Lajmet

​Nga sot vaksina kundër COVID-19 mund të merret edhe në sheshin “Zahir Pajaziti”

Ministri Latifi u bëri thirrje qytetarëve të vaksinohen.

Published

on

Ministria e Shëndetësisë sot në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë ka hapur edhe një pikë të re të vaksinimit kundër COVID-19, më qëllim të ofrimit të sa më shumë mundësive për qytetarët për imunizim kundër koronavirusit.

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama deklaroi që nuk ka probleme me vaksina, derisa apeloi të gjithë qytetarët që të vaksinohen për siç tha ai, të mirën e Prishtinës.

“Është një rast i veçantë, një kalibrim mes UNICEF-it, Ministrisë së Shëndetësisë, Komunës së Prishtinës, ku është bërë edhe një pikë e vaksinimit për qytetarët e Prishtinës me rëndësi shumë të madhe, që vaksinimi të vazhdojë. Jemi në një kontroll të mirë të pandemisë duke i falënderuar edhe Ministrinë e Shëndetësisë, ministrit, ndihemi ashtu me një vetëbesim shumë më të lartë mirëpo duhet me vazhdu vaksinimin, për këtë arsye është vendosur këtu edhe pika e vaksinimit në qendër të Prishtinës për shkak që ka një fleksibilitet shumë më të madh”, theksoi Rama.

Edhe ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi u bëri thirrje të gjithë qytetarëve që të vaksinohen me të gjitha dozat, pasi sipas tij, nuk ka zgjidhje tjetër.

“Kjo është një ngjarje me rëndësi te madhe, kur numri i rasteve të COVID-it po bie. Lus gjithë qytetarët që nuk janë vaksinuar që të vaksinohen me të gjitha dozat, sepse nuk kemi zgjidhje tjetër, vetëm në këtë mënyrë mund ta mbajmë qytetin hapur”, tha Latifi.

Drejtori i Shëndetësisë së komunës së Prishtinës, Izet Sadiku tha që do të bëjnë edhe një fushatë sensibilizuese për t’i informuar dhe për t’i bindur qytetarët që vaksinimi është i domosdoshëm. Sipas tij, vaksinimi mbetet forma më e mirë e parandalimit të përhapjes së koronavirusit.

“Kjo është qendër e re që e hapim sot për vaksinim, pavarësisht që janë disa qendra të tjera për vaksinim. Qëllimi ynë është që t’iu ofrojmë sa më shumë mundësi qytetarëve për t’u vaksinuar. Ndërkaq po shihet që interesi i qytetarëve për vaksinim është i mirë, mirëpo ne do të bëjmë edhe një fushatë sensibilizuese në mënyrë që t’iu japim sa më shumë informacione qytetarëve për t’i bindur që vaksinimi është forma më e mirë për parandalimin e COVID-19”, tha Sadiku.

Edhe Nona Zicherman, shefe e zyrës së BE-së foli për rëndësinë e vaksinimit.

“Ne mund të ndjehemi të shëndetshëm, mirëpo kemi të moshuar në shtëpi, duhet t’i mbajmë shkollat hapur për fëmijët tanë. Me mbështetjen e Ministrisë së Shëndetësisë, zyrës së kryetarit të komunës, ne jemi në gjendje ta afrojmë vaksinimin me komunitetin, për ta bërë atë sa më të përshtatshëm. Ju lutemi, vaksinohuni për veten tuaj, për fëmijët tuaj, për komunitetin tuaj”, tha ajo.

E hapjes së pikës së re të vaksinimit në shesh po i gëzohen qytetarët. Jakup Mehmeti tha për KosovaPress se ka qenë i nevojshëm krijimi i një mundësie të re për vaksinim.

“Jemi vaksinu sepse është e domosdoshme me kriju një imunitet dhe mos i infektu të tjerët”, tha Mehmeti.

Ndërkohë, pika e vaksinimit në QMF-7 në lagjen Kalabria (ish-Emshir) dhe ajo në “Albi Mall”, janë në dispozicion çdo ditë për qytetarët e Prishtinës dhe jo vetëm, që të vaksinohen lehtë, shpejt dhe sigurt kundër COVID-19. Ndërkaq pritet të hapet edhe një pikë tjetër e vaksinimit shumë shpejtë në lagjen “Kodra e trimave” por edhe në qytetet tjera. Pika e re e vaksinimit kundër COVID-19, e vendosur në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë do të jetë në dispozicion të qytetarëve nga ora 12:00 deri në ora 20:00 të ofrojë mundësi vaksinimi për qytetarët.

Lajmet

Nesër ditë zie në Kosovë për nder të akademik Rexhep Qosjes

Published

on

By

Ushtruesja e detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka marrë vendim që dita e nesërme, e premte, 24 prill 2026, të shpallet ditë zie shtetërore në tërë territorin e vendit. Ky vendim vjen si shenjë respekti dhe nderimi për jetën dhe veprën e jashtëzakonshme të akademikut Rexhep Qosja, i cili u nda nga jeta në moshën 89-vjeçare.

Përmes këtij akti zyrtar, institucionet e shtetit shprehin mirënjohjen e thellë për kontributin e pazëvendësueshëm të akademikut Qosja në ndërtimin e autoritetit shkencor dhe kulturor të Kosovës.

“Në nderim të jetës dhe veprës së akademik Rexhep Qosja, dita e nesërme, e premte, 24 prill 2026, shpallet Ditë zie shtetërore në Republikën e Kosovës. Me këtë vendim, shteti ynë shpreh nderimin dhe mirënjohjen për një personalitet që i dha kulturës shqiptare dije, vepër dhe autoritet”, thuhet në njoftimin e Presidencës.

Sipas vendimit të nënshkruar nga u.d. Presidentja Haxhiu, Protokolli i Shtetit është ngarkuar që t’i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për zbatimin e kësaj zije shtetërore. Ky vendim pason lajmin për vdekjen e akademikut dhe përmbylljen e ceremonisë së varrimit, e cila, sipas dëshirës së të ndjerit, u zhvillua në mënyrë private.

Continue Reading

Lajmet

BIOGRAFIA E REXHEP QOSJA

Published

on

Sot është ndarë nga jeta akademiku, shkrimtari dhe studiuesi i njohur shqiptar, Rexhep Qosja.

Rexhep Qosja lindi më 1936 në Vuthaj të Malit të Zi. Shkollimin fillor dhe të mesëm e kreu në Vuthaj dhe në Guci, ndërsa në Prishtinë përfundoi Shkollën Normale dhe më pas studimet për gjuhë dhe letërsi shqipe në Fakultetin Filozofik.

Karrierën akademike e nisi në vitin 1967 si asistent në Institutin Albanologjik të Prishtinës. Studimet pasuniversitare i kreu në Universitetin e Beogradit, ndërsa më 1971 mbrojti doktoratën për jetën dhe krijimtarinë e Asdrenit. Gjatë viteve në vijim, ai u ngrit në një nga figurat më të rëndësishme të studimeve albanologjike, duke qenë profesor ordinar në Universitetin e Prishtinës dhe drejtor i Institutit Albanologjik në periudhën 1972-1981.

Qosja është autor i mbi tridhjetë librave nga fusha e kritikës letrare, studimeve shkencore, si dhe prozës artistike, përfshirë romane, tregime dhe drama. Ai ka botuar gjithashtu qindra artikuj, ese dhe studime, duke dhënë një kontribut të veçantë në zhvillimin e mendimit kritik dhe letërsisë shqipe.

Për krijimtarinë shkencore e letrare është çmuar me Shpërblimin e qytetit të Prishtinës më 1968; me Shpërblimin Krahinor të Dhjetorit më 1969; me dy shpërblime të SHSH të Kosovës, më 1972 dhe 1974 dhe me Shpërblimin e RS të Serbisë “7 Korriku”, më 1975, me Çmimin “Pjetër Bogdani”, 2010 për romanin “Bijt e askujt”, etj.

Në mars të vitit 2025 Qosja u nderua me çmimin “Letërsia shqipe” nga Ministria e Kulturës, si njëri prej ndikuesve më të mëdhenj të letërsisë shqipe. Është marrë edhe me veprimtari politike. Në periudhën 1998-2000 drejtoi një parti politike në Kosovë. Në vitin 2000, kryetari i Republikës së Shqipërisë i dha çmimin “Nderi i Kombit”.

Ndarja e tij nga jeta përbën një humbje të madhe për kulturën, shkencën dhe mbarë kombin shqiptar.

Continue Reading

Lajmet

Miratohet Ligji për Lojërat Mesdhetare mes përplasjeve për transparencën dhe rolin e BE-së

Published

on

By

Kuvendi i Kosovës, me 64 vota për, ka miratuar Projektligjin për organizimin e Lojërave Mesdhetare “Prishtina 2030”. Megjithatë, miratimi u shoqërua me debate të ashpra mes opozitës dhe udhëheqjes së Kuvendit, kryesisht për shkak të vërejtjeve të Zyrës së Bashkimit Evropian lidhur me menaxhimin e parasë publike.

Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra, kritikoi ashpër nxitimin për kalimin e këtij ligji, duke cituar shqetësimet e ndërkombëtarëve për mungesë transparence.

“Është e padrejtë forma si neglizhoni amendamentet e deputetëve dhe se si nuk i respektoni kërkesat e BE-së që kërkon ruajtje të transparencës, llogaridhënies dhe parasë publike. Është e çuditshme si po mundoheni ta eskivoni këtë”, u shpreh ajo, duke shtuar se PDK nuk është kundër lojërave, por kundër shkeljes së rregullave në emër të afateve politike.

Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, iu përgjigj këtyre kritikave duke vënë theksin te sovraniteti i institucionit dhe urgjenca e situatës politike, duke pasur parasysh afatin për zgjedhjen e presidentit.

“Ne i respektojmë partnerët tanë, por nuk mund ta marrë më tepër parasysh një letër të Zyrës së BE-së sesa vullnetin e qytetarëve të shprehur në Kuvend. Nëse ky Kuvend nuk e zgjedh deri më 28 prill presidentin, shpërndahet me automatizëm. Paramendoni, Kosova ka marrë përgjegjësi t’i organizojë lojërat dhe ne jemi shumë vonë”, deklaroi Haxhiu.

Ajo madje u bëri thirrje deputetëve të opozitës që të mos bëhen “zëdhënës të Zyrës së BE-së”, por të përfaqësojnë interesat e qytetarëve që presin suksesin e këtij organizimi sportiv.

Përveç Lojërave Mesdhetare, seanca e sotme përmbylli edhe disa nisma të tjera ligjore

U miratua Projektligji për financimin e menaxhimit të resurseve ujore.

Në lexim të dytë kaluan me nga 69 vota Projektligji për Banim Social dhe të Përballueshëm si dhe Projektligji për Shtetësinë e Kosovës.

 

Continue Reading

Lajmet

Bogujevci takon përfaqësuesit e OKB-së, në fokus bashkëpunimi për kulturën dhe turizmin

Published

on

Ministrja e Kulturës dhe Turizmit, Saranda Bogujevci, ka pritur në takim Koordinatorin për Zhvillim në Kosovë të Kombeve të Bashkuara, Stephen O’Malley, së bashku me përfaqësues të agjencive të OKB-së në vend. Gjatë këtij takimi, palët diskutuan mundësitë e koordinimit ndërmjet Ministrisë së Kulturës dhe Turizmit dhe organizatave në kuadër të Kombeve të Bashkuara, me theks të veçantë në zhvillimin e projekteve në fushën e kulturës, trashëgimisë kulturore dhe turizmit.

Sipas njoftimit, të dyja palët shprehën gatishmëri për thellimin e bashkëpunimit dhe për koordinimin e iniciativave të përbashkëta në të ardhmen, me synim avancimin e sektorëve përkatës dhe rritjen e ndikimit të projekteve zhvillimore në vend.

Continue Reading

Të kërkuara