Lajmet

​Ngacmimet dhe dhuna seksuale, LDK inicion rezolutë në Kuvend

Lushtaku–Sadriu deklaroi se partia e saj do të kontribuojë në politika konkrete për ngacmimet seksuale.

Published

on

Fondacioni gjerman Konrad Adenauer, Zyra në Kosovë ka organizuar sot një diskutim të hapur me temën: “Politikat dhe veprimet kundër ngacmimeve dhe dhunës seksuale në Kosovë. Çfarë duhet bërë?”.

Në këtë tryezë përfaqësues të organizatave ndërkombëtare dhe vendore konstatuan se është e domosdoshme që të ketë një riaktivizim mbi një qasje praktikisht proaktive në këtë drejtim. Ekzistimi i rasteve të recidivizmit të pandëshkuar është tejet shqetësues, sikurse janë veprimet e ndërmarra në përgjithësi në fazën parapenale. Vonesat që rrjedhin nga lëndët e shumta në trajtimin e këtyre rasteve, po shërbejnë si dekurajim për viktimat që t’i raportojnë këto krime, sikurse po shërbejnë për një lloj amnistie që po i bëhet kryerësve të këtyre veprave.

Përfaqësues të Forumit të Gruas së LDK, Jehona Lushaku-Sadriu dhe Doarsa Kica-Xhelili thanë se LDK do të propozojë në Kuvend të Kosovës një rezolutë kundër dhunës seksuale, ku do të përcaktohen qartë detyrat e institucioneve të Kosovës, qeverisë dhe gjyqësorit, për të parandaluar këtë fenomen. Kjo tryezë, por edhe takimet me institucione e shoqata të grave, do të shërbejë si mundësi për të marrë pikëpamjet e akterëve të ndryshëm, të cilat më pas do të jenë pjesë e kësaj rezolutë.

Kryetarja e Forumit të Gruas së LDK-së, Jehona Lushtaku–Sadriu deklaroi se partia e saj do të kontribuojë në politika konkrete për ngacmimet seksuale.

“Forumi i gruas së LDK-së së bashku me organizatën gjermane KAS ka organizuar këtë tryezë të rrumbullakët për të diskutuar politikat dhe veprimet që duhet ndërmarrë sa i përket ngacmimeve seksuale. Kemi parë që kohët e fundit është rritur numri i ngacmimeve seksuale dhe dhunës ndaj grave. Prandaj jemi shumë të shqetësuar dhe kemi dëshirë që të kontribuojmë me politika dhe veprime konkrete në këtë aspekt… Në kuadër të kësaj qasje të re të platformës politike, ne do të prezantojmë në Kuvendin e Kosovës një rezolutë e cila do të bëjë thirrje dhe do të prezantojë disa ide për të adresuar dhe rritur efikasitetin sa i përket rasteve për ngacmime seksuale dhe rasteve në përgjithësi ndaj dhunës ndaj grave. Ne në platformën tonë politike do të përfshijmë edhe veprime konkrete të cilat do të jenë masa konkrete nga komunat, aty ku ne qeverisë. Por do të ketë edhe politika të cilat si parti politike do t’i përfshijmë në platformën tonë për t’i ngritur atëherë kur jemi në qeveri”, deklaroi ajo.

Ndërsa deputetja e kësaj partie, Doarsa Kica-Xhelili tha se LDK do të iniciojë një rezolutë në Kuvendin e Kosovës për ngacmimet seksuale.

“Tashmë është e ditur se çështja e rasteve të dhunimit dhe ngacmimeve seksuale në përgjithësi po na shqetëson të gjithëve. Fakti që po raportohen më tepër është indikator se këto kanë ekzistuar gjithmonë. Mua më vjen mirë që po raportohen, por kjo tregon se çka pritet. Mekanizmat shtetëror duhet të riaktivizohen në këtë drejtim, pasi nuk po duket se janë mjaftueshëm efektiv. LDK-ja nuk e ka marrë këtë temë vetëm sa për të trajtuar parimisht në letër. Mënyra si duam ne të trajtojmë këtë temë është në kuptim plotësisht praktik. Ne duam të iniciojmë një rezolutë në Kuvendin e Kosovës e cila do të merret plotësisht në terma praktik dhe proaktiv të institucioneve ekzistuese të Kosovës, që merren kryesisht me rastet e dhunimeve dhe sulmeve seksuale. Ne e kemi plotësisht të qartë zvarritjen e lëndëve në gjyqësi, numrin e madh të parashkrimit të lëndëve, qofshin për faj të prokurorëve apo gjyqtarëve. Këto lëndime të sistemit të drejtësisë nuk janë lëndime që duhet t’i vihen barrë viktimave të dhunimit dhe sulmit seksual. Pra një viktimë e dhunimit dhe sulmit seksual sot në momentin që mendon të raportojë rastin e saj nuk duhet të mendojë a do të zvarritet lënda e saj pesë apo gjashtë vite. U diskutua për krijimin e një task-force në polici dhe trajnimeve të avancuara të prokurorëve dhe gjyqtarëve për profilizim në këto lëndë. Si LDK është e rëndësishme që ne të vazhdojmë këtë komunikim me gjitha palët e interesit, viktimat dhe njerëzit e gjitha strukturave, institucioneve që të kemi të qartë se çka do të na nevojitet si tekst në rezolutën e Kuvendit që të sigurojmë se ai do të jetë i zbatueshëm dhe që do të shtyhet përpara”, deklaroi ajo.

Ndër folëset në këtë tryezë ishin Rozalia Biro, kryetare e Forumit të Gruas të Partive Popullore Evropiane me seli në Bruksel, Daniel Braun, drejtor i zyrës për Kosovë dhe Maqedoni të Veriut, i Fondacionit Konrad Adenauer, Jehona Lushaku, profesoreshë universitare dhe kryetare e Forumit të Gruas në LDK, Doarsa Kica-Xhelili, deputete e Kuvendit të Republikës së Kosovës si dhe Arrita Rezniqi, hulumtuese, Instituti i Kosovës për Drejtësi.

Rajoni

Arrestohet në Zvicrë, ekstradohet në Kosovë i dyshuari për mashtrim

Published

on

By

Një person i kërkuar nga autoritetet e rendit në Kosovë është ekstraduar gjatë ditës së sotme nga Zvicra drejt Kosovës, pas një operacioni të suksesshëm të Policisë së Kosovës në bashkëpunim me autoritetet zvicerane.

Lajmi është bërë i ditur përmes një komunikate zyrtare nga Policia e Kosovës, ku specifikohet se i ekstraduari është shtetasi me inicialet B.Z., i cili ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar përmes letërrreshtimit të lëshuar nga Interpoli.

I dyshuari ishte arrestuar kohë më parë nga autoritetet zvicerane, pasi institucionet e drejtësisë në Kosovë kishin lëshuar urdhërarrest ndaj tij nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “Mashtrim”.

Sipas Policisë, B.Z. i ishte shmangur drejtësisë për një kohë të gjatë, por koordinimi i Drejtorisë për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor me njësitet relevante dhe institucionet zvicerane bëri të mundur lokalizimin dhe sjelljen e tij para organeve të rendit në vendlindje.

Ekstradimi i realizuar këtë të mërkurë, më 1 prill 2026, u mbështet plotësisht në ligjet në fuqi dhe në marrëdhëniet e ngushta diplomatike e policore mes Republikës së Kosovës dhe Zvicrës.

Policia e Kosovës ka deklaruar se ky aksion është pjesë e përpjekjeve të vazhdueshme për të luftuar krimin dhe për të parandaluar aktivitetet ilegale, duke theksuar se shkëmbimi i informacioneve me organizatat ndërkombëtare do të intensifikohet për të gjurmuar dhe kapur çdo person apo grup kriminal që tenton t’i shpëtojë përgjegjësisë penale, pavarësisht nëse veprojnë brenda apo jashtë kufijve të vendit.

Continue Reading

Lajmet

ZRRE: Do të korrigjohet çdo gabim në faturat e rrymës

Published

on

By

Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE), përmes një njoftimi për media, bën të ditur se është angazhuar maksimalisht në monitorimin e situatës lidhur me shqetësimet e konsumatorëve për devijimin e mundshëm të orëve tarifore.

ZRRE po grumbullon në vazhdimësi informata për të garantuar një matje të drejtë dhe të saktë, duke siguruar që faturimi të reflektojë vetëm konsumin real të energjisë elektrike.

Në këtë kuadër, ZRRE ka bërë të qartë se çdo rast i raportuar do të trajtohet me prioritet.

“ZRRE siguron konsumatorët se të gjitha rastet e raportuara për mos-përputhje të kohës tarifore do të analizohen dhe shqyrtohen me kujdes. Në rast se konstatohet se ekzistojnë gabime në funksionimin e njehsorit elektrik, do të ndërmerren masat e nevojshme, në përputhje me legjislacionin dhe rregullat në fuqi”, thuhet në njoftim.

Ky angazhim vjen si një garanci shtesë se asnjë gabim teknik nuk do të rëndojë mbi xhepat e qytetarëve, veçanërisht pasi kompanitë si KEDS dhe KESCO janë ndërmarrje të rregulluara dhe nuk mund të përfitojnë nga këto parregullsi.

Për të mbyllur çdo hapësirë dyshimi, rregullatori rikonfirmon se mbetet e përkushtuar për mbrojtjen e të drejtave të konsumatorëve dhe garantimin e një sistemi të drejtë dhe transparent dhe të besueshëm në sektorin e energjisë.

 

Continue Reading

Vendi

27 vjet nga masakra në Lybeniq, Kurti: Serbia refuzon të ballafaqohet me të kaluarën

Published

on

By

Në 27-vjetorin e njërës prej krimeve më makabre të forcave serbe në Kosovë, Kryeministri Albin Kurti ka bërë homazhe te varrezat e të vrarëve në fshatin Lybeniq të Pejës.

Ky përvjetor kujton mëngjesin e përgjakshëm të 1 prillit të vitit 1999, kur njësitë famëkeqe serbe “Çakejt” dhe “Mbrojtja Territoriale” rrethuan fshatin dhe shkatërruan jetët e dhjetëra familjeve.

Sipas dëshmive, forcat serbe kishin nxjerrë banorët me dhunë nga shtëpitë e tyre, duke i mbledhur në qendër të fshatit, pranë xhamisë. Pasi ndanë gratë, fëmijët dhe të moshuarit për t’i dëbuar me forcë drejt Shqipërisë, ata ekzekutuan me breshëri armësh automatike 59 burra të pafajshëm nga familjet e shumta të këtij fshati.

Kryeministri Kurti theksoi se, edhe pse kjo masakër u dokumentua që në vitin 1999 nga organizatat ndërkombëtare si Human Rights Watch, drejtësia po mungon.

Ai akuzoi drejtpërdrejt shtetin serb për zvarritje dhe mjegullim të proceseve gjyqësore, duke e quajtur Serbinë një “shtet gjenocidal” që refuzon të ballafaqohet me të kaluarën.

Në fund të mesazhit të tij, Kurti nënvizoi se Serbia vazhdon të mbetet një tokë e varrezave masive dhe një strehë e sigurt për kriminelët e luftës, duke kërkuar llogaridhënie për krimet që lanë plagë të hapura në Lybeniq dhe mbarë Kosovën.

 

Continue Reading

Lajmet

MINT nis verifikimin e njehsorëve të rrymës pas dyshimeve për matje të gabuara

Published

on

By

Komisioni i posaçëm i Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë ka nisur punën në terren për verifikimin e njehsorëve elektrikë, pas ankesave të shumta të konsumatorëve për çrregullime të kohës dhe matje të pasaktë të energjisë.

Drejtoresha e Agjencisë së Metrologjisë, Sebahate Bushrani, ka bërë të ditur se njehsorët e dyshimtë do të tërhiqen për verifikim dhe do të zëvendësohen me të tjerë deri në lëshimin e raportit zyrtar. Sipas saj, aktualisht janë rreth 70 ankesa, ndërsa raporti përfundimtar do t’u dërgohet Departamentit për Mbrojtjen e Konsumatorit dhe palëve të përfshira, raporton Koha.net.

Ky aksion vjen pas denoncimit nga Lidhja Demokratike e Kosovës, e cila përmes një hulumtimi në Prishtinë dhe Ferizaj ka pretenduar se rreth 800 njehsorë llogarisin energjinë me tarifë të shtrenjtë për shkak të mosperputhjes së orës.

Ndonëse KEDS-i i ka mohuar këto pretendime, raportimet e mëhershme kanë treguar se qytetarët në Fushë-Kosovë janë përballur me probleme të ngjashme, ku orët në njehsorë figuronin jashtë kohës reale. Verifikimi mbetet një proces i ndjeshëm, veçanërisht pas kritikave të vitit 2023 se ky proces kryhej në laboratorët e KEDS-it, veprim ky që konsiderohej shkelje e Ligjit për Metrologji.

Saktësia e njehsorëve është jetike për xhepin e qytetarëve, pasi dallimi mes tarifave është i lartë. Gjatë dimrit, tarifa e lartë (9.05 centë deri në 15.43 centë për kW) aplikohet nga ora 07:00 deri në 22:00, ndërsa tarifa e ulët (3.88 centë deri në 7.28 centë për kW) vlen gjatë natës. Çdo mospërputhje e orës bën që konsumatorët të faturohen me çmime maksimale edhe kur ata tentojnë të kursejnë duke përdorur pajisjet shtëpiake gjatë orëve të vona. /Koha.net/

 

Continue Reading

Të kërkuara