Lajmet

​Ngritja e çmimit të faturave, KMDLNj: Diskriminim në baza etnike

KMDLNj thekson se diskriminimi i qytetarëve në baza etnike është në kundërshtim të plotë me të drejtat e njeriut.

Published

on

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut ka reaguar pas vendimit të ZRrE, për rritjen e çmimit të energjisë elektrike, duke thënë se kjo rritje nuk i prekë as edhe për një cent të vetëm serbët të cilët, që nga përfundimi i luftës asnjëherë nuk e kanë paguar rrymën, ujin, mbeturinat dhe shërbimet tjera, në ndërkohë që kanë punuar për interese të Serbisë dhe kundër institucioneve të Kosovës.

KMDLNj thekson se diskriminimi i qytetarëve në baza etnike është në kundërshtim të plotë me të drejtat e njeriut dhe vepër penale e kjo po ndodhë në Kosovë, shqiptarët dhe joserbët janë të detyruar të paguajnë të gjitha faturat, kurse serbët këtë nuk e bëjnë, që nga përfundimi i luftës e deri më tani.

“Në një vend normal ku ka aktivizëm qytetarë dhe deputetë të ndërgjegjshëm dhe të përgjegjshëm, asnjë qeveri nuk do t’i mbijetonte presionit të arsyeshëm shkaku i diskriminimit të lakuriquar në baza etnike. Po nëse ky veprim do t’iu bëhej serbëve, rasti do të shkonte deri te Kombet e Bashkuara”, thuhet në reagim.

Reagim i KMDLNj – së:

PLAÇKITËS TË PASKRUPULLT!

ZRrE, ashtu siç e kishte paralajmëruar opinionin KMDLNj –ë, dje mori vendim që faturat e rrymës vetëm për shqiptarë dhe joserbë të rriten afërsisht 15,4 përqind që ishte më shumë se 2.5 përqind nga kërkesa fillestare për rritje të çmimit të energjisë elektrike. Natyrisht se kjo rritje nuk i prekë as edhe për një cent të vetëm serbët të cilët, që nga përfundimi i luftës asnjëherë nuk e kanë paguar rrymën, ujin, mbeturinat dhe shërbimet tjera në ndërkohë që kanë punuar për interese të Serbisë dhe kundër institucioneve të Kosovës. Që nga përfundimi i luftës e deri më sot, me lirimin nga pagesa për këto detyrime për të cilat shqiptarët dhe joserbët, pavarësisht gjendjes së rëndë ekonomike, nëse nuk i kanë paguar me kohë kanë përfunduar në gjykatë apo te përmbaruesi. Ka pasur raste kur përmbaruesit ua kanë ndalur mjetet e ndihmës sociale dhe të pensioneve, për t’i shlyer borxhet për faturat e papaguara në ndërkohë që me këto mjete të falura nga të gjitha qeveritë e Kosovës, sidomos në veri ka lulëzuar krimi i organizuar i kultivimit të bimëve narkotike dhe prodhimit të kriptovalutave për të cilat nevojitet një sasi e madhe e rrymës. Një kohë të gjatë, operatori KEDS –i dhe KESCo kanë plaçkitur qytetarët e Kosovës duke ua fryrë faturat e rrymës dhe me ato mjete ua kanë paguar rrymën serbëve të rebeluar. Sigurisht se në këtë mënyrë kanë vepruar edhe me shërbimet tjera. Avokati i Popullit dhe KMDLNj –ë e patën denoncuar këtë plaçkitje pas së cilës Gjykata Kushtetuese ka vlerësuar se është e kundërligjshme duke rekomanduar që menjëherë të ndërpritet me këtë vjedhje institucionale të qytetarëve të Kosovë, në dobi të serbëve. KMDLNj –ë, në takim me ish – kryeministrin Ramush Haradinaj ka kërkuar që qytetarët të kompensohen për dëmin që iu ishte bërë përmes fryerjes së faturave, ishte një premtim se do të ktheheshin ato mjete përmes faturave të rrymës por se asgjë nuk u bë në këtë drejtim. Plaçkitja e qytetarëve atëherë, pa asnjë dyshim ishte vepër penale por nuk ishte ndërmarrë asnjë veprim nga Prokuroria e Shtetit përkundër faktit se kjo vjedhje ishte bërë publike dhe këtë e kishin pohuar edhe zyrtarët e operatorit. Sigurisht se politika vendore dhe ndërkombëtare nuk e kishte lejuar këtë hetim. ZRrE, kurrë dhe asnjëherë nuk ka qenë në mbrojtje të interesit të qytetarëve por gjithmonë sikur edhe tani është në mbrojtje të interesit të operatorëve si dhe serbëve që nuk e paguajnë rrymën e shpenzuar. Arsyetimi i tyre se, nëse nuk do të kishte rritje të çmimit për rrymën e shpenzuar për shqiptarët dhe joserbët, atëherë do të kishte reduktime është arsyetim i paqëndrueshëm dhe mashtrim i opinionit aq më parë që, me përmirësimin e kohës, kërkesa për rrymë bie dhe nuk rritet. Është e vërtetë që Kosova e shet rrymën vazhdimisht duke shkaktuar mungesë të rreme në treg ndërsa e paguan më shtrenjtë kur përballet me protesta apo paralajmërim të tyre. Kryetari i Bodit të ZRrE është i pasinqertë dhe mashtrues kur sajon arsyetime për shtrenjtim të rrymës dhe e favorizon krimin e organizuar në veri duke ua paguar rrymën e shpenzuar pa asnjë kriter, pa asnjë kufizim dhe pa asnjë reduktim. Kryetari i këtij ekipi plaçkitësish të paskrupullt të buxhetit të shtresave më të rrezikuara në mënyrë flagrante i shkelë të drejtat e njeriut të qytetarëve të Kosovës duke ua lejuar faturimin e rrymës ekskluzivisht në baza etnike. Në një vend normal, jo që do të shkarkohej por do të hetohej penalisht për diskriminim të qytetarëve. Qeveria e Kosovës, përmes ministrave krejtësisht të padijshëm, përpiqet të heq përgjegjësinë nga kjo ngritje e çmimit të rrymës me arsyetimin se ZRrE është institucion i pavarur ndonëse nuk ka lënë vend pa i futur hundët dhe pa ushtruar ndikim.

Qytetarët e Kosovës duhet të mendojnë mirë e mirë se kujt do t’i japin votën në zgjedhjet e radhës sepse deputetët e legjislatures aktuale nuk kanë bërë asgjë për të mbrojtur interesat e qytetarëve – votuesve të mundshëm. Në një gjendje të rënduar ekonomike ku një ministër, pa asnjë kredibilitet profesional dhe moral e rritë tatimin në pronë mbi 100 përqind dhe luan ping – pong me komunat duke dhunuar buxhetin e qytetarëve të Kosovës dhe që pastaj, si Robin Hudi del me propozim (pa asnjë bazë ligjore) që komunat t’ua falin nga 100 euro qytetarëve për tatim në pronë, ky ministër do të fluturonte nga qeveria, si mashtrues dhe manipulues. Sot, në Kosovë ky veprim llogaritet si virtyt, për fat të keq. E kanë gjetur një modus vivendi për ta materializuar një përfitim material që iu përshtatet edhe qeverisë së Kosovës, edhe komunave në Kosovë. Hiç këtu serbët që duke shfrytëzuar përfitime jonormale, në dëm të shqiptarëve dhe joserbëve janë shndërruar në “nebeski narod – popull hyjnor“. E tërë Franca, qe një kohë është në këmbë duke protestuar për të drejtat ekonomike dhe sociale sikur që edhe Gjermania ka hyrë në grevë të përgjithshme, gjithashtu duke kërkuar rritje të pagave për të përballuar rritjen e çmimeve.

Në Kosovë ku pensionet që iu jepen atyre që me punë i kanë merituar dhe kanë kontribuar për shtetndërtim, paraqesin turp dhe nënçmim. Gjithashtu edhe ndihmat sociale sikur edhe kompensimet që jepen për grupet e margjinalizuara, veteranët e luftës, familjet e të pagjeturve, viktimat e dhunës seksuale nuk mjaftojnë as për të mbuluar shpenzimet minimale e lëre më për një jetë të dinjitetshme apo edhe për një vdekje të dinjitetshme. Qytetarët e Kosovës janë lënë pa asnjë mbrojtje dhe pa asnjë përkrahje në aspektin social dhe material dhe, përveç kundërshtimeve verbale të çastit, me asgjë nuk e kundërshtojnë këtë diskriminim sikur që e bëjnë në Francë dhe Gjermani ku, cilësia e jetës është në nivel shumë më të lartë se në Kosovë.

Diskriminimi i qytetarëve në baza etnike është në kundërshtim të plotë me të drejtat e njeriut dhe vepër penale e kjo po ndodhë në Kosovë , shqiptarët dhe joserbët janë të detyruar të paguajnë të gjitha faturat (edhe duhet t’i paguajnë) kurse serbët këtë nuk e bëjnë, që nga përfundimi i luftës e deri më tani. Në një vend normal ku ka aktivizëm qytetarë dhe deputetë të ndërgjegjshëm dhe të përgjegjshëm, asnjë qeveri nuk do t’i mbijetonte presionit të arsyeshëm shkaku i diskriminimit të lakuriquar në baza etnike. Po nëse ky veprim do t’iu bëhej serbëve, rasti do të shkonte deri te Kombet e Bashkuara.

Sot, të drejtat e njeriut e kanë humbur kuptimin në Kosovë, ato janë vetëm në letër!

Vendi

Qeveria procedon dy projektligje: Çmimet tavan dhe sigurimet shëndetësore

Published

on

By

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka prezantuar dy projektligje që i ka cilësuar si jetike për qytetarët në mbledhjen e tetë të radhës së ekzekutivit.

Bëhet fjalë për Projektligjin për çmimet tavan për produktet bazë dhe atë për sigurimet shëndetësore, reforma këto që sipas kreut të qeverisë, synojnë mbrojtjen e xhepit dhe shëndetit të qytetarëve.

Sa i përket rregullimit të tregut, Kurti ka theksuar se Ligji për çmimet tavan do të shërbejë si mburojë në kohë krizash ekonomike.

Sipas tij, ky ligj “garanton furnizimin dhe çmime të përballueshme për produktet bazë”, duke u bërë një barrierë kundër abuzimeve në treg. Kryeministri shtoi se përmes kësaj nisme “parandalohen spekulimet dhe fitimet e pajustifikueshme në kurriz të qytetarëve”, si dhe sigurohet një “reagim i shpejtë institucional kur tregu destabilizohet”.

Një risi e këtij ligji, sipas Kurtit, është krijimi i një mekanizmi të ri mbikëqyrës.

“Për herë të parë krijojmë mekanizëm të pavarur, bordin i cili vendos mbi bazën e të dhënave dhe interesit publik,” u shpreh ai, duke shtuar se mungesa e një rregullimi të tillë deri më tani u ka kushtuar shtrenjtë qytetarëve.

Në anën tjetër, mbledhja e qeverisë shënoi edhe rikthimin e një prej reformave më të diskutuara në sektorin e shëndetësisë.

Kurti bëri të ditur se po e risjellin Projektligjin për sigurime shëndetësore, i cili ishte sfiduar më parë në Gjykatën Kushtetuese nga opozita.

“Sot po ashtu po e risjellim edhe një tjetër ligj jetik për qytetarët dhe shëndetësinë publike,” tha Kurti, duke nënvizuar se qeveria do t’i qëndrojë besnike premtimeve të dhëna. Ai e cilësoi këtë nismë si një shtyllë të fortë për shtetin, duke deklaruar se: “Kjo reformë e bën shtetin më të fortë në përmbushjen e detyrimit themelor në mbrojtjen e jetës së qytetarëve”.

Këto dy projektligje tani pritet të kalojnë në procedurat e mëtutjeshme parlamentare, ku pritet të ketë debate mes pozitës dhe opozitës.

Continue Reading

Lajmet

Arrestohet një grua në Podujevë për keqtrajtim apo braktisje të fëmijëve

Published

on

By

Në raportin e policisë, në 24 orët e fundit është raportuar një rast i keqtrajtimit apo braktisjes së fëmijëve në Podujevë, që ka çuar në arrestimin e një personi.

Ngjarja ka ndodhur pasditen e së enjtes, ku njësitet policore kanë vënë në pranga të dyshuarën grua nën dyshimin për kryerjen e kësaj vepre penale.

Sipas raportit, “e dyshuara është dërguar për tretman mjekësor dhe e njëjta me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje”.

Policia nuk ka dhënë detaje shtesë mbi gjendjen e fëmijës, mirëpo ka konfirmuar se rasti po trajtohet nga organet kompetente për procedura të mëtejshme hetimore.

Continue Reading

lajme

Ekstradohet nga Franca i kërkuari për vrasje në tentativë në rajonin e Pejës

Published

on

By

Policia e Kosovës ka njoftuar se është realizuar ekstradimi i një shtetasi kosovar nga Franca për në Kosovë, i cili ishte i kërkuar me urdhërarrest ndërkombëtar.

Operacioni u krye dje nga Drejtoria për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor, në koordinim të plotë me institucionet e drejtësisë dhe njësitet tjera relevante.

I dyshuari, i cili akuzohet për veprën penale “Vrasje në tentativë”, ishte arrestuar më parë nga autoritetet franceze pasi ishte shpallur në kërkim përmes INTERPOL-it për t’iu shmangur përballjes me drejtësinë kosovare.

Sipas njoftimit zyrtar, procesi u krye me sukses falë marrëdhënieve të mira ndërshtetërore, duke u theksuar se: “Ekstradimi u realizua bazuar në ligjet në fuqi dhe bashkëpunimit të ngushtë mes institucioneve të Republikës së Kosovës dhe atyre franceze”.

Pas mbërritjes në Kosovë, i dyshuari u është dorëzuar njësive përkatëse të policisë në rajonin e Pejës për procedim të mëtejshëm ligjor.

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se do të mbetet aktive në luftën kundër krimit pa marrë parasysh kufijtë, duke deklaruar se: “Policia e Kosovës do të vazhdojë me shkëmbimin e informacioneve me institucionet vendore, shtetet dhe organizatat ndërkombëtare me qëllim të parandalimit, hetimit dhe zbulimit të aktiviteteve kriminale”.

Continue Reading

Lajmet

Studentët e Arkitekturës në UBT realizojnë vizitë studimore në terren në lagjen Kalabria

Published

on

By

Në kuadër të lëndës Studio e Planifikimit Urban, studentët e vitit të dytë nga Fakulteti i Arkitekturës dhe Planifikimit Hapësinor në UBT kanë zhvilluar një vizitë studimore në lagjen Kalabria në Prishtinë, së bashku me profesoreshën Elvida Sahatqiu Pallaska.

Vizita në terren kishte për qëllim mbledhjen e të dhënave dhe vëzhgimin e drejtpërdrejtë të hapësirës urbane, si hap fillestar drejt analizës së gjendjes ekzistuese. Kjo analizë do të shërbejë si bazë për zhvillimin e detyrave semestrale të studentëve në këtë lëndë.

Përmes kësaj përvoje praktike, studentët patën mundësinë të thellojnë njohuritë e tyre duke lidhur aspektet teorike me realitetin urban, si dhe të zhvillojnë një qasje kritike ndaj organizimit dhe funksionimit të hapësirës në qytet.

Vizita u realizua në bashkëpunim me profesoreshën Elvida Sahatqiu Pallaska dhe asistentët Gazmend Uka dhe Agnesa Thaqi, të cilët udhëhoqën studentët gjatë procesit të vëzhgimit dhe analizës në terren.

Continue Reading

Të kërkuara