvajtje doganore./D.B/KP

Continue Reading

Bota

Gjermania akuzon Rusinë se drejtoi qëllimisht dronët në Poloni

Published

on

By

Gjermania akuzoi sot Rusinë për drejtimin e qëllimshëm të dronëve të armatosur drejt Polonisë si pjesë e provokimeve dhe strategjisë së saj të luftës hibride.

Ministri i Mbrojtjes Boris Pistorius gjatë një debati parlamentar në Bundestag tha se dronët u drejtuan qëllimisht përgjatë kësaj trajektoreje.

Nuk ka absolutisht asnjë arsye për të besuar se këto ishin gabime navigimi, korrigjime të kursit ose diçka të ngjashme,” tha ai.

Ministri i quajti inkursionet e dyshuara ruse me dronë si provokime, pjesë e strategjisë së luftës hibride të Rusisë për të testuar aftësitë mbrojtëse evropiane dhe për të destabilizuar rajonin.

Për të arritur në Ukrainë, këta dronë nuk kishin nevojë të ndiqnin këtë rrugë. Sipas raporteve nga Polonia, ato me sa duket ishin të pajisura edhe me municione. Pra, diçka mund të kishte ndodhur në çdo kohë”, tha Pistorius.

Ai gjithashtu konfirmoi mbështetjen e Berlinit për vendimin e Polonisë për të thirrur Nenin 4 të traktatit të NATO-s pas ndërhyrjeve ruse me dronë.

Ne po bashkëpunojmë me polakët dhe po zhvillojmë konsultime“, tha ministri, transmeton Anadolu.

Ushtria polake njoftoi se rrëzoi dronët rusë që shkelën hapësirën e saj ajrore gjatë një sulmi ndaj Ukrainës./D.B/KP

Continue Reading

Të kërkuara