Lajmet

​Njohësit e çështjeve juridike: Reforma do të eliminonte problemet zgjedhore

Published

on

Këshilli Gjyqësor i Kosovës e ka njoftuar Komisionin Qendror të Zgjedhjeve se në listat e partive politike për zgjedhjet e 14 shkurtit, janë 47 kandidatë të cilët janë shpallur fajtorë për vepra penale me një vendim përfundimtar të gjykatës në tri vitet e fundit.

E njohësit e çështjeve juridike po vlerësojnë se vetëm me reformë zgjedhore do të arrihen të zgjidhen këto probleme të cilat po përsëriten në secilin cikël zgjedhor në vend.

Florent Spahija nga Instituti Demokratik i Kosovës, thotë se në një reformë zgjedhore duhet të specifikohet qartë që personat e dënuar, me aktakuza dhe në procese gjyqësore, të mos kenë të drejtë të garojnë fare në zgjedhje.

“Në një reformë zgjedhore duhet të ceket qartë se personat që kanë aktakuza apo janë duke u akuzuar, ndjekur apo janë duke u gjykuar, madje edhe për vepra penale të rënda si korrupsioni apo vepra tjera duhet me u ndalua me kandidua. Ne jemi vonë si Kosovë në reformë zgjedhor absolutisht që është dashur reforma zgjedhor me u krye vite më parë edhe me u bë që mos me i pasur këto probleme me të cilat po ballafaqohemi gjatë çdo periudhe dhe cikli zgjedhor”, theksoi Spahija.

Spahija për KosovaPress i ka sqaruar procedurat e ankimimit të kandidatëve për deputetë që kanë probleme me ligjin. Sipas tij, KQZ-ja duhet t’u drejtohet partive politike me kërkesën që ata emra të kandidatëve të zëvendësohen me emra të tjerë, më pas subjektet politike mund të ankimojnë në PZAP dhe më pas edhe në Gjykatën Supreme.

“Tash pritet që KQZ pasi ka pranuar këtë listë me marr një vendim lidhur me ato që i ka dërguar KGJK-ja, normalisht që KQZ jep vendim dhe i drejton partitë politike duke u thënë që t’i zëvendësojnë personat që kanë probleme me ligjin. Ajo që subjektet politike kanë të drejtë me bë është me dërgua rastin në PZAP dhe më pas PZAP me marr vendim mbi çështjen që KGJK dhe këtë rast KQZ ka vendosur. Nëse palët nuk janë të kënaqura me vendimin e PZAP-së, atëherë ato mund të ankimojnë në Gjykatën Supreme normalisht të Gjykata Supreme në afate të shkurta kohore vendos mbi atë që është kërkuar prej saj…Konsideroj se Gjykata Supreme prapë do vendos në bazë meritore për atë që i kërkohet”, theksoi Spahija.

Sipas tij, nga Gjykata Kushtetuese kandidatët për deputetë që kanë telashe me ligjet e Kosovës mund të kërkojnë vetëm interpretim.

“Realisht Gjykata Kushtetuese nuk është një gjykatë e rregullt edhe ankesa atje nuk do ta shtynte procesin zgjedhor e as nuk do merrej me shtyrje të këtij procesi. Madje, aty mund të kërkohet vetëm sqarim ose mund të kërkohet interpretim mbi ligjit se a është në përputhje me Kushtetutën pasi që duket se ka një dallim mes nenit 45 të Kushtetutës dhe nenit 29, paragrafi 1, pika ç e ligjit për zgjedhjet e përgjithshme .Mund t’i kërkohet Gjykatës Kushtetuese ndryshimi apo shpallje e asaj norme nule në kuptim ose në kundërshtim me Kushtetutën që do ta bënte ligjin jo të anulueshëm, por atë normë nuk do ta interpretonin më“, theksoi ai.

Se reforma zgjedhore do t’i zgjidhte shumë telashe me të cilat ballafaqohet sistemi zgjedhor në Kosovë e thotë edhe Yll Zekaj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, i cili thotë se reforma zgjedhore është premtim i partive politike në fushatë dhe në çdo qeveri, por po mbetet vetëm si premtim pasi nëse ndodh në praktikë pengohet realizimi i interesave partiake.

“Një reformë zgjedhore është e nevojshme tash e sa vite. Nëse i shohim programet e partive politike që dalin në zgjedhje, por gjithashtu edhe programet legjislative të qeverive pas zgjedhjes së tyre secila prej tyre ka edhe ligjin për zgjedhje dhe reformën zgjedhore, por të njëjtën nuk e realizojnë në praktikë. Nuk e realizojnë për arsye se kjo pastaj i pengon edhe në realizimin e interesave të ngushta partiake të cilat po mbizotërojnë pastaj në skenën tonë politike. Ka shumë probleme në sistemin tonë zgjedhor tash na doli edhe problem shumë i madh edhe ky neni 29 i Ligjet për Zgjedhje, paragrafi 1, pika ç, i cili përcakton se asnjë person nuk mund të kandidojë nëse në tri vitet e fundit ka pasur vendim të plotë-fuqishëm me të cilin është dënuar, nuk e përcakton as llojin e dënimit dhe as lartësinë e dënimit e as llojit e veprës”, deklaroi ai.

Edhe Zekaj ka treguar rrugët ligjore që mund t’i ndjekin kandidatë për deputetë të cilët nuk janë certifikuar.

“Njoftimin e KQZ-së ndaj partive politike me këtë numër prej 47 kandidatëve për deputet të cilët bien ndesh me vendimin e Gjykatës Kushtetuese e shohim vetëm si një zbatim të vendimit të Gjykatës Kushtetuese dhe krejt kjo që rrjedh nga ky vendim është përkatësisht derivat i këtij procesi. Tanimë të gjithë këta 47 persona potencialisht që mund të pakënaqur me këtë vendim në momentin që do të konfirmohet se nuk do certikfohen nga KQZ ata kanë të drejtë që të fillojnë procesin e ankimimit, i cili shkon nga Paneli Zgjedhor për Ankesa (PZAP), dhe nëse të njëjtit nuk janë të kënaqur me vendimin që do e marr PZAP dhe tani e kanë edhe një shkallë që është Gjykata Supreme dhe këtu shteren mjetet e brendshme juridike të procesit zgjedhor për këto zgjedhje. Pas shterjes së të gjitha mjeteve të brendshme juridike si PZAP dhe Gjykata Supreme kandidatë e pakënaqur me vendimin dhe ata që pretendojnë që iu janë shkelur të drejtat kushtetuese të tyre, përkatësisht që pretendojmë edhe ne se ka kufizim të të drejtave kushtetuese nga neni 45 i Kushtetutës, mund t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese për të konsideruar një vendim të tillë si vendim kundër kushtetues me të cilit janë kufizuar të drejtat kushtetuese për të qenë pjesë e këtij procesi zgjedhor”, theksoi Zekaj.

Sipas një liste që tashmë Komisioni Qendror i Zgjedhjeve e ka marrë nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës janë 47 kandidatë për deputetë që kanë telashe me ligjin.

Lidhur me këtë, KQZ do të marrë vendim deri më 22 janar, ndërsa partitë politike mund të paraqesin ankesat e tyre në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa dhe pastaj në Gjykatën Supreme.

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti i cili është i dënuar me kusht në shkurt të vitit 2018 për hedhje të gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës, ka thënë se pavarësisht kësaj do të jetë bartës i listës.

E PDK-ja dhe LDK-ja kanë pranuar që kandidatët të cilët nuk janë certifikuar nga KQZ-ja t’i heqin nga listat e tyre për deputetë, duke i zëvendësuar me emra të rinj.

Rajoni

Profesori bullgar Dimitar Keranov ligjëroi në UBT mbi të ardhmen evropiane të Kosovës dhe përvojën e Bullgarisë

Published

on

Në kuadër të aktiviteteve akademike dhe ligjëratave tematike me ekspertë ndërkombëtarë, UBT ka mirëpritur Dr. Dimitar Keranov, politolog dhe ekspert i sigurisë ndërkombëtare, i cili mbajti ligjëratën me temën “Kosova’s European Future: What Bulgaria’s Experience Can Offer”, para studentëve të programit të Studimeve të Sigurisë.

Ligjërata u fokusua në rrugëtimin evropian të Kosovës, sfidat e integrimit, si dhe mësimet që mund të nxirren nga përvoja e Bullgarisë në proceset e anëtarësimit në Bashkimin Evropian, duke vënë theks të veçantë në çështjet e sigurisë, qëndrueshmërisë demokratike dhe përballjes me kërcënimet hibride.

Në këtë aktivitet akademik ishin të pranishëm edhe dekania e Fakultetit, Hajdi Xhixha, si dhe prodekani Arian Kadriu, të cilët vlerësuan rëndësinë e përfshirjes së ekspertëve ndërkombëtarë në procesin mësimor dhe në zgjerimin e perspektivës akademike të studentëve të UBT-së.

Dr. Dimitar Keranov është anëtar i Bordit Drejtues të Bulgarian Institute for International Politics (BIIP) dhe njihet si një nga zërat e rëndësishëm në fushën e politikës së jashtme, sigurisë dhe demokracisë në Evropën Juglindore. Fushat e tij të specializimit përfshijnë kërcënimet hibride, reziliencën demokratike dhe sigurinë ndërkombëtare, me fokus të veçantë në vendet që përballen me presione gjeopolitike.

Ai ka një përvojë të pasur profesionale në institucione prestigjioze ndërkombëtare, përfshirë German Marshall Fund of the United States dhe Institut für Europäische Politik në Berlin, ku ka kontribuar në analiza politike dhe kërkime shkencore mbi zgjedhjet, ndikimin e huaj dhe qeverisjen demokratike.

Publikimet dhe analizat e Dr. Keranov janë cituar nga media ndërkombëtare me ndikim të madh, si The New York Times dhe Euronews, duke e bërë atë një referencë të rëndësishme në debatet bashkëkohore mbi sigurinë dhe demokracinë. Ai është gjithashtu anëtar i American Political Science Association dhe flet rrjedhshëm më shumë se dhjetë gjuhë, çka i mundëson një qasje krahasuese dhe ndërkombëtare ndaj sfidave globale të sigurisë.

Ligjërata u prit me interes të veçantë nga studentët, të cilët patën mundësi të diskutojnë drejtpërdrejt me ligjëruesin për rolin e Kosovës në arkitekturën evropiane të sigurisë, sfidat aktuale rajonale dhe rëndësinë e përgatitjes akademike për profesionistët e ardhshëm të kësaj fushe.

Përmes aktiviteteve të tilla, UBT vazhdon të forcojë profilin e tij ndërkombëtar dhe të ofrojë një arsim cilësor, të lidhur ngushtë me zhvillimet aktuale globale dhe me praktikat më të mira akademike dhe profesionale.

Continue Reading

Vendi

Zgjerimi urban i Prishtinës analizohet shkencërisht në një temë masteri nga studentja e UBT-së, Eglantina Buja

Published

on

Prishtina ka qenë në fokus të një analize të thelluar shkencore mbi zhvillimin dhe zgjerimin e saj urban, përmes temës së masterit të kandidates nga UBT, MSc. Eglantina Buja, e cila u mbrojt me sukses në kuadër të studimeve pasuniversitare.

Tema me titull “Analizë sasiore e shtrirjes dhe zgjerimit urban në Prishtinë për periudhën 1990–2024” u prezantua para komisionit profesional, i përbërë nga Prof. Dr. Egzon Bajraktari (kryetar), Prof. Dr. Edon Maliqi (mentor) dhe Dr. sc. Elvida Pallaska (anëtare).

Studimi trajton transformimet urbane të kryeqytetit gjatë një periudhe 34-vjeçare, duke përfshirë kohën e okupimit, periudhën e pasluftës dhe zhvillimet pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Përmes përdorimit të të dhënave të hapura dhe metodave bashkëkohore shkencore, tema ofron një pasqyrë të qartë dhe të matshme të zgjerimit urban të Prishtinës.

Analiza është realizuar mbi bazën e imazheve satelitore Landsat 5 TM dhe Landsat 8 OLI, të përpunuara përmes klasifikimit të mbikëqyrur (Supervised Classification) në platformën Google Earth Engine, si dhe përmes analizave hapësinore me sisteme GIS. Si rezultat, janë gjeneruar harta tematike dhe produkte vizuale që dokumentojnë ndryshimet urbane ndër vite.

Të dhënat tregojnë një rritje të ndjeshme të sipërfaqes së ndërtuar në Prishtinë – nga 437.5 hektarë në vitin 1990 në mbi 1,410 hektarë në vitin 2024, që përfaqëson një zgjerim urban mbi 220%, një ritëm që tejkalon dukshëm rritjen e popullsisë. Ky zhvillim ka ndikuar në kalimin nga një strukturë urbane kompakte drejt një forme më të shpërndarë dhe të fragmentuar, duke sjellë sfida serioze për planifikimin hapësinor, infrastrukturën dhe përdorimin efikas të tokës.

Studimi identifikon gjithashtu zonat kryesore të zgjerimit urban dhe vë në pah ndikimin e ndërtimeve informale dhe mungesës së planifikimit të qëndrueshëm urban. Në përfundim, tema ofron rekomandime konkrete për vendimmarrësit, duke theksuar nevojën për zhvillim kompakt, forcim institucional dhe përdorim sistematik të teknologjive gjeohapësinore në monitorimin urban.

Me rastin e diplomimit, kandidatja u vlerësua për qasjen serioze akademike, rigorozitetin metodologjik dhe kontributin e vlefshëm në studimet e zhvillimit urban të Prishtinës.

UBT vazhdon të dëshmojë përkushtimin e tij ndaj kërkimit shkencor dhe formimit të kuadrove profesionale që kontribuojnë drejtpërdrejt në analizën dhe zgjidhjen e sfidave zhvillimore të vendit.

Continue Reading

Vendi

Rektori i UBT-së, Edmond Hajrizi, bëhet zyrtarisht anëtar i Akademisë Evropiane të Shkencave

Published

on

Rektori i UBT-së, Edmond Hajrizi bëhet anëtar i Akademisë Evropiane të Shkencave, në bazë të kontributit të tij të jashtëzakonshën në shkencë dhe teknologji, si dhe duke u bërë i vetmi dhe i pari shkencëtar nga Kosova që i bashkohet këtij institucioni prestigjioz. Diploma e anëtarësimit iu dorëzua gjatë një ceremonie solemne nga Kryetari dhe Nënkryetari i Akademisë, në Qendrën Evropiane për Shkencë (CERN) në Gjenevë, Zvicër.

Ky anëtarësim përfaqëson një njohje ndërkombëtare për kontributin e Rektorit Hajrizi në avancimin e arsimit të lartë, kërkimit shkencor dhe inovacionit në Kosovë, si dhe forcon lidhjet e vendit me komunitetin akademik evropian dhe botëror.

“Ky është një moment jashtëzakonisht i rëndësishëm, jo vetëm për mua personalisht, por edhe për Kosovën dhe komunitetin tonë shkencor. Anëtarësimi im në Akademinë Evropiane të Shkencës hap dyert e kësaj akademie prestigjioze për vendin tonë dhe për gjeneratat e reja të shkencëtarëve kosovarë,” ka thënë Rektori Hajrizi.

Rektori Hajrizi theksoi rëndësinë dhe domethënien e këtij anëtarësimi, duke shprehur falënderimet e tij dhe duke ndarë vizionin për të ardhmen.

“Ky anëtarësim përfaqëson vlerësimin e punës sime mbi 30-vjeçare në fushën e shkencës dhe teknologjisë, dhe më jep një motiv shtesë për të vazhduar angazhimin në forcimin e arsimit cilësor, avancimin e kërkimit shkencor dhe lidhjen e institucioneve akademike të Kosovës me rrjetet evropiane të dijes dhe inovacionit. Dëshiroj të shpreh mirënjohjen time të thellë për të gjithë ata që kontribuan në nominimin dhe vlerësimin tim. Një falënderim i veçantë shkon për familjen time dhe për kolegët e mi, për mbështetjen e vazhdueshme dhe bashkëpunimin profesional gjatë gjithë këtyre viteve”, u shpreh Rektori Hajrizi.

Akademia Evropiane e Shkencave është e njohur për promovimin e ekselencës shkencore, kërkimit ndërdisiplinar dhe inovacionit, duke përfshirë në radhët e saj studiues me reputacion të lartë ndërkombëtar, përfshirë edhe laureatë të Çmimit Nobel.

Nën udhëheqjen e Prof. Dr. Edmond Hajrizi, UBT është pozicionuar si një institucion lider në arsimin e lartë, kërkimin shkencor, inovacionin dhe sipërmarrjen në rajonin e Evropës Juglindore, duke krijuar mundësi të reja për studentët, akademikët dhe institucionet partnere.

Continue Reading

Lajmet

Ambasada amerikane e quan sukses të madh ushtrimin e përbashkët me Policinë

Published

on

By

Ambasada e SHBA-së në Prishtinë e ka cilësuar si një sukses të madh ushtrimin e javës së kaluar për reagim ndaj krizave të realizuar në koordinim mes Ambasadës së SHBA-së dhe Policisë së Kosovës.

Në këtë ushtrim kanë qenë të përfshirë rreth 800 oficerë të Policisë së Kosovës bashkë me njësite të tjera speciale, përfshirë forenzikën dhe KFOR-in.

Për këtë ushtrim të përbashkët janë përdorur edhe qentë, dronët e automjete tjera taktike.

Ushtrimi i përbashkët i reagimit ndaj krizave i javës së kaluar ishte një sukses i madh — duke reflektuar koordinimin e shkëlqyer midis Ambasadës së SHBA-së dhe Policisë së Kosovës. Gati 800 oficerë të PK-së — së bashku me zjarrfikësit dhe emergjencat dhe njësitë e specializuara duke përfshirë njësitë SIU, SOU, EOD, UAS/Kundër-UAS, Forenzikë dhe Çështje Publike — morën pjesë, me mbështetje të vlefshme nga RSO, MSG, PD, INL, ICITAP, MED, KFOR, LGF dhe PSU. Nga qentë dhe dronët te automjetet taktike dhe ekipet e emergjencës, ky ushtrim nxori në pah bashkëpunimin tonë ndëragjencor, gatishmërinë operacionale dhe angazhimin e përbashkët ndaj sigurisë”, shkruan Ambasda në njoftim.

Continue Reading

Të kërkuara